Doktor pershendetje. Kam nje mace femer 3 vjec e gjys, ajo disa here ka urinuar jashte kutise se reres kohet e fundit, asnjehere nuk ka pasur probleme me pare. Dje i pame urinen me ngjyre te turbullt si te kuqe, Para 5-6 muajsh e sterilizuam dhe deshem te dinim se mos i lindi ndonje problem nga plaga e operacionit, probleme me qpejn,penjet apo ku di une. Kush mendoni se do te jete problemi dhe c’fare ilacesh ti perdor. Faleminderit.
Përgjigje nga Dr Atalvin Zhiva:
Përshëndetje dhe faleminderit për pyetjen: Në radhë të parë dua t’ju përgëzoj për sterilizimin e maces suaj. Një veprim që tregon përgjegjshmëri nga ana juaj, si dhe kujdes për shëndetin e maces suaj! Gjej rastin që të inkurajoj këdo për të biseduar me mjekun veteriner rreth rëndësisë të madhe që ka një ndërhyrje si sterilizimi apo kastrimi i kafshëve të shoqërimit!
Përsa i përket problemit të urinës që ka macja juaj, nisur nga shënjat që ju përshkruani, si dhe nga ngjyra e urinës, dyshimi im kryesor është për një infeksion të rrugëve urinare.
Këto janë infeksione që ne i hasim shpesh në praktikat veterinare dhe pothuajse c’do mace i kalon disa herë gjatë jetës së saj. Veprimi që ju duhet të ndërmerrni është që ta coni sa më parë tek një veteriner për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me këtë problem. Do të jetë mjeku veteriner ai që do vërtetojë diagnozën si dhe do të vendose për llojit e medikamentit ( antibiotikut) me efikas për macen tuaj.
Duke u nisur nga fakti se unë, i jam përgjigjur disa herë kësaj pyetje me anën e adresës së email të revistës Mjekësia Veterinare Shqiptare, po sjell disa informacione më të detajuara rreth ketij problemiL
Infeksioni i rrugëve urinare tek macet
Infeksioni i rrugëve të poshtme urinare haset si tek qentë, po ashtu dhe tek macet. Problemi është se në disa rste , duke qënë se kafsha jeton në ambjente me hapësirë të madhe, shpesh mëzi dallohet nga pronarët kur kafsha është në fillimit e sëmundjes. Ky infeksion mund të shfaqet nga fare i lehtë, pa shënja të qarta dalluese, deri tek- kur kafsha sëmuret dhe ka shënja të qarta të problemit ( lexoni më poshtë shënjat e infeksionit urinar).
Ajo që është e rëndësishme është që të gjendet shkaku primar që shkakton këtë infeksion, gjë që ështe shumë e vështirë pa u bërë një sërë analizash. Të shumta janë problemet që mund të shkaktojnë infeksion të rrugëve të poshtme urinare tek kafshët e shoqërimit, të tilla si: tumoret, infeksione të ndryshme, rërë apo gurë në fshikzën urinare etj etj.
Një mace që ka probleme të këtij infeksioni shfaq një apo disa nga shënjat e mëposhtme:
-
Urinim jashtë kutisë së rërës, nëpër shtëpi, apo cepat e dhomave.
-
Urinë me ngjyrë të turbullt, të kuqërremtë të errët ( qershie).
-
Urinë me aromë të rëndë.
-
Urinim që shoqërohet me shënja dhimbjeje ( macja mund të qajë kur urinon)
-
Gjatë urinimit macja shpenzon kohë mbi kutinë e rërës, shtrëngohet ( shpesh kjo ngatërrohet sikur macja ka problem që të kryejë nevojën e trashë)
-
Lëpirje e organeve gjenetale ( si pasojë e dhimbjeve)
-
Bllokim ( pamundësi për të urinuar) , që haset më së shumti tek macokët.
-
Lethargji e përgjithëshme
-
Vjellje të shoqëruar ( ose jo) me diarre.
-
Mungesë e orkesit, anoreksi.
Trajtimi i infeksioneve të rrugëve të poshtme urinare është disa llojesh, kuptohet idealja e trajtimit është nëse gjendet shkaktari kryesor. Analizat e urinës duhet të kryhen nga Mjeku Veteriner në përpjekje për të gjetur shkakun, po ashtu grafi të traktit urinar mund të kryhen për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë apo jo me gurë në fzhiksën urinare. Gjithsesi nga përvoja praktike, është vënë re se mosha e maces ka një rëndësi të madhe një rëndësi të madhe për të gjetur shkakun. Në studimet e kryera është parë se macet ( mbi 50 % e rasteve) e reja nuk kishin ndonjë shkak kryesor që shkaktonte infeksionin, c’ka dotë thtë se ato kishin sic e quajmë ne mjekët veteriner “ cystitis idiopatik”, një pjesë e maceve kanë probleme me gurëza në fshikzën e urinës, apo bllokim të uretrës. Dhe disa % të vogla ( 1-5 %) kanë probleme si kancer në traktin urinar, trauma të ndryshme të traktit ( psh aksidente) etj.
Kurse tek macet e moshës mbi 10 vjec % e shkakut ndryshojnë ku problemi më shpesh i hasur( mbi 65 % të rasteve) është një problem I fazës fillestare të veshkave, dhe të tjera mund të kemi; gurë në fshikzën urinare, infeksion të fshikzës urinare etj.
Trajtimi i infeksionit të rrugëve të poshtme urinare, varion nga lloji i infeksionit. Baza e trajtimit është me antibiotik llojin e të cilit e vendos mjeku veteriner. Në disa raste mund të lindë e nevojshme përdorimi i medikamenteve kundërdhimbjeve. Rekomandohet një kulture e urinës tek macet mbi 10 vjece, për të pasur mundësi të gjejmë antibiotikun më efikas për infeksionin.
Përgatiti materialin Dr Atalvin Zhiva.
Nuk lejohet ribotimi dhe përdorimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë ose autorit!
Ju lutemi në rast referimi përmendëni autorin dhe burimin e veterineret.com!