Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Zoonozat » PLASJA-ANTHRAX

PLASJA-ANTHRAX

Plasja. CikliPLASJA është një infeksion, shumë ngjitës, me përhapje thuajse në të gjithë botën që prek njerëzit dhe kafshët. Plasja shkaktohet nga Bacillus Anthraxis dhe sipas të dhënave të ndryshme ai përdoret edhe si mjet në luftën biologjike .Kjo sëmundje ende edhe sot, në vëndet me rritje ekstensive të dhënve, dhive, gjedhëve si dhe ku masat e luftimit dhe të profilaksis nuk janë në nivelin e duhur, është përgjegjëse për humbje të rëndësishme në kafshë dhe një kërcënim serioz i vazhdueshëm për njerezit.

PLASJA shfaqet sidomos në zonat me klimë të ngrohtë dhe me rritje ekstensive të kafshëve, pa luftim sistemik, pa rregulla në eleminimin e kufomave të kafshëve të vdekura nga ky infeksion. Në vendin tone, PLASJA, është mjaft e përhapur. Më shpesh infeksioni në njerëz është vërejtur në rrethet Delvinë, Gjirokastër, Përmet, Sarandë, por edhe më gjerë, dhe tashmë së fundmi në Tepelenë. Plasja prek thuajse të gjitha kafshët me gjakë të ngrohtë , por tepër ripërtypesit dhe ndër to më të ndjeshëm janë dhentë, mandej vijnë: gjedhët, devetë , dhitë, bizontët, buajt, antilopat. Kaprollët dhe drerët janë kryesisht të qëndrueshëm. Nga njëthundrakët, kuajt janë mjaft të ndjeshëm si dhe elefantët. Ndërsa derrat, kanidët, felidët, kanë një ndjeshmëri mesatare. Njeriu është një specie mjaft e ndjeshme. Zogjtë janë rezistent, ndërsa rosat dhe patat infektohen rrallë. Nëpërmjet mishit të infektuar, në kopshtin zoologjik preken dhe shpendët mishngrënës, Kafshët me gjak të ftohtë janë rezistentë.

Burimi kryesor i infektimit të njeriut janë ripërtypsit shtëpiakë si dhe produktet e tyre. Transmetimi nëpërmjet kontaktit direkt nga kafsha tek kafsha ose nga kafsha e gjallë tek njeriu është i madh, ndërsa nga njeriu tek njeriu ekstremisht i rrallë.

Në zonat endemike kafshët mund të infektohen në kullotë ,nëpërmjet gojës ose tek njeriu nëpërmjet lekurës.

Infeksioni professional, ose ndryshe plasja e importuar, vërehet sidomos tek punëtorët që merren me përpunimin lëkurëve, leshin e kafshëve , përpunuesit e kockave, në thertore , përpunuesit e ushqimit etj.

Plasja e shkaktuar nga ushqimi, mund të takohet gjatë gjithë periudhës së vitit dhe është e pamvarur nga toka dhe klima, Sporet e plasjes gjenden jo vetëm në kockat, kafshën ose miellin e gjakut, porse ato janë izoluar edhe ne vajin e guzhinës, në drithin e bluar trashë, himet.

Infeksioni tek njeriu klasikisht është i ndarë në dy rrugë e cila reflekton punën e sejcilit individ kundrejt së cilës ai është i ekspozuar. Kështu kemi plasjen jo industriale që ndodh tek fermerët, kasapët, veterinerët, etj si dhe plasjen industriale që ndodh shpesh tek ata që përpunojnë kockat, leshin, lëkurët dhe produktet e tjera të kafshëve.

Rrugët e infektimit me plasje janë tre. Kështu plasja kutane ndodh nëpërmjet lezioneve të lëkurës, plasja gastrointestinale ndodh nëpërmjet ngrënies së ushqimit të kontaminuar para së gjithash mishi nga kafshët të cilët kanë vdekur apo therur sforcimisht nga plasja apo dhe uji i kontaminuar. Plasja pulmonare realizohet si pasojë e inhalacionit të sporeve të plasjes.

Shënjat klinike

Tek dhëntë ,të cilat janë mjaft të ndjeshme, periudha e inkubacionit të sëmundjes është nga 3-7 ditë dhe shpesh ka karakter hiperakutsepticemik pa dallime të lehta përpara shenjave, kështu që kafshët ose gjënden të vdekura ose vdesin brenda 10-36 orëve. Rritje shpretke dhe gjaku nuk koagulon.

Tek gjedhi sëmundja ka karakter hiperakut ose akut septisemik. Periudha e inkubacionit është 1-2 ditë, shënjat klinike janë temperaturë të lartë (41–420C ) me eksitim të fuqishëm, enterit hemoragjik i cili shoqërohet me rrjedhje gjaku në fece, urinë dhe nga hunda, refuzimi i ushqimit, pakësim i qumështit dhe edema kryesisht në zonën e grykës dhe gjoksit. Zhvillimi kronik i semundjes është i rrallë. Tek gjedhët, nuk ka ndryshime në shpretkë dhe në koagulimin e gjakut.

Tek kuajt periudha e inkubacionit është prej 1-3 ditësh, dhe kryesisht shfaqet forma septicemike, me temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, rrahjet e zemrës fuqizohen, verehet cianozë, edema, shenja të kolitit si dhe enterit. Vdekja vjen si pasojë e shokut toksik.

Tek derrat dhe qentë sëmundja zhvillohet në formë subakute deri në kronike me enjtje në zonën e grykës, vështirësi në frymëmarrje dhe cianozë. Në ndonjë rast vërehet dhe gastroenterit me gjak në feçe.

Mishngrënesit e tjerë si p.sh. qentë, macet e egra të kopshteve zoologjike apo vizonët, infektohen me bacilin e plasjes nga kadavrat. Sëmundja tek ta zhvillohet në formën akute septicemike me vdekshmëri të lartë.

Tek njeriu është në varësi të rrugës së hyrjes së shkaktarit: nëpërmjet lëkurës, mushkërive apo zorrëve.

Forma e lekures

Forma e lekures

Forma e lekurës është forma më e shpeshtë. Periudha e inkubacionit është nga 9 orë deri në dy javë. Në ditën e 2-3 shfaqet në vëndin e hyrjes një zonë e skuqur me madhësinë e një 5 lekëshe, në të cilën zhvillohet dhe një papulë e vogël. Tipike për plasjen është që në qendrën e nyjës (papulës) formohet një nekroze me ngjyrë blu në të zezë e cila pak nga pak zgjerohet, Përreth saj zhvillohet një skuqje e cila me kalimin e kohës bëhet më e fortë dhe shoqërohet me enjtje. Në vëndin e infektimit shfaqen gjithashtu dhe disa vezikula të vogla të vecanta, ku brenda tyre ato përmbajnë një lëng sero-hemoragjik. Pas 1-3 ditë karbunkula e plasjes formohet plotësisht, ajo nuk ka dhimbje. Gjëndrat limfatike regjinale janë të zmadhuara, si dhe krahas ethes, dhimbjes kokës dhe të kyceve është e zakonshme dhe një pamjaftueshmëri e qarkullimit të gjakut, dhe edemë extensive të cilat më pas pasohen me shokun dhe vdekjen.

Forma e mushkërive. Periudha e inkubacionit zgjat nga 1–5 ditë, ku shfaqet një stad prodromal me temperaturë të lehtë, dobësi e përgjithëshme, kollë e thatë,dhimbje retrosternale si dhe myalgi. Në rastet e formës akute dhe hyperakute së bashku me temperaturën e lartë, zhvillohet dispne, cianozë, dizorientim me koma dhe vdekje. Shanset e shërimit janë të pakta, Vdekja vjen pas 3 ditësh pas fillimit të stadit akut si dhe 24 orë pas fazës hyperakute.

Ka dy forma klinike të plasjes gastrointestinal të cilat varen nga rrugët e marrjes së bacilit me ushqim ose me ujë. Këto janë, plasja intestinale dhe ajo oropharyngeale.

Forma intestinale e plasjes është nga format më të rralla të saj tek njeriu, Periudha e inkubacionit është nga 2–5 ditë. Klinikisht ajo shfaqet me temperaturë, me dhimbje të fuqishme barku si dhe me diare profuse me gjak. Njësoj, si tek karbunkulat e lekurës dhe në jejunum ose në mukozën e stomakut lokalizohen lezione që kanë tendencë për çarje, kështu që vdekja vjen kryesisht brenda javës së pare, pasi kanë filluar shenjat e sëmundjes.

Forma orofaryngeale shoqerohet me dhimbje fyti, disfagi, ethe, lymfoadenit regjional në zonën e qafës dhe toksiemi. Megjithë trajtimin, mortaliteti është rreth 50 %.

Luftimitek kafshët bëhet duke kombinuar, vaksinimin me trajtimin me antibiotik në shumë vënde, eleminimi i rasteve të shpeshta të infeksionit është arritur që nga vitet 1950. Në Shqipëri, si dhe në shumë vënde të botës, njoftimi i sëmundjes së plasjes është i DETYRUESHËM. Masat e marra, për luftimin, e saj bazohen në ligjin për shërbimin dhe inspektoriatin veterinar. Në vendin tonë vaksinimi i kafshëve është i detyrueshëm një herë në vit, kurse në vatrat e infeksionit ajo kryhet deri në 3 herë. Kur plasja, vërehet në ekonomitë e rritjes së gjedhit, ekonomia vendoset në karantinë dhe qumështi i kafshëve me temperaturë nuk lejohet të konsumohet, por mbas zierjes eliminohet, Ndalimi i lëvizjes së kafshëve hiqet mbas 2 javësh nga rasti i fundit me plasje. Plehu përpunohet nëpërmjet grumbullimit dhe trajtimit biotermik për 3–6 javë, ku temperaturë duhet të arrijë mbi 700C. Urina, materialet e lëngshme, përpunohen me gëlqere 5%. Në rastet kur detyrimisht duhet të bëhet një therje, materjalet, vendi i therjes si dhe mjetet e kryerjes së saj duhet të dizinfektohen me sodë kaustike 2 %. Vaksinimi është mjeti më i sigurt i luftimit të infeksionit.

Luftimi tek njerëzit. Edhe tek njerezit kjo sëmundje është e detyrueshme për deklarim. Masat higjenike në ndërmarrjet e përpunimit të leshit, lëkurëve etj kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Lëkurët dhe leshi nga zonat endemike mundet të trajtohen me ethylene dioksid ose me reze jonizuese. Për materialet pak të ndjeshme kundrejt temperaturave mund të bëhet trajtimi me avull të nxehtë ose në autoklave për 15 minuta në 1050 C. Në vendin e punës nuk duhet të lejohen aerozole si dhe për personelin duhet të sigurohen mjete mbrojtëse për hundet dhe veshje, si dhe duhet të kryhen dizinfektime dhe pastrime të sipërfaqeve të vendit të punës. Eshtë e rekomandueshme që uji para se të derdhet jashtë territorit, duhet të trajtohet me klor në sasinë 10 -30 mg/l. Kjo metodë është e përshtatshme në rastet e pastrimit biologjik të ujit. Materialet e forta duhet të kompostohen për 20 ditë, ku temperatura duhet të arrijë deri në 700 C. Sipërfaqja e vendit të punës duhet të pastrohet me 5 % solucion hypochlorite ose të dizinfektohet me mjete të tjera sporocidesh. Përdorimi i vaksinës të përgatitur me antigen të tretshëm protektiv (PA) si bazë, bëhet vetëm tek personat shumë të ekspozuar kundrejt infeksionit.

Shënim: Kolegë/e, jeni të mirëpritur për komente, mendime vrejtje dhe kërkesa ose jo për material më të zgjeruar për këtë infeksion të rrezikshëm, apo cfarëdo infeksioni tjetër zoonotik ose jo.

Profesor Kristaq Bërxholi
Virolog – Fakulteti i MjekësisëVeterinare
Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar
Tiranë –Shqipëri

Nuk lejohet ripublikimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Ju lutemi në rast referimi nga ky shkrim të përmendet linku i veterineret.com si dhe autori i shkrimit!


Na shkruani