Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Roitja (Lëshimi) e Bletëve

Nga Fadil Kukleci

Prof. Fadil Kukleci – Biolog Prishtinë Mob. +377 (0) 44 365 035

Lëshimi është një dukuri trashëguese e bletëve e bartur prej gjeneratës në gjeneratë me miliona vite, apo më mirë të themi prej formimit të saj si lloj e deri më sot. Nëpër mes të këtij procesi, ajo e ruan dhe ripërtërinë llojin si të tillë prej gjenerate në gjeneratë.

Ani pse njeriu është munduar dhe mundohet t’ia zhdukë këtë veti, mirëpo ai asnjëherë nuk ka mundur dhe nuk do të mundet, por këtë dukuri ai mund ta mbajë nën kontroll. Për ta mbajtur nën kontroll këtë cilësi trashëguese të bletëve, së pari duhet njohur faktorët e nxitjes së këtij instikti për lëshim (roitje).

Pranvera është periudha më aktive në zgjoin e bletës. Në këtë periudhë lulojnë radhazi bimët e ndryshme me ç’rast në zgjua arrin nektar dhe polen me bollëk, mëma gjithnjë shkon duke e rritur numrin e vezëve, kështu që brenda 24 orëve, ky numër mund të arrijë edhe deri në 1500 – 2500 vezë. Nga vezët dhe larvat, për çdo ditë dalin bletë të reja dhe pasi që është bërë ndërrimi i gjeneratës dimërore, tani më shumë bletë lindin se sa që vdesin, kështu që numri i bletëve në zgjua rritët çdo ditë me ç’rast paraqitet një disproporcion në mes të bletëve që ushqejnë larvat dhe larvave. Deri sa në fillim të sezonit ky proporcion ka qenë 1:1, apo edhe më i vogël, tani kemi 2-6 bletë ushqyese për një larvë. Ky disproporcion paraqitet si rezultat i rritjes së numrit të bletëve dhe zvogëlimit të hapësirës së pjellës, sepse në këtë periudhë, bletët instinktivisht tentojnë që të grumbullojnë sa më shumë ushqim. Larvat po sa të dalin nga qelizat, bletët e fushës i mbushin me nektar dhe polen, para se mëma të lëshoj vezë në to. Tani po thuaj se në tërë hapësirën e pjellës nuk ka asnjë qelizë të zbrazët. Të tëra qelizat, janë të mbushura me mjaltë, nektar, polen dhe larva të pjekura. Më së paku ka qeliza me larva të reja dhe ve. Pasi që në zgjua vije gjithnjë deri te rritja e numrit të bletëve, ndërsa hapësira mbetet e njëjtë, rritet edhe dendësia e bletëve.

Pas arritjes së kësaj gjendjeje, në zgjua bie elani për punë, sepse bletët e fushës nuk kanë ku të deponojnë ushqim, bletët e reja nuk kanë mundësi për të ushqyer larva, bletët punëtore nuk kanë ku të ndërtojnë hoje, njashtu edhe mëma nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të lëshuar vezë. Në këto raste edhe lëvizja e sajë është e vështirësuar. Vështirësimi i lëvizjes së mëmës vështirëson shpërndarjen e feromonit të mëmës në zgjua, që për pasojë ka nxitjen e instinktit për lëshim (roitje) dhe formimin e amësorëve (çibukëve). E nëse në zgjua kemi mëmë të vjetër, feromoni është edhe më i zvogëluar gjë që edhe më shumë e shpejton këtë proces.

Nëse tërë kësaj, nga një herë i shtohet edhe një periudhë kohore më e gjatë me shi, atëherë punët do të komplikohen edhe më shumë, sepse bletët e fushës nuk mund të dalin në teren, jeta e tyre zgjatet sepse mbesin të pa amortizuara me ç’rast, numri i bletëve në zgjua rritet edhe më shumë.

Nga kjo që u tha shihet se rritja e numrit të bletëve në zgjua pengon shpërndarjen e feromonit të mëmës në të gjitha bletët e zgjoit gjë që, si pasojë ka nxitjen e formimit të amësorëve (çibukëve), ndërsa amësorët shtytjen (apo nxitjen) për lëshim.

Më formimin e amësorëve, fillon edhe përgatitja për lëshim, dhe në momentin kur t’i krijohen kushtet, para se të lindë mëma e re, rrëshemi me mëmën e vjetër do ta lëshojë zgjoin. Në rrëshem përpos mëmës së vjetër do të jenë edhe gjysma e bletëve të zgjoit. Bletët do të jenë të të gjitha gjeneratave, e kryesisht do të jenë bletë të pa amortizuara, të cilat po sa të arrijnë në zgjoin e ri do t’i rrekën punës me vrull.

