Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Kampioni i shahut Mjeku Veteriner Ylvi Pustina

 

ylvi-pustinaDr. Mjek Veteriner që habiti botën shahistike. Legjenda e shahut shqiptar.

Ylvi Pustina, djalë i Hamit Pustinës nëpunës në administratën e qeverisë Zogut.
I shkolluar në Stamboll. Ylviu u rrit në një familje me 7 fëmijë, 5 vëllezër, dy motra, Ylviu i katërti, i lindur në vitin 1935, të gjithë luanin shah, nga doktor Irfan Pustina, kardiolog, kushëriri i afërt dhe kampion i Tiranës në vitin 1938. Ndonëse pëlqente të bëhej aktor, por ishte Sabriu, vëllai i madh matematicien, që e shtyu të luante me moshatarët duke e regjistruar në rrethin e shahut në Shtëpinë e Pionierit. Ishte vetëm 10 vjeç kur mësoi fjalën “mat” dhe filozofinë e thellë që ka ky term jo i zakontë e shumë i lashtë, por që do ta shoqëronte në heshtje gjatë gjithë jetes.

Dr.Pustina,një emër që e rrethon një histori, karrierë e madhe pa limite e kufi, pa dyshim një ndër kolosët e shahu Ishte gushti i vitit 1951, një djalë me pantallona të shkurtra dhe me valixhe në dorë doli nga Shtëpia e Pionierit të Tiranës dhe mori drejtimin për në agjencitë e autobusëve aty pranë, për të prerë biletën. Po nisej për në Pogradec, ku zhvillohej Kampionati Kombëtar i të rinjve në shah. Pas një jave, kthehet si kampion dhe pak më vonë, pikërisht në Shtator, do të marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar për të rritur, ku renditet i pesti. “Ky është një talent për shahun shqiptar”, tha dikush dhe nuk kishte gabuar.

Pas një viti, ai shpallet kampion i vendit kur ishte vetëm 17 vjeç dhe këtu do të fillonte karriera e Ylvi Pustinës, Dr Mjek Veteriner që habiti botën shahistike. Mjeshtri, protagonist për gjysmë shekulli nga një gjimnazist tek “Qemal Stafa”,mandej në Fakultetin e Veterinarise , pa menduar se ky profesion nuk do t’i jepte famën që mori dhe ka nga shahu. Nxënës dhe kampion që në vitin e dytë në shkollen e mesme kur arrin fitoren e parë në Kampionatin Kombëtar të vitit 1951, e diel 9 dhjetor 1951. Kishte mundur Fatos Omarin, maturantin e kësaj shkolle, viti ku shpallet kampion kombëtar, duke qenë pjesëmarrës aktiv, por edhe nxënës e student deri kur u diplomua në vitin 1958. Perfeksionoi rusishten si gjuhën e rëndësishme për të lexuar e komunikuar me botimet shahistike. Mbaron gjimnazin “Qemal Stafa”.
Ka qenë ndër nxënësit më të mirë , me prirje për matematikë, fizikë, kimi, por sipas një planifikimi nga qeveria e dërguan në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, ku vazhdon studimet për mjek veterinerNë vitin 1958 emërohet k/veteriner në rrethin e Përmetit, ku qëndroi 2 vjet dhe ishte si lojtar i “Tiranës., Pas rikthimi në Tiranë, punoi si redaktor dhe gazetar te “Zëri i Rinisë”, duke mbuluar çështjet bujqësi, blegtori e sportit. Për të vijuar si mësues e drejtor në Shkollën Bujqësore. Në vitin 1969 kalon në Ministrinë e Bujqësisë, ku ministrin Pirro Dodbiba e kishte pasur pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor. Në vitin 1973, Pustina kërkoi të largohej nga ajo detyrë pasi mungonte gjatë duke penguar punën. Ndërsa priste të miratohej kërkesa e tij, mbeti i shtangur kur Dodbiba i tha: “Ylvi sa të jem unë ministër do qëndrosh këtu e nuk do të largohesh, madje me shah e sport duhet të merren edhe njerëzit me përgjegjesi shtetrore ”.

loje-shahu

Në përfundim të turneut individual të Varnës 1960, kur ishte vetëm 25 vjeç, revista bullgare “Shahmatni mils” shkruan: “Kampioni shqiptar Pustina luajti kundër të gjithëve me thikë në brez, pavarësisht nga titujt dhe përvoja e kundërshtarëve. Ai ishte i suksesshëm kundër olimpistëve tanë. Pustina fitoi ndaj kampionëve e mjeshtërve ndërkombëtarë pretendentë, si Neikir, Pandevski, Milev, duke ndarë nga një gjysmë pike e barazuar me mjeshtërit të mëdhenj si Trifunovc, Krogius”. Duke i vënë nofkën “bullgarovrasës”, revista shprehu mendimin se ai mund të luftonte edhe për vendin e parë. Pas përfundimit, drejtuesit e Federatës Bullgare të Shahut i propozojnë të qëndrojë me shpenzimet e tyre e të marrë pjesë në një turne tjetër në Bullgari, që organizohej për përgatitjen e Ekipit Olimpik Bullgar për Olimpiadën e vitit 1962. Ndonëse me mjeshtër të njohur në përbërje, ata kishin interes për të pasur një shahist të përgatitur të stërvitej me ata bullgarë. Por pasi ka informuar Komitetin Shtetëror të Fizkulturës, e kanë urdhëruar të kthehet menjëherë në Tiranë. “Tekniku”, “Gladiatori” kështu e thërrisnin .Ka qenë i jashtëzakonshëm, me një shikim shumë të thellë, intuitë dhe zgjuarsi natyrale. Të gjithë e kishin frikë dhe askush nuk dëshironte të luante kundër tij. I paparashikueshëm, i aftë të dilte nga situata që teorikisht ishte e pamundur, por ai me kombinacionet që krijonte realizonte situata tejet të vështira për rivalët.

“Tekniku”, kështu e quanin, pasi ia njihnin kapacitetin teknik që zotëronte. Nëse krijonte epërsinë më minimale e transformonte atë në një epërsi taktike dhe psikologjike të madhe. “Është një gladiator i vërtetë”, thoshin nën zë në mjediset shahistike.Pustina ka marrë pjesë në 6 olimpiada botërore, duke grumbulluar 38.5 pikë në 85 ndeshje, “Një ndër befasitë më të mëdha pozitive të fazës gjysmëfinale paraqet pa dyshim hapi i madh përpara i përfaqësueses së Shqipërisë, për një kohë të shkurtër ndërmjet dy olimpiadave. Sidomos u dallua më tepër, i shkëlqyeshmi, lojtari kryesor Pustina, i cili në një konkurrencë shumë të fortë nuk humbi asnjë lojë, duke grumbulluar 4.5 pikë në 7 ndeshje duke zënë vendin e parë së bashku me “Mjeshtrin e Madh” Bobocov, e duke lënë pas “Mjeshtrit e Mëdhenj” Doner, Kapllan, Braun etj. Kjo nuk është e rastit, pasi loja e tij është vërtet kualitative dhe e sigurt. Kjo u duk në duelin me Australinë ku Pustina luajti kundër kryemjeshtrit Braun dhe gjatë gjithë lojës ishte në lartësi në të gjitha drejtimet. Në lëvizjen 10. Dd3 Pustina tregon se posedon dituri moderne nga teoria e shahut”. Edhe Damjanovic, një mjeshtër i madh kroat, pas fitores ndaj Australisë në një shkrim te “Borba” dhe “Politika” do të shprehej: “Edhe Shqipëria në mesin e fuqive”.

ylvi-pustina-gjate-nje-loje-shahuKjo është Olimpiada Botërore e vitit 1972 zhvilluar në Shkup, e lidhur me disa momente historike: Për një gjysmë pike nuk u sigurua grupi final-A; Kombëtarja refuzoi të luante kundër Izraelit (sepse politika e kohës nuk lejonte përballjet ndaj SHBA-së, Spanjës, Republikës së Afrikës së Jugut, Izraelit e Bashkimit Sovjetik); pastaj përjashtimi. U tha se ky ishte një ndër shkaqet ndonëse pas Izaelit skuadra luajti edhe në vazhdim të turneut, ndaj Italisë e Kolumbi. në këtë turne botëror. Takimi ka përfunduar në barazim dhe ndoshta mbetet si rasti i parë i një kontakti sportiv-kulturor me SHBA-të, Në janar të 1960-s, në Bukuresht zhvillohet turneu “Kupa e Miqësisë e Rinisë së vendeve të Ballkanit dhe Detit Mesdhe”. Pas barazimit me Gliceskun, vjen fitorja me Bogdanov, “Mjeshtër i Madh” bullgar, ndaj të cilit Pustina sakrifikoi papritur dy figura. Duartrokitje nga qindra spektatorë në sallën e leksioneve të Institutit të Naftës e Gazit përshëndetën për disa minuta fitoren e shkëlqyer dhe organizatorët e ftuan të ngjitej në podium. Kohë më vonë, në vitin 1973, ai do t’u shfaqet sërish rumunëve duke i habitur gjatë një turneu miqësor me ekipin e qytetit të Jashit. Luajti në tavolinën e parë kundër mjeshtrit ndërkombëtar Vajsman. Pas azhurnimit, në vazhdimin e ndeshjes pas një dite kur të gjithë mendonin se loja ishte një finale damash plotësisht e barabartë, Pustina bëri lëvizjen e jashtëzakonshme tipike të tij që i dha fitoren. ”, Ai është shahisti i parë shqiptar që në vitin 1970 ka marrë “ELO”-n e parë të FIDE-s. (Erpard Emrik Elo i lindur në vitin 1903, ishte një shahist hungarez me profesion profesor fizike, i transferuar në Amerikë në vitin 1960, krijoi metodën e kalkulimit të klasifikimit sipas rendimentit dhe formës aktuale të shahistëve, që mori emrin e tij, e cila u aplikua nga FIDE në vitin 1970). Ka mbi 150 ndeshje ndërkombëtare pjesën më të madhe në tavolinën e parë, aty ku luajnë të fortët me të fortët. Lojtar i sigurt, krijues në hapje, me një stil sulmues, mjeshtër i kombinacionit, i lojës aktive, me nuhatje pozicionale, shumë i shpejtë në meslojë, teknikë të lartë në realizimin e epërsisë në të gjitha fazat e lojës dhe virtuoz e befasues në finale. Pustina njohu dhe aplikoi të gjitha zhanret e shahut si sport-art-shkencë. Figurë shumë dimensionale, me individualit të spikatur, me njohje e prestigj kombëtar e Ainshtajni etj. ndërkombëtar. Shahist me fantazi, duke krijuar e gjetur rrugëdalje në pozicionet më të vështira. Me një psikologji të jashtëzakonshme, intuitë, autoritet, ai e zotëronte mjedisin kur shkelte dhe nuk u shfaqte dhe nuk u kuptonte asnjëherë nga kundërshtarët se ishte entuziast, jo në formë, apo kishte probleme të ndryshme. …Do të donte të ishte atje, por nuk ka mundur: 1966, në Havanë zhvillohet Olimpiada Botërore, gjatë së cilës në një simultane Fidel Kastro ka luajtur në tavolinën e parë me ish-kampionët e botës. Por, për arsye politike, ekipi shqiptar nuk mori pjesë. Nëntë herë kampion kombëtar, 10 herë fitues i “Turneve më të mirë”, 5 herë fituesi i anketës “10 sportistët më të mirë”, “Mjeshtri i Parë i Merituar” i shahut, ai që nuk mungoi për 37 vite në kampionate, spartakiada, olimpiada botërore, turne ndërkombëtar …

Për shumë vite ka qenë trajner i 17 Nëntorit, ekipi përfaqësues, por ka kohë që nuk angazhohet më.. Në arkivin e tij ka mjaft libra e artikuj të botuar.

Thotë se ka luajtur një sport që ka lidhje me gjeometrinë me matematikën dhe shumë të preferuar nga strategë, shkencëtarë, filozofë e mbretër

Artikulli u përgatit nga Dr.Agim Nelaj
Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit!
Ju lutemi në rast referimi duhet të përmendet autori, burimi i informacionit dhe linku përkatës.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: