Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » I mbrojtur: Edukuese » Kafshët e shoqërimit dhe koronavirusi COVID-19!

Kafshët e shoqërimit dhe koronavirusi COVID-19!

U bënë më shumë se 4 muaj që tashmë është vërtetuar, studiuar dhe vazhdojnë kërkimet për të njohur më mirë koronavirusin COVID-19.
Dëshiroj të theksoj se në momentin që është përgatitur ky shkrim (15 Prill) Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të konfirmojë se kafshët e shoqërimit nuk përhapin virusin COVID-19.
Shpesh herë lajmet kanë qënë kontradiktore kur bëhet fjalë nëse i prek kafshët ky virus apo jo.
Akoma nuk kemi një informacion të saktë nëse kafshët janë apo jo bartëse të SARS-CoV-2 deri më tani të gjitha studimet sugjerojnë se nga kafshët shtëpiake nuk vjen asnjë rrezik. Koha do e tregojë të vërtetën.

Po sjell një tabllo të disa raste të vërtetuar më anën e testeve tek kafshët që janë prekur nga ky virus.

Tashmë njihen rastet e 2 qenve dhe 1 mace në Hong Kong, 1 mace në Belgjikë dhe në Nju Jork 1 tigër i konfirmuar.

-Qeni i parë i rezultuar pozitiv në Hong Kong ishte “weak pozitive” (i dobët+) dhe nuk kishte asnjë simptomë por u testua pasi jetonte me një person të rezultuar pozitiv me SARS-CoV-2.
Qeni u fut ne karantinë dhe më pas u kryen teste të tjera me kampione të marra nga hunda dhe mukozat e gojës të cilat gjithashtu dolën me një pozitivitet të ulët (weakly positive). Po ashtu në të njëjtën shtëpi jetonin dhe 1 qen tjetër dhe 2 mace të cilët rezultuan negativ në testimet e kryera.
Testi i antitrupave kryer nga analizat e gjakut sugjeruan se qeni kishte shumë mundësi që te mos ishte infeketuar por thjesht kontaminuar (nga kontakti) me virusin. Megjithëse arsyeja se mund të kemi teste negative falco e le të hapur këtë diskutim.
Qeni i moshës 17 vjeçare ngordhi disa ditë pas daljes nga karantina dhe në pamundësi për tu bërë autopsia (pronarja kishte njoftuar ditë pas ngordhjes se tij) u dyshua se duke pasur parasysh se qeni i rracës Pomeranian kishte probleme të avancuara të zemrës, mendohet se ky ishte dhe shkaku i ngordhjes.

-Rasti i dyte i një qeni të testuar pozitiv ishte rasti i nje qeni të rracës German shepherd i moshës 2 vjeçare (19 Mars) sërisht nga Hong Kong. Po ashtu në këtë rast qeni nuk shfaqi asnjë simptomë dhe asnjë nga stafi që u kujdes për të në kushtet e karantinës nuk u prek nga Covid-19.

-Macja në Belgjike (27 Mars) rezultoi pozitive e infketuar nga pronarja e sapo kthyer nga Italia. Pas një jave kur pronarja shfaqi shënja te virusit, macja po ashtu shfaqi shënja që të benin të dyshohej per COVID-19 (të vjella, diarrhea, dhe vështiresi në frymëmarrje).

-Rasti i një mace në Hong Kong (3 Prill) Macja shfaqi shënja subklinike që dyshohej SARS-CoV-2. Pronari ishte diagnostikuar me COVID-19 dhe macja ishte futur ne karantine datë 30 Mars. Kampionet orale, nasale dhe rektale testuan pozitive si dhe një testim i dytë (1 Prill) verifikoi se ishte pozitiv me SARS-CoV-2.

-Rasti i fundit në Nju Jork i tigrit te testuar pozitiv (5 Prill). Tigri u testua pasi filloi të shfaqte shënja të një kolle të thatë (27 Mars) dhe po ashtu kujdestari i tij u testua pozitiv me COVID-19. Më pas motra e tigrit si dhe 3 luanë Afrikanë filluan të shfaqnin simptoma të njëjta (3 Prill) por që nuk u testuan për arsye që dihen (duhet të kryhet anestezia e kafsheve të egra që të mund testohen).

Teste shtesë
Një prej kompanive laboratorike më të mëdha laboratori IDEXX konfirmoi testimin e më shumë se 4.000 kampioneve të marra nga qentë, macet dhe kuajt dhe deri tani pa gjetur asnjë evidencë të prezencës së koronavirusit. Kampionet ishin mbledhur në një periudhe 4 javore duke filluar që nga data 14 Shkurt dhe ishin mbledhur nga kafshët në Korenë e Jugut dhe SHBA. IDEXX po ashtu konfirmoi se tani po merren kampione dhe nga Kanadaja dhe vendet Europiane përfshi zonat me % të lartë të njerëzve të infektuar COVID-19 dhe sërisht deri tani të gjitha testet e kryera vazhdojnë të jenë negative.

Që prej datës 3 Mars në Hongk Kong janë testuar 27 qen dhe 15 mace që janë mbajtur në karantinë pasi pronarët e tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Vetëm 2 qen dhe 1 mace testuan pozitiv me COVID-19. Asnjë nga këto kafshë nuk shfaqi shënja klnike të sëmundjes.

Njoftimi i fundit nga AVMA (Shoqata Amerikane e Veterineve) i datës 12 Prill njofton se deri më tani nuk ka asnjë informacion që të sugjerojë se kafshët shtëpiake mund të jenë një burim infeksioni të koronavirusit COVID-19 për njerëzit.

Materiali u përgatiti nga kolegu Dr Atalvin Zhiva, Mjek Veteriner