Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Fizioterapia Veterinare » Të kuptojmë gjuhën e trupit: Vlerësimi i sjelljes!

Të kuptojmë gjuhën e trupit: Vlerësimi i sjelljes!

Nga Dr Emilian Shabani
Pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë UB Tiranë

Sjellja është një mekanizëm shprehje dhe përpjekjeje e një kafshe për tu përshtatur ose për tu përballur me mjedisin e saj. Për të mbijetuar dhe për të qënë të suksesshëm në kuptimin evolucionar, kafshët duhet të jenë shumë efikase në lidhje me përshtatshmërinë e tyre mjedisore. Prandaj, sjellja e një individi të caktuar duhet të shihet si përpjekje momentale përshtatëse apo si një sjellje nga eksperienca e kaluar.

Gjuha e trupit tek kuajt

Kuptimi i sjelljes është i rëndësishëm sepse siguron gjykim të shëndetshëm ndaj kafshës e cila mund të jetë duke përjetuar dhimbje e për pasojë manifeston agresivitet. Të kuptuarit e sjelljes ndihmon dhe lehtëson vlerësimin e saktë të dhimbjes, që është e rëndësishme për diagnozën dhe terapinë. Shpesh herë, ne jemi në gjëndje të përcaktojmë se kafsha ka nevojë për fizioterapi duke u bazuar vetëm tek sjellja. Tek kuajt dhimbja mund të manifestohet si problem gjatë trajnimit apo paraqitje e dobët stërvitore. Nëse na duhet të gjykojmë për këtë sjellje të ndryshuar, atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm për gamën e gjërë të faktorëve potencialë që ndërveprojnë dhe ndikojnë në sjelljen e kafshës. Fizioterapisti i kafshëve duhet të ndjekë në dinamikë problemin e manifestuar dhe të zbulojë burimin e dhimbjes.

Për vlerësimin e sjelljes së një kafshe duhet të mbahen në konsideratë tri momente kryesore:

  • Vlerësimi i natyrës apo temperamentit të individit

  • Vlerësimi i eksperiencave të mëparshme

  • Vlerësimi i rrethanave aktuale

Vetëm pas vlerësimit të këtyre momenteve ne jemi në gjëndje të kuptojmë plotësisht pse kafsha manifeston sjellje të veçantë. Pas marrjes në konsideratë të tri pikave të mësipërme, është koha të gjykohet për konceptin e dhimbjes, vlerësimin dhe menaxhimin e saj, për agresivitetin dhe për situata të tjera që mund të ndihmojnë fizioterapistin e kafshëve.

Siç e përmendëm edhe më parë ka tre parime kryesore që duhet të përfshihen në vlerësimin e sjelljes së kafshës.

  1. Natyra apo temperamenti individual është i ndikuar gjenetikisht në shumë nivele.

  2. Eksperiencat e mëparëshme kanë efekte të njëkohëshme specifike dhe të përgjithshme në sjellje.

  3. Rrethanat aktuale, i referohen gjëndjes aktuale motivuese nga njëra anë dhe faktorëve intern dhe ekstern nga ana tjetër që të marra sëbashku mund të dominojnë sjelljen e kafshëve.

Influenca gjenetike

Speciet me sjellje specifike i referohen atyre veprimtarive që përcaktojnë se një qen sillet si qen dhe një kalë sillet si kalë. Disa specie janë grabitqare dhe të tjera pre të tyre. Në mënyrë që të zvogëlohet risku i sulmeve grabitqare, seleksionimi natyror ka favorizuar kapacitete të mëdha për tu kamufluar, ka zhvilluar ndjenjën e dhimbjes dhe për pasojë instiktin mbrojtës. Kur një kalë ka dhimbje në pjesë të ndryshme të gjymtyrës, mundohet të shmangë sa më shumë të jetë e mundur përdorimin e rajonit të prekur. Ai shpërndan peshën trupore në gjymtyrët e tjera të shëndosha klinikisht, sindrom që njihet me emrin çalim. Nëse 100000000 kuaj apo dhe më shumë do të kishin të njëjtin problem, ato do të manifestonin në të njëjtën mënyrë sjelljen e tyre. Pra me fjalë të tjera, një lopë nuk mund të sillet si gjel deti apo anasjelltas. Është ndikimi i fondit gjenetik të llojit i cili është përcaktues për manifestimin e sjelljes.