Masat për pengimin e shtytjes për lëshim (roitje)

Bletari së pari duhet t’i njohë dhe të hulumtojë shkaktarët e lëshimit e pastaj t’i eliminojë këta faktorë. Ajo çka është më kryesorja për bletarin është që të dijë momentin se kurë duhet të zgjerojë zgjoin, sepse zgjerimi i parakohshëm sikurse edhe zgjerimi i vonuar do të jenë me pasoja.

Nëse zgjoi zgjerohet para kohe, numri i vogël i bletëve në zgjua nuk mundet për ta mbajtur temperaturën konstante në korpusin e pjellës, kështu që mëma është e detyruar të zvogëlojë numrin e vezëve me ç’rast zhvillimi i hovshëm i sajë stagnon. Nëse jemi vonuar veç janë formuar amësorët (çibukët).

Zgjerimi i zgjoit bëhet pak para arritjes së kulminacionit të numrit të individëve në zgjua, kështu që pas lindjes së bletëve të reja të ketë vend të mjaftueshëm për to, të ketë punë në ndërtimin e hojeve të reja, të ketë hapësirë të mjaftueshme për deponim të nektarit dhe polenit si dhe hapësirë të mjaftueshme për lëshim të vezëve nga mëma.

Shpesh herë, bletarët e rinj e besa edhe ata me përvojë shumë të gjatë, edhe pas zgjerimit të zgjoit me veprimet e tyre mund të ndikojnë në bllokimin e mëmës dhe nxitjen e lëshimit. Pas shtimit të katit për zgjerim, nëse përdorim diafragmën, në katin mbi diafragmë kornizat duhet të kontrollohen mirë që në to të mos ketë ve dhe larva të reja nga të cilat bletët mund të ndërtojnë amësorë, sepse nëse në korpusin që ndodhet mbi diafragmë ndodhen ve apo larva, bletët menjëherë do të ngrehin amësorin për shkak se në këtë korpus ndihet mungesa e fermonit të mëmës, kështu që e tërë puna do të na shkojë huq, sepse bleta do të lëshojë në momentin më kritik. Kur ajo duhet të deponojë ushqim (mbledh mjaltë), ajo përgjysmohet, e ndoshta edhe rrëshemi do të na ikë, e ndoshta edhe mëma e re nuk do të kthehet nga fekondimi, kështu që do të mbesin edhe pa mjaltë edhe pa bletë.

Nëse bëjmë zgjerimin dhe nuk përdorim diafragmën, atëherë në katin e dytë, zakonisht barten kornizat me mjaltë, ndërsa në korpusin e pjellës shtohen korniza me petë dylli, me qëllim të ndërrimit të hojeve të vjetra dhe për t’i angazhuar bletët e reja në ndërtimin e hojeve.

Gjatë shtimit të kornizave me petë dylli, shumë bletarë vendosin një apo dy korniza për ndërtim në mes të pjellës gjë që është shumë gabim të ndahet pjella. Bletët e reja shumë shpejt do t’i ndërtojnë këto hoje, mirëpo pasi që kjo periudhë është shumë e pasur me nektar dhe polen, bletët e fushës, këto korniza do t’i shfrytëzojnë ende pa përfunduar ndërtimi i tyre për të vendosur polen. Korniza e re, e mbushur me polen do të jetë si barrierë për kalimin e mëmës në anën tjetër të zgjoit, kështu që në anën në të cilën nuk kalon mëma bletët do të ndërtojnë amësorë dhe familja do të lëshojë edhe pse e kemi bërë zgjerimin e sajë.

Në rastet e tilla ku nuk përdoret diafragma duhet vepruar në këtë mënyrë:

Në të dy skajet e korpusit të pjellës ndodhen kornizat për plot mjaltë të bllombuar, kështu që në të dy anët nxirret nga një kornizë me mjaltë. Tani radhitja e kornizave bëhet në këtë mënyrë: korniza e parë afër dërrasës së zgjoit duhet të jetë me mjaltë, pastaj vije korniza me petë dylli, mandej kornizat me pjellë, e në anën tjetër, prap korniza e parafundit me petë dylli dhe e fundit me mjaltë.

Me radhitjen e kornizave në këtë mënyrë nuk do të bëjmë ndarjen e pjellës. Bletëve te reja do t’ju gjejmë punë në ndërtimin e hojeve, mëma do të ketë hapësirë për lëshim të vezëve, ndërsa bletët e fushës do të kenë hapësirë të mjaftueshme për deponim të mjaltit dhe polenit.

Duhet pasur kujdes që zgjerimi i korpusit të mjaltit (gjatë kohës intensive të bartjes së nektarit të bëhet në kohë të duhur). Nuk duhet pritur që i tërë kati të mbushet me mjaltë. Zgjerimi i korpusit të mjaltit bëhet, kur 2/3 e korpusit të mjaltit të jenë mbushur me mjaltë. Në këtë kohë bëjmë zgjerimin e korpusit të mjaltit duke shtuar edhe një kat të zbrazët në mes të korpusit të pjellës dhe korpusit të mjaltit. Duhet të mundohemi që gjithmonë 1/3 e korpusit të mjaltit mbi pjellë të jetë i zbrazët.

Pengimi i lëshimit, po thuaj se është i pa mundur në periudhat e gjata me shi, nëse bletari nuk i ka bërë këto përgatitje me kohë. Mirëpo, për çdo rast në momentin kur atij, i jepet mundësia duhet kontrolluar familjet e bletëve dhe të ndërmerr masa adekuate për atë moment.

Siç e dimë, mëmat e vjetra kanë predispozita për lëshim (roitje), prandaj bletari duhet t’i paraprijë kësaj dukurie duke bërë ndërrimin e mëmave për çdo vit, duke pasur kujdes që (nëse merret vetë me prodhimin e mëmave), mëmat e reja duhet të jenë me prejardhje nga mëmat që gjenetikisht nuk kanë prirje për lëshim.

Familja që ka mëmë më të re se një vit shumë rrallë lëshon dhe nëse mëmat janë ndërruar në gusht atëherë ato në sezonën më aktive (kur rreziku është më i madh për lëshim), janë më të reja se një vit.

Si metodë mjaft efikase për mënjanimin e lëshimit (roitjes) është edhe ndërrimi i mëmave të vjetra me amësorë të pjekur. Kjo metodë është shumë e përshtatshme të aplikohet tek ata bletarë, të cilët bletojnë me shtegtim (shpërngulje), sepse në këto parqe është shumë më vështirë që familjet prodhuese të mbahen nën kontroll të përhershëm. Për të mundur me aplikuar këtë metodë, bletari duhet të sinkronizojë prodhimin e amësorëve (çibukëve) me kohën kur bletët barten në kullotë. Eliminimi i mëmave dhe dhënia e amësorëve, bëhet 2-3, ditë pasi që bletët janë bartë në kullotë. Amësorët, nga parku i prodhimit të mëmave merren të 13 –ën ditë. Korniza me amësorë vendoset në mes të dy kornizave me bletë në një nukleus tri kornizësh.

Ky nukleus shërben si inkubator për të mbajtur temperaturën konstante të amësorëve.

Po atë ditë, duhet vajtur në parkun ku i kemi vendosë bletët për kullotë. Me vete marrim edhe amësorët. Me të arritur në bletore, fillojmë punën në gjetjen e mëmave në çdo familje. Kjo është një punë pak e mundimshme, por që paguhet. Mëmat e vjetra i mbysim, por në mesin e tyre mundë të ketë edhe mëma kualitative. Këto mëma i vendosim në kafaz me ushqim dhe mund të përdoren për qëllime të caktuara. Familjet duhet të mbesin pa mëma deri të nesërmen, kështu që amësorët u jepen të nesërmen, do të thotë të 14-tën ditë të amësorëve.

Me këtë veprim arrihen shumë efekte. Mënjanohet në maksimum mundësia e lëshimit. Me eliminimin e mëmave të vjetra ndërpritet lëshimi i vezëve, kështu që janë tri ditë deri në lindjen e mëmës së re, pastaj mesatarisht shkojnë pesë ditë deri sa të fekondohet edhe pesë ditë deri sa të fillon vezët përafërsisht 13 ditë. Gjatë kësaj kohe zvogëlohet puna në zgjua, sepse bletët nuk, kanë për të ushqyer larvat, mirëpo rritet elani për bartje të nektarit sepse e ndien veten shumë më të sigurt në prezencën e mëmës së re në zgjua.

Mirëpo edhe pse i kemi ndërmarrë të gjitha këto masa nuk do të thotë se jemi të sigurt 100% se nuk do të lëshojë ndonjë bletë, mirëpo edhe nëse lëshojnë duhet të jemi të kënaqur me këtë, sepse kjo është një dukuri, të cilën bletëve ua ka dhuruar natyra (zoti).

Teksti nuk lejohet të përdoret pa lejë të redaksisë të Mjekësia Veterinare Shqiptare apo autorit të shkrimit.

Autori: Fadil Kukleci

Bletar profesionist

Kosovë

Prishtinë

14.04.2017

Advertisements
Këtë e pëlqejnë %d blogues: