Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Figura të Shquara të Mjekësisë Veterinare Shqiptare » Intervistë me ideatorin dhe krijuesin e logos së Fakultetit të Mjekësisë Veterinare

Intervistë me ideatorin dhe krijuesin e logos së Fakultetit të Mjekësisë Veterinare

Logo FMVFakulteti i Mjekësise Veterinare në Tiranë, ka një logo shumë të bukur që ka rreth 15 vjet (artikulli i vitit 2013) që përdoret si logo e një prej fakulteteve më të vjetra në Shqipëri. Të shumtë janë të diplomuarit dhe studentat pranë këtij fakulteti që janë të njohur me këtë logo, disa prej tyre biles; me mburrje e paraqesin dhe në profilet e tyre si psh; në rrjetin social aq shumë të populluar sic është “facebook” , dhe tashmë prej tyre dihet kush është ideatori dhe krijuesi i logos së fakultetit ku ata studiojnë.

Por të shumtë janë dhe Mjekët Veterinerë që nuk e dinë historinë, krijuesin dhe se c’farë përfaqëson kjo logo kaq interesante me anën e simboleve të saj. Shumica e tyre kane përfunduar studimet në kohën kur Fakulteti i Veterinarisë nuk përfaqësohej me një logo akoma, dhe megjithesë mund ta kenë hasur kalimthi nëpër emisionet e ndryshme televizive, artikuj , apo foto të ndryshme, sërisht nuk kanë mundur të njihen me historikun e saj. Sot do të zhvillojmë një intervistë pikërisht me ideatorin dhe krijuesin e saj zotin Paulin Shoshi!

Egli Ozuni-Paulin përshëndetje! Të shumtë janë ish-studentat dhe studentat aktuale të Fakultetit të Veterinarisë që ju njohin dhe ju lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë me pozicionin dhe punën tuaj pranë këtij fakulteti. Por ne do të dëshironim një informacion më të gjërë rreth jush, kur dhe si keni filluar punë pranë FMV në Tiranë?

Paulin Shoshi– Fillova punë në Dhjetor 1972. Puna që kryeja kishte të bënte me përgatitjen e bazës materiale për seancat e praktikave të anatomisë, formalizimin e kafshëve, preparimin e muskujve, enëve të gjakut, nervave, bërjen e tabelave anatomike etj. Punoja me kënaqësi me Dekanin e asaj kohe, Prof. Vasil Tagari. Ishte burrë i mirë. Kishte mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin Zosimea në Greqi dhe universitetin për Veterinari në Çekosllovaki. Tërë kohën ka dhënë vetëm anatomi. Ai më ndihmoi që të filloja menjëherë studimet e larta në fakultet, pa shkëputje nga puna. Kam mësuar shumë nga ai njeri, nga mirësia dhe mënçuria e tij.

E.Ozuni – A mund të na tregoni sesi lindi ideja, apo kërkesa e krijimi të logos së FMV ?

P.Shoshi – “Historia” e saj fillon në një mbledhje të Këshillit të Fakultetit, ku unë isha anëtar i zgjedhur.
Dekani, që drejtonte mbledhjen (atëhere ishte Prof. Nefail BIBA), ndër të tjera, kërkoi që -duhet të bëjmë logon e Fak., se fakultet e tjera ( në Shqipëri) e kanë bërë. Mu drejtua mua duke më thënë, -me sa duket do merresh ti me këtë punë, sepse ty “të jepet”.
Fillova të kërkoj në internet për materiale të kësaj natyre, por mbi të gjitha më ra në dorë një revistë ku kishte të dhëna për tërë fakultetet e veterinarisë të Europës: “European association of establishments for veterinary education” EAEVE, botim i 1994. Kishte tabela standart për çdo fakultet dhe faqja 2 e kësaj reviste, fillonte me Fakultetin tone, ku të tërë kutiçkat e kësaj tabele të madhe ishin bosh (të pa plotësuara). Më erdhi keq.
Fakultetet e vjetër apo shumë të vjetër të Europës, si simbole në logot e tyre kishin elementë fetar apo element të qytetit ku ndodhet fakulteti, ndërsa ato të mëvonshmit ishin të përqëndruar në logot e tyre, më tepër në elementë profesional, të fushës së veterinarisë. Kuptohet, kjo revistë dhe materialet e tjera, më futën tashmë në “botën e logove“.

E.Ozuni – Si e krijuat idenë apo si vendosët se kush do të ishin elementët përbërës dhe kyc , që një logo ka nevojë?

P.Shoshi – Atëhere si fillim e nisa me kuptimin që i jepej emrin “veterinari” në fjalorët enciklopedik botërorë.Në atë kohë kisha në dy CD, një enciklopedi dhe kur kërkova fjalën –veterinari- më doli si përgjigje një term nga lashtësia, kafshë ngarkese.

– Forma vezake apo elipsoidale e logos është thjesht një zgjidhje estetike, që mua më duket se i shkon mirë.
– Libri i hapur, kuptueshëm, nënkupton dijet, të nxënit, shkencën, shkollën.
– Kali, në faqen majtas, siç e thashë më lart, nënkupton dhe simbolizon kafshën e ngarkesës.
– V, është iniciali i fjalës veterinari, që vjen nga lashtësia dhe që ka mbetur njëlloj pothuaj në tërë gjuhët e botës.
– Në mes të V është shenja e ESKULAPIT apo AESCULAPIUS që është Zoti i mjekësisë dhe i shëndetit, ndërsa sot e shikon në çdo farmaci, për të treguar elementë të farmakologjisë.

E.Ozuni – Rreth elementit tjetër që ndodhen pikërisht në të djathtë dhe konkretisht MCMLII, duam të ndalim dicka më shumë pasi na duket një gjetje ideale për logon e FMV. C’fare përfaqëson dhe tregon ky element?

P.Shoshi – MCMMLII janë numra romakë dhe është data e krijimit, fillimit të fakultetit, pra viti 1952. Numrat romakë janë përdorur për të shënuar vitin në tërë librat e vjetër, fakultet nga më të vjetrat në botë, kryesisht për të treguar vijueshmërinë greko-romake të kulturës dhe shkencës. Përdoren rëndom në mjekësi, sidomos në plotësimin e recetave, etj.

E.Ozuni – Si e pritën këtë krijim tuajin në këshillin e fakultetit?

P.Shoshi -Pasi e dorëzova në dekanat, e merr Prof. Nefail Biba për ta treguar “lart” në rektorat dhe kur kthehet më thotë, – aty e pëlqyen shumë, por më thanë, ku është universiteti bujqësor në logon e fakultetit tuaj, institucioni nga vareni ju. Prandaj të lutem merre dhe shih se çfarë mund të bësh për ta rregulluar. U ula edhe një herë në kompjuter dhe preva pjesën e poshtëme të elipsit të brëndëshëm dhe vendosa inicialet UB.

E.Ozuni – Paulin, duam të ndalemi në një pikë që për hir të së vërtetës rrallëkujt i ka rënë në sy , mungesa e shkronjës “i” tek emërtimi Fakulteti i Mjekësise Veterinare. Përse është “harruar” kjo shkronjë në logon përfundimtare?

P.Shoshi – Mungesa e i-së ndërmjet fjalëve fakulteti i mjekësisë të cilën unë qëllimisht për arsye estetike nuk e vura, krijoi një debat të madh në Këshillin e Fakultetit. Unë gjykoj se logo është një symbol që personifikon një institucion ose një subjekt dhe vetë ky symbol përbëhet nga simbole figura dhe fjalë. Si e tillë edhe fjalët brënda duhet të shkrihen më figurat. Është një perceptim që mund të krijojë debate, por këtu nuk është vëndi për ta zgjatur. Shkurt, qe ndërhyrja e mënçur e eruditit Prof. Myzafer Çela që u la pa i-në dhe që për mendimin tim më duket më mirë estetikisht se sa po të kishte shkronjën “i” .

E.Ozuni – Në fillimet e saj kjo logo u paraqit në variantin bardh e zi, dhe më pas me ngjyra apo jo?

P.Shoshi -Kjo logo u aprovua në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit, fillimisht në variantin e saj bardh e zi, e më pas me ngjyra, në qoftëse nuk gabohem në një nga mbledhjet e vitit 1998. Më pas u bë një përpunim i saj duke u sjellë me ngjyrat që dhe janë aktualisht.

Paulin, Ju falenderojmë në emër të Forumit Mjekësia Veterinare Shqiptare për këtë intervistë si dhe për gjithë ndihmën që ju keni dhënë brezave të shumtë që kanë mbaruar Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.

Ju faleminderit !

Paulin Shoshi -Ju falenderoj dhe Juve që më dhatë mundësinë për të folur pak për këtë logo që, tashmë kush më shumë e kush më pak, të gjithë e duam fort, sepse është bërë pjesë e formimit, profesionit dhe pse jo edhe e shpirtit tonë, të bashkësisë sonë të talentuar.
Me dashamirësi nga Paulin SHOSHI !

Bashkëbisedoi MV Egli Ozuni


1 Koment

  1. Metush Rama thotë:

    Jam shume ok,, pasi Une kam deklaruar qe vertetesine e logos mundet t’na e sqaroj vete tashme kolegu i nderuar Z. Paulin Shoshi! Nuk e di per noten time te vleresimiit! Falenderimet jane edhe per mundesine e intervistes! Ju uroj shendet te plote dhe lumturi ne familje si pjese e stafit Akademik te Fakultetit M.V,, pikerishte per Prof e nderuar Natalia, se bashku me femijet!

Na shkruani