E quajtur Valais hundëzeza, këto dele e kanë origjinën në rajonin Valais të Zvicrës (gjermanisht Walliser Schearznasenschaf). Eshtë një racë me qëllime të dyfishta, pra të rritura për mish dhe lesh. Ato janë unike për Valais-in e Epërm dhe janë përshtatur mirë me kushtet e vështira malore, duke qënë të fuqishme, pjellorë por edhe ekonomike.
Pamja e tyre bën cilindo që i sheh (dhe jo vetëm për herë të parë) të mos rrijë pa bërë foto të këtyre bukurive të kullotave zviceriane.
Ngjyra e zezë në rajonin e hundës, syve, veshëve, gjunjëve dhe këmbët, si dhe gëzofi i leshtë me ngjyrë të çekur, hasen tek të gjithë egzemplarët e llojit. Ato kanë brirë të mëdhenj në formë spirale. Janë përshtatur më së miri në kullotat e shpateve të pjerrëta, shkëmbore. Të dy gjinitë si meshkujt ashtu dhe femrat kanë brirë.




Përmendja më e hershme e rracës daton shumë herët, që në vitet 1400, por ato u njohën për herë të parë si një rracë e veçantë në vitin 1962.
Sot, në librat e barinjve të Zvicrës përfshihen pothuajse 13,700 kafshë të regjistruara (viti 2022).
Rraca e kësaj deleje rritej ekskluzivisht në Zvicër por kohët e fundit është importuar dhe në Ishujt Britanikë në 2013 dhe 2014 nga disa mbarështues të interesuar. Gjithashtu importimi në SHBA po ndiqet përmes një programi përmirësimi duke përdorur spermën e mbledhur nga delja e racës së pastër Valais hundëzezë, duke filluar nga vjeshta e vitit 2016.
Me interes do të ishte të silleshin disa egzemplare të kësaj rrace dhe në rajonin e alpeve shqiptare, me siguri do të tërhiqnin vëmendjen e turistave të shumtë që vizitojnë alpet tona.
Përgatiti MVSH
Artikull u përgatiti nga Mjekësia Veterinare Shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Mjekësia Veterinare Shqiptare, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.