Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » I mbrojtur: Edukuese » Trajtimi i bletëve me medikamente të ndryshme

Trajtimi i bletëve me medikamente të ndryshme

Veçori në trajtimin me barna të bletëve

blete ne koshereTrajtimi me barna i bletëve nuk mund të jetë thjesht një veprim i vetvetishëm, vetiak i bletarit. Trajtimi veterinar i familjeve të bletëve, qoftë për arsye parambrojtje ose për kurim kur janë të prekura nga sëmundje, kërkon kujdes dhe përgjegjësi. Së pari, duhet të zbatohen kriteret e përgjithshme të përdorimit të preparateve, si dhe udhëzimet e veçanta. Nuk është punë e gjetur që të veprohet në kundërshtim me porositë e specialistit apo me udhëzimet bashkëshoqëruese të barnave.

Përvojat vetiake apo këshillimi me bletarë të tjerë, që bien në kundërshtim me rregullat dhe porositë teknike, përbëjnë sot një nga gabimet që po e dëmtojnë çdo ditë bletarinë.

Bletët infermiere që e kanë marrë barin gjatë konsumit të sherbetit të sheqerit, e përpunojnë atë, mandej e kalojnë në qeskat e mjaltit, ku plotësohet në formën e përvetësueshme për t’u rinxjerrë më pas si ushqim për larvat. Një qarkullimi i tillë i ushqimit dhe barit, kuron vetë bletën dhe njëkohësisht larvën. Bletët infermiere janë të kujdesshme për të bërë dallimin midis larvave që janë normale dhe atyre që kanë ndërruar ngjyrë, formë ose vendosje. Larvat me paraqitje normale, qoftë të shëndosha ose të prekura, ushqehen. Defektozet nuk ushqehen (nuk mjekohen), bletët infermiere me kujdes i heqin ato dhe pastrojnë huallin.

_______________________________________________________________________

Kurimi i familjes së bletëve ndjek një rregull

bletet duke punuarSë pari vlerësohet mizëria, “korniza bletë”, dhe në raport me të jepet bari. Llogariten 100 ml sherbet për një kornizë blete. Bletari duhet të jetë i vëmëndshëm për të bërë dallimin. Ai duhet të vlerësojë çdo familje, për të zbuluar se cila është më e prekur dhe cila më pak. Bletari duhet të kuptojë se përdorimi i barnave në një familje blete lidhet vetëm me të shëndoshat, se vetëm ato e marrin ilaçin; bletët e prekura mund të marrin pak, ndërsa të sëmurat nuk e marrin ushqimin.

Masat parambrojtëse dhe kurimi i sëmundjeve, si rregull, bëhet në dy stinë, pranverë dhe vjeshtë. Mënyra e dhënies është disallojësh: në formë të lëngët, pluhur, me ushqim të gatshëm, gaz etj. Efekti më i mirë i formës së dhënies lidhet me llojin e barit dhe sëmundjen. Në raste të lagështirës së zgjatur, dhënia në formë lëngu e dëmton bletën. Janë të njohura ndikimet dëmtuese të lagështirës në zgjojet e bletëve, si dhe mundimet e bletëve për ta rivendosur gjendjen. Lagështira, një nga armiqtë më të mëdhenj të bletës.

Duhet patur parasysh se veprimi i barit lidhet me forcën e familjes. Familjet e dobta nuk janë në gjendje të eleminojnë sëmundjen, sado mjekime t’u bëhen. Bari është një faktor ndihmës, forca e familjes është vendimtare. Ndodh që familje të dobta, shumë të infektuara, ndonëse të mjekuara rregullisht, vdesin. Në kësi rastesh, mjaft bletarë paragjykojnë, ia vënë fajin barit të dobët ose të skaduar.

_______________________________________________________________________

Parambrojtja nga sëmundjet dhe si duhet vlerësuar ajo

Duhet kuptuar se çfarë përfaqëson në bletari parambrojtja nga sëmundjet dhe a ka tregues për këtë?

– Bleta jonë i përket racës karnika, e cila ka veçanti kundrejt racave të tjera. Dallon për madhësinë relative të familjes, caku është 6 korniza bletë. Nën këtë shifër, jo vetëm që nuk flitet për prodhim, por janë më të rrezikuarat për prekje nga sëmundjet, duke u bërë, nga ana tjetër, vatra infektimi dhe përhapje sëmundjesh.

– Për mbarështimin e familjes, bletari parashikon disa procese teknike, që i vlerëson në raport me gjendjen e bletëve, periudhën, vitin etj. Ndër to rendisim: mbajtjen e familjeve me mbretëresha të reja, hoje të reja nën dyvjeçare, rezerva ushqimore të mjaftueshme etj. Por midis këtyre masave, më e rëndësishme është sigurimi i ushqimit të bollshëm, cilësisht të mirë. Bletët, në dallim nga kafshët e tjera shtëpiake, e sigurojnë, e përpunojnë dhe e depozitojnë vetë ushqimin.

bletet grumbullim polen dhe nektarNektari dhe pjalmi, janë ushqimet bazë natyrore që u sigurojnë bletëve lëndët e nevojshme për veprimtarinë jetësore. Por ka një sërë kushtesh dhe rrethanash mjedisore dhe të motit kur bletët nuk mund ta sigurojnë atë, si në sasi ashtu dhe në cilësi. Gjatë mungesës së ushqimit në natyrë, del nevoja e plotësimit me ushqime të parapërgatitura. Një nga shkaqet e sëmundjeve lidhet me çrregullimet e higjienës së të ushqyerit. Ushqimet që tregtohen të gatshme, jo gjithmonë plotësojnë kushtet dhe nevojat e bletëve. Disa herë ato janë të dëmshme, të fermentuara, me përbërës që mund të shkaktojnë helmime. Kur ushqimi i bletëve nuk është i balancuar dhe raporti polen-nektar është i prishur, proceset metabolike cënohen dhe shkaktohen çrregullime në gjithë veprimtarinë jetësore të familjes që lidhen me: riprodhimin, ndërtimin, mbrojtjen, grumbullimin e ushqimit etj. Shkalla e çrregullimeve është në varësi të raportit nektar-pjalm. Ky raport lidhet me stinën, me veprimtarinë jetësore të bletëve. Raporti polen-nektar, në periudhën mars-qershor, duhet të jetë1:2-3, në gusht-shtator raporti polen-nektar duhet të jetë 1:3-4. Kjo lidhet me pjelljet, ku ndihet nevoja për polen. Në periudhën tjetër të vitit raporti shkon 1:4-5.

Hulumtimet vlerësojnë cilësinë e pjalmit (varet nga thatësira, përbërja botanike, lloji i bimës mjaltore etj) jo vetëm për balancimin e ushqimit, por dhe për rëndësinë që ka në krijimin e rezervave proteinike. Pa të nuk ka pjellje, nuk ka ripërtëritje të familjes, si dhe dobësohen mekanizmat mbrojtëse të bletëve ndaj infeksioneve. Studimet tregojnë për varfërimin e organizmit në proteinë nga sëmundja varroatozë. Rriqnat thithin hemolimfën dhe ulin rezervat proteinike deri në 50%. Krahas saj, parazitët varroa shkaktojnë një helmim kronik me pasoja: uljen e jetëgjatësisë, aftësisë për punë, daljen para kohe të bletëve në kullotë, rënien e pjelljeve, uljen e aftësisë fluturuese të bletëve etj. Në cilësinë e dobët të pjalmit ndikon thatësira dhe përbërja botanike e bimëve mjaltore.

Gjatë kontrollit të rezervave ushqimore, bletari duhet të njohë dhe të vlerësojë cilësinë e ushqimit, pa folur këtu për përlyerjet me pesticide, me akaricide etj. Cilësia e ulët ushqimore e rëndon më tej jetën e familjes, e ndërlikon atë, nxit shpërthimin edhe të sëmundjeve latente. Një ushqim i tillë mund të mos shfrytëzohet në dimër dhe për pasojë mund të shfaqen dëmtime të mëdha; në pranverë bëhet shkak për moskryerjen e fluturimeve pastruese, bleta tejlodhet për përpunimin e mjaltrave me kësisoj përbërësish. Në këto rrethana familja ul ndjeshëm numërin e anëtarëve, sepse shkurtohet jetëgjatësia e bletëve të dimërimit.

Parambrojtja shikohet në dy drejtime: atë me karakter të përgjithshëm veterinar dhe atë me karakter të veçantë (special). I pari parakupton: higjenën, pastërtinë, dezinfektimet, zgjedhjen e vendvendosjes së bletores, kontrollin e mjaltit, dyllit etj.

Zgjedhja e vendit të bletores duhet të plotësojë disa kushte. Të jetë një vend pa lagështirë, i mbrojtur nga erërat, me drejtim jug-lindjen, i pasur me bimë mjaltore dhe sa më afër bletores etj.

Masat parambrojtëse me karakter të veçantë janë përshkruar në faqet e librit.

_______________________________________________________________________

Dezinfektimet

puna ne bleteDezinfektimi shihen si një nga masat parandaluese më të rëndësishme në bletari. Zbatimi i suksesshëm i kësaj mase siguron parandalimin e sëmundjeve, si dhe çrrënjosjen e tyre gjatë pastrimit të vatrave.

Objekte të dezinfektimit janë: materialet e inventarit të bletores, të bletarit dhe vendvendosja e bletores. Nga këto mund të përmendim: zgjojet, kornizat, hojet, veshjet e bletarit, ndërtesën e ruajtjes së materialeve ose punishten, vendqëndrimin e parkut etj. Në praktikën e veprimtarisë së përditshme, lihet pas dore dezinfektimi i vendvendosjes së bletores dhe objekteve (ndërtesat). Në këto mjedise ngelin mjaft mbeturina, dyllë, polen, mjaltë, bletë të vdekura, hoje, këmisha të nimfave etj. dhe bashkë me to, spore dhe mikroorganizma. Prandaj dezinfektimet e herëpashershme, ndërrimi i zgjojeve, kornizave, i hojeve në çdo dy-tre vjet, përpunimi i thellë i dyllit, janë faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e bletoreve të pastra, parandalimin dhe uljen e veprimtarisë dëmprurëse të shkaktarëve të sëmundjeve.

Materialet e bletarisë në përgjithësi kanë mjaft mbeturina.

Prandaj para dezinfektimit, pjesët prej druri duhet të pastrohen me qëllim që lënda dezinfektuese të bjerë në kontakt drejtpërdrejtë me shkaktarët e sëmundjeve.

Pjesë nga libri “Për bletën dhe sëmundjet e saj”

Dr.Agim NelajQëndra veterinare”ALBA”Sarandë

Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit.


2 Komente

  1. Semi Seman thotë:

    pershendetje zotni agim; doja tu beja nje pyetje. une po i dimeroj bletet ne myzeqe. ku ambjenti ka goxha lageshti, cfare rreziku ka? faleminderit.

    • Pergjigja eshte pergatitur nga Dr Agim Nelaj : Bletëtët e vuajnë shumë lagështirën,veçanërisht në periudhën e ftohtë.Efektet negative lidhen me: dëmtimin e harmonisë jetësore të familjes e cila është e mbledhur dhe ka vështirësi të ruaj temperaturën dhe nivelin e lagështisë brënda zgjoit , rrjedhojë janë.Askoferoza si dhe rënia graduale e fuqisë mbrojtëse të fa miljes.Shmangia e lagështirës:Vendosja në vënde të thata dhe të mbrojtura,Ngritja nga toka,gushtimi i foles,Rreth e qark zgjoit mund të vendosi kashtë etj

Na shkruani