Një fizioterapist i përgatitur duhet të jetë dhe klinicist i mirë. Diapazoni i të menduarit dhe saktësia e të gjykuarit duhet të jetë në nivele të larta. Fizioterapisti duhet të njohë mirë sjelljen normale të kafshëve në mënyrë që të kryejë bashkëlidhjen midis faktit real, i cili mund të jetë fiziologjik dhe anamnezës të marrë nga një pronar indiferent apo pa eksperiencë. Për shembull: Një pronar pa përvojë mendon se macja e tij është tepër e sëmurë dhe se ajo ka dhimbje të cilat e frenojnë të kryejë aktivitetin ditor normal. Ajo fërkohet pas sendeve, mjaullin për orë të tëra, ka mungesë oreksi dhe shpesh bëhet agresive. Në ketë rast kemi të bëjmë me një mace në afsh (estrus). Kjo është sjellje karakteristike e maces dhe nuk ka nevojë për terapi fizike apo për preparate që zvogëlojnë dhimbjen. Specie dhe raca të ndryshme, në kondita të veçanta fiziologjike kanë manifestime karakteristike të sjelljes që është tipike për llojin.

Edhe pse gjenetika ka një ndikim të madh në sjelljen tipike të specieve, janë evidentuar ndryshime të sjelljes edhe brënda species madje edhe midis racave të të njëjtës specie. Prandaj, mjeku duhet të jetë vigjilent dhe “të mos humbasë pyllin për disa pemë”. Është e rëndësishme të theksohet se variacionet gjenetike për tipare të caktuara mund të jenë më të mëdha brënda racës se sa midis racave të ndryshme. Sjellja tipike e një race nuk duhet të jetë një pikë e ngurtë reference. Shprehjet e variacioneve individuale gjenetike lindin si pasojë e ndërveprimit të faktorëve të ndryshëm gjenetikë dhe ambjentalë gjatë jetës së kafshës. Këto faktorë ndikojnë fuqishëm dhe i japin formë temperamentit të individit. Pikërisht këto duhen vlerësuar. Një nga karakteristikat për të cilat variacionet e ndryshimeve individuale, që është veçanërisht e rëndësishme për fizioterapistin e kafshëve, është përgjigjia individuale ndaj dhimbjes. Në të vërtetë kjo është sfida më e vështirë. Nuk është e habitshme se në shumë raste pronari është vlerësuesi më i mirë. Gjithësesi, informacioni i marrë nga pronarët duhet të pranohet i rezervuar.

Në praktikat veterinare është e nevojshme regjistrimi i të dhënave për sjelljen tipike të secilit pacient. Kjo do të ndihmojë shumë për të vlerësuar reagimin e kafshës ndaj trajtimit. Ky tip i mbajtjes së të dhënave është thelbësor për fizioterapistin e kafshëve sepse e lehtëson atë në evidentimin e progresit terapeutik dhe e ndihmon në identifikimin e shenjave të hershme që nuk janë vënë re nga pronari. Raporti me të dhëna ndihmon në një farë mënyre edhe për diagnozë diferenciale. Nëse kafsha nuk përgjigjet pozitivisht trajtimit atëherë duhet të ndryshohet metoda e terapisë fizike ose të eleminohet si mundësi ky lloj trajtimi dhe të gjykohet nga e para diagnoza e mundshme.

Eksperiencat e mëparëshme

Eksperiencat e mëparëshme përbëjnë elementin e dytë që duhet vlerësuar. Në sjelljen e kafshës ato kanë efekte specifike dhe të përgjithshme. Pjesa më e madhe e temperamentit të kafshës formohet si rezultat i bashkëveprimit të tipareve gjenetike të trashëguara dhe eksperiencave jetësore mjedisore. Temperamenti konsiderohet një faktor i përgjithshëm që reflekton sjelljen e predispozuar të kafshës në një shumëllojshmëri të gjërë mjedisesh. Për shembull: Qentë që janë pak të socializuar ka të ngjarë të jenë më të frikësuar dhe më agresivë ndaj sendeve jo familiare për to, ndërkohë që këto sende të panjohura janë “normale” të tilla si një njeri me kapele apo qimet e fytyrës. Efektet specifike përfshijnë përgjigjiet individuale të mësuara gjatë jetës. Një qen që ka frikë nga pronari i tij është i prirur të jetë agresiv ndaj të tjerëve. Kjo tregon se qeni “dhunohet” nga pronari. Ndjenja e frikës është një shembull i efekteve specifike të fituara gjatë jetës. Në aspektin klinik është e rëndësishme të dallohet nëse qeni ka frikë apo nuk pranon të afrohet sepse ka dhimbje të ndonjë organi. Në të dy rastet qeni mund të kërcënojë dhe të manifestojë agresivitet por vetëm një prej tyre është sjellje në lidhje me një problem potencial fizioterapeutik. Në mënyrë të ngjashme, kuajt janë të predispozuar të manifestojnë frikë kur hasin ndonjë formë të panjohur trajtimi. Kjo nuk do të thotë se ata po përjetojnë dhimbje. Nëse kafshët nuk trajtohen me ndjeshmëri, në mënyrë që të ndihen të sigurta, ato do të krijojnë “neveri” të fortë dhe në situata të ngjashme në të ardhmen do të manifestojnë nervozizëm dhe sjellje agresive.

Është shumë e rëndësishme të identifikohet dhe të njihet roli i ndonjë kondicioni të mundshëm në historinë e kafshës që mund të detyrojë atë të paraqesë sjellje agresive. Duhet mbajtur mend se kafshën mund ta rëndojë psikologjikisht më shumë se një faktor dhe se janë këto faktorë që veprojnë të kombinuar apo në mënyrë individuale, të cilët drejtojnë sjelljen që ne shohim. Kafshët me temperament të frikësuar dhe të dobët, të cilat janë duke u trajtuar për lezione të dhimbshme kërkojnë paraprakisht trajnim për heqjen e frikës në mënyrë që të ndihen të sigurta dhe të lejojnë trajtimin efektiv. Anamneza e sjelljes ndihmon në përcaktimin e sjelljes së pritshme të kafshës. Krahas kësaj, duhet rishikuar gama e gjerë e faktorëve të jashtëm dhe të brëndshëm që ndikojnë në sjellje. Faktorët e jashtëm përfshijnë menaxhimin e përgjithshëm ndërsa faktorët e brëndshëm kanë të bëjnë me moshën, racën, seksin, etj, të cilat mund të jenë të rëndësishme.

Në shumë raste, si rezultat i ndonjë lëndimi kafshët mësojnë sjellje të veçanta. Shpesh, sjellje të tilla janë agresive në mënyrë që të pëngohet kontakti me zonën e lezionuar. Qentë madje edhe pas shërimit vazhdojnë të manifestojnë çalim (sjellje mashtruese), për të shpëtuar nga detyrat e pronarit apo për të shtuar kujdesin ndaj tij. Në mungesë të pronarit qeni zakonisht është i relaksuar dhe nuk çalon. Nga ana tjetër, kuajtë kanë më pak gjasa të manifestojnë një sjellje të tillë. Sjellja prej të sëmuri e kalit duhet të konsiderohet e tillë. Përvoja klinike e mjekut zbulon se çalimi vjen nga laminiti, nga mbathja jo e mire e thundrave, nga ngarkesa tepër e rëndë dhe e pozicionuar jo si duhet apo nga shkaqe të tjera.

Rrethanat aktuale

Rrethanat aktuale individuale i referohen gjëndjes motivuese të kafshës dhe faktorëve të brëndshëm e të jashtëm të cilat dirigjojnë sjelljen. Gjëndja motivuese është predispozicioni i përgjithshëm i sjelljes së kafshës për një qëllim të caktuar. Për shembull; një kafshë e uritur është e motivuar të kërkojë dhe të konsumojë ushqim. Niveli i ulët i sheqerit në gjak (hipoglicemia), si dhe prania e ushqimit, janë faktorë të brëndëshëm dhe të jashtëm që drejtojnë sjelljen e kafshës për të filluar proçesin e ngrënies së ushqimit. Prania e një stresi të fortë momental si psh një grabitqar apo një proçes patologjik, mund ta modifikojë sjelljen në drejtim të dyluftimit apo situatave të tjera mbijetuese dhe përshtatëse. Këto shembuj ilustrojnë mjaft mirë bashkëlidhjen negative midis gjëndjes motivuese dhe sjelljes së kafshës. Kur mundohemi të kuptojmë sjelljen, është e rëndësishme të jemi në gjëndje të justifikojmë treguesit e gjëndjes së përgjithëshme në bazën e një informacioni të besueshëm dhe jo të supozojmë se njëri tregues është domosdoshmërisht i lidhur me tjetrin. Prioritetet momentale dhe predispozitat motivuese të një kafshe mund të ndryshojnë për shkak të faktorëve sezonalë. Pelat, bushtrat dhe shumë kafshë të tjera bëhen nervoze dhe manifestojnë ndryshime të sjelljes gjatë periudhës së afshit.

Është e rëndësishme të theksohet se sjellja e kafshëve nuk është e pavarur nga mjedisi rrethues. Ato nuk shfaqin sjellje agresive apo sjellje të tjera pa patur arsye të forta. Nëse hyjmë në hapsirën përsonale të kafshëve, ato do të fillojnë menjëherë të shfaqin sjellje mbrojtëse, kurioziteti dhe varësisht nga lloji, shpesh mund të lëndojnë. Qasja ndaj kafshëve është një proçes delikat dhe duhet kryer me kujdes në mënyrë që ti lihet kohë atyre të hetojë dhe të kuptojnë se ju nuk jeni kërcënim për to. Kafshët që bëjnë vlerësimin e situatës janë më të prirura të jenë tolerante krahasimisht me kafshët që përjetojnë intervenime të menjëherëshme. Kontakti fillestar siguron tek kafsha besimin dhe na lejon të kryejmë një punë të kualifikuar. Nëse mjeku nuk është i qetë për shkak të sjelljes agresive të kafshës, atëherë nuk do të jetë në gjëndje të dallojë ndryshimet e sjelljes së kafshës e aq me tepër të interpretojë ndryshimet klinike. Ka shumë gjasa që kafsha të interpretojë sjelljen e pasigurtë të mjekut si një rrezik potencial për të se sa vetë frika e kafshës.

Kuptimi i disa prej këtyre parimeve themelore që ndikojnë në sjelljen e kafshës e ndihmojnë mjekun veteriner për vlerësimin e saktë dhe të plotë të sjelljes së pacientit. Arsyeja kryesore se pse kuptimi i sjelljes është kaq i rëndësishëm për mjekun veteriner është se shumë pacientë mund të ndikohen nga ndonjë dhimbje e lidhur me gjëndjen e tyre mjekësore dhe trajtimin fizioterapeutik i cili mund të rezultojë në përgjigjie agresive.

Tabela 1. Disa rregulla për mjekun fizioterapist veterinar:

  1. Identifikimi i distancës së sigurt.

Distanca e sigurt është distanca në të cilën i huaji mund të qëndrojë përpara kafshës (por jo duke e shikuar kafshën në sy sepse interpertohet si sfidë, veçanërisht për qentë). Përpara kafshës nuk duhet treguar shenja frike, ankthi, agresiviteti dhe pasigurie. Bishti i qenit, menyra e shimkimit dhe drejtimi i qimeve të trupit japin informacion të dobishëm për gjëndjen emocionale.

  1. Vlerësimi momental i sjelljes dhe mënyra e afrimit

Për aq kohë sa kafsha nuk tregon shenja ankthi, frike dhe agresiviteti, është e mundur të ndryshohet perceptimi i saj për të huajt duke e lavdëruar, duke i ofruar lodra, kafshata të shijshme. Të gjitha këto duhen bërë me ndihmën e pronarit. Afrimi tek kafsha bëhet i sigurtë, sikur keni kohë që e njihni. Mos ngrini duart lart sepse ky perceptohet si xhest kërcënimi. Afrimi bëhet me hapa të vegjël dhe me intervale pushimi të ndërmjetme sepse në këtë mënyrë i jepet kohë kafshës të përshtatet. Vëmëndja maksimale duhet kur jeni afër 1-2 metra nga qeni. Kjo konsiderohet hapsira personale e kafshës. Pra mjeku duhet ti tregojë kafshës jo vetëm që nuk ka qëllime negative por që ka dhe diçka pozitive për të ofruar. Kjo do të bëjë të mundur që kafsha ta qasë të huajin. Por duhet pritur që hapin e parë të miqësisë ta bëjë kafsha dhe jo mjeku. Vetëm pasi kafsha ka pranuar miqësinë atëherë mjeku mund të kontaktojë fizikisht me kafshën. Mjeku duhet të jetë i kujdesshëm dhe i vëmëndëshëm ndaj gjuhës së trupit që shfaq kafsha. Nëse dallon shenja frike apo agresiviteti i gjithë proçesi duhet të nisë nga e para dhe duhen përmirësuar momentet që mjeku gjykon se janë neglizhuar. I gjithë proçesi nuk kërkon më shumë se 10 minuta. Duhet patur kujdes se kur kafsha të pranon në hapsirën e saj personale nuk do të thotë që ajo të lejon ta prekësh. Mjeku, varësisht nga rasti dhe temperamenti i kafshës, përshtat dhe teknikat e tij të afrimit. Në përfundim, proçesi duhet të përsëritet në mënyrë që kafshës ti mësohet se i huaji, në këtë rast mjeku, është burim kënaqesie.

Një ndihmesë e jashtëzakonshme në intervenim japin metodat e fiksimit të kafshëve.

Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Në rast referimi ju lutemi përmendeni burimin e informacionit veterineret.com

Këtë e pëlqejnë %d blogues: