pershendetje,
kam nje mace e cila nuk eshte mesuar te dali perjashta pasi jeton ne nje apartament ne pallat,se shpejti do te nisemi me pushime .
Rruga do te zgjase 6 ore dhe jam e shqetesuar se si mund te reagoje macja kur te gjendet brenda ne makine.Do tju lutesha te me jepnit disa keshilla per nje udhetim sa me te rehatshem dhe komod per te. Ju lutem me shkruani sa me shpejt pasi do te nisem se shpejti ne plazh.
Ju faleminderit.
Përgatiti përgjigjen Dr Atalvin Zhiva
Që udhëtimi i juaj të mos ketë të papritura unë do ju rekomandoja që fillimisht të pyesnit a do ju lejojnë të mbani macen tuaj në hotelin apo shtëpinë ku do të shkoni për pushime. Në Shqipëri macet konsiderohen pjesë e familjes , por të jemi të sinqertë jo nga të gjithë .
Hapi i dytë do të ishte parapërgatitja, kjo përfshihet nga : vaksinimi i maces me vaksinat që rekomandon mjeku veteriner ku ju e coni macen tuaj, do të ishte shumë e vlefshme nëse këto vaksina do ti jepën maces para udhëtimit duke pasur mundësi që të formohet sisitemi imun i nevojshëm . Më besoni, ju nuk doni të eksopozoni macen tuaj në ambjente të panjohura pa krijuar imunitetin e nevojshëm. Në këtë kohë do të jetë dhe momenti i duhur për të pyetur veteriner tuaj nëse rekomandon ndonjë qetësues të lehtë për këtë udhëtim.
Pjesa tjetetër e parapërgatitjes qëndron tek fakti që macja juaj duhet të jetë e mesuar me kafazin që do të përdorni për transportim. Përdorimi i kafazit për transportim unë, j’ua rekomandoj fuqishëm pasi jo vetëm për sigurinë tuaj ( akoma më shumë të personit që nget makinën) por dhe për sigurinë e maces, pasi në këtë mënyrë dhe ajo do të ndjehet më e sigurt . Unë jam i mendimit se macet nuk duhet të lejohen në makinë pa një kuti ( kafaz) transportues, ashtu sikurse është dhe në linjat ajrore.
Si të bëjmë prezantimin e maces me kafazin ?
Shumë mace jo pa arsye i kanë frikë kafazet e transportit, kjo më shumë i dedikohet faktit se kafazet e transportit për macet përdoren nga pronarët vetëm kur macja sillet tek veterineri për vaksina, dhe padyshim macet si kafshë të zgjuara që janë e kuptojne c’farë do të thotë futja në këtë kafaz . Ato stresohen , inatosen ( dhe keshtu ne veterinerët jemi ata që i hamë këto pasoja) jo vetëm duke mos e shijuar këtë udhëtim , por duke shfaqur stres gjate gjithë udhëtimit dhe pse jo aq më keq duke u sëmurur sapo ju të keni shkuar në plazh ( diarrea nga stresi i udhëtimit ndodh në 90 % të rasteve).
Prandaj ne ju rekomandojmë të vendosni kafazin në një cep të dhomës ( në banjë disa mace ndjehen më të sigurta) duke futur brenda një mbulesë , batanije apo atë c’ka macja juaj e ka qejf , ku përfsihen dhe lodrat , disa biskota për mace etj. E gjitha kjo kryhet disa ditë para udhëtimit dhe duke e lënë derën e kafazit hapur.
Ditën e udhëtimit , kur ju jeni duke u bërë gati ,ju rekomandojnë që macen ta lini në banjë .Aty ajo nuk do të shohë gjithë lëvizjet tuaja duke u stresuar kështu para kohe. Dhe kur gjithcka të jetë gati macja ( brenda në kafazin e udhëtimit) do të jetë e fundit që duhet hipur në makinë.
Ajo c’ka ndihmon kur një udhëtim zgjat disa orë është që në ndalesat tuaja ti kushtoni pak kohë maces suaj duke i folur , përkëdhelur ( me derën e transportuesit hapur, por nëse shihni se macja është shumë e frikësuar mos rrezikoni ) dhe sigurisht duke e ushqyer dhe nderruar ujin me ujë të freskët sa herë tu jepet mundësia.
Gjatë udhëtimit merrni mjetet e duhura : ku përfshihen ushqimi , enet e ujit dhe të ushqimit , një kuti me rërë për macen që në ndalesat tuaja të ketë mundësi ta përdore ( nëse kafazi është i madh mund ta lini gjatë gjithë kohës me të ) , sigurisht nuk duhet harruar lodrat dhe artikuj të tjerë të preferuar të maces.
Destinacioni : Disa mace mësohen shumë shpejt me vëndin e ri ku do të shkojnë , disa të tjera e kanë të vështirë. Mbani mënd se udhëtimi i maces duhet të fillojë në banjë dhe të mbarojë po në banjë. Me këtë dua të them se sapo të arrini në destinacion , merrni kafazin dhe hapeni në një banjë të vogël , macet e kanë shumë më të lehtë të mësohen dhe ndjehen të sigurta duke nuhatur territorin në një ambjent sa më të mbyllur.Hapni derën e kafazit, vendosni në një cep të banjës kutinë me rërë, në cepin tjetër enët e ushqimit dhe ujit. Zakonisht në më pak se një orë ( varet sa i zhurmshëm është vëndi ku do të qëndroni ) macja do të jetë ambjentuar me ambjentin e ri.
Për macet që nuk mund të tolerojnë stresin:
Disa mace nuk mund të tolerojnë stresin e udhëtimit, për këtë ju rekomandoj të bisedoni me veterinerin tuaj rreth qetësuesve kundër-stres për përdorim pak kohë para/udhëtimit.
Ju urojmë pushime të mbara dhe sa më pak stres për ju dhe macen tuaj !
Përgatiti përgjigjen për revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare Dr Atalvin Zhiva