Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Poleni dhe vetitë e tij

Nga Dr.Agim Nelaj:

–Shkenca na mëson se poleni përmban lëndë të shumta që, të kombinuara, e bëjnë atë një ushqim të shëndetshëm plot kalori, e bëjnë një ushqim të plotë. Ka tregues të shumtë nga përvoja mjekësore që vërtetojnë katërcipërisht përfitimet nga poleni, ndaj nuk mund të quhet një artikull ushqimor i thjeshtë. Bleta, duke e mbledhur dhe përpunuar, bën shumicën e punës.
Poleni është i pasur me proteina, aminoacide të lira, vitamina, duke përfshirë këtu edhe B-kompleks, dhe acid folik.

Ky ushqim i mrekullueshëm e tejkalon fantazinë e njeriut për vlerën e tij. Nuk mund të krahasohet as me majanë e birrës dhe as me embrionin e grurit, sikurse krahasohet ndonjëherë gabimisht. Poleni korrigjon të ushqyerit e mangët ose të paekuilibruar. Në mjekësin kineze ai njihet si një tonizues energjitik dhe ushqyes. Në mbarë botën e përdorin tejet: për përmirësimin e durimit dhe vitalitet, për jetëgjatësinë, për rimëkëmbjen nga sëmundje kronike, për të shtuar në peshë pas mjekimit, për të zbehur dëshirat e tepruara, për të kthyer në gjendje normale zorrët e çrregulluara, për të përmirësuar përbërësit e gjakut, për të parandaluar sëmundje infektive të tilla si pasojat nga të ftohtët dhe gripi (ka veti antibiotike), për të kapërcyer probleme të tjera zhvillimore tek fëmijët, për t’u mbrojtur kundër rrezatimit. Gjithashtu, ka dhe cilësi antikancer.

Poleni përmban të gjithë përbërësit thelbësorë të jetës. Përqindja e elementëve në polen eshte përtërites.

Mangësitë në të ushqyer dhe të gjithë problemet shëndetësore që i shoqërojnë, si problem në rritje janë të njohura në mbarë botën. Poleni përmban të gjithë përbërësit e nevojshëm për të mbështetur jetën, ai është duke u përdorur në një shkallë gjithnjë e më të madhe për ushqim dhe për shëndetin e njerëzve.

Sipas studiuesve në Institutin e bletarisë “Taranov”, Rusi, “poleni është burimi më i pasur i vitaminave që gjenden në natyrë në një ushqim të vetëm, madje edhe sikur poleni i bletës të mos kishte asnjë nga përbërësit e tjerë vitalë të tij. Poleni është jashtëzakonisht i pasur me rutin dhe mund të ketë përmbajtje më të lartë nga çdo burim, shto këtu që ofron një përmbajtje të lartë të ARN (Ribonucleic Acid) dhe ADN-së (deoxyribonucleic acid)”.

Poleni i bletës është një ushqim i plotë dhe përmban shumë elementë që produktet me origjinë shtazore nuk i kanë. Është më i pasur në proteina se çdo burim nga kafshët. Ai përmban aminoacide më shumë se mishi i viçit, veza, djathi, të së njëjtës peshë. Tek poleni ka një përqendrim të të gjithë elementëve të nevojshëm për një jetë të shëndetëshme.

Cila është e vecanta mjekësore?

Në polenin e bletëve, hulumtuesit kanë gjetur një lëndë që pengon zhvillimin e baktereve të shumta, të dëmshme. Eksperimentet kanë treguar se poleni përmban një faktor antibiotik të efektshëm kundër salmonelës dhe disa shtameve të baktereve. Në nivel klinik, studimet kanë treguar se ka një ndikim rregullues në punën e zorrëve. Është vërejtur një rritje e ndjeshme dhe e njëkohshme e qelizave të gjakut (të bardha dhe të kuqe). Kur poleni është dhënë për pacientë anemikë, është rritur dukshëm niveli i hemoglobinës.

Është raportuar se poleni në dietë vepron për të normalizuar nivelet e kolesterolit dhe triglicerideve në gjak: duke gëlltitur rregullisht polen, vihet re ulje e kolesterolit dhe triglicerideve. Një njoftim i tillë, nga më të rëndësishmit të botuar ndonjëherë për polenin e bletës, vjen nga Departamenti i Bujqësisë i SHBA dhe titullohet “Vonesë në shfaqjen e tumoreve në minj të prekshëm nga mammary C3H, pas marrjes së ushqimit me polen blete”. Ka për autor William Robinson, anëtar i Departamentit të Entomologjisë, Administrata kërkimore e Bujqësisë.

Në përmbledhjen e tij, Dr Robinson zbulon rezultate dramatike: Unë do të doja të theksoj se këta minj ishin programuar, sidomos, të vdesin nga tumoret kanceroze. Lajm shumë i mirë vjen nga Universiteti i Vjenës, ku Dr Hernuss Peter dhe kolegët kryenë një studim në njëzet e pesë gra që vuajnë nga kanceri i paoperueshëm i mitrës. Nga që operacioni ishte i pamundur, gratë janë trajtuar me kimioterapi. Ato janë ushqyer me polen dhe është rritur prodhimi i antitrupave, një përmirësim i dukshëm kundrejt infeksionit. Këto gra vuajtën më pak nga efektet anësore të kimioterapisë. Poleni zakonisht shoqëron trajtimin dhe ndihmon për të luftuar humbjen e flokëve”.

Një raport nga Instituti Agronomik, Fakulteti i Zooteknikës, Rumani, tregoi për forcimin e efekteve imune tek bleta. Sipas raportit “Studime krahasuese lidhur me karakteristika biokimike të efektit të polenit”, të punonjësve shkencorë Drs. E. Palos, Z. Voikulesku, dhe C. Andrei, njoftohet: “Ka qenë regjistruar rritje në nivelin e limfociteve, globulinave të gjakut dhe proteinave gama, në krahasim me grupet e kontrollit. Dallimi më i rëndësishëm ndodhi në limfocite. Këto rezultate treguan një forcim në rezistencën e sistemit organik”.

Limfocitet janë qelizat e bardha të gjakut, “ushtarët” e sistemit imunitar. Ato janë përgjegjëse për të asgjësuar lëndët e dëmshme, duke përfshirë këtu qelizat e infektuara, qelizat kanceroze dhe mutantë, viruse, mbeturina metabolike, e kështu me radhë. Gama Globulin është një proteinë. Aftësia jonë për ta përballuar infeksionin është e lidhur ngushtë me aktivitetin e kësaj proteine.

Po për sterilitetin?

Poleni nxit funksionin e vezoreve. Rezultatet më të mira janë fituar me njëplotësim poleni prej 2 pjesë në 100 për një racionim dhe me zëvendësimin e proteinave shtazore me polen në një raport prej 5 pjesë në 100. Intensiteti i ovulacionit u rrit. Paralelisht me këtë rritje të ovulacionit, poleni gjithashtu përmirëson aftësinë e vezëve për t’i bërë ballë periudhës së barrës. Rezultatet më të mira janë fituar me një sasi prej 4 në 100 pjesë polen që shtohen në racion.

Poleni është gjithashtu një ilaç për alergjitë. Por duhet të merret të paktën gjashtë javë para fillimit të stinës dhe të vazhdohet gjatë gjithë saj.

Leo Conway, MD, i Denver Kolorado, pasi i trajtoi pacientët e tij me polen, raportoi: “Të gjithë pacientët, të cilët kishin marrë polen për tre vjet, janë shëruar nga të gjitha simptomat e alergjisë, pavarësisht nga vendbanimi dhe nga dieta. Kontrolli është arritur në 100% të rasteve të mëparshme dhe kjo fushë është gjithnjë në zgjerim”.

Poleni ndikon në astmë, në bronke, ulcera të traktit digjestiv, kolit, dhimbje koke (migrenë), dhe çrregullime urinare.

Këshilli Britanik i sportit shënon se ata që marrin polen rregullisht, kanë një rritje fuqie deri në 40-50%. Edhe më befasues është raporti i British Royal Society, sipas të cilit ata që marrin polen, kanë rritje trupore. Anti Lananaki, trajneri i ekipit finlandez të pistës, pjesëmarrës në Olimpiadën e vitit 1972, zbuloi: “Shumica e atletëve tanë marrin shtesë ushqimore poleni. Studimet tona tregojnë se përmirëson ndjeshëm performancën e tyre. Nuk ka pasur rezultate negative, pasi ne i kemi furnizuar me polen atletët tanë.

Alex Woodly, drejtor i dikurshëm i Klubit Ekzekutiv të Kulturës Sportive në Filadelfia, tha se “Poleni i ndihmon super-yjet të rrisin fuqinë dhe qëndrueshmërinë deri në 25%. Kjo rritje e forcës dhe durimit mund të jetë rrjedhojë e fuqisë së fshehtë përtëritëse të polenit të bletës. Në programe të humbjes së peshës, poleni nxit proceset metabolike, duke përshpejtuar djegien e kalorive. Poleni gjithashtu eleminon grykësinë, nepsin e të ngrënit. Përmbajtja natyrore e fenilalaninës vepron si një shues i oreksit. Fenilalanina është një aminoacid natyror që trupi e kërkon. Nëna natyrë e di se çfarë ka përreth. Në mbipeshë, fenilalanina ushtron një efekt natyror shues të urisë. Kur fitohet peshë, fenilalanina e polenit punon në të kundërt.

Droga kimike që përdoret për humbje peshe, është një kushëri artificial i quajtur phenylalanine phenylpropanolamine, që e zvogëlon nepsin kimikisht. Ajo gjithashtu mund të shkaktojë ankth dhe “dhimbje koke”, mund të jetë problematike. Fenilpropanolamina është një përbërës i zakonshëm. Një nga efektet anësore të këtyre produkteve është humbja e oreksit. Ligji e kërkon që produktet me fenilpropanolaminë në përbërje, duhet të paralajmërohen në recetë. Atë nuk duhet ta marrin njerëzit që kanë probleme me tiroidet dhe presionin e lartë të gjakut.

Shëndeti dhe bukuria

Bukuria fillon me shëndetin e mirë, të cilin njeriu e rrezaton së brendshmi. Një shprehje e çelur dhe rrezatuese e shndërron çdo grua (apo njeriun në përgjithësi) në një person tërheqës. Nga ana tjetër, nuk është shumë tërheqës dikush me lëkurën pa shkëlqim, e cila dëshmon kequshqyerje dhe mungesë higjiene. Studimet kanë treguar se lëkura e sëmurë ose e plakur para kohe mund të përmirësohet në mënyrë të shpejtë nga konsumi i polenit të bletës.

Kur poleni përfshihet në dietën e përditshme, e bën njeriun të shëndetshëm dhe e ndihmon të humbasë peshë, të asgjësojë aknet dhe të falë një gjendje të qetë shpirtërore, duke përtërirë gjithë qelizat e trupit.

Dr Lars-Erik Essen, një dermatolog në Halsinborg, Suedi, pionier i përdorimit të produkteve të bletës për kushtet e lëkurës, i trajtoi shumë nga pacientët e tij me sukses për puçrra fytyrë. Dr Essen thotë: “Nëpërmjet të ushqyerit përmes lëkurës, poleni ushtron një ndikim të thellë biologjik: ndalon plakjen e parakohshme të qelizave dhe nxit rritjen e indeve të lëkurës së re. Gjithashtu, rrit aftësitë mbrojtëse kundër dehidratimit, duke u dhënë jetë qelizave të thara. Heq rrudhat dhe stimulon një furnizim jetëdhënës të gjakut në të gjitha qelizat e lëkurës.

Jetëgjatësia dhe plakja.

Sipas G. Liebold, një mjek holistik dhe psikolog i Karlsruhe, Gjermani, “poleni i bletëve është një profilaksi e shkëlqyer dhe shërben për trajtim terapeutik kundër të gjitha simptomave të pleqërisë së hershme. Duhet të konsiderohet si një trajtim universal. Ai sjell rritje të aftësive fizike dhe mendore, ndihmon sidomos përqendrimin dhe aftësinë e kujtesës, aktivizon funksionet metabolike dhe forcon sistemet”.

Artikulli u përgatit për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare nga Dr.Agim Nelaj.
Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit!
Ju lutemi në rast referimi duhet të përmendet autori, burimi i informacionit dhe linku përkatës që i përket Revistës Mjekësia Veterinare Shqiptare!

Advertisements
Këtë e pëlqejnë %d blogues: