Blutongu (gjuha blu) është një sëmundje virale, infektive , jo ngjitëse, që prek dhëntë, gjedhët, kaprojtë, dhitë dhe gamilet.
Sipas të dhënave të fundit, megjithëse dhëntë preken më rëndë , gjedhët janë rezervuari kryesor i virusit dhe lozin një rol të rëndësishëm në epidemiologjinë e sëmundjes.
Sëmundja e blutongut (gjuha blu) është një sëmundje e detyrueshme për raportim dhe rastet e dyshimta për të duhet të raportohen menjëherë në shërbimin veterinar.
—————————————————————————
Përhapja gjeografike e sëmundjes është e varur nga prezenca e Culicoideve, një bujtës i cili deri tash së fundmi ishte i vendosur në kontinentin Afrikan. Që nga 1999, sëmundja u përhap gjërësisht dhe ajo u evidentua në Greqi, Shqipëri (Prof. Kristaq Bërxholi, Prof Nefail Biba – Pogradec 1999), Itali, Koriskë (Francë) dhe ishujt Balearikë (Spanjë). Raste kanë ndodhur në Kosovë, Bullgari, Kroaci, Maqedoni dhe ish Jugosllavinë. Në këtë përhapje të infeksionit kanë marrë pjesë serotipet 2, 4, 9 dhe 16. Blutongu (gjuha blu) është vrejtur se ka ardhur nga Turqia dhe Afrika veriore. Në verë të vitit 2006, serotipi 8 i këtij infeksioni është evidentuar për herë të parë ne Europë, në Hollandë, në gjedhë dhe mandej në Belgjikë, Luksemburg dhe Gjermaninë perëndimore.
Në vitin 2007, Europa veriore u përball me një rritje dramatike të infeksionit. Në vëndet e prekura u rrit niveli i vdekshmërisë dhe prodhimi ra shumë, gjë e cila shkaktoi një gjëndje mjaft të rëndë në fermat që merreshin me mbarështimin e këtyre kafshëve. Në vitin 2008, vëndet e infektuara, filluan një program vaksinimi.
Virusi i blutongut (gjuha blu) ka një impakt të rëndë në prodhimin blektoral sidomos tek dhëntë në shumë vënde në kontinentin Afrikan por dhe më gjërë. Humbjet rezultojnë nga vdekshmëria, reduktimi i prodhimit sidomos të qumështit por edhe një rritje e pakët e leshit. Krahas këtyre , ky infeksion, ka dhe një ndikim të dukshëm në rritjen e infertilitetit tek deshtë. Vdekshmëria mesatare në dhën në Hollandë, gjatë 2006, ishte 5% në tufat e infektuara. Virusi i Blutongut (gjuhës blu) është evidentuar dhe në Australi, por nuk është i lidhur më shfaqjen e sëmundjes në dhën. Në Skoci, bazuar në të dhënat zyrtare, humbjet e shkaktuar anga kjo sëmundje arritën në 100 milione stërlina për vit.
Duke qënë se virusi i blutongut prek një numur ruminantësh, por vetëm disa prej tyre si dhëntë dhe gjedhët shfaqin shënja klinike dhe nga ana tjetër, si u përmënd, gjedhët janë rezervuarë të këtij infeksioni, ne menduam të japim një informacion disi më të gjërë për shfaqjen e sëmundjes tek këto specie.
Vazhdim-Shënjat klinike në Dhën dhe Gjedh, Diagnoza, Parandalimi dhe Kontrolli i Sëmundjes (pjesa e dytë)
Për hollësira të tjera mund të shfrytëzoni dhe tekstin Virologjia Veterinare, botim i vitit 2014
(Prof. Kristaq BËRXHOLI dhe Prof. Ludwig HAAS).
Profesor Kristaq Bërxholi
Virolog – Fakulteti i Mjekësisë Veterinare
Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar
Tiranë – Shqipëri
Nuk lejohet ripublikimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.
Ju lutemi në rast referimi nga ky shkrim të përmendet linku i veterineret.com si dhe autori i shkrimit!