Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për dashamirësit dhe pronarët » Çobani i Shishtavecit që flet gjermanisht.

Çobani i Shishtavecit që flet gjermanisht.

Askush nuk ka shkruar për të deri tani, mbase nuk do të shkruajnë as më vonë.

Por….., ai është njeriu që paguhet më shtrejtë për profesionin e tij, e mbase që ka pagën më të lartë të deklaruar për të gjithë rajonin e Kukësit. Ai ruan 150 lopët e fshatit dhe për secilën lopë merr 10 mijë lekë të vjetra, çfarë e çon pagën e tij në shumën e 1 miljon e gjysëm lekëve në muaj.
E ka provuar kurbetin, por nga kurbeti nuk përfitoi asgjë, përveçse ka “vjedhur” vetëm gjuhën. Flet qartë dhe lirshëm gjuhën gjermane.

Almir

Quhet Almir. Me një buzeqeshje në buzë – pronë e njerëzve të ditur, dhe humor të hollë – pasuri e njerëzve të zgjuar , ai ta bën të këndshme bisedën dhe qëndrimin me të. Kur ne i themi që të pijë një birrë – Ai na thotë – Nuk pi alkool në orarin e punës. Po të rrini në darkë, mund të pijmë bashkë, por jo gjatë ditës. Lopët i thirr me emër. Kur i ndjell, ato çuditshëm afrohen tek Ai, sikur do të marrin ndonjë urdhër a porosi. Nuk mban qen, por mban një palë palë dylbi. Ai është unik e krejt i veçantë në llojin e vet.

Nuk ja kam lakmi kurkujt – thotë duke qeshur – as punonjësve te bankës qëndrore që ishin me ne atë ditë, biles as ju na thotë, sado shkolla të larta të keni mbaruar. Bisedon me grupin tonë që kemi vajtur në Shishtavec , si i barabartë, e ndërkohë e pyet Talentin, (drejtorin e shkollës mesme) që është me ne, se çfarë duhet të bëjë që të marrë dëftesën e shkollës mesme. Zgjidh i thotë Talenti me të qeshur – ose tufën e lopëve, ose shkollën, se të dyja nuk bëhen. Kam dëgjuar thotë Almiri se në Shqipëri mund të merren diploma edhe duke paguar,e ashtu unë do e kisha kollaj. Një muaj punë çoban dhe merrja dëftesën e shkollës së mesme, dy muaj punë do merrja diplomën e shkollës së lartë, por unë ashtu nuk i dua thotë duke qeshur, se kam kulturë gjermane.

Na ndihmon për të vëne tabelat e hartave turistike, e ndërkohë nuk harron të bëjë shaka me ne ,kur thotë se vijnë lopët e mija , kruajnë shpinën dhe ua shkulin tabelat. Merr përsipër falas të na bëjë shtigjet turistike, dhe ëndërron të bëhet guidë. I premtuam se së shpejti do ta çertifikojmë si udhërrëfyes, porse do paguhet më pak se sa merr tani.

Kur bën foto me ne, sytë nuk i mban tek aparati , por tek tufa e tij. Frymëzues dhe hokatar në çdo moment, ky njeri i mirë gjen kohë të bëje shaka edhe me ne. Do j’ua shihja hajrin më shumë thotë, po qe se do ishit lopë dhe jo njerëz.

Tek eci rrugëve te qytetit tim, shoh kafenetë e mbushura plot me djem te rinj dhe me kujtohet Almiri…..
….. Nëse do delni një ditë tek Guri Mengjezit, në Shishtavec, ndaloni pak çaste o miq e bisedoni me këtë çoban të mirë. Ju siguroj që do ju mbetet në mendje, dhe do marrë vlerë e kuptim një ditë nga jeta juaj.

Burimi informacionit: Ekologet Kukes

Këtë e pëlqejnë %d blogues: