Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Mjalti dhe faktorët dëmtues

Reklama

Pjesë nga libri “Bleta” e Doktoreshës Gëzime Biçaku Shehu:

-Faktorët që dëmtojnë vlerat e mjaltit

 Pesticidet 

 Mjalti ka imazhin e të qënit një produkt natyral dhe i shëndetshëm. Megjithatë, mjalti prodhohet në një mjedis ku nuk eleminohen burime të ndryshme të ndotjes që mund të jenë ato të mjedisit, pesticidet, metalet e rënda, bakteret dhe radioaktiviteti. Këto ndotës gjenden kudo në ajër, ujë, tokë dhe transportohen në kosheret e bletëve nga bletët. Pesticidet në mbarë botën janë përdorur për të mbrojtur dhe rritur produktivitetin bujqësor. Megjithatë, zbatimi i pakontrolluar mund të shkaktojë ndotjen e mjedisit, kafshëve, insekteve dhe qënieve njerëzore. Përveç problemeve të shëndetit publik, prania e pesticideve në prodhimet e bletëve ul cilësinë e mjaltit. Sipas rregullave të Bashkimit Europian, mjalti si një produkt natyral duhet të jetë i lirë ndaj kimikateve. Helmimi i bletëve është një efekt serioz negativ i përdorimit të insekticideve, i cili çon në një rënie të numrit dhe një humbje të konsiderueshme të të ardhurave të bletarëve.

Në vitet e fundit, produktet e bletës kanë marrë interes si një burim thelbësor natyror, që mund të përdoren në terapi të reja, të lira nga efektet anësore, që hasen shpesh me përdorimin e ilaçeve kimike dhe sintetike. Megjithatë, konkurenca e tregut për këto produkte imponon kushte shtesë që mund të sigurohen vetëm në përputhje me sigurimin e cilësisë dhe protokollet e çertifikimit.

Mbetjet e pesticideve shkaktojnë mutacione gjenetike, degradim qelizor, ndërsa prania e antibiotikëve mund të rrisë patogjenë rezistentë në trupin e njeriut. Në thelb, qëllimet kryesore për monitorimin e prodhimeve të bletëve janë mbrojtja e konsumatorit, konkurenca tregtare ndërkombëtare për një cilësi të mirë të produktit.

Antibiotikët

 Në luftën kundër sëmundjeve infektive të bletëve mund të shkaktohen mbetje në mjaltë. Ka disa raporte ndërkombëtare të mbetjeve të antibiotikëve në mostrat e mjaltit. Përdorimi i antibiotikëve në bletari është i paligjshëm, megjithatë, nuk ka MRLS themeluar për antibiotikët në mjaltë sipas rregulloreve të Komunitetit Europian, që të thotë se mjalti përmban mbetje me antibiotikë dhe nuk lejohen të tregtohet. Disa vende, si Zvicra, Britania e Madhe dhe Belgjika, kanë vendosur kufijtë e nivelit të antibiotikëve në mjaltë, e cila zakonisht shtrihet në mes 0.01 në 0.05 mg / kg për çdo grup të antibiotikëve.

Mbetjet e antibiotikëve në mjaltë janë një shqetësim i madh për konsumatorin. Ato shkaktojnë shpërthime të lëkurës, dermatitit, simptomat gastrointestinale edhe në doza të ulëta. Efektet afatgjata të ekspozimit ndaj mbetjeve me antibiotikë përfshijnë rreziqe mikrobiologjike. Rezistenca ndaj antibiotikëve është një problem global i shëndetit publik dhe vazhdon të jetë një çështje e vështirë.

Qendra amerikane për “Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (2000)” e ka përshkruar rezistencën antibiotike si “një nga problemet më të mëdha të botës shëndetësore”, për shkak se, numri i baktereve rezistente ndaj antibiotikëve është rritur dhe shumë infeksione bakteriale janë duke u bërë rezistente.

OBSH ka identifikuar rezistencën ndaj antibiotikëve, si një nga tre kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut. Shkaku kryesor është ekspozimi afatgjatë ndaj antibiotikëve, përmes përdorimit të tyre si medikamente në njerëz dhe në kafshë, por edhe mbetjet e antibiotikëve në mjaltë.

Falsifikimi

Ky problem haset tek mjalti ashtu si edhe në shumë lloje produktesh ku mungon kontrolli rigoroz, ku mungojnë analizat përkatëse të produktit, kur shitja bëhet pa etiketim. Nëse këto do të funksiononin çdo gjë e vënë false në një amabalazh do të konfiskohej. Ata që tregtojnë  produkte të tilla do gjobiteshin, dhe ky problem nuk do të ishte më një fakt, siç është sot me dhimbje një realitet i hidhur.

Këto mallra të falsifikuara gjejnë terren në shitjet ambulatore, në shtëpi në rrugë etj. pasi përmbajnë sheqerna dhe prodhime sheqeri. Falsifikimi i mjaltit më i shpeshtë është ushqyerja e bletëve me shërbet sheqeri. Bletët e përpunojnë në stomakun e tyre, e vulosin dhe shitja bëhet për mjaltë natyral, madje edhe me hoje pavarësisht “vlerave ” që ai përmban. Ky mjaltë, ndonëse ka kaluar procesin e përpunimit nëpërmjet gjëndrave të bletëve, ai nuk përmban lëndët nga nektari i luleve, vitamina dhe minerale që janë baza e mjaltit dhe përbëjnë vlerat natyrale të tij. Në këtë mjaltë të vulosur nga bletët, ka ndodhur vetëm procesi i heqjes së ujit të tepërt, duke shndërruar sheqernat e përbërë në të reduktuar.

Bletët janë insekte shumë racionale në kursimin e ushqimit, ato ruajnë me devotshmëri mjaltin e vulosur, si nevojë dhe rezervë për të kaluar dimrin.

Por gjithashtu janë shumë racionale në kursimin e forcave të tyre, kështu kur e kanë një ushqim më pranë neglizhojnë pjesërisht shkuarjen në kullota, kryesisht kjo, kur bëhet fjalë për familje të dobta, ku ka edhe më pak bletë zbuluese. Në këtë rast, mungon pothuajse tërësisht mjalti që të përzihet me shurupin e sheqerit, pasi në bletë të fuqishme përzihet sheqeri artificial me mjaltin natyral, duke ulur në njëfarë mase vlerat e tij në varësi nga raporti shurup – sheqeri – nektar.

Përcaktimi më i drejtë i këtyre falsifikimeve janë vetëm analizat kimike dhe jo hamendjet nëpërmjet shijes, ngjyrës, aromës apo  kristalizimit.

Pavarësisht se mjalti për shumë bletarë siguron të ardhurat deri edhe në mbajtjen e familjeve dhe sigurimin e ekonomisë, falsifikimi i tij përsëri mbetet një ulje e figurës morale të tij. Aq më tepër, kur kemi të bëjmë më një produkt ku më shumë se ushqim përdoret si ilaç për të gjitha moshat, e për më tëpër përdoret tek fëmijët, përdoret tek diabetikët, të cilët duan të plotësojnë nevojat e tyre të sheqerit.

Artikulli u soll për revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare, nga Doktoresha Gëzime Biçaku Shehu

Ju lutemi në rast ribotimi apo në rast referimi, të përmendet autorja dhe burimi informacionit shoqëruar me linkun përkatës të veterineret.com

 

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: