Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Ruminantët – Të mëdhenj dhe të vegjël » Sëmundja Gjuha blu -Bluetongue (2020)

Sëmundja Gjuha blu -Bluetongue (2020)

Nga Profesor Kristaq Berxholi
Shtator 2020

Foto Dr Nue Ibra-Kosove

Foto Dr Lazim Zurapi -Maqedoni e veriut

SËMUNDJA E GJUHËS BLU
Sëmundja e Blutongut (gjuha blu) është një sëmundje infektive jo ngjitëse (nuk përhapet nga kafsha tek kafsha nëpërmjet kontaktit), virale, specifike për rypërtypësit(dhën, gjedhë dhe dhi) dhe që karakterizohet me zhvillim të rëndë sidomos tek dhëntë por edhe tek gjedhi e rrallë tek dhitë. Sëmundja nuk prek qentë dhe kuajt. Shkaktari i sëmundjes është një virus i cili transmetohet gjatë pickimit të mushkonjave(vektorit) të cilat janë infektuar më parë me virusin në fjalë. Sëmundja ka karakter mjaft përhapës, shkakton dëme ekonomike të mëdha, si në drejtim të vdekjes së kafshëve të prekura, humbjes së prodhimit të qumështit(deri 50%) të prodhimit, leshit dhe qëngjave. Këto dëme arrijnë në rreth 3 miliardë dollarë në vit. Për këtë arsye ajo (sëmundja) konsiderohet si një problematikë e rëndësishme ndërkombëtare. Blutongu(gjuha blu) është sëmundje e listës së OIE-së(Organizata Botërore e Epizootisë), e detyrueshme për deklarim. Sëmundja, historikisht e ka patur djepin e vet në në Afrikë. Në Europë, deri në vitin 1998, kishte vetëm disa raste të rralla të saj, kurse tashmë disa serotype të tij vrehen rregullisht në kontinentin Europian. Kjo ka ardhur si pasojë e adaptimit të transmetuesit të virusit të sëmundjes në fjalë (vektorit) në kushtet klimatike të Europës, si pasojë e ndryshimeve të dukshmë klimatike botërore që kanë ndikim pozitiv tek vektori(mushkonja). Sëmundja e Blutongut, karakterizohet nga përhapja e shpejtë, menjëherë mbas shfaqjes së rasteve të para në një vend.
Si është aktualisht e përhapur sëmundja e Blutongut?.
Sëmundja e Blutongut (gjuha blu), për shumë vite me rradhë ka qënë prezente në pjesën jugore të Afrikës. Duke filluar nga viti 1940, ajo u vrejt në rajonin e Mesdheut dhe në kontinentin Aziatik. Aktualisht sëmundja e Blutongut (gjuha blu) është mjaft e përhapur në botë dhe thuajse vrehet në të gjithë botën. Në Europë, sëmundja e Blutongut (gjuha blu) po përhapet gjithnjë e më tepër në veri të saj, gjë e pazakontë për sëmundje të këtij lloji. Kjo ka ardhur, ashtu si përmëndëm pak më lartë, si pasojë edhe e ngrohjes globale, e cila krijon kushte të përshtatshme (ngritje temperature) edhe në këto zona. Në këto kushte, (nga ngrohja globale), kur mesatarja vjetore e muajve janar dhe shkurt, është 12 gradë e më tepër , krijohen kushte të favorshme për të ruajtur pasardhësit e infektuar të mushkonjave, të cilët me fillimin e pranverës shtohen dhe përhapen në të gjithë zonat përreth. Mushkonjat lëvizin me shpejtësi nga njera zonë në tjetrën(1.5-2 km në ditë), duke pickuar kafshët, për të thithur gjakun por edhe duke përhapur sëmundjen. Në luginat e lumenjve, ato lëvizin deri në 200 km. Prezenca e erërave të lehta, me më pak se 8 km në orë, ndihmojnë akoma më tepër në përhapjen e mushkonjave të infektuara. Në shtimin e mushkonjave, rol të rëndësishëm lozin dhe shirat e shumtë si dhe rezatimi diellor. Këto faktorë ndikojnë dukshëm në shtimin e sasisë së tyre(abudancës), të cilat në orë të ndryshme të ditës sidomos nga ora 10 para dite deri në 4 mbas dite, kohë kjo që duhet të kihet parasysh në rastin e nxjerrjes në kullotë të bakëtive, kanë edhe aktivitetin e tyre maksimal. Në vëndet ku nuk ka mushkonja të llojit të Culicoideve, nuk vrehet sëmundja.
Në vendin tonë, sëmundja e Blutongut(gjuha blu), është evidentuar për herë të parë në vitin 1998 në rrethin e Pogradecit. Që nga kjo periudhë ajo u përhap, pa ndonjë klinikë të rëndë, thuasje në të gjithë Shqipërinë. Më pas, ajo është shfaqur herë mbas here, ne zona të ndryshme dhe me intesitet klinik të ndryshëm. Sot në vendin tonë, sëmundja është shumë e përhapur dhe vazhdon të zgjerojë mjaft spektrin e vet gjeografik. Ajo është parë gjithashtu edhe në shtetet fqinjë. Dëmi ekonomik është i lidhur me llojin e virusit që qarkullon në vënd i cili ndryshon vazhdimisht.
Sëmundshmëria dhe vdekshmëria.
Kur sëmundja shfaqet për herë të parë, sëmundshmëria luhatet nga 50-75%, por mund të arrijë deri 100% të tufës së prekur, ndërsa vdekshmëria lëviz nga 2 – 30% dhe në disa shpërthime mund të jetë edhe më i lartë deri në 50% të krerëve të prekur.
Si infektohen kafshët?
Shkaktari i sëmundjes si u përmënd, përhapet nëpërmjet mushkonjave Culicoides. Këto insekte, sidomos specia femër, gjatë thithjes së gjakut tek kafsha e pa infektuar, ose dhe e infektuar, fut dhe virusin në to, ose dhe merr nga kafsha, së bashku me gjakun, edhe virusin, kur kafsha është e infektuar dhe virusi është i përhapur edhe në gjak. Virusi, përgjegjës i sëmundjes, shumzohet edhe tek organizmi i mushkonjës. Insekte të tjerë gjakthithës si riqnat dhe morrat e dhënve, gjithashtu mundet të transferojnë virusin tek kafshët. Virusi, nuk përhapet nëpërmjet kontaktit direkt me kafshën e prekur, gjë që e bën këtë sëmundje jo ngjitëse,  porse mund të përhapet sidomos nga objektet e kontaminuara, të tilla si paisjet kirurgjikale si dhe aget (përdorimi i një ageje për marjen e gjakut në shumë kafshë, nuk është e lejueshme). Virusi i sëmundjes mund të kalojë nga nëna barse tek pasardhësit. Virusi shkakton edhe dështime në dhën e gjedhë.
                             SHËNJAT KLINIKE
Në dhën:
Periudha e inkubacionit të sëmundjes zakonisht luhatet nga 5 deri në 10 ditë. Klinika e sëmundjes së Blutongut (gjuhës blu) vrehet më tepër në dhëntë, por në disa raste edhe tek gjedhi. Dhëntë janë kafshët më të ndjeshmë kundrejt sëmundjes. Sëmundja, tek këto specie, zhvillohet në disa forma si: në formën e shpejtë (akute), në formën jo të shpejtë (nënakute) si dhe në formën e dështuar(abortive). Njohja e mirë e shënjave të sëmundjes në fjalë si nga ana e fermerëve por sidomos nga mjekët VETERINARË, ndikon dukshëm në marjen e herëshme të masave të mundëshme për të minimizuar në maksimun dëmtimet. Sëmundja shfaqet papritur me ngritje temperature, deri në 42O e cila zgjat nga 6 deri në 8 ditë. Dhëntë e prekura duken si të ngrira e mezi lëvizin. Shpesh ato mbajnë kurrizin në formën e një harku dhe kokën e varur poshtë. Kafsha është depresive dhe ka anoreksi. Më pas, shfaqen shënjat e para klinike, të CILAT MË SË PARI VREHEN kryesisht në mukozën e gojës dhe të hundës dhe mandej në gjymtyrë e muskuj. Në fillim mukoza është e përskuqur dhe shoqërohet me jargëzime me shkumë. Tipike në këtë rast është fakti që kafsha kalon gjuhën mbi buzë dhe bën një zhurmë fishkëlluese. Nga hundët vrehen rrjedhje seroze, ndërsa sytë lotojnë. 1 ose dy ditë më von shfaqen edemat dhe hemorragjitë në gjuhë, buzë dhe faqe(deri tek veshët). Në vazhdim, rrjedhjet bëhen hemorragjike, gjuha ënjtet, merr ngjyrë blu deri në cianotike, nga ku sëmundja ka marrë dhe emrin. Më vonë, lezonet në gojë, kalojnë në formën ulçerative, me zona të xhveshura hemorragjike, të cilat në përgjithësi kontaminohen me mikrobe banalë që e komplikojnë fenomenin si dhe vështirësojnë ngrënien e ushqimit. Buzët dhe turinjtë, janë të mbuluara me kruste që gjakosen lehtësisht. Goja, për shkak të dhëmbjeve, mbetet e hapur dhe gjuha del jashtë nga kaviteti i saj, e cila me kalimin e kohës edhe gangrenizohet. Rreth ditës së gjashtë, ndërsa temperatura fillon të bjerë, shfaqen lokalizimet në gjymtyrë, që manifestohen me çalime, si pasojë e prekjes së thundrës. Në këtë fazë, thundrat janë të skuqura, të dhimbshme, që në rast komplikacionesh si pasojë e kapjes me vonesë dhe mos marrjes së masave, mund të përfundojë me rënien e thundrës. Në momentet e fundit mund të vrehen përdredhje koke(tortiokolis) si dhe kthimi i kokës nga ana e shpatullës. Kafsha vdes për 10-12 ditë, ose shkon drejt përmirësimit. Shërmi total ndodh pas një periudhe të gjate kovaleshence. Kapja e shpejtë e sëmundjes nga fermeri dhe mjeku veterinar, ndihmon në shpejtimin e procesit të përmirësimit të kafshës dhe kufizim të vdekjeve. Kafshët barsa mund të dështojnë dhe qingjat janë të dobët ose lindin me keqformime. Shënjat mund të hasen edhe në qingja, nëse ato nuk marrin sasinë e nevojshme të kulloshtrës. Kur qëngjat marrin kulloshtrën ata janë të mbrojtur nga 5-6 muaj.
Në dhi e lopë
Në dhi, sëmundja përgjithësisht zhvillohet pa shënja klinike, por nëse ajo zhvillohet, është e ngjajshme me klinikën në dhën.
Në gjedhë, shënjat klinike manifestohen rrallë, por nëse ato shfaqen përfshijnë: temperaturë 40 – 42° C, ecje si e shtangur dhe çalim në të katër gjymtyrët, jargëzim i shtuar, edemë e buzëve dhe e nëngushës, rrjedhje nga hundët, ulçeracion të mukozës orale, erë e keqe nga goja, vrehet koronit, oftalmit dhe omfaloflebit. Lopët e infektuara gjatë barsmërisë mund të dështojnë ose të lindin viça me keqformime.
                         DIAGNOZA
Diagnoza e sëmundjes bazohet në shënjat klinike, por meqënëse ato jo gjithmonë janë tipike, përdorimi i serollogjisë me testin e ID në agar xhel apo me përdorimin e testit të ELISA, që evidentojnë antitrupat specifik është e domosdoshme që të kryhet. Në këtë rast menjëherë sapo dyshohet për prezencën e kësaj sëmundjeje, nga prania e shënjave të përmëndura më lartë dhe që të krijojnë dyshimin për këtë infeksion, dërgohet gjak në laborator si dhe nga kafsha e vdekur dërgohen nyje limfatike të regjioneve të ndryshme dhe pritet vendosja e diagnozës. Theksojmë se jo gjithmonë sëmundja e blutongut shfaqet me shënjat tipike të saj. Në vendin tonë në vitin 1999, kur ajo u diagnostikua për herë të parë, u shfaq vetëm me çalime, ulje të prodhimit të qumështit si dhe edema në kokë dhe nën nofull dhe kryesisht në dhën (Prof. K.Bërxholi 1999). Materiali patollogjik, gjithmonë shoqërohet me fletë shoqërimi ku jepen hollësisht të gjitha të dhënat e klinikës që janë vënë re nga pronari apo specialisti veterinar. Me marjen e përgjigjes menjëherë informohet shërbimi veterinar shtetëror. Diagnoza e Blutongut (gjuhës blu) vendoset mbi bazë grupi apo dhe tufe(në dhën e dhi), kurse në gjedhë është individuale.
                    DIAGNOZA DIFERENCIALE
Blutongu(gjuha blu) duhet të diferencohet nga sëmundje të tilla si lija e dhënve dhe dhive, ektima ngjitëse, stomatiti ulçeroz ngjitës i qëngjave, afta epizootike, murtaja e të imtave dhe e gjedhit, encefalitet arborvirale dhe fotosensibilizimi. Për të bërë këtë diagnozë diferenciale, me shfaqjen e shënjave të para të sëmundjes, menjëherë njoftohet mjeku veterinar më i afërt shtetëror apo privat i cili është i aftë të bëjë dhe diferencimet përkatëse. Ektima ngjitëse është shumë e dallueshme nga blutongu (gjuha blu). Infeksioni clostridial, si quhet ndryshe dhe  koka e madhe, mund të shkaktojë tek dhëntë e sëmura rritje në volum të kokës, temperaturë të lartë, porse në këtë rast janë të infektuar vetëm dhëntë e pavaksinuara dhe pak dhën të tjera.. Diagnoza diferenciale duhet bërë, tek lopët, edhe nga rhinotrakeiti infektiv i gjedhit si dhe nga ethja katarale malinje. Kjo e fundit dallohet për karaterin sporadik që ka. Nga rhinotrakeiti infektiv i gjedhit , krahas temperaturës vihet re dhe shënja respiratore, dështime si dhe mungesa e lezioneve në thithat e gjirit. Më e rëndësishme në rastin e prekjes së gjedhëve, është diferencimi nga afta epizootike. Në rastin e kësaj të fundit, ka një salivacion profuz, temperaturë shumë e lartë tek gjedhët dhe përhapje shumë e shpejtë e infeksionit.
A MJEKOHET GJUHA BLU DHE ÇFARË DUHET
             TË DIJË FERMERI NË KËTË RAST
Sëmundja Blutongut(gjuha blu) nuk ka mjekim specifik. Therja e kafshëve të prekura nga Blutongu(gjuha blu) nuk është produktive. Nuk ndikon në uljen e infeksionit. Trajtimi i të sëmurave është një masë për minimizimine dëmtimeve. Për këtë fermeri duhet të dije(të jetë i ndërgjegjshëm) se trajtimi i kafshëve të sëmura është e vetmja mënyrë për të ulur maksimalisht dëmtimet, kur kjo sëmundje vërehet në tufë. Për këtë, është e domosdoshme, që me tu shfaqur shënjat e para të dyshimta të kësaj sëmundjeje (të cilat i përmëndëm më lartë), fermeri duhet të njoftojë mjekun veteriner më të afërt, shtetëror apo privat. Në rastin kur ky i fundit shkon në tufë dhe dyshon për këtë sëmundje, është i dëtyruar që të njoftojë shërbimin veterinar shtetëror. Kontrolli i menjëhershëm i tufës, evidentimi i kafshëve të sëmura dhe veçimi i tyre është masa e parë e domosdoshme e mbrojtjes. Kjo duhet të bëhet çdo ditë. Me të njëjtin kujdes, deri sa në tufë të mos ketë më raste me shënja të tilla të dyshimta. Kafshët është mirë që të izolohen në një vend të veçantë. Vendi duhet të ketë një shtresë kashte mjaft të trashë që ato(kafshët) të mos jenë të detyruara, që nga dhëmbjet e gjymtyrëve të rinë vazhdimisht ulur. Theksojmë se kafshët me lezione në gjymtyrë, kanë dhëmbje të mëdha. Tek kafshët e izoluara duhet gjithashtu të përdoren preparate të ndryshme kundër mushkonjave(spray) si dhe menjëherë fillon trajtimi medikamentoz i tyre, i cili përfshin përdorimin e solucioneve të glukozës dhe ata fiziologjikë. Rekomandohet përdorimi i preparateve antibiotikë me spektër të gjërë veprimi, për të penguar aktivizimin e mikroorganizmave dytësorë. Kujdes, nuk duhet abuzuar me këtë rast me antibiotikët. Krahasimisht trajtohen plagët në gojë, hundë si dhe në gjymtyrët. Përdorimi i preparateve anti-inflamatorë jo kortizonikë, ndihmon në uljen e edemave. Po kështu përdoren dhe preparatet antipiretikë si dhe kundër dhëmbjeve. Përdorimi i vitaminave është një element thelbësor në këtë drejtim. Fermerë kujdes: mos fusni kafshë të pa infektuara në tufën që dyshoni për prezencën e infeksionit. Tufat nuk duhet të lëvizin nga zonat ku janë si dhe duhet të evitohet në maksimum kontakti me tufat e tjera të infektuara ose jo. Kafshët e vdekura nuk duhet të hidhen andej këtej por të groposen në bazë të ligjit të shërbimit veterinar. Kush bën të kundërtën duhet të mbajë përgjegjësi për përhapjen e infeksionit me dashje. Stallat ku qëndrojnë dhëntë (si ato të sëmura dhe ato pa shënja klinike) duhet të pastrohen dhe dezinfektohen me preparate anti mushkonja. Është mirë që tufa/at të mos lejojnë të kullosin në pikun e aktivitetit të mushkonjave, pra nga ora 10 deri në orën 16. Ato të kullosin herët në mëngjez dhe vonë në darkë, duke eliminuar kështu sa më shumë të jetë e mundur kontaktin me mushkonjat. Është e rekomandueshme që zona rreth stallave të dezinfektohet me preparate anti mushkonja. Lënia e pellgjeve me ujë, apo lagështirave afër stallave, krijon ambiente të përshtatëshme për shtimin e mushkonjave, po kështu dhe grumbuj e plehut apo mbeturinave të tjera. Instrumentat, që përdoren për kafshët e infektuara me Blutong(gjuha blu), duhet të sterilizohen, përpara se të përdoren për kafshët e tjera. Përdorimi i preparative kundra mushkonjave, individualisht apo dhe si grup në momentin që kafshët futen në stallën është moment tepër i rëndësishëm.
A MUND TË KONTROLLOHET SËMUNDJA E
                            GJUHËS BLU?
Si sëmundje e listës së OIE, kjo sëmundje i nënshtrohet rregullave ndërkombëtare të kontrollit. Ndonëse është e vështirë të kontrollohet plotësisht sëmundja, ekzistojnë disa mënyra për minimizimin e humbjeve ekonomike. Përpjekjet për të kontrolluar sëmundjen e gjuhës blu bazohen në disa drejtime si lufta kundër vektorit, higjena sanitaro-veterinare etj. Reduktimi i shkallës së infeksionit tek vektori transmetues është masë e rëndësishme, por nuk mund të garantohet 100% mbrojtja nga vektori e kafshëve. Popullatat e mushkonjave vektorë mund të reduktohet nga përdorimi i insekticideve larvicidë me bazë (Deltamethrinën) në vendin e shumëzimit të tyre sidomos në vend qëndrimet e tyre afër stallave. Dezinfektimi i gjithë ambientit përreth stallave nuk është shumë produktiv. Preparatet insekticidë mund të aplikohen edhe direkt tek kafshët apo dhe në mjediset ku rrinë kafshët, veprim i cili është më efektiv. Ato duhet të përdoren herë mbas here, pasi deri tani nuk ka asnjë preparat që të ketë efekt për një kohë të gjatë. Maksimumi i efektit të tyre zgjat 1-2 ditë. Pastrimi i vazhdueshëm i stallave, heqja e plehut, përpunimin termik dhe dezinsektimin e tij, janë elementë që ndikojnë dukshëm në uljen e nivelit të mushkonjave. Pastrimi i ambientit përrethe stallave dhe gryerja në një thellësi 6-10 cm e tokës, është mjaft produktive, pasi ky është vendi ideal ku rinë shumica e larvave të mushkonjave. Përdorimi i ivomekut në gjedhë ka efekt insekticid në mushkonjat që pickojnë gjedhin në stadin viremik, si dhe efekte larvicide në feçet (feçet janë mjaft atraktive për mushkonjat) e kafshëve. Krahas kësaj, sëmundja e bën të detyrueshme kontrollin e lëvizjes së kafshëve, pasi kafshët e infektuara mbeten infektive për një periudhë nga 30-60 ditë, madje një pjesë e tyre më gjatë. Mbajtja e tufave të deleve larg tufave të gjedhit përbën një masë efikase kontrolli jo vetëm për këtë infeksion, por edhe për ethen katarale malinje të gjedhit e cila gjithashtu qarkullon sporadikisht në vendin tonë. Tek kafshët, sëmundja mund të kontrollohet edhe me përdorimin e vaksinave. Vaksinat janë të gjalla të atenuara dhe të vdekura(inaktivuara). Vaksinat e gjalla nuk duhet të përdoren në rastin e prezencës së një forme epidemie të infeksionit siç është rasti jonë aktualisht, pasi virusi që gjëndet në këtë vaksinë, krijon bashkime me virusin që qarkullon tek mushkonjat dhe kafshët duke shkaktuar krijimin e virusëve të rinj dhe mjaft patogjenë. Përdorimi i vaksinave të inaktivuara rekomandohet aktualisht nga disa vënde, porse ato janë me kosto të lartë  për shkak të përdorimit dy herë të tyre. Theksojmë përsëri se: Kontrolli i sëmundjes nëpërmjet therjeve të kafshëve të prekura, nuk duhet të jetë pjesë e strategjisë së luftimit të kësaj sëmundjeje.
        A LEJOHET PËRDORIMI I MISHIT TË
                  KAFSHËVE TE  PREKURA?
Sëmundja e Blutongut (gjuha blu) NUK ËSHTË ZOONOZË. Për këtë arsye, mishi i kafshëve të prekura nga kjo sëmundje, përdoret pa kufizim. Nuk lejohen për konsum kafshët të cilat, si pasojë e sëmundjes, janë kashektike(dobëta), kanë dekubituse(plagë nga qëndrimi shtrirë), janë trajtuar me antibiotikë në momentin e fundit, sidomos ato që theren në agoni etj. Të gjitha kafshët e tjera nuk përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut.
01-09-2020
Prof. Kristaq  BËRXHOLI.
Këtë e pëlqejnë %d blogues: