Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Parazitozat » Sëmundjet parazitare të lëkurës-Zgjebet Psoroptes

Sëmundjet parazitare të lëkurës-Zgjebet Psoroptes

-Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare-

-Në kafshët bujqësore vërehen disa lloj zgjebe: Zgjebja psoroptes: sarkopte: korioptes:  dhe demodektike.

Këto shkaktohen nga rriqna të familjeve të ndryshme. Të kemi parsysh se një rriqnë femër mund të lëshojë 1-3 vezë në ditë dhe në jetëgjatësinë e saj një total prej 50-100 vezë.

Në kushtet e ambientit vezët mund të jetojnë 2 deri në 3 javë në varësi të kushteve atmosferike (në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit jetojnë deri në 12 javë)


Zgjebja psoroptes prek gjedhin, dhentë, dhitë, kuajtë dhe lepujt. Por kryesisht kjo zgjebe prek dhentë, për këtë arsye quhet dhe zgjebja e dhenve. Shkaktari i sëmundjes në gjedh e dhen është Psoroptes ovis, në kuaj është Psoroptes equi, e ndërsa në lepuj shkaktari është Psoroptes cunnkuli e cila gjithashtu infeston dhe dhitë.
Është sëmundje që përhapet shumë shpejt, mjafton një dele e prekur që ta përhap sëmundjen në të gjithë tufën. Duhet bërë kujdes që në kullotat ku kanë kullotur tufa delesh me zgjebe nuk duhet të kullosin delet e shëndosha. Kjo zgjebie më shpesh vërehet në vjeshtë dhe dimër, mbasi në këtë stinë e favorizojnë faktorët si lagështia, mbajtja mbyllur dhe në kontakt me njëra tjetrën, krehja e lëkurës, etj., të cilët ndikojnë për zhvillimin e parazitëve dhe shfaqen e sëmundjes. Duhet bërë kujdes se në stinën e verës kjo zgjebe duket sikur është shëruar, por shkaktari qëndron i gjallë duke u vendosur në vende ku nuk i ze dielli (midis thundrave, midis kofshëve, etj.).
Zgjebia sarkoptes, prek gjedhin, dhentë e dhitë. Transmetimi bëhet me anën e kontaktit të drjetpërdrejtë të kafshëve të sëmura me të shëndoshat, nëpërmjet mjeteve të punës dhe personelit që i shërben. Vërehet kryesisht në stinën e vjeshtës dhe në dimër, mbasi sikurse dihet rrezet e diellit janë më të pakta, qimet e lëkurës rriten më shumë dhe kontakti midis kafshëve është më i madh. Edhe në këtë lloj zgjebe sikurse te zgjebia korioptes duhet patur parasysh se nuk ndodh vetshërimi. Shkaktarët e saj edhe në stinën e verës ruhen në vende ku nuk i ze dielli si midis thundrave, midis kofshëve, në rrudhat e lëkurës, etj.

Shënjat klinike.

Shënja kryesore në të gjitha llojet e zgjebeve është kruarja e fortë e lëkurës (pruritus cutaneus), shfaqja e papulave, vezikulave, krusteve, ulçeracioneve, si dhe alopecia në vendin e prekur. Tek delet shënjat e para të sëmundjes vërehen në qafë, shpatulla, shpinë dhe pjesët anësore të trupit.

Në dele kruarja është më e theksuar kur ato qëndrojnë në shi, në stalla të nxehta dhe me lagështi ajrore të lartë dhe kur djersitin.

Kafsha është e stresuar, kruhet vazhdimisht duket sikur nuk pushon asnjëherë së kruari dhe po ashtu vërehet një ndërprerje e të ushqyerit duke e çuar kështu delen në dobësim të theksuar.

Lezionet tipike përfshijnë papulat dhe krustet yndyrore në lëkurë. Lëkura hmbet elasticitetin , trashet, mbulohet me kore (kruste) si dhe formon çarje të saj.

Në dhi shënjat vërehen në veshët dhe rreth brirëve, por infestimi mund të përhapet në qafë dhe trup.

Tek gjedhi shkaktari është P.communis var. bovis dhe  lokalizohet kryesisht në rajonin e bishtit dhe më pak në rajonin e kokës.

Lezionet do të shfaqen me me shfaqjen qartë të papulave dhe krusteve në majat e vidheve dhe më pas do të përhapen në pjesë të ndryshme të trupit. Në zonat e prekura vërehet trashje e lëkurës dhe alopeci (rënie qimesh). Kruarjet janë të mëdha duke bërë që kafsha të shqetësohet, dobësohet dhe për rrjedhojë të ulë prodhimin.

Diagnoza:

Diagnoza e bazuar në anamnezë dhe shënjat klinike është mjaftueshëm që të krijojmë idenë se kemi të bëjmë me zgjebe por të kemi parasysh sic thamë dhe më lart të gjitha zgjebet paraqiten me forma të njëjta. Për të bërë të mundur diagnozën difirenciale është e nevojshmë kruarja e vendeve të prekura për të marrë kampione për analiza në mikroskop në mënyrë që të bëjmë të mundur dallimin e llojit të rriqnës dhë për rezultat llojit të zgjebes.

Mjekimi:

Rekomandohet mjekim dhe vënie nën kontroll të situatës që do të thotë trajtim të të gjitha kafshëve, atyre që janë të prekura por dhe të atyre qe nuk kanë shfaqur shënja klinike për momentin.

Për dezinfektimin e kafshëve të prekura gjendet një numër i madh  produktesh insekticidë në forma banjëzimi apo spray.

Kuptohet në kafshët që e kemi të mundur banjëzimin (dele dhe dhi) rekomandohet kjo e fundit për një efikasitet më të lartë.

Po ashtu forma e injektimit ka dhënë rezultat të kënaqshëm tek kafshët e mëdha (lopë). Për formën e injektimit përmendim; ivermectin, doramectin, moxidectin e të tjera të kemi parasysh se këto forma japin një rezultat të kënaqshëm në rastet e zgjebeve psoroptes dhe sarkoptes por jo në zgjeben korioptes prandaj është e rëndësishme diagnoza diferenciale në rastet e dyshuara.

Parandalimi:

Për parandalimin e zgjebes një nga masat primare është izolimi i kafshëve të prekura. Të kihet parasysh se rriqnat nuk kalojnë nga njëra kafshë në tjetrën por kafshët që mbahen në të njëjtin abjente apo kullosin në të njëjtat kullota, janë të predispozuara ta përhapin në mënyrë mekanikë zgjeben. Tufat e shëndosha nuk duhet të kullosin, dhe të lëvizin në territoret ku kanë lëvizur tufa të prekura. Prandaj duhet që fermerët që ndajnë të njëjtat kullota të jenë të hapur dhe të tregohen të sinqertë me njëri tjeterin si dhe është detyrë e ne, Mjekëve Veterinarë që ti vemë në djeni dhe ti kujtojmë fermerëve këto rregulla.

Stallat ku kanë qëndruar kafshët e prekura duhet të pastrohen dhe dizinfektohen. Dizinfektimit duhet ti nënshtrohen të gjitha mjeteve dhe sendeve që mund të jenë përdorur në kafshët e prekura.

Për disa arsye të panjohura, disa rriqna janë në gjëndje ti shpëtojnë kushteve jo të favorshme klimatike (periudhës së nxehtë të verës) dhe kafshët pa shfaqur asnjë shënjë klinike i mbartin deri në periudhën e vjeshtës dhe dimrit kur fillon dhe përhapja e zgjebes në të gjithë tufën.

Sa herë që sillni kafshë të reja në tufat tuaja, rekomandojmë të kryeni dy injeksione me ivermectinë (apo çdo lloj macrocyclic lactone që mund të dispononi) me një interval 7 deri 10 ditësh, gjithashtu mbajini kafshët e reja të izoluara nga pjesa tjetër e tufës për një periudhë 10 ditë pas injektimit të dozës së dytë.

Zgjebja shkakton dëmë të mëdha ekonomike. Për momentin nuk egziston asnjë vaksinë për kontrollin e zgjebes.

Nuk egziston asnjë trajtues parandalues për zgjeben (si psh trajtues kundër pleshtave).

Tregohuni të kujdesësh dhe mos neglizhoni asnjë rast dyshimi për zgjebe.

 Referime: Sëmundjet e Ripërtypësve, Universiteti Veterinarisë Pensilvenia, Merck Vet Manual,

Përgatiti materialin për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare Mjek Veteriner Egli Ozuni, MV

Nuk lejohet ripublikimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë dhe autorit të shkrimit.

Në rast referimi të përmendet burimi informacionit dhe linku përkatës