Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për dashamirësit dhe pronarët » Tregimi i një veterineri » Elegji për një bari- Halil Bedaj- Mjeshtër i Madh i Punës

Elegji për një bari- Halil Bedaj- Mjeshtër i Madh i Punës

Halil Bedaj

Bariu i dalluar Halil Bedaj
1915-2007

Halil Bedaj, me të vërtetë ishte një mjeshtër i madh, por jo në ato fusha që njerëzit e kanë dëgjuar shpesh të përdoret ky titull; por mjeshtër i madh në mbarështimin e blegtorisë. Shoqëria njerëzore, siç ka nevojë për të tillë njerëz në të gjithë fushat e jetës , aq shumë ka nevojë për mjeshtra të tillë në profesionin e tyre siç ishte Halili, që me pasionin dhe vullnetin e tyre të fortë , sigurojnë të mirat materiale të domosdoshme për jetën e njeriut, pa të cilat as sektorët e tjerë të shoqërisë nuk mund te ekzistojnë.

Fshati i lindjes Golem

Fshati i lindjes Golem

Fshati Golëm i Gjirokastrës ku Halili lindi me 16 gusht 1915, gjendet në krahinën e Kurveleshit , në lartësinë reth 1100 m mbi nivelin e detit , i vendosur aty në gjirin e maleve që si kurorë masive e rrethojne atë nga të gjitha anët . Përveç bukurisë që vetë natyra i ka falë këtij vendi , stolia që banorët e tij i kanë dhuruar , janë kopetë e qindra mijëra deleve që i gjallërojnë ato male .
Për njerëzit e këtyre anëve , detyra e parë për gjatë gjithë kohërave dhe që kurrë nuk e kanë harruar , ka qënë jatagani dhe pushka , në rojë të lirisë së tyre që gjithmonë ka qenë e çmuar dhe e shtrenjtë . Prej këtij fshati e prej kesaj krahine kane dalë plot njerëz të shquar në të gjitha fushat e jetës , si luftëtarë të pa epur , ushtrakë të talentuar, njerëz të prodhimit , te shkencës arsimit e kulturës, por për arsye të kushteve social shoqërore , klimatike dhe gjeografike , profesioni më i përhapur dhe më i preferuar ka qënë blegtoria dhe vecanërisht mbarështimi i deles .Nuk ka banorë të këtij fshati e të kësaj rahine që nuk i del për zot kopesë me 500 krerë dele, por blegtor si Halil Bedaj , kanë qënë e janë shumë të rrallë .
Halili , thjesht ka qenë një bari , por ai në këtë profesion , ka qenë i veçante midis të tjerëve , shumë i talentuar dhe deri virtuoz në profesionin e tij. Po! Në profesionin e tij , sepse edhe puna e blegtorit është një profesion dhe ashtu sikurëse në cdo fushë të jetës ka njerëz të shquar , sic ka ushtarakë të mëdhenj , sic ka shkencetarë të famshëm , sic ka biznesmenë të suksesshëm ,ashtu ka edhe blegtorë të talentuar sikurëse ishte Halil Bedaj.

Halil Bedaj me tofen e bagetivi dhe qenin e e kopese!

Halil Bedaj me tofen e bagetivi dhe qenin e e kopese!

Halili lindi , u rrit dhe u plak në këtë mjedis , në mes këtij peisazhi blegtoral , midis tufave të mëdha me dele , në oshëtimën e blegërimave të tyre ,nënë tingujt magjepsës të sinfonisë të zileve e këmborëve dhe këngës së thëllënzave të atyre maleve . Kur pati 300 -400 krerë , por edhe kur ato u kolektivizuan , ai e lidhi tërë jetën dhe qënien e tij me këto kafshë të bekuara (të cilat e mbajtën gjallë atë zonë të skajshme malore). Në tufën e deleve prej 550 krerësh , ai e njihte ç’donjërën prej tyre . I njihte shenjat trupore të tyre , i njihte prej fytyrës , prej blegërimës së tyre , prej këmborëve me të cilat ai i stoliste kopetë e tij, madje i njihte edhe prej sojit prej paraardhësve të tyre . Dinte në mënyrën më preçize kërkesat e deles , kur ajo kishte nevojë për kripë , kur ajo ishte e uritur , kur e zinte vapa , kur donte të pinte ujë dhe të gjitha këto ai jua plotësonte me përpikmërinë më të rreptë .
Halili , në krye të tufës së tij, ju këndonte atyre , i nanuriste , i përkëdhelte , ju fliste , ju fishkëllente, por dhe ato i bindeshin atij, ashtu sikurse kopeja duhet ta dëgjojë cobanin. Ai pati një dashuri të pakufijshme për profesionin e blegtorit dhe delet i quante kafshët më të urta , më të pafajshmet dhe të bekuara nga vetë zoti.
Një njeri i famshëm ka thënë se : ”Sa më shumë i njoh njerëzit aq më shumë i dua kafshët”, e vërtetë mund të jetë për shumë persona, ndërsa Halili i donte dhentë e tij por pa dyshim edhe më shumë donte njerëzit. Përkujdesi për tufën e tij të deleve ishte i gjithi në shërbim të begatisë, e jetesës së njerëzve që e rrethonin . Ai ishte i dashur dhe plot respekt për të afërmit e tij , për miqtë, për shokët , madje edhe për ata që nuk i njihte fare . Halili ishte shumë bujar, si mund të thuash një altruist dhe në stanin e tij mysafirët gjithmonë e gjenin një gotë qumësht apo dhallë të freskë deleje.

Ai ishte shumë njeri i thjeshtë deri në modesti , fjalë ëmbel si ai , burrë i shtruar dhe me plot llogjikë dhe për këto cilësi vlerësohej dhe respektohej nga të gjithë .
Në perjudhën e gjatë që ai punoi si bari në kooperativen bujqësore, për rezultatet e shëlqyera të tijë në prodhimin blegtoral, ishte dekoruar me shume medalje dhe urdhëra pune prej Presidiumit të Kuvendit Popullor të asaj kohe. Por këto kishin qenë të pa mjaftueshme per të shpërblyer plotësisht talentin, dashurinë , dhe djersën e tij si një bari shumë i suksesshëm dhe i vecantë midis të tjerëve.

Ky ishte njeriu i mirë Halil Bedaj, çobani i talentuar dhe virtuoz, me rezultate të shkëlqyera në prodhimet blegtorale dhe që aq shumë hijeshi i pati kopeja, vatha dhe shtrunga, sharku dhe kërraba, si dhe qeni i madh i stanit në roje të kopesë.

Artikulli u përgatit për revistën online “Mjekësia Veterinare Shqiptare” nga miku i familjes Bedaj, zoti Manxhar Takaj.

Nuk lejohet ripublikimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë ose autorit.

Ju lutemi në çdo rast citimi apo reference nga ky tekst, shënoni linkun përkatës në veterineret.com

 
 


Na shkruani

Ju lutemi, bëni hyrjen me një nga këto metoda që të postoni komentin tuaj:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: