Dr. Hysni Marku është larguar nga Shqipëria në vitin 1996 dhe prej me shumë se 20 vitesh ushtron profesionin e mjekut veteriner në këtë vend. Në intervistën e dhënë për “Diaspora Shqiptare” ai tregon për sfidat e jetës në nje vend të huaj, shkollimin për herë të dytë dhe angazhimin në jetën e komunitetit shqiptar.

Cila është historia e ardhjes suaj në Kanada nga Shqipëria?
Në gjysmën e dytë të viteve ’90-të me shumë trishtim konstatova, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, që prespektiva për të rritur fëmijët dhe për t’i edukuar ato siç duhej po bëhej çdo ditë dhe ma e vështirë. Aplikova me një formular për të imigruar në Kanada nga fillimi i vitit 1996 dhe në fund të po ati viti fitova të drejtën e rezidentit kanadez së bashku me familjen time të re. Kështu me zemër të thyer e lamë atdheun tonë dhe në janar të vitit 1998 arritëm në Kanada ku temperatura ishte -25, shkretëtirë e bardhë, e acartë pa asnjë njohje dhe përkrahje. Ishim unë, shoqja ime e jetës Gjystina, djali im i madh Igli 6 vjeç dhe djali i vogël Kevini 1 vjeçar. Paradoksale të ikësh nga një vend me natyrë të mrekullushme ku teorikisht gjithçka ishte e mundshme, dhe të mbërrish në një vend që nuk njeh asgjë dhe askënd! Por, me sa kuptoja nuk kisha zgjidhje tjetër.
Keni studiuar Mjekësi Veterinare në Shqipëri, e më vonë keni ardhur në Kanada dhe ushtroni të njëjtin profesion. Sa ka qenë e vështirë rruga e integrimit profesional në shtetin e ri?
Jam diplomuar në Mjekësi Veterinere në vitin 1986 në Tiranë, në periudhën ‘88-‘89 bëra një specializim post-universitar në Fakultetin e Mjekësisë Veterinere po në Tiranë dhe në vitin 1993 fitova në një konkurs kombëtar një të drejtë studimi të dhënë nga qeveria franceze për vendet në zhvillim. Viti ‘94 më gjeti në korpusin e universitetit më të ri francez i ndërtuar në vitin 1980 në qytetin e Nantës, ku për herë të parë pashë edhe oqeanin Atlantik. Me shumë pasion studiova dhe mblodha shumë literaturë profesionale, libra, revista, që nuk gjendeshin në asnjë bibliotekë në Shqipëri. U ktheva në atdhe me shumë projekte në mendjen time për të dhënë kontributin tim në fushën e veterinarisë. Në një bisedë me një punonjës të administratës së fakultetit në Francë që më bëri pyetjen se a kisha dëshirë të instalohesha në Francë? – jo i thashë, pranoj të fitoj shumë më pak dhe ti shërbej vendit tim se të jem në shërbimin tuaj gjithë jetën time. Nuk ishte i kënaqur me përgjigjen time. Me valixhet e mbushura me libra u ktheva në atdhe duke menduar se sadopak do punoja dhe kontribuoja në zhvillimin e vendit tim. Por zhgënjimi filloi që në kontaktet e para, dikush drejtor në ministrinë e bujqësisë më tha: Përse u ktheve?…
Mbërritja në Kanada në aspektin profesional nuk ishte e sigurt megjithëse në prespektivat dhe objektivat e mia ishte në listën kryesore. Viti i parë ishte instalimi i familjes dhe orientimet jetike. Në vitin ‘99 që ishte vit shumë domethënës për ne shqiptarët isha i angazhuar në shumë drejtime, punoja me ministrin e Emigracionit të Kebekut në pritjen e vëllezërve dhe motrave tona nga Kosova që Kanadaja shkoi dhe i mori për t’i shpëtuar nga terrori serb, gjithashtu bëra aplikimin për të vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë Veterinere të Montrealit. Në qershor të atij viti u thirra në fakultet për konkurrim, kishte 2 vende të lira dhe mbi 30 konkurrentë, kisha dy etapa në konkurrim: një provim mbi programin akademik të vitit të parë dhe të dytë të fakultetit dhe ato që kishin rezultatet më të larta thirreshin në një intervistë me tre profesorë të fakultetit. Për fatin e mirë u thirra në intervistë dhe fitova njërin nga dy vendet. Fillova shkollën në vitin e tretë studentë me kohë të plotë në moshën 35 vjeçare dhe u diplomova në mjekësi veterinare për së dyti në Universitetin e Montrealit në 2001. Nga ky vit punoj në këtë profesion fisnik, të vështirë por që të jep shumë kënaqësi në kontakt të vazhdueshëm me kafshët dhe njerëzit e të gjitha kulturave. Do kisha shumë dëshirë të kisha kolegë të tjerë shqiptarë veterinerë, por për momentin jam i vetmi në Kebek. Uroj që në të ardhmen të kemi të tjerë që të krijojmë rrjetin e ndihmës dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin. Në gusht të vitit 2005 hapa klinikën veterinere private që tashmë ndër vite është konsoliduar dhe transformuar në spital veteriner ku afrohen një numër i madh shërbimesh.

Keni qenë kryetar i Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Kebekut në Montreal për një mandat gjatë viteve 2013- 2015. Cila, mendoni ju, ka qenë e arritura më e madhe e komunitetit shqiptar të Montrealit gjatë mandatit tuaj në krye të shoqatës?
Natyrisht që krahas familjes, profesionit edhe jeta e komunitetit shqiptar të Montrealit ka qenë gjithmonë në rrethin e interesave të mia. Duke qenë aktiv dhe pjesëmarrës që në krijimin e komunitetit, e kam ndjekur në mënyrë aktive ndryshimin e jetës komunitare. Gjej rastin të përshëndes përzemërsisht të gjithë ato shqiptarë që pa komplekse, me dashamirësi , sinqeritet dhe patriotizëm kanë dhënë kohën e tyre si vullnetarë në mbarvajtjen e shkollës shqipe, aktiviteteve të ndryshme sportive që çdo verë kanë gjallëruar ndjeshëm jetën komunitare, në organizimin e festave të ndryshme, aktiviteteve sociale e kulturore të të gjithë kategorive. Është e rëndësishme të theksohet se vullnetarizmi përbën bazën funksionale të jetës së një komuniteti, dhe vullnetarët meritojnë respektin më të sinqertë. Në periudhën 2013-2015 ku stafetën e komunitetit e kisha unë në dorë vlen për t’u përmendur puna e mirë që u bë nga i gjithë komiteti drejtues i Bashkësisë me Shkollën Shqipe “Nënë Tereza”, ku nga një klasë arritëm të hapim dhe dy klasa të tjera ma afër zonave të banuara me më shumë shqiptarë në Laval dhe klasë e dytë në Montreal. Për mendimin tim shkolla shqipe është shtylla kurrizore, epiqendra e çdo komuniteti shqiptar dhe duhet të jetë në qendër të vëmendjes për ne të gjithë për vazhdimësinë dhe trashëgiminë identitare . Natyrisht ka pasur, ka dhe do të këtë gjithmonë aktivitete të tjera social-kulturore që bëjnë më dinamike jetën e komunitetit shqiptar në Montreal që është një komunitet shumë i respektuar.

Komuniteti shqiptar në Kanada konsiderohet mirë i integruar në shoqërinë kanadeze. Si njohës i mirë i tij, sa mendoni është i organizuar komuniteti ynë këtu?
Mendoj që komuniteti shqiptaro-kanadez është nga ma cilësorët dhe të mirë prezantuar në të gjitha sferat e jetës kanadeze. Kemi individë shumë të përparuar, biznese të suksesshme, artistë, të rinj të talentuar, etj.
Mendoj se shoqatat në rajone të ndryshme të Kanadasë komunikojnë në mënyrë sporadike, mbase shkëmbejnë edhe përvoja në mes individësh, por një strukturë organizative me një platformë dhe program të përbashkët me rëndësi strategjike që të ketë forcë lobingu në interes të komunitetit shqiptaro-kanadez dhe në interes të çështjeve mbarëkombëtare, me dijeninë time nuk e kemi. Kjo do ishte me shumë rëndësi se do të na jepte ma shumë peshë dhe mjete për të avancuar dhe mbrojtur shumë çeshtje të rëndësishme për gjithë ne shqiptarët.
Nga ajo që shohim edhe në aktivitetin tuaj në rrjetet sociale, shihet që ndiqni ngjarjet në Shqipëri dhe në Kosovë. Si mjek veteriner në vijën e frontit, shikuar nha distanca hapësinore, si mendoni e kanë përballuar shtetet tona pandeminë pa dashur t’i krahasojmë me Kanadanë?
Të them të drejtën, për mendimin tim në të dy vendet tona si në Kosovë dhe në Shqipëri menaxhimi i krizës së pandemisë së COVID 19 është bërë edhe më mirë se në Kanada dhe në vende të tjera më të zhvilluara. Duke njohur kapacitetet e kufizuara të sistemit mjekësor në vendet tona, duheshin marrë masa kufizuese ekstreme për të minimizuar pasojat e krizës sanitare. Personalisht pa pasur asnjë preferencë politike i vlerësoj maksimalisht masat dhe punën e kryer, dhe komunikimin e kulturuar të kryeministrit të Kosovës zotit Kurti dhe ministrit të shëndetësisë zotit Vitia. Edhe në Shqipëri masat ishin efikase por komunikimi me publikun i kryeministrit lë shumë për të dëshiruar…
I kthehemi edhe njëherë profesionit. Sa ka ndikuar pandemia aktuale tek kafshët? A ka kafshë të prekura në Kanada?
Aktualisht në Kanada nuk kemi kafshë të dignostikuara me COVID- 19. Mundësia teorike e infektimit ekziston, më shumë tek macet se tek qenët. Por kafshët shtëpiake mund të shërbejnë si vektor të sëmundjes, si përhapës nëse një pjesëtar i familjes është i sëmurë dhe teshtinë mbi qenin apo macen, kafsha në mënyrë mekanike mund të përcjell sëmundjen tek një individ tjetër që merr kontakt fizik me të. Prandaj vazhdimisht i këshillojmë klientët se në qoftë se kanë pasur shenjat e gripit dy javshin e fundit nuk mund të prezantohen për vizitë me kafshën se mund të bëhen burimi përhapjes së infeksionit.
Dhe një pyetje personale: Si të lindi dashuria për kafshët?
Kafshët janë qenie me ndjenja, me intelegjencë dhe me përkatësi. Duke punuar me kafshët kam kuptuar shumë gjëra që më përpara i mendoja ndryshe. Kam kuptuar që kafshët të duan pa kushte dhe pa komplekse, prandaj mundohem që çdo ditë t’u shërbej sa ma mirë për t’ua kthyer këtë dashuri. Dhe ne, pra njeriu, kafsha intelegjente dhe më barbare e planetit, nuk duhet të kemi të drejta të pakufizuara, siç është realiteti aktual.
Uroj që në vendet tona sjellja ndaj kafshëve të përmirësojë për të mirë se është një nga treguesit themelorë të evolucionit të shoqërisë shqiptare në drejtimin pozitiv!
Burimi informacionit: Diaspora Shqiptare