Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Figura të Shquara të Mjekësisë Veterinare Shqiptare » Jeta dhe vepra e Prof. Dr. Dhimitër VAVAKO!

Jeta dhe vepra e Prof. Dr. Dhimitër VAVAKO!

Prof. Dr. Dhimitër VAVAKO

Dr. Bilal Golemi, themeluesi i laboratorit të parë diagnostik në vendin tonë, në vitin 1928, dhe njëkohësisht drejtues i tij, që ky Laborator të zhvillohej më tej dhe të ngrihej në nivelin e shkencës bashkohorë, kërkonte specialist të aftë të zotë, në fushën e mjekësisë veterinare. Një ndër ta ishte dhe Prof. Dr. Dhimitër Vavako, njeriu që shquhej për inteligjencën dhe kujtesën e fortë, që dallohej për aftësinë e të vrojtuarit të fenomeneve shkencore biologjike, një njeri i cili që në bankat e shkollës kishte tërhequr vëmëndjen e Pedagogëve, të cilin pa asnjë hezitim e mori dhe e dërgoi menjëherë për specializim në Itali në Milano, pasi ai e shikonte atë si një nga njerzit më me prespektivë dhe me aftësi të rralla në fushën e shkencës Veterinare.

Profesor Dhimiter VavakoProf. Dr. Vavako, apo si u cilësua në vitin 1962, nga shteti i asaj kohe si një ndër 9 shkencëtarët e parë të Shqipërisë, u lind më 17 Qershor 1908, në Stamboll. Ai ishte nga fshati Skore i Gjirokastrës. Shkollën fillore e mbaroi në qytetin e tij, Gjirokastër, ndërsa shkollën e mesme në Korfuz.

Studimet e larta i kreu në Torino të Italisë, ku u dallua për aftësi të veçanta në vrojtimin e fenomeneve biologjike shkencore dhe interpretimin e tyre. Këto cilësi si dhe rezultatet e shkëlqyera në këtë Universitet, tërhoqën vëmëndjen e Institucioneve të asaj kohe, Universitetit të Milanos, të cilit ju afrua pa asnjë hezitim vendi i asistenit.

Prof. Vavako, nuk e pranoi këtë vend, por u kthye në Shqipëri, ku u emërua mjek Veteriner në Kukës. Blektoria në atë kohë, megjithëse vendi ynë, si një vend me kullota të mira dhe të shumta dhe me kushte të përshtatshme për zhvillimin e bakëtisë së imtë, ishte mjaft e prapambetur. Ajo dëmtohej rëndë edhe nga sëmundjet e shumta që në atë kohë diagnostikoheshin me vështirësi , por që gjithashtu me vështirësi e me mangësi luftoheshin. Natyrisht, diagnostikimi i sëmundjeve dhe hartimi i programeve të luftimin e tyre, kërkonin edhe Institucione shkencore me nivel të lartë, kërkonin njerëz të përkushtuar, të aftë dhe të apasionuar në këtë degë të rëndësishme të Mjekësisë Veterinare.

Për këto arsye, mbas kthimit nga specializimi në fushën e bakteriologjisë, Prof. Vavako u emërua menjëherë si Zv.Drejtor i këtij Laboratori Veterinar, të cilin e ndau nga Laboratori i Mjekësisë Humane, pasi në kohën kur u krijua nga Dr. Bilali, të dy këta laboratorë ishin bashkarisht (koncepti një botë një mjekësi). Me largimin e Dr. Bilalit, migrimit të detyruar në Turqi, Prof. Vavako u emërua Drejtor i këtij Laboratori.

Natyrisht, në kushtet ku gjëndej blegtoria jonë si dhe mjekesia veterinare gjithashtu në ato vite, Prof. Vavakos i duhet një punë dhe vullnet titanik për të përballuar këtë situatë, gjë të cilën mund ta bënte vetëm një njeri, një shkencëtar si Prof. Vavako, me dituri, njofje, vullnet dhe palodhshmëri, të cilat i vuri pa asnjë hezitim në realizimin e objektivit kryesor të Institucionit që ai drejtonte: Të diagnostikonte sëmundjet që kërcënonin blektorinë tonë si dhe të përgatiste mjetet e luftimit, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shpëtuar blegtorinë e vendit tonë. Objektiv të cilin Prof. Vavako, natyrisht që e realizoi, në nivelin e shkencës veterinare të asaj kohe. Këtë gjë mund të bënte vetëm një drejtues si Prof. Vavako dhe ai e bëri.

Gjatë periudhës së tij, si drejtues i këtij Laboratori, i cili më vonë u kthye në IKV”Bilal Golemi”, tani ISUV “Bilal Golemi” , ai diagnostikoi një numur infeksionesh që jo vetëm bënin kërdinë në blektorinë e atyre viteve, por një pjesë e tyre ishin dhe zoonozë. Kështu Prof. Vavako, diagnostikoi sëmundjet si: Enterotoksieminë e dhënve, Brucelozën, Tuberkulozin, Lijën. Morvën, Kolerën dhe Tifon e shpendëve e mjaftë të tjera.

Por, Prof. Vavako, nuk u mjaftua vetëm me diagnostikimin, por atij i duhej, për realizimin e objektivit të Laboratorit që ai drejtonte, që të prodhonte dhe mjetet e luftimit të tyre. Dhe për këtë ai punonte paralelisht si për diagnostikimin, por edhe për prodhimin e imunopreparateve për parambrojtjen e kafshëve. Kështu Prof Vavako, punoi dhe prodhoi vaksinat kundër: Plasjes, Enterotoksiemisë, Agalaksisë, Paratifos së dhënve etj, të cilat u treguan mjaft efikase në teren. Sëmundjet e përmëndura e ndalën vrullin e tyre dëmtues dhe me punën e palodhur dhe inteligjente të Prof. Vavakos, në bashkëpunim dhe me kolegët e tjerë, u arrit objektivi i vënë prej tij, qysh mbas kthimit nga specializimi.

Natyrisht, si një njeri i vlerësuar qysh student dhe gjatë specializimit të tij, punët e kryera prej tij nuk mund të kaloheshin në heshtje nga kolegët dhe shkenca veterinare botërore e asaj kohe. Një ndër produktet më të vlerësuar të asaj kohe, qe vaksina e plasjes tip “MAZUKI” e bazuar në formën sporale të shkakëtarit të kësaj sëmundjeje, e cila pati jehonë në qarqet shkencorë jashtë vendit. Kështu Prof. Laclanche, me porosi të Drejtorit të Institutit “Pasteur Ramon” i dërgon një letër Institutit Shqiptar të Shkencave të asaj kohe ku i thotë, për studimin në fjalë: Punime orgjinale të shkëlqyera(travailles excellent orginales). Po kështu, Prof . Basset, në traktatin e tij të smëundjeve infektive të kafshëve, shkruan për këtë vaksinë: “zgjidhje orgjinale”. Ndërkohë, Instituti i Kontrollit të Biopreparateve Veterinare në ish B.Sovjetik, pasi vlerëson vaksinën e plasjes dhe metodën e përdorur për titrimin e saj nga Prof. Vavako, i kërkon Qeverisë Shqiptare të asaj kohe, që ta lejojë Prof. Vavakon , që me këto punime të mbrojë në ish Bashkimin Sovjetik, titullin Profesor.

Prof. Vavako, ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në organizimin dhe zbatimin në praktikë të skemave të parambrojtjes veterinare, sidomos në periudhën e ngritjes dhe konsolidimit të tufave të përqëndruara në ish ndërmarjet bujqësore dhe fermat blektorale, tek të cilat natyrisht, si pasojë e këtij grumbullimi, lindën dhe u përhapën mjaft sëmundje dëmprurëse në to.

Në vlerësimin e Prof. Vavakos, nëse puna shkencore në laborator, nuk mbështetet nga praktika e gjërë në terren, ajo nuk ka vlerë. Dhe për të mos krijuar këtë ndasi, ai e kalonte një pjesë të kohës së tij në terren, ku shifte, vlerësonte dhe koregjonte punën e vetë në laborator. Dhe fryt i kësaj pune, i kësaj lidhje të domosdoshme, ishte prodhimi i vaksinës së Paratifos së dhënve, një punim krejtësisht orgjinal i tij, për të cilën Prof. Maninger në Budapest, duke vlerësuar këtë studim i thotë: Studiova me vëmëndje ç´ka keni arritur në kushtet e laboratorit si dhe opinionet tuaja për aplikimin në praktikë të vaksinës suaj. Jam i bindur në suksesin tuaj dhe ju lutem më njoftoni për rezultatin e aplikimit në praktikë të kësaj vaksine”.

Por Prof. Vavako, nuk ishte vetëm drejtues, kërkues, vlerësues në praktikë i punës shkencore, por ai ishte dhe një pedagog i mirë dhe mjaft i zoti. Ai ishte , qysh prej vitit 1952, koha e ngritjes së FMV, pedagogu i parë i disiplinës së Mikrobiologjisë dhe më vonë i Epizootologjisë. Ai shkroi një sërë teksesh dhe manualesh si për studentët dhe për mjekët veterinerë të prodhimit. Kontributi i tij vlerësohet jo vetëm në drejtim të përgatitjes së kuadrove të rinj të fushës së veterinarisë, por kontributi vlerësohet edhe në përzgjedhjen e kuadrove që i duheshin Institutit të Kërkimeve Veterinare (1957), të ngritur mbi bazën e këtij Laboratori. Shumë nga këto kuadro të Prof. Vavakos u bënë pauses të denjë në fushën e Mjekësisë Veterinare.

Prof. Vavako ishte dhe pjesëmarrës në konferenca shkencore brënda e jashtë vendit. Ai atje ishte i barabartë mes të barabartëve dhe vlerësohej duke i dhënë të drejtën e drejtimit të seancave të këtyre konferencave si në Varshavë, Berlin, Budapest etj, pa lënë mënjanë referimet e studimeve të ndryshme të realizuara në vendin tonë si dhe debatet midis kolegëve të huaj.

Prof. Vavako la pas një pasuri të paçmueshme botimesh e studimesh, tek të cilat bie në sy: vlera e lartë shkencore, serioziteti i punimit, pasioni për shkencën veterinare, orgjinaliteti i tyre si dhe mbi të gjitha saktësia shkencore e tyre. Ne pasardhësit e Prof. Vavakos, jemi krenarë për veprën e tij, e cila do të kujtohet në shekuj.

Prof. Vavako ishte dhe një prind i mirë dhe mjaft familjar. Ai la pas tre fëmijë: Kiçon, Vasilikën dhe Violetën, të cilët sot janë njerëz të nderuar dhe të respektuar të shoqërisë sonë.

Për kontributin e tij të shquar në vite, Vavakos iu dha titulli “Profesor”, ndërsa në vitin 1978 (mbas vdekjes) atij iu akordua titulli:

PUNONJËS I SHQUAR I SHKENCËS DHE TEKNIKËS”

Përgatiti artikullin për revistën online “Mjekësia Veterinare Shqiptare”

Prof. Dr. Kristaq BËRXHOLI

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare

Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli i plotë ose i pjesshëm pa lejën e autorit ose të redaksisë.

Ju lutemi në rast referimi përmendeni burimin e informacionit që është veterineret.com/


Na shkruani

Ju lutemi, bëni hyrjen me një nga këto metoda që të postoni komentin tuaj:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: