Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për fermerët, pronarët dhe dashamirësit e kafshëve » TELEGRAF » Kulti i gjarpërit në Shqipëri e më tej.

Kulti i gjarpërit në Shqipëri e më tej.

Kulti i gjarpërit në Shqipëri e më tej.

miti i gjarperitGjarpri, ky zvarranik me aftësi të çuditshme, ka luajtur një rol të rëndësishëm në mitologjinë ilire. Kulti i gjarprit, është evident edhe te shumë popuj të botës që nga Azia Lindore e deri në Amerikë. Kulti i gjarprit, në rrafshin botëror, daton prej kufirit paleolitik dhe vjen deri në ditët tona, ndërsa në trevat ilire ai evidentohet qysh nga koha e neolitit. Megjithatë, nga epoka e neolitit e deri në epokën e hekurit, arkeologët ende nuk kanë zbuluar një simbol të qartë të këtij kulti. Ky fakt arkeologjik i ka shtyrë studiuesit albanologë të mendojnë se fizionomia e plotë e këtij kulti i takon periudhës së hekurit, shek VI – V para e.s.

miti i gjarperit2Rruga mitologjike e kultit të gjarprit fillon në Mesopotami, përcillet në Azinë e Vogël dhe këtej në botën mesdhetare, nga ku egjeanët dhe fenikasit tregtarë e përcollën në Perëndim. Kulti i gjarprit respektohej edhe prej familjeve mbretërore. Kështu Olimpia, bashkëshortja e Filipit dhe nëna e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, e cila ishte e bija e mbretit të Epirit, disa herë ishte parë të mbështillte rreth trupit gjarpërinj të gjallë.

 

 

 

Bashtia Pogradec logoAutorët antikë dhe kujtesa popullore na ofrojnë edhe legjenda të tjera për gjarprin dhe në vendin tonë, prej të cilave po veçoj legjendën e gjarprit të Bistricës. Në zonën e Delvinës në lashtësi ishte një gjarpër i madh (Kuçedra), i cili ishte bërë tmerri i zonës, sepse, ai jo vetëm kishte zënë burimet, por edhe hante çdo gjë, madje edhe njerëzit. Shumë orvatje ishin bërë për ta vrarë gjarpërin por, kishin dështuar.Më në fund funksionoi plani i një plaku. Ai ngarkoi një gomar me eshkë dhe qymyr. Kur përbindëshi ishte në gjumë, plaku e shpuri gomarin në vendin ku flinte dhe ndezi eshkën. Gjarpri, pasi e hetoi gomarin e gllabëroi në bark, por eshka vazhdonte të digjej  brenda tij dhe bashkë me të edhe gjarpëri. Meqenëse nuk i duronte dot dhimbjet i kërkoi ndihmë perëndisë së detit dhe Bistricës. “Ku je, o nëna ime Bistricë dhe ti motra det?”. Bistrica nxori 18 burimet e Syrit të Kaltër, por kjo nuk i mjaftonte gjarprit që të shuhej, i cili e kuptoi gabimin dhe thirri: “Ku je, nëna ime det dhe ti motra Bistricë?”. Deti erdhi vonë deri në Finiq, por nuk arriti ta shuante. Që të shpëtonte nga dhimbjet gjarpri lëvizi me shpejtësi në shpatin e malit mbi Devinë. Nga lëvizja u formua një vijë e drejtë, ku nuk mbin bari. Këtë vijë vendasit e quajnë: “rruga e gjarprit”, atje, ku sot gjendet një dukuri komplekse natyrore me origjinë gjeologjike, në të dyja anët e së cilës ka mbirë valanidh. Me kockat e gjarprit, u ngrit, thotë legjenda, Manastiri i Mesopotamit. Në pjesën e poshtme të murit të tij, gjendet një gjarpër i gëdhendur në gur, me krahë dhe me bisht të përdredhur, i cili mendohet e motivohet edhe si dragoi shqiptar.

Forma e gjarprit gjendet në shumë figura, skulptura, objekte zbukurimi e stoli të ndryshme, varëse në përmendoret e periudhës romake etj. Në luginën e Vjosës, gjarpri është prezent në skulpturën e një femre, e cila është gjendur në fshatin Qesarat të rrethit të Tepelenës.Skulptura është prej guri gëlqeror dhe ka një lartësi 0.98 m. Në të paraqitet një femër me një shportë të mbushur me fruta në dorën e majtë, rreth së cilës është mbështjellë një gjarpër, koka e të cilit drejtohet për nga frutat në shportë. Disa arkeologë shqiptarë, janë të mendimit se këtu gjarpri simbolizon bollëkun e prodhimit. Gjarpri ishte një figurë, i cili adhurohej shumë në gjithë luginën e poshtme të Vjosës gjatë antikitetit. Ai është prezent edhe në monedhat e Bylisit,Amanties dhe Apolonisë. Një element tjetër, i cili dëshmon për kultin e gjarprit në trojet shqiptare, është njoftimi i autorëve të antikitetit se në Iliri kishte pyje të posaçme, ku rriteshin gjarpërinjtë, të cilët ushqeheshin një herë në vit prej tri femrave, që shkonin atje nudo. Nëse pranohej ose jo ushqimi, priftërinjtë bënin parashikimin e ecurisë së motit, prodhimit, mënyrës së qeverisjes, mundësisë së zhvillimit të luftërave etj. Figura e gjarprit gjendet e skalitur edhe në portat e shtëpive, zbukurimet e ndryshme me gdhendje druri, si në: tavane, musëndra, dyer, furka tjerrjeje, cula dyjare, çifteli, kërraba, në përmendoret e varreve etj., duke përfshirë një areal të gjerë në zona të ndryshme të vendit si në: Përmet, Labëri, Çamëri, Malësi e Madhe, Dukagjin, Kosovë, Malësi e Tiranës etj. Mark Tirta, gjatë studimit të dokeve dhe zakoneve të Malësisë së Tiranës, konfirmon se koka dhe lëkura e gjarprit përdoreshin në këtë trevë si hajmali për fëmijët, për t’u mbrojtur nga syri i keq dhe sëmundjet e ndryshme. Prania e kultit të gjarprit edhe në ditët tona, me një shtrirje në të gjitha trevat shqiptare, dëshmon për një kult të përbashkët shqiptar, i cili u ka rezistuar dogmave të besimeve të ndryshme.

Gjarpëri i shtëpisë kulti dhe e vërteta rreth tij.

Gjarperi shtepise (elaphe longissima)

Gjarperi shtepise (elaphe longissima)

Legjenda thotë: Besohet se çdo shtëpi ka gjarpërin e vet. Ata zakonisht janë të qetë. Ndodh që gjatësia e tyre të jetë mbi dy metra, por populli i quan “gjarpërinjtë e shtëpisë” . Ata lëvizin apo ecin nëpër shtëpi lirisht dhe askush nuk guxon t’i ngacmojë, kështu që shpesh herë i gjejmë nëpër teshat apo mbulesat e fletjes, nën jastëkët, nëpër djepet e foshnjeve, e kështu me radhë.Thuhet nëse e mbysim gjarpërin, atëherë ai ndëshkon saqë në atë shtëpi ndodhin ngjarje të kobshme, u digjet shtëpia, mund të vdesë dikush prej anëtarëve të familjes, etj. ” Eshte interesant të përmendet rasti i mbrojtjes nga magjia” nëpërmjet kokës së gjarpërit. Vajzat e bukura dhenuset , me qellim që të mbroheshin nga magjia , e mbanin në qafë dhe midis gjinjëve kokën e gjarpërit. Në fakt, kur dikush rastesisht gjate punës së përditshme në fushë mbyste ndonjë gjarpër, ia merrte kokën , të cilën sipas nevojës më vonë mund ta mbante një vajzë ose nuse e shtëpisë. Koka e gjarpërit e mbajtur në trup ishte një ritual i trashëguar që nga ilirët, të cilët besonin në forcën mbrojtëse të tij. Gjarpëri edhe sot e kësaj dite tek shqiptarët konsiderohet si “roje i shtëpisë” dhe mendohet se secila shtëpi diku në themelet e saja e ka gjarpërin e vetë i cili e mbron atë. Prandaj kur ai paraqitet në oborrin e shtëpisë as nuk mbytet e as nuk ngacmohet, por lihet i qetë. Pra, koka e gjarpërit tek shqiptarët e ka patur kuptimin e një objekti sigurie për individin dhe shtëpinë.Eshtë e rëndësishme të kuptohet se gjarpërinjtë luajnë një rol të rëndësishëm në ekosistem, ashtu si çdo qenie tjetër që është krijuar dhe gjarpëri është krijuar për një qëllim.Shumica e gjarpërinjve të shtëpisë në botë e sidomos në vendin tone janë johelmues.Prania e tyre tregon se rreth shtëpisë tuaj do të ketë me shumicë ushqime të bollshme që tërheqin kafshë me të cilat ushqehet ai, si hardhuca,minj,bretkoca etj,kështu që kur vret gjarpërin pa dashur ke ftuar miun në shtëpi dhe ke prishur ekuilibrin natyror.

Për shembull  njëherë në një pronë të madhe të pyllëzuar në USA ,e pasur me shumë gjarpërinj,një fermer vendosi të fillojnë vrasjen e të gjithë gjarpërinjve me çdo mjet, por pas një viti rezultati që u mor ishte mbipopulli me bretkoca të neveritshme,hardhuca ,salamandra ,minj etj. Pranverën e ardhëshme ai filloi të mblidhte gjarpërinj të atij lloji të cilët ishin johelmues për ta populluar përsëri zonën. Megjithse një ofidiofob (ai që ka shumë frikë gjarpërin) nuk do të zgjidhte këtë rrugë.

Artikulli u soll për revistën “Veterinerët” nga Dr Mjek Veteriner Arben Qafëzezi.

Nuk lejohet ribotimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Ju lutemi përmendeni burimin e informacionit veterineret.com në rast referimi.


Na shkruani