Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare:
-Sëmundjet e aparatit tretës kanë një rëndësi të madhe në problemet e ndryshme që shfaqin kafshët blegtorale. Aparati tretës mund të krijojë probleme si pasojë e disa faktorëve. Një prej faktorëve kryesore është dhe mënyra e të ushqyerit .
Prandaj duhet që fermerët të jenë të kujdesëshëm në zgjedhjen e racioneve ushqimore si dhe metodikës së të ushqyerit. Po ashtu një faktor tjetër kryesor është dhe shfrytëzimi i kafshëve që janë për prodhimtari. Si pasojë e shfrytëzimit pa kriter dhe pa kujdes krijohen probleme të ndryshme shëndetësore pra dhe në aparatin tretës.
Eshtë shumë e rëndësishme që të vemë rë cdo ndryshim në kohën e duhur. Menjëherë të njoftojmë Mjekun Veterinar per shqetësimin apo dyshimet qe ne kemi. Shpesh herë humbja e kohës sjell pasoja më të rënda për shëndetin e kafshëve.
Gjithmonë tregohuni të kujdesëshëm që ti jepni Veterinerit sa më shumë të dhëna që ju dispononi. Kjo quhet Anamnezë
Më poshtë radhiten disa këshilla si dhe spjegohen cfarë duhet të vëreni tek kafshët gjatë procesit të ushqyerit:
Oreksi
Me oreks kuptojmë dëshirën e kafshës për të ngrënë. Ky ndryshon sipas faktorëve fiziologjikë, cilësisë të ushqimeve dhe shkaqeve patologjike. Po kështu ai ndryshon sidomos kur kafsha vuan nga sëmundje infektive, nga sëmundje që zhvillohen me ethe, nga çrregullimet e metabolizmit të lëndëve, etj. Oreksi mund të ndryshojë me ulje ose zhdukje krejtësisht të tij, por mund të ngrihet edhe mbi normë ose nganjëherë ai shfaqet me dëshirën për të ngrënë materiale, të cilët në kushte normale kafsha nuk i ha.
Mënyra e marrjes së ushqimit dhe e pirjes së ujit
Për të diferencuar rastet patologjike duhet të dimë mirë specifikën fiziologjike të marrjes së ushqimeve në kafshë të ndryshme. Duhet parë shpejtësia me të cilën kafsha merr ushqimin, si i lëviz ajo nofullat dhe buzët, lëvizjet e gjuhës, forca që kafsha ushtron gjatë përtypjes së ushqimeve, etj.
Çrregullime në marrjen e ushqimeve vihen ré tek kuajt që vuajnë nga sëmundje të trurit, gjatë sëmundjeve të mukozës së gojës dhe të dhëmbëve, etj. Të pirët e ujit çrregullohet kur kafsha vuan nga sëmundje që frenojnë vetëdijen.
Në të tilla raste kafsha kërkon për të pirë ujë, duke futur gojën thellë në enën e ujit, bën lëvizje përtypëse, por nuk pi dot ujë. Faktorët mund të jenë të ndryshëm: paraliza e fytit, tumoret, sëmundje të ndryshme që prekin sistemin nervor (psh sëmundja e tërbimit) etj
Çrregullimi i aktit të përtypjes
Këto çrregullime takohen shpesh tek kafshët shtëpiake dhe veçanërisht tek kuajt.
Çrregullimet e përtypjes mund të jenë të ndryshme: të lehta, kur kafsha përtypet pa qejf, përtypja mund të shkaktojë dhembje (kur vuan nga sëmundje të gojës dhe të dhëmbëve) ose përtypja cenohet kur ajo ka dëmtime të nervave që venë në lëvizje muskujt e nofullave, siç është rasti i paralizës së nervit facial ose gjatë sëmundjes së tetanozit në kuaj.
Çrregullimet e gëlltitjes
Janë çrregullime që takohen më shpesh në kuaj dhe në gjedhë. Çrregullimet e gëlltitjes mund të sjellin gëlltitje të gabuara të masave ushqimore në trake e në mushkëri, duke shkaktuar kështu pneumoninë gangrenoze.
Disa herë ndeshemi në shfaqen e dhembjeve gjatë aktit të gëlltitjes. Këto ndodhin gjatë pezmatimit të fytit në rastin e gëlltitjes së trupave të huaj, tumoreve, etj.
Në raste të rënda kafsha nxjerr nga hunda ujin dhe ushqimet ose mund të ndodhë pamundësia e plotë për gëlltitje, e cila takohet në paralizën e fytit, në tetanoz, encefalite, etj. Gëlltitja pengohet edhe në rastin e pezmatimit të kapërcyellit, me zënie, me ngushtim dhe me formim xhepash.
Çrregullimet e aktit të ripërtypjes
Ripërtypja është tregues që ka lidhje me veprimtarinë funksionale të parastomakëve tek ripërtypësit.
Në vlerësimin e ripërtypjes duhet pasur parasysh:
- Koha e fillimit të ripërtypjes së ushqimit, e cila normalisht ndodh 30-40 minuta pas marrjes së ushqimi.
- Seancat e ripërtypjes (ruminacionit), normalisht gjatë 24 orëve janë 6-8 seanca.
- Kohë vazhdimësia e seancave të ripërtypjeve, që në kushte normale është 40-50 minuta dhe mund të zgjasë deri në 2 orë.
- Shkallët e dëmtimit të ripërtypjes janë të ndryshme, por ajo që është më e rënda dhe më shqetësuesja për gjendjen shëndetësore të kafshës është ndërprerja e plotë e saj.
Çrregullime, deri në ndalimin e plotë të ripërtypjes shfaqen në rastin e meteorizmit akut, tejmbushjes së plëndësit, në retikulitin traumatik, në disa sëmundje infektive dhe parazitare që shoqërohen me ethe, në sëmundje të trurit, të stomakut e zorrëve dhe në helmime të rënda.
Përveç sëmundjeve parësore të aparatit tretës, që shfaqen nga çrregullimet në të ushqyerit dhe në trajtimin e keq të kafshëve, ka edhe një seri sëmundjesh infektive ose parazitare, veprimi i të cilave lokalizohet në aparatin tretës, kryesisht në stomak e zorrë. Të tilla janë dispepsia toksike e viçave, paratifoja e gicave, paratuberkulozi, etj.
Burimi informacionit: Bazat e Veterinarise , Tiranë 2012
Merck Veterinary Manual 10-th Edition.
Nuk lejohet përdorimi dhe ribotimi i këtij artikulli pa lejën e autorit ose redaksisë së revistës “Mjekësia Veterinare Shqiptare”.
Në rast reference ju lutem përmendeni burimin e informacionit veterineret,com