Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Faqja e studenteve » Dilema e një studenteje: A është veterinaria dega që unë duhet të zgjedh?

Dilema e një studenteje: A është veterinaria dega që unë duhet të zgjedh?

dilema e studentit

Të uroj suksese në zgjedhjen e degës tënde, kushdo qoftë ajo.

Që të bëhesh një Veteriner/e i/e përgatitur, nuk mjafton vetëm dashuria për kafshët. Dashuria për kafshët dhe dëshira për të studiuar Mjekësi Veterinare, është një fillim i mirë, por jo mjaftueshëm, jo gjithcka.

Në shumë vende të zhvilluara, kushdo që do të ndjekë Fakultetin e Veterinarisë (apo degë c’farëdo dege tjetër) i jepet mundësia të shohë nga afër punën në Klinika dhe Spitale Veterinare, si dhe një javë (apo më shumë)pjesmarrje pranë një prej Fakulteteve të Veterinarisë ku zgjedhin të vazhdojnë studimet. Përshembull, unë jetoj dhe punoj në Amerikë. Gjimnazistët që zgjedhin të vazhdojnë Veterinarinë, e kanë për detyrë të bëjnë punë vullnetare (4-8 orë në simestër) pranë një klinike veterinare për të parë se kush është puna që i pret në realitet. Po ashtu, ata që kanë fatin (kjo pasi është me pagesë), mund të shkojnë dhe të jetojnë për 1-4 javë në konviktet e Universitetit që do të ndjekin, për të parë nga afër jetën studentore si dhe pjesë nga praktikat mësimore.
Nga ato që unë kam parë dhe biseduar me disa prej këtyre studentave, do të drejtoja dhe ty një grup pyetjesh përgjigjen e të cilave mendoj se është e rëndësishme që ta dish.

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare zgjat 5 vjet. Në këto 5 vite do të kesh fatin (kënaqësinë) që të studiosh profile të ndryshme, por kuptohet disa në mënyrë më të zgjeruar se të tjerat. Prandaj unë do të pyesja?

Cilat janë lëndët që ke më shumë pasion?

Në përgjithësi, në mjekësi (qoftë humane, apo veterinare) do të kësh shumë terma profesionale në latinisht si dhe disa në greqishten e vjetër. është si të mësosh një gjuhë të dytë që vetëm kolegët e tu mundet ta kuptojnë.
Për këtë unë do të pyesja:

A të pëlqen mësimi i gjuhëve të huaj?

A të kanë tërhequr termat mjekësore?

Shumë studenta zgjedhin degën e Mjekësisë Veterinare duke pasur parasysh qenushët e vegjël dhe simpatike si dhe macet lozonjare. Megjithëse sa vjen dhe po shohim më shumë Mjek Veterinerë të profilizuar (vetëm për kafshë të vogla, kafshët e fermave, ato dekorative etj), gjatë 5 viteve (të mrekullueshme dhe të vështira) të studimeve në Fakultetin e Veterinarise do të të duhet të studiosh shumë kafshë të ndryshme.

Ndaj lind pyetja:

A je e apasionuar vetëm ndaj një lloj kafshe?

Kuptohet se vitet e para do të jenë të mbushura me leksione të lëndëve nga më të ndryshmet, ty mundet të të duken të parëndësishme (por me beso do të të hynë në punë më vonë) dhe në vitet në vazhdimësi do të fillojnë lëndët profesionale. Orët e leksionit do të shoqërohen me orë praktike. Shpesh herë këto praktika do të të duhet ti bësh me karkasa (kufoma) të kafshëve të ndryshme (do të prekësh kocka të shumta gjatë praktikave në anatomi, muskuj të zhytur në formalinë, kufoma të freskëta etj etj). Prandaj unë do të drejtoja pyetjen direkte:

Mendon se do të kësh probleme me praktikat profesionale ku do të duhet të kryesh praktika, autopsi apo nekropsi në kafshë të ndryshme?

Duke vazhduar me praktikat, një pyetje tjetër që desha të bëj dhe që e kam shumë të vështirë pasi është vërtet një temë rreth së cilës askush nuk dëshiron të flasë, ka të bëjë me Eutanazinë (vdekjen apo ngordhjen me injeksion). Në praktikën Veterinare do të përballesh shpesh me detyrën (morale dhe profesionale) të kryerjes së injeksionit.

Pyete veten:

A mendon se do të jesh në gjëndje të marrësh një vendim të tillë, për ngordhjen me anën e injeksionit? Kush është mendimi jot rreth kësaj procedure.

A është Mjekësia Veterinare dega e përshtatshme për ty? Kësaj pyetje duhet ti përgjigjesh vetëm ti.

Mos lejo askënd të influencojë në përzgjedhjen tënde. Sic thotë dhe populli “pyet shtatë a tetë dhe bëj sic di vetë”.

Kij parasysh se profesioni që do të zgjedhësh do të jetë i lidhur me ty përgjithë jetën prandaj është më e lehtë nëse e dashuron atë.

Përgatiti artikullin Dr Atalvin Zhiva Mjek Veteriner

studentet e veterinarisestudente e veterinarisestudenta te veterinarise


Na shkruani