Përgatiti për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare Dr Atalvin Zhiva:
-Shpesh kemi parë se disa rraca të qenve ju priten llapat (pina) e veshit.
Pavarësisht arsyeve të ndryshme që mund të sjellë kushdo, arsyeja e vertetë është se qenve ju priten veshët thjesht për paraqitjen e jashtme të tyre, pra për arsye kozmetike.
Tek disa rraca prerja e veshëve i bën qentë të duken më të fuqishëm, më të egër. Të paktën kështu mund të mendojë dikush.
Ndër vite fermerët, çobenët, gjahtarët etj ju prisnin veshët apo dhe bishtin, qenve që përdorin për punëra të ndryshme. Këtë veprim e bënin dhe përsonat që përdornin qentë për ndeshjet mes qenve.
Fatkeqësisht kjo vazhdon të praktikohet dhe sot e kësaj dite; ndeshjet e qenve si dhe prerja e veshëve apo bishtit.
Megjithëse nuk ka asnjë studim që të vërtetojë se prerja e veshëve është në dobi të kafshës, akoma janë prezentë arsyetimet se tek disa rraca “qeni e ka të nevojshme prerjen e veshëve”.
E pra po e shkruajmë më të mëdha se: NUK ESHTE E VERTETE SE TEK QENI PRERJA E VESHEVE NDIHMON PER NDONJE ARSYE APO TJETER…THJESHT NJE MIT!
Këto arsyetime janë thjesht në mendjen tuaj se aq dini apo se ashtu doni të besoni.
Në shumë vende të botës, prerja e veshëve dhe e bishtit (amputimi) quhet thjesht për arsye kozmetike prandaj është e ndaluar me ligj një veprim i tillë. Lejohet vetëm në rastet kur për arsye apo sëmundje të ndryshme (si psh tumore etj) Mjeku Veteriner rekomandon largimin (amputimin) e veshit apo bishtit.
Siç e kemi shkruar më sipër këto veprime (amputime) janë më shumë për shkak të paraqitjes së jashtme dhe aq.
Të kemi parasyh se llapa e veshit (pina) tek qeni është e mbushur me enë të shumta gjaku, me receptorë të shumtë, që janë tepër të dobishme për qenin.
Disa arsye përse nuk duhet të lejoni që qenit tuaj ti priten llapat e veshit:
-
Për shkak te infeksioneve të ndryshme qe mund te sjelle ky veprim: Edhe kur prerja e veshëve kryhet nën kujdesin e Mjekut Veterinar të kemi parasysh se gjakrrjedhja do të jetë jo e vogël dhe egiston mundësia që veshti të marrë infeksion si në llapën (pina) ashtu dhe në brendësi të tij (Otis externa apo otis media).
-
Dhimbjet janë jo të vogla kur kryhet prerja e veshit apo dhe e bishtit: Për shkak të receptorëve të shumtë që janë prezent në llapën e veshit, qeni do të ndjejë dhimbje të shumta që dhe kur ndërhyrja kryhet nga Mjeku Veteriner dhe perpiqemi ta mbajme situatën në kontroll, sërisht qeni do ta ndjejë këtë dhimbje për një kohë relativisht të gjatë.
-
-Dobia që sjell për qenin llapa e veshit (pina): Mos harroni se qeni i përdor llapat e veshit për shumë arsye të ndryshme:
-
Mjet komunikimi: A e keni pare sesi qeni ngre dhe ul veshët kur i flasim, a e keni parë një qen kurioz se si i vë në përdorim llapat e veshit? E pra kur ju i prisni veshët qenit tuaj i keni hequr një mënyrë sesi të komunikojë me njerëzit si dhe me qen të tjerë.
-
Për tu mbrojtur nga mizat dhe nga mushkonjat: Ashtu si dhe shumë kafshë të tjera qeni përdor bishtin dhe llapat e veshit për të larguar mizat dhe mushkonjat nga trupi i tij. Dhe mos harroni se mizat dhe mushkonjat janë mbartëse të shumë sëmundjeve të ndryshme. E pra duke i prerë veshët ju ja keni dhënë një mundësi më shumë mizave dhe mushkonjave të mund të pickojnë qenin tuaj.
-
Qentë i përdorin llapat e veshëve për të ndaluar futjen e pisllëqeve në veshin e tyre, pluhura, pjesë barërash, gjethesh etj. Duke i prerë llapat e veshit ju po rrezikoni qenin tuaj nga një infeksion të veshit që mund t’ju kushtojë jo pak dhe nga ana financiare…
-
Për dëgjim: Qentë përdorin llapën e veshit për ti ndihmuar që të dallojnë më saktësisht se nga vjen një zhurmë e caktuar, nga çfarë largësie. Ja pra ku keni dëmtuar kështu dhe dëgjimin e qenit.
-
Etj, etj , etj
Për këto dhe shumë arsye të tjera duhet ti thoni JO prerjes së veshëve dhe bishtit tek qeni juaj.
Thjesht që qeni juaj të duket i egër ju po e fusni atë në një rrezik të pa justifikueshëm!
-P.S -Ky shkrim ka për bazë rastet kur qeni çohet tek Mjeku Veteriner për këto procedura, se rastet kur prerja e veshëve kryhet nga vetë çobani apo njerëz që nuk kanë trajnimin e duhur, pa asnjë loj anestetiku apo medikament kundër dhimbjeve, atëhere kemi të bëjmë me një krim të mirëfilltë…
Përgatiti Dr Atalvin Zhiva
Ju lutemi në rast referimi përmendni autorin dhe burimin e informacionit