Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare:
-Dermanyssus Gallinae ( e njohur edhe si morri i kuq, morri i pulave, morri i kuq pulave, morri i kotecit) është një ektoparazit i pulave dhe llojeve të tjera të shpendëve .
D.Gallinae gjendet kryesisht tek pulat por mund te gjendet dhe tek 30 lloje të tjera shpendësh, përfshi pëllumbat, patat, harabelat. Gjithashtu ky parazit mund të ushqehet dhe tek njeriu, kuajt dhe rodentë të ndryshëm.

Morri ushqehet me gjakun e shpezëve te cilat i sulmon gjatë natës. Ata zakonisht janë të bardhë ose ngjyrë hiri kur nuk janë ushqyer, por kur ushqehen gjatë natës me gjakun e pulave ata e marrin ngjyrën e kuqërremte. Pasi ushqehen me gjak, ata fshehin në të çarat e kotecit dhe qëndrojnë gjatë gjith ditës, gjat kësaj kohe ata shumëzohen dhe prodhojnë vezë. Veza e morrit të kuq kalon në 5 faza të jetës : vezë , larva , protonymph , deutonymph dhe individ të rritur.
Në kushte të favorshme ky cikël jete mund të përfundojë brenda shtatë ditëve (një javë), kështu që popullsia mund të rritet shpejt nga disa morra brenda muajit ne disa mijëra duke shkaktuar anemi (pa gjakësi) në tufat e prekura të shpendëve. Morrat e kuqe mund të mbijetojë deri në 8 muaj në një kotec të zbrazët pa u ushqyer. Morrat mund të ndikojnë në shëndetin e shpendëve pasi ato mund të shërbejnë si vektorë (bartës) për shumë viruse, bakterie dhe sëmundje të tjera. Dihet se encaphalitis St. Louis përhapet nga morrat e kuq. Gjithashtu ky parazit lidhet dhe me shumë sëmundje të tjera.

Morrat zakonisht ushqehen rreth gjoksit, vrimës anale dhe këmbëve të pulave, duke shkaktuar dhimbje, acarime , dhe një rënie në prodhimin e vezëve.
Nëse ata janë të pranishëm në numër të madh , D. gallinae (morri i kuq¬) mund të shkaktojë anemi në pula që paraqet si zbehje të lëkurës dhe lafshë së shpezëve deri në ngordhjen e tyre.
Faktori ekonomik: Morri i kuq është prezent në shumë shtete nëpër botë. Bashkimi europian sipas përllogaritjeve të bëra, humbet rreth 130 milion euro në vit nga rënia e prodhimit të vezëve si rezultat i prezencës së këtij paraziti.
Diagnoza: Dyshimet e para mund të shfaqen kur të gjitha pulat kruhen, zvogëlim në prodhimin e vezëve, dobësim dhe anemi dhe mortalitetin e zogjëve të vegjël të sëmurë.
Diagnoza përfundimtare arrihet vetëm pas identifikimit të parazitëve në feçe (glasë) apo morrat në trupin e pulave gjatë një kontrolli rutinë.


Menaxhimi situatës: Ektoparaziticidët mund të përdoren për të trajtuar pulat e prekura. Pesticidet e morrave (synthetic acaricides) duhet të përdoren për të reduktuar apo eleminuar plotësisht prezencën e morrit të kuq në tufën e pulave. Produktet janë të shumta. Në tregun europian njihen rreth 35 produkte që kanë dhënë rezultate të kënaqëshme në eleminimin e parazitit. Duke pasur rëndësi të madhe rreth llojit që duhen lejuar të përdoren, shumë vende i kanë reduktuar ndjeshëm llojet e produkteve që lejohen të përdoren për eleminim e parazitit. Këto preparte rekomandohen të ndërrohen shpesh pasi që morrat shfaqin rezistencë ndaj medikamenteve duke e bërë kështu shumë problematik zhdukjen e morrit të kuq. Trajtimi me hirin e mbetur pas zjarrit është një trajtim që nuk mund të gjenden studime të plota rreth besueshmërisë të efektit që ka, por shumë fermerë e përdorin duke pasur rezultat të kenaqshme, aq më shumë që nuk është dëmtues as për shëndetin e pulave dhe as për produktet e tyre.
Po ashtu fermerë të tjerë bëjnë boshatisjen e kotecit si dhe spërkatjen e kotecit me pluhur qëlqere të pashuar. Edhe ky veprim njësoj si përdorimi i hirit nuk është i bazuar në studime shkencore por në praktikën e fermerëve.
Disa fermerë të tjerë përdorin rritjen e temperaturës për të vrarë parazitin. Në Norvegji pularitë nxehen duke e çuar temperaturën 45 gradë C, gjë që bën ngordhjen e parazitit.
Sic e përmendëm ndryshimi i kotecit dhe lënia bosh e një koteci të caktuar nuk është efikase pasi morri jeton deri ne 8 muaj pa u ushqyer. Një veprim tjetër është duke pamundësuar fshehjen e parazitëve në vende të ndryshme, pra duke e rregulluar kotecin në atë mënyre që mos të kenë mundësi të fshihen, duke i mbyll vrimat dhe të çarat e drurëve apo mureve me të cilat ndërtohen kotecet, përdorimi i kujdesëshëm i pesticideve, eliminimi i lagështirës dhe mbajtja sa më that e kotecit, pastrimi i shpeshtë i kotecit etj, janë disa nga masat që mund të merren nga fermeri.
Burimi informacionit: wikipedia, Axtell R. 1999. Poultry integrated pest management: Status and future. Integrated Pest Management Reviews 4: 53-73.
Chauve C. 1998. The poultry red mite Dermanyssus gallinae (De Geer, 1778): Current situation and future prospects for control. Veterinary Parasitology 73: 239-245.
Sparagano O, George D, Harrington D, Giangaspero A. 2014. Significance and control of the poultry red mite, Dermanyssus gallinae. Annual Revieë of Entomology 59: 447-466.
George D, Smith T, Shiel R, Sparagano O, Guy J. 2009. Mode of action and variability in efficacy of plant essential oils showing toxicity against the poultry red mite, Dermanyssus gallinae. Veterinary Parasitology 161: 276-282.