Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për dashamirësit dhe pronarët » Pyesni Mjekun Veteriner » A ka rrezik kur qeni lëpin në fytyrë?Puthje nga qeni.

A ka rrezik kur qeni lëpin në fytyrë?Puthje nga qeni.

Pershendetje. Une kam nji qen shume te mire dhe te dashtun. Ai gjithmon don te me lepije ne fytyn por une nuk e lej.
Nji shoqe e imja me thote se nuk ka problem se goja e qenit asht ma paster se e njeriut. Edhe qejf kam me e len por kam dhe frik per ndonji semundje. Si me keshilloni? Flm

Përgatiti përgjigjen Dr Atalvin Zhiva
Përshëndetje. Të falenderoj për pyetjen tuaj.
Shumë persona e kanë jo vetëm mburrje dhe krenari që e lejojnë qenin ti lëpijë në fytyrë, por e kanë kthyer tashmë në një mënyrë për të treguar se i duan qentë dhe nuk ju vjet ndot prej tyre.
Këshilla ime është : Nuk duhet ta lejoni qenin (as tuajin dhe as të dikujt tjetër) t’ju lëpijë fytyrën.
Nga njëra anë unë e kuptoj ndjesinë që ka dikush kur ndjen këtë afrimitet me mikun më të mirë të njeriut. Por dhe ju ama duhet të më kuptoni kur ju them se kjo është e gabuar. Këto “puthje” janë përgjegjëse për disa sëmundje që mund të transmetohen nga qeni tek ne.
Ashtu si dhe shoqja juaj të shumtë janë personat që perdorin shprehjen se: “Goja e qenit është shumë më e pastër sesa e njeriut”. E pra ja ku po e shkruajmë me të mëdha se NUK ESHTE E VERTETE! Kjo është thjesht një MIT!
Ka disa organizma unike tek jargët e qenit që sistemi ynë imunitar nuk mund ti tolerojë. Në rastet më te këqija nuk mundet as ti luftojë dot.

Doktori Marty Becker shkruan se : ” Nuk keni nevojë për studime kur mjafton të shihni sesi qeni përdor gjuhën e tij për të lëpirë ç’do send në kazanët e plehrave si dhe organet gjenitale të tyre apo të qenve të tjerë” .
Eshtë mëse e vërtetë ajo që thotë Dr Becker (Dr Beker); qentë e përdorin gjuhën si një shqisë jo vetëm për të dalluar shijet, por dhe për të marrë shumë informacione të tjera.
Doktor Jon Oxford, Profesor, Virolog dhe Bakteriolog pranë universitetit “Queen Mary” në Londër shkruan: ” Nuk është vetëm jarga e qenit ajo që jemi të rrezikuar.  Mos harrojmë se hunda e qenve është një nga shqisat me të rëndësishme të tyre.
Qentë shpenzojnë gjysmën e jetës së tyre duke e futur hundën në lloj lloj vendesh nga më të pistat që përmbajnë bakterie dhe mikrobe të të gjitha llojeve.

A e dini sesi dy miq takojnë duart me njëri tjetrin? E pra qentë e kanë ndryshe këtë prezantim apo takim; duke nuhatur (apo dhe lëpirë) në zonat e jashtëqitjes dhe organeve gjenitale të njeri tjetrit.
Janë shumë bakterie që gjenden tek goja dhe hunda e qenit dhe mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme tek njeriu.
Një prej tyre që permend doktor Oxford (Oksford) është dhe Capnocytophaga Canimorsus, një bakter që jeton në jargët e qenit.
E ndërsa është normale për florën e gojës se qenve dhe të maceve, tek njeriu ky bakter mund të shkaktojnë infeksione fatale (përfshi dhe sepsis) që çojnë në mosfunksionim të organeve të ndryshme të njeriut duke çuar deri në rastet ekstreme.
Patogjeneza e C.Carimorsus vazhdon të njihet shumë pak. Trajtimi me antibiotik është efikas në shumë raste, gjithsesi egziston rreziku e përkeqësimit të situatës duke dalë jashtë kontrollit të mjekëve.
Po ashtu përmendim dhe infeksione të tjera si “Qere- apo Ringworm” që është një prej infeksioneve fungale që shumë lehtësisht transmetohet nga kafsha tek njeriu.

Ka dhe sëmundje të tjera që për qenin mund të mos shkaktojnë ndonjë problem por ndryshe veprojnë kur përcillen tek njeriu.
MRSA-Methicillin-Resistant Staphylococcus aureus. Staphylococcus aureus është një bakterie që prek pjesë të ndryshme të trupit. Infeksion që prek gjithë kafshët përfshi qenin dhe njeriun. Mund të transmetohet nga qeni tek njeriu më anën e kafshimeve apo jargëve të kafshës së prekur. Ky infeksion është shumë i vështirë për tu trajtuar pasi është rezistent ndaj shumë antibiotikëve të ndryshëm. Gjëndja bëhet serioze kur arrin të depërtojë në gjak dukë u bërë kështu rrezik për jetën.
Po ashtu shkurtimisht do të përmend dhe E. coli, salmonella dhe campylobacter që shkaktojnë sëmundje gastro-intestinale tek njeriu.

E dimë se shumë prej jush do të thoni se boll na trembët se unë gjithmonë e kam lejuar qenin që të më lëpijë në fyturë dhe asnjë gjë nuk më ka ndodhur.
Ajo që thoni ju është e vërtetë dhe mundet që vërtet të mos keni asnjëherë ndonjë problem nëse veproni kështu. Por rreziku egziston dhe ne dëshirojmë që ju të jeni në djeni të rreziqeve.

Mos harrojmë se fëmijët dhe të personat e moshuar dhe të sëmurë, për shkak të sistemit të dobët imunitar që kanë, duhet të jenë të kujdesëshëm me këto ledhatime dhe puthje që qentë mund t’ju dhurojnë.
Ka dhe shumë mënyra të tjera që të tregoni sesa ju e doni qenin tuaj.
Zgjidhni ato dhe anashkaloni lëpirjet dhe puthjet.

Përgatiti përgjigjen për revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare Dr Atalvin Zhiva.
Nuk lejohet ribotimi apo përdorimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: