Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Qeni im nuk më dëgjon!

Pyetje në inbox: Përshëndetje! Më falni për shqetësimin se ju jam drejtuar disa herë por këshillat tuaja më kanë vlejtur. Qenushi im është 10 muajsh. Eshtë Akita mashkull. Ka një zakon shumë të keq që po iku vetëm vrapon dhe nuk vjen po ta thërrasesh në rrugë. Na ka ikur shumë herë dhe ne ngelëm nëpër lagje duke e kërkuar dhe me zor e gjejmë dhe e kapim. Ndoshta nuk e kam trajnuar sic duhet apo nuk e di… Të gjithë qentë kur i thërrasin të zotët shkojnë kurse ky vetëm ikën. Ju lutem më jepni disa këshilla si duhet të veproj. Faleminderit

Përgjigja është përgatitur nga Dr Atalvin Zhiva:

Përshendetje! Personalisht kam privilegjin të punoj me klienta shumë të përkushtuar (dhe edukuar) pas kafshëve të tyre. Unë punoj në USA dhe këtu secili pronar i mëson qenit sa më shumë komanda që të mundet. Sa më shumë, më mirë por të paktën 3-5 komandat bazë që duhet ti dijë c’do qen: Ulu, më jep dorën, eja, shtrihu, ndalo (apo stop), etj.

komanda me jep doren komanda ndalo Lanies Dance Recital 6-07

Qëllimi i këtyre komandave nuk është për argëtim apo për të parë zgjuarsinë e qenit, por për ti treguar qenit se duhet të dëgjojë të zotin e tij. Për ta kuptuar përse është e rëndësishme që ti mësojmë qenit këto komanda duhet të kujtojmë instiktet e tij për të jetuar në grupe. Në grup qentë zgjedhin një lider dhe fjala e tij dëgjohet gjithmonë. Pra në mardhënien tuaj me qenin, duhet të kuptohet se lideri jeni ju dhe për këtë duhet të dëgjohet fjala juaj.

Por pyetja qëndron si duhet ta krijojmë këtë mardhënie dhe përcaktimin e liderit në sytë e qenit?

Para së gjithash duhet të theksoj se: Në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të bëhet duke bërtitur apo goditur qenin tuaj. Për atë kjo mënyrë quhet luftë dhe më besoni që nuk është zgjuarsi hapja e një front lufte me qenin tuaj, aq më shumë nëse e mbani brenda në shtëpi .

Pra si mundet në ta ndërtojmë një mardhënie që të ketë balancën e duhur dhe njëkohësisht të na vendosi në pozicionin e liderit?.

Fillimisht ju keni përparësi thjesht duke qënë “njeri”, qentë e kuptojnë se ne, (njerëzit) jemi një qënie superiore, por sërisht theksoj se nuk duhet abuzuar me këtë nocion. Po ashtu ne (njerëzit) kemi përparësine se qeni është një kafshë besnike dhe ndyshe nga ne (njeriu), i përkushtohet atij/asaj që e ushqen dhe kujdeset për të. Por mirëbesimi dhe besnikëria nuk janë mjaftueshëm për ju që të zgjidheni lider në sytë e qenit tuaj. Një prej shkallëve të kësaj hirarkie është dhe mësimi i disa komandave sic kam përmendur dhe më sipër. Sa me shpejt ti filloni këto komanda, sa më të shpesh ti përdorni dhe sa më të shumta të jenë ato aq më shumë do ju dëgjojë qeni juaj.

Trajnerët profesionistë që merren me edukimin e qenve përvec se kanë eksperiencën dhe kuptojnë shumë mirë gjuhën e trupit përdorin dhe një sërë “veglash” për të arritur rezultatet që kërkojnë.

Një prej këtyre “veglave” janë dhe një bisktotat apo ushqimet speciale që përdoren vetëm për të përgëzuar dhe shpërblyer punën e mirë të qenit. Qentë i kanë qejf lëvdatat (aq më shumë kur ato thuhen më zë të ëmbël) por ndryshe nga njeriu nuk mjaftohen vetëm me “Fletë lavdërimi” por kërkojnë shpërblim dhe me konkretisht ushqim. Prandaj si hap të parë do të sugjeroj mbajtjen e një apo disa biskota për qen (ju lutemi jo ushqim për njerëz) ne shtëpinë tuaj që do i përdorni vetëm për të trajnuar qenin tuaj. Së dyti do të zgjidhni disa fjalë të përshtatshme që do ti përdorni vetëm kur qeni kryen : a) një veprim të gabuar, b)meriton një lavdrërim, përkëdhelje. Këto fjalë duhet të jenë fjalë që nuk përdoren shumë shpesh si dhe të thuhen me intonacionin e duhur dhe në kohën e duhur. Të kemi parasysh se asnjë qen nuk vjen tek i zoti që e thërret për ta sharë apo për ta dënuar. Prandaj mënyra sesi ju do të veproni, fjalët që ju do të zgjidhni si dhe si do ti thoni ato do të jenë vendimtare. Psh fjala Eja këtu” duhet te mos përdoret për ndëshkim por të përdoren në momentin që dëshiron që qeni të vijë tek ti, me intonacionin e duhur si dhe të shoqërohen me një shpërblim (biskota për qen). Apo fjala “Mos” të përdoret vetëm për ndëshkim dhe kur qeni është vertet gabim.

Eshtë shumë e rëndësishme që ta dime se qentë nuk e kuptojnë rrezikun që ju vjen nga makinat. Prandaj është mirë që praktikat të kryhen në një vend të qetë larg zhurmës dhe tërheqjes së vëmendjes. Me një xhep të mbushur me biskota, praktiko disa komanda, gjithmonë duke e mbajtur qenin në litar që të mos largohet. Litari te jetë i gjatë që ti japi ndjesinë e të qënit i lirë. Praktiko ç’do ditë , disa herë në ditë. Sa më shumë praktikë dhe sa më shumë biskota, aq më shpejt qeni do të mësoje komandat që dëshiron ti.

komanda me anen e klikimitPo ashtu unë kam parë trajnierë që përdorin një paisje që lëshon zhurmë , psh një zhurmë si klikimi i mous-it të kompjuterit, por zhurma më e lartë. Sa herë që qeni vjen drejt teje pasi ka dëgjuar zhurmën (fillimisht nga kurioziteti dhe më pas nga shpërblimi), shpërblehet me një biskotë. Është efikase dhe qentë e mësojnë shpejt.

Mënyra ime më e favorshme është ti mësoj qenit komandat. “Eja këtu” të praktikohet cdo ditë dhe kur qeni të të dëgjojë dhe zbatojë komandën, atëhere tregon se është gati për të dalë dhe besuar. Nëse herë të dëgjon komandën dhe herë jo, atëhere vazhdo trajnimin por duke e pasur në litar. Spjegoj se përgjatë kohës që po përpiqeni të praktikoni komandat, asnjëherë mos shkoni ju tek qeni, por prisni deri sa të vijë ai tek ju. Nëse nuk vjen duke e thirrur përpiqu ti tërheqësh vëmendjen me dicka tjetër. Psh një kliente e imja kishte lexuar diku se qeni do të vinte tek ajo nëse bëntë sikur po qante. Ajo e provoi dhe ishte e vërtetë se qeni megjithëse nuk zbatonte komandën “eja këtu” sapo ajo bënte sikur qante shkonte menjëherë për të parë se c’farë po ndodhte dhe pas disa praktikash të tilla (dhe shumëëë biskotash) ai e përvetësoi këtë komandë. Pra sapo të vijë tek ti, jepi biskotë vrapo në anën tjetër dhe vazhdo praktikën “Eja këtu”.

Disa përmbledhje sugjerimesh rreth komandës “Eja këtu” :

  1. Të përdoret me intonacionin e duhur

  2. Të përdoret në vendin e duhur.

  3. TE MOS PERDORET kur do ta fusësh qenin brenda apo ta lidhësh me zinxhir, kjo do të thotë se liria e tij përfundon menjëherë pas thënies së fjalës “Eja këtu” dhe ai do të ketë frikë nga kjo fjalë.

  4. Eja këtu” të përdoret kur qeni do të vijë tek ti për tu përkëdhelur dhe për të marrë një biskotë si shpërblim.

  5. Asnjëherë qeni të mos goditet nëse nuk zbaton komandat që dëshiron ti mësosh. Më besoni në këtë mënyrë vetëm i ke prishur punë vetes. Të bërtiturat , të goditurat për qentë janë hapje të një “fronti lufte”. Besoj se nuk e deshiron këtë, apo jo? Aq më shumë nëse të goditurat vijnë menjëherë pas komandës “eja këtu” .

    Vendoseni veten tuaj në pozicionin e qenit: Do të shkoje ti tek dikush që të thotë eja këtu dhe më pas të godet apo bërtet?

Nëse e kuptoni se qeni juaj e ka mësuar tashmë komandën “Eja këtu” (pas praktikave që ju keni bërë), por thjesht për një apo disa arsye vendos t’ju injorojë mos u lodhni ta përsërisni “eja këtu” vazhdimisht, apo duke rritur volumin tuaj, qeni juaj ka vendosur që të mos ti përgjgijet komandës suaj. Atëhere merrni litarin vendoseni rreth qafores dhe filloni praktikat sërisht dhe mos harroni: sërisht komanda “eja këtu” duhet të jetë më një zë të qetë dhe të shoqërohet me biskota sa herë që komanda të zbatohet. Qëllimi i këtij veprimi është që qeni ta kuptojë se nuk është normale që të injorojë komandën tuaj. Nëse nuk veproni atëhere komanda juaj do të jetë e pavlefshme pas pak kohësh. Ju rikujtoj se asnjëherë nuk duhet dënuar apo goditur nëse nuk përgjigjet.

Qeni ne studim

Gjeni mënyrën e duhur të punoni së bashku.

Mbase fillimisht mund t’ju duket e lodhëshme por do të jetë një shpërblim për ju nëse komandat që i mësoni qenit tuaj, ai i përvetëson siç duhet!

Përgatiti për revistën “Mjekësia Veterinare Shqiptare” Dr Atalvin Zhiva

Nuk lejohet publikimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

NE RAST REFERENCASH APO CITIME TË SHKRIMEVE TONA DUHET TË PËRMENDET BURIMI INFORMACIONIT MARRE NGA: veterineret.com