Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » I mbrojtur: Edukuese » Llojet e parazitëve

Llojet e parazitëve

Përgatiti Mjekësia Veterinare Shqiptare:

Parazitët shkakojnë stres, probleme shëndetësore, ulje të peshës trupore dhe prodhimtarisë së qumështit duke shkaktuar një dëm të ndjeshëm ekonomik për fermerët.
Parazitët janë të adoptuar në mënyra specifike me mjedisin ku ato parazitojnë.
Llojet e parazitëve mund të ndahen sipas kritereve të ndryshme: vendi ku parazitojnë, madhësia e tyre, forma që kanë parazitët, rrezikshmëria për njeriun.
Sipas vendit ku parazitojnë parazitët ndahen në ektoparazitë dhe endoparazitë.

Ektoparazitët jetojnë jashtë trupit të kafshës, zakonisht në lëkurën e tyre. Lloje të ndryshëm parazitësh tentojnë të vendosen në pjesë specifike të trupit (faqe, trup ose pjesën e poshtme të gjymtyrëve, në folikulën e qimeve). Transmetimi bëhet direkt nga kontakti i kafshëve me njëra tjetrën.
Gjedhët dhe dhëntë kanë shume lloje parazitësh që janë shumë specifik. Parazitizmi ndodh më shpesh në periudhën e dimrit kur kafshët janë të grumbulluara. Disa nuk kalojnë tek njerëzit dhe në kafshët e tjera. Të tillë janë: parazitët e zgjebes, rriqrat etj.
Ektoparazitët ushqehen me gjakun e kafshëve dhe sjellin shqetësime nëpërmjet pickimeve që i sjellin kafshëve. Për këtë arsye ata shkaktojnë pasoja në gjendjen e përgjithshme të kafshës. Ektoparazitët shpesh bëhen edhe transmetues të sëmundjeve të ndryshme infektive dhe parazitare.

Endoparazitët parazitojnë në brendësi të trupit të kafshës. Ata ndahen në tre grupe kryesore që quhen krimbat e rrumbullakët, krimbat e shtypur dhe krimbat trematodë. Këta grupe parazitësh ndodhen në çdo ekonomi të rritjes të kafshëve dhe prekin gjithë llojet e kafshëve.
Endoparazitët sjellin dëmtim duke konkuruar me kafshën për të përdorur lëndët ushqimore si nga kafsha ashtu dhe nga paraziti. Dëmi që i sjellin kafshës janë në procesin prodhimit, riprodhimit dhe në gjendjen shëndetësore në përgjithësi.
Mortaliteti nga këta grupe parazitësh nuk është i ndjeshëm kurse dëmet ekonomike janë të mëdha.
Parazitët mund të jenë nga gjallesa që nuk mund të shihen me sy por vetëm me mikroskop dhe deri në parazitë të mëdhenj që mund të shikohen me sy të lirë.
Në parazitët mikroskopik janë protozoarët kurse krimbat e ndryshëm janë të shkueshëm më sy të lirë ashtu sikundër dhe shumica e ektoparazitëve.

Rrezikshmëria për njeriun.
Parazitët që përbëjnë rrezikshmëri për njerëzit vlerësohen si antropozoonoza (shënim i MVSH: dikur quheshin anthropozoonoses por për shkak të konfuzionit që krijonte përdorimi i këtij termi, tani rekomandohen të quhen thjesht zoonoza). Këta parazitë kalojnë nga kafshët tek njeriu she shkaktojnë aty sëmundje të ndryshme, në disa raste dhe të rrezikshme për jetën.
Parazitë të tillë janë ekinokokët, që në formë larvare parazitojnë edhe tek njeriu kurse paraziti i rritur zakonisht paraziton në kafshë.
Burimet e infestimit të kafshëve
Rrugët e infestimit të kafshëve janë të ndryshme. Kjo përcaktohet nga natyra e parazitit dhe përbujtësit të tij.
Rrugët më të rëndësishme janë: me anën e gojës, me pickim, me kontakt midis një kafshe të sëmurë e një të shëndoshë.
Ektoparazitët përhapen zakonisht me kontaktin e kafshës së sëmurë ose pajisjet e mjedisit ku ata kanë jetuar me kafshën e shëndoshë. Pra burimi është tek kafsha e sëmure apo objektet që ajo ka në kontakt dhe transmetohet me kontakt direkt të kafshës të shëndoshë. Kjo ndodh me shkaktarët e sëmundjes të zgjebes.
Por kemi dhe parazitë të tjerë (ektoparazitë) sikurse janë mizat mirila, të cilat depozitojnë vezët e hipoderma bovis në trupin e kafshës, zakonisht lopëve. Nga veza del larva e cila hyn në lëkurë dhe mbas një cikli të plotë lëvizje del në lëkurë përsëri dhe nga andej del përsëri si mizë. Endoparazitët kanë burim përgjithësisht kafshët apo njerëzit të infestuar me një parazit. Transmetimi i tij ka rrugë specifike për çdo parazit.
Si shembull po marrim burimin dhe përhapjen e Ekinokokut. Kjo sëmundje gjendet gati në gjithë botën.Burim i Ekinokokut janë qentë dhe në përgjithësi mishngrënësit e zbutur apo të egër. Në zorrët e tyre zhvillohet paraziti i rritur i Ekinokokut. Kur arrihet pjekuria seksuale fillon të nxjerrë vezë në mjedis dhe trupin e mishngrënësit. Kur njeriu (kryesiht fëmijët) duke përkëdhelur qenin apo macen e infestuar dhe këto duar të pa lara mirë i fut në gojë. Prandaj fëmijët duhet të edukohen se higjena (larja e duarve) është e rëndësishme. Forma larvare zhvillohet më shumë në mëlçi dhe mushkëri. Njeriu dhe kafshët mund të infestohen me vezët edhe duke marrë ushqime të ndotura me vezë të ekinokokut. Prandaj është e rëndësishme gatimi i plotë i mishit para se të konsumohet. Në kafshët forma larvare zhvillohet në mushkëri e mëlçi. Kur kafsha theret mëlçitë e mushkëritë të pa përshtatshme për konsum hidhen apo i jepen qenve dhe gjithë kafshëve të tjera mishngrënëse. Forma larvare arrin në aparatin tretës dhe pasi ritet cikli biologjik rifillon.


Përgatiti Mjekësia Veterinare Shqiptare
Burimi informacionit: “Sëmundjet Invazive” 2013