Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Zoonozat » Tuberkulozi tek kafshët-TBC

Tuberkulozi tek kafshët-TBC

  

Tuberkulozi është sëmundje infektive bakteriale e kafshëve dhe e njerëzve që shfaqet me formimin e tuberkulave dhe vatrave tuberkulare.
Quhet ndryshe edhe Bacili i Koch-ut (Bacili i Kohut), për nder të mikrobiologut (Robert Koch) që e identifikoi si shkaktar të sëmundjes.
Bakteri ka formë shkopi dhe gjatë vëzhgimit mikroskopik shfaqet në grumbuj me njëfarë organizimi, të quajtura “tufa cigaresh” – duke qenë se skajet e qelizës bakterore janë të drejta.


Tuberkulozi (TBC) është sëmundje infektive, granulomatoze e shkaktuar nga bacile te gjinisë Mycobacterium. Në të shumtën e rasteve ka karakter kronik, ajo prek te gjithë speciet e kafshëve shtëpiake dhe vete njeriun.
Tuberkulozi i gjedhit është një ndër zoonozat me të shprehura në shumë vende të botes. Këtë sëmundje njerëzit kryesisht e marrin si rezultat i praktikave jo të mira higjienike të përpunimit të qumështit.
Edhe vendi ynë si shumë vende të rajonit dhe botës llogaritet si vend endemik sa i përket sëmundjes se TBC-se

Burim infeksioni për kafshët e shëndosha dhe njerëzit janë kafshët e prekura ngaTBC-ja, të cilat ndotin mjedisin rrethues, duke eliminuar shkaktarin në përmjet rrugëve të frymëmarrjes, tretjes, si dhe me rrugët dytësore të shkaktuara nga format e hapura të TBC-së.

Burim tjetër infeksioni janë prodhime të kafshëve të sëmura, bimët foragjere, shtresat dhe objektet e tjera të ndotura nga kafsha e sëmurë, si dhe kushtet e papërshtatshme të stallës, si lagështia, mungesa e dritës, pa pastërtitë në stallë, të ftohtit, etj., të cilat ulin qëndresën e organizmit. Infektimi i gjedhit bëhet kryesisht me anë të kontaktit të kafshës së sëmurë me kafshën e shëndoshë, duke përdorur qumështin e infektuar (në viçat), apo kur uji ose ushqimi i përdorur nga kafshët e sëmura ose të dyshimta u jepet të shëndoshave, etj. Kurse derrat infektohen kur ushqehen me mbeturinat e thertoreve (të kafshëve të sëmura me TBC).

Shënjat klinike
Në tuberkulozin e mushkërive kemi këto shenja:
Kolla në fillim e rrallë, e thatë, e fortë, e shkurtër, kurse më vonë bëhet më e shpeshtë, shkakton dhimbje dhe shoqërohet me nxjerrje gëlbaze, të cilën kafsha e gëlltit dhe e nxjerr pastaj nga hundët.
Frymëmarrja bëhet e vështirë.
Kur preket edhe pleura, kafsha ndjen dhembje kur i shtypet gjoksi dhe kollitet.
Kafsha dobësohet shumë dhe ngordh.

Në tuberkulozin e zorrëve kemi këto shenja: diarre të rëndë dhe periudha kapsllëku, fekalet janë të lëngshme, me qelb dhe ndonjëherë me gjak, gjiri atrofizohet deri në shterim…

Në tuberkulozin e gjirit kemi këto shenja: prek një ose dy thitha te poshtme, të cilat enjten por nuk kanë dhembje, kjo ënjtje më pas forcohet dhe në prekje dallojmë nodula të forta me madhësi të ndryshme.
Tuberkulozi prek edhe mitrën, gjëndrat limfatike, kockat, etj.

Diagnoza
Vendoset në bazë të shenjave klinike, autopsisë, analizave bakteriologjike dhe provave alergjike. Diagnoza alergjike është mjeti më praktik për gjurmimin e sëmundjes së TBC-së. Për këtë qëllim përdorim alergjenin tuberkulinë, i cili injektohet në 1/3 e mesme të qafës ose në palën e bishtit, në dozën 0.2 ml, me metodën intradermale.
Në vendin e injektimit formohet një buton, i cili duket pas 2 orësh. Reaksioni alergjik përcaktohet pas 48 ose 72 orësh, ku dallojmë reaksionin pozitiv, të dyshimtë ose negativ.

Masat profilaktike
Kryerja e tuberkulizimit të kafshëve 3-4 herë në vit për të pasur tufa të shëndetshme. Mbajtja e brezit të ri të kafshëve në lokale të veçanta dhe larg tufave të infektuara.
Viçat e porsalindur, hiqen nga nënat pas 3 ditësh dhe dërgohen në grupin e shëndoshë. Kafshët e sëmura dhe të dyshimta dërgohen në thertore dhe një kohësisht bëhet dezinfektimi i mjedisit. Qumështi i lopëve me tuberkuloz pasterizohet.

Burimi informacionit: Bujqesia,eu , MerckVeterinaryManual.