Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare
Reklama

Nga Dr. Agim Nelaj 

Duke mbarështuar për një kohë të gjatë bletë, puna e përditshme me to, e bën bletarin të përkushtuar dhe ndonjëri syresh lidhet edhe shpirtërisht me bletët. Bletarët vazhdojnë të hulumtojnë, për të zbuluar të fshehtat e familjes së bletëve. Këta pasionantë, në qendër të vëmendjes kanë mbretëreshën. Ka nga ata që mendojnë se e njohin mirë, ashtu siç ka edhe të tjerë që mendojnë se mbretëresha dhe gjithë veprimtaria e një familjeje bletësh është një botë misterioze, e pamundur të njihet dhe, si e tillë, edhe mundësia për të vepruar është e kufizuar, ose e pamundur. Ka bletarë që e shqetësojnë familjen, duke kërkuar me çdo kusht të gjejnë mbretëreshën. Problemi është i thjeshtë, verifiko pjelljet. Në takime me bletarë, bëhen pyetje dhe kërkohen shpjegime për dukuri të zakonshme dhe të përsëritura. Edhe pse syri i tyre kureshtar vëzhgon natyrën e mbretëreshës dhe marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes, vëren në këtë hapësirë dukuri befasuese, që lidhen më ligjësi të organizimit të familjes.

 

Është e sigurt se për çrregullime në botën e bletëve, përgjegjësinë e parë dhe të vetme e ka njeriu. Ndërhyrjet e gabuara në natyrë, po e dëmtojnë rëndë çdo ditë ekosistemin. Vënia dorë mbi natyrën, prishja e marrëdhënieve me te, nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë. Edhe dëmtimi i bletëve është një haraç që po i paguajmë natyrës. Bleta është nga të rrallat dhe të parat qenie të virgjëra të natyrës që i ka ndjerë rëndë pasojat negative të dorës së njeriut.

Në parashtrimin e ideve kryesore, është patur parasysh që anëtarët e familjes, të mëkuar me ligjësitë dhe kodet e bashkësisë, kryejnë veprime vetëm në interes të sojit deri në vetëflijim, për ta ruajtur dhe mbrojtur atë. Jeta e përbashkët dhe uniteti janë shfaqje të disa prej vetive më të mira të këtyre qenieve sociale; janë tipare këto që me tërësinë e vet, shpesh në rrethana të vështira si në ato të dimrave të ashpër të mahnisin. Lëmshi që formojnë bletët, ka një strukturë dhe organizim të përsosur. Lëvizjet e tyre brenda lëmshit, këmbimi i vendqëndrimeve, mbrojtja e mbretëreshës dhe pjelljeve, janë shprehje e përsosmërisë së këtyre sjelljeve sociale dhe e marrëdhënieve të ndërsjella midis bletëve.

Çdo bletar është një institucion më vete, ai ka të veçantat, pasi të tilla janë edhe problemet që ai has në mbarështimin e bletëve. Mirërritja e bletës, krahas kënaqësisë që jep, bart dhe andralla. Vështirësitë qëndrojnë edhe për faktin se nuk mund të gjykohet dhe të nxirren përfundime në një moment të dhënë. Bleta ka të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në qoftë se nuk e ndjek në vazhdimësi, është e pamundur të japësh një mendim të saktë. Ndodh që, në takime me bletarë, duke mbetur rob të disa zakoneve, disa syresh ndihen të pakënaqur dhe vuajnë kur dikush nuk është në një mendje me ta. Ka bletarë që ngulin këmbë se duhen të prishen pjelljet mashkullore si një formë për të ulur parazitin e varroas. Ndërsa familja e bletës ruan harmonin midis bletëve punëtore, meshkujve dhe Mbretëreshës. Prishja e këtyre raporteve e detyron familjen të riprodhojë meshkuj përsëri dhe me urgjencë. Kjo i shkakton stres bletëve.

Mark Tuen, në ditarin e “Kungullit Uillson”, shkruan: “Zakoni është zakon dhe asnjë njeri nuk mund ta hedhë nga dritarja. E vetmja gjë që mund të bëjë, është ta zbresë nga shkallët, hap pas hapi, duke e marrë me të mirë”.

Por kjo ndodh dhe me ne, profesionistë të fushës, edhe ne kemi zona të gabuara. Na ndodh që të dështojmë për ndonjë objektiv të dhënë, sipas një modeli të paracaktuar. Ndodh të ndihemi në sfid për një çast, ndryshe aftësive tona. E pasuksesshmja në një veprim të veçantë, nuk do të thotë se dështuam si specialistë. Thjesht, nuk mundëm t’ia dilnim në atë përpjekje konkrete, apo në ato rrethana. Bletari është vazhdimisht në rrethana të tilla. Ai druhet të mëtojë diçka të re.. Prandaj i nderuar Bletar; Guxo, Provo, Gabo, Mëso!

Le të ndjekim një arsyetim që lidhet me bletët dhe të shpëtojmë nga frika e dështimit. Bleta, pavarësisht nga vështirësitë dhe humbjet, i vazhdon pambarimisht përpjekjet. Kur një familje blete roit, nuk niset as nga suksesi e as nga mossuksesi, ajo bën diçka të domosdoshme; është një mënyrë sjelljeje që lidhet me kujtesën mijëravjeçare. Pra, secili nga ne të bëjë më të mirën që mundet. Frika ndaj së panjohurës, rezistenca ndaj përvojave të reja, paragjykimi, frika e dështimit, janë arsyet e vetë kufizimit, vetë frenimit. Kjo do të thotë që specialisti, bletari, është më i sigurt kur u shmanget zonave të pastudiuara?!

Psikologjikisht është e njohur ideja e Kolombit: është më lehtë të sillesh në vende të njohura, sesa të studiosh dhe të rrezikosh çdo gjë. E panjohura është provokim dhe provokimi kërcënim.

Ralf Emerson shkruante në vitin 1838, në librin e tij “Etika filologjike”: “Njerëzit mbruhen vazhdimisht në një të vërtetë të vjetër dhe asgjë nuk del andej veç asaj që është futur. Por, nga momenti që braktisni traditën për një mendim të vetvetishëm, atëherë poezia, humori, shpresa, virtyti, njohuria, të gjitha vijnë në ndihmë të tyre”.

Në përgjithësi, gjatë marrëdhënieve me bletarë, kam vënë re se janë njerëz me energji të mëdha, plot forca vepruese që burojnë nga dashuria për bletën. Ata janë sakaq shumë kureshtarë. Duan të dinë gjithçka për bletën, janë të vëmendshëm dhe mjaft praktikë. Jo gjithçka e japin librat, boshllëkun e mbushin me intuitë, duke formuar kështu praktikën e gjerë të bletarit.

Studimi i thelluar dhe i plotë është një përpjekje që duhet ta bëja për të kuptuar të veçantat në biologjinë e bletës, disa anë të padukshme të saj. Kjo në bisedat e përditshme quhet “Jeta sekrete e bletëve”. Sa më afër bletëve, aq më pak misterioze do të na duken disa dukuri, të cilat duhen njohur dhe respektuar.

Sa më shumë të dimë për këtë “super-organizim” që e quajmë familje blete apo shoqëri e bletëve, aq më shumë mahnitemi nga ajo veprimtari e gjallë dhe e shumanshme që shikojmë brenda një zgjoi!

Duke mbarështuar për një kohë të gjatë bletë, puna e përditshme me to e bën bletarin të përkushtuar dhe ndonjëri syresh lidhet edhe shpirtërisht me bletët…

Bleta vazhdon të ngelet tepër intriguese për njeriun; sa më shumë përpiqet ta studiojë, të njohë të fshehtat, jetën e saj, aq më shumë i zmadhohet rrethi i së panjohurës, aq më shumë sfida i duhet të përballë. Kam bindjen se bletari, thellë vetes synon ndryshimin, por herë-herë bie në kundërshti me të; që të ndryshosh është e vështirë. Është synuar që të vështrohet në thelbin e dukurive, mbështetur në filozofinë se e vërteta nuk është veç ajo që të sheh syri, pra vetëm një këndvështrim. Intuita, imagjinata paraqesin versionin e vet të realitetit. Çdo dije kërkon të paraqitet sipas stilit që i përshtatët.

Bleta, insekt social me një organizim të pashoq, që nuk ka mundur t’ia përngjajë asnjë qenie tjetër e gjallë, ndonëse siguron nevojat e veta me mjaltë, vazhdon të punojë me vrull të madh për të sjellë nektar dhe polen. Edhe pse njeriu ia merr krejt mjaltin e mbledhur, përsëri ajo është po aq dashamirëse dhe punëtore sa dhe më parë. Nuk tregon asnjë shenjë pakënaqësie me veprimet apo mosveprimet e njeriut. Ndërsa njeriut i mërzitet dhe jo rrallë i bie interesi ndaj saj. Kureshtja e studiuesve dhe kërkimi i tyre këmbëngulës drejt së panjohurës, ka qenë dhe mbetet një sipërmarrje e përhershme.. Duhen vlerësuar proceset objektive, sesi përcillet informacioni mes individëve të këtij uniteti (vektori informacion është një energji deri tani e panjohur), gjë që kapërcen pragun e instinkteve tek bleta. Po t’u hedhim një shikim dashamirës studimeve dhe informacioneve të botuara deri tani tek ne, gjejmë edhe interpretime e përfundime të anshme, pasojë e këndvështrimeve shpesh prozaike. Por mund të thuhet se janë këto gabime që shtrojnë rrugën e shkencës. Në shkencë, shumë herë nga nevoja, arrijmë në përfundime jo të sakta, mbështetur mbi njohuri të pamjaftueshme shkenca zhvillohet në sajë të dyshimit…

Artikulli u përgatit nga Dr.Agim Nelaj

Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit!

Ju lutemi në rast referimi duhet të përmendet autori, burimi i informacionit dhe linku përkatës.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: