Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Nga Dr Emilian Shabani
Pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë UB Tiranë

Dhimbja

Dhimbja është një përvojë e pakëndëshme ndijore dhe emocionale e lidhur me dëmtimin aktual ose potencial të indeve. Ajo është ndijim mundues që lind nga nxitja e organeve specifike fundore në pjesë të ndryshme të trupit. Dhimbja ka ndikim potencial negativ të përgjithshëm dhe modifikon sjelljen e kafshës. Një nga problemet që ndeshemi shpesh është se dhimbja në kafshë vlerësohet vetëm në mënyrë indirekte. Një kafshë në dhimbje ndryshon sjelljen duke u bërë me e kujdesshme ndaj rajonit të lezionuar, mbështet kokën pas objekteve, mban sytë gjysëm të mbyllura, bëhet agresive ndaj komunitetit, është më pak sociale, kërcet dhëmbët, ndryshon shprehjen e fytyrës, posturën e trupit dhe timbrin e zërit. Këto janë disa nga shenjat më kryesore se si kafshët na komunikojnë dhimbjen. Në kontrast me këtë, kafsha e shëndetshme është e relaksuar, ka pozicionime të trupit që janë tipike për llojin dhe janë të varura nga proçesi që po kryen kafsha në atë moment, ka shprehje kënaqësie që manifestohet në mënyra të ndryshme dhe prodhim të lëndëve kimike që lidhen me kënaqësinë të tilla si endorfinat.

https://i0.wp.com/www.gentlecareanimalhospital.com/portals/185/Images/Pain.jpgImage result for sick cow

Aftësia për të njohur dhe për t’iu përgjigjur stimujve të dhimbshëm ka evoluar për të mbrojtur individët kundër dëmtimit të indeve dhe u siguron atyre informacion për tu mbrojtur ndaj stimujve të rrezikshëm dhe kërcënues në të ardhmen. Dhimbja mund të shoqërohet me lëngime në shumë nivele dhe manifestimi i saj varet nga lloji i kafshës, temperamenti i saj dhe rrethanat aktuale të jetesës. Në rastet më të thjeshta dhimbja mund të paraqitet si një gjëndje e përkohëshme negative pa influencuar në aktivitetin ditor normal të kafshës. Në raste të tjera, dhimbja bën që kafsha të ezaurohet dhe të ndërpresë totalisht aktivitetin e saj normal (të ngrënit, të pirit, të prodhuarit dhe riprodhuarit). Një numër i madh kafshësh janë në gjëndje të parashikojnë dhimbjen kur përballen më situata që mund të kenë stimuj të dhimbshëm ndaj dhe marrin masa të përshtatshme evitimi. Situata të tilla shkaktojnë aktivizimin e boshtit hipotalamo-hipofizar dhe sjellja e kafshës mund të rezultojë kërcënuese ose arratisëse (fight or flight response). Intesiteti i përgjigjies zakonisht është i lidhur me intesitetin e kërcënimit të perceptuar. Është e rëndësishme të kuptohet se kërcënimi i perceptuar vjen nga kombinimi i një numëri faktorësh (përvoja e mëparëshme, ndjeshëmira ndaj dhimbjes, gjëndja emocionale), pa një arsye të vetme, ku si rezultat i akumulimit të këtyre faktorëve kafsha do manifestojë sjelljen tipike për rastin. Disa kafshë, si rezultat i kushteve të jetesës kanë fobi ndaj dhimbjes dhe shfaqin sjellje të ekzagjeruar edhe ndaj stimujve të parrezikshëm. Kjo është mjaft e theksuar tek qentë. Struktura të sistemit limbik të trurit si amigdala dhe periaquaductus gri janë përgjegjëse për përpunimin e emocioneve. Kafshët që shfaqin përgjigjie ekstreme për çdo arsye janë potencialisht shumë të rrezikshme dhe kërkojnë ndërhyrjen e specialistëve. Një nivel më i lartë i njohjes së përgjigjies ndaj dhimbjes është ndjeshmëria ndaj dhimbjes.

Konsiderohen akute dhimbjet në një kohë prej 3 javësh të cilat janë të shoqëruara me frikë, ankth, reduktim të aktiviteti ditor normal dhe ndryshime të sjelljes. Dhimbja subakute zgjat ndërmjet 3-12 javë dhe është e karakterizuar me oshilacione të aktivitetit dhe pasivitetit, nervozizëm dhe zhvillimin e strategjive përshtatëse afatgjate. Në këtë kohë mund të bëhen të dukshme shenjat e para të depresionit. Në rastet e depresionit të theksuar mund të mendojmë që dhimbja është kronike por shpesh deri në atë kohë kafsha ka përshtatur mekanizma përballues.

https://i0.wp.com/farmprogress.com/cdfm/Faress1/author/2/2012/8/three_mycotoxins_make_pigs_sick_1_634814039347801994.jpg

Image result for sick horse

Mekanizmat e dhimbjes

Ndjesia e dhimbjes është një proçes dinamik me organizim të lartë neural dhe cirkuitesh kimike. Informacioni ndijor transmetohet në sistemin nervor qëndror nëpërmjet neuroneve aferente, proçes që quhet nosiceptim. Këto sinjale hyrëse të dhimbjes përpunohen nga briri dorzal i kordës spinale dhe rezultojnë në veprime refleksive, të tilla si tërheqja e menjëherëshme nga burimi i lëndimit. Veprimet refleksive ndihmojnë kafshën për të dhënë përgjigjie të shpejta në kohën e duhur ndërsa sinjalet e dhimbjes transmetohen në tru dhe prodhojnë përgjigjie emocionale, madje memorizohen. Në brëndi të trurit, sistemi përgjegjës për dhimbjen ndërvepron ngushtë me pika të caktuara të sistemit përgjegjës për frikën (amigdala dhe periaquaductusi gri), duke lehtësuar dhe konsoliduar kujtesën e cila do të jetë e rëndësishme në të ardhmen. Kjo do të bëjë që kafsha të njohë stimujt potencialisht të rrezikshëm dhe do të zhvillojë përgjigjie fleksibile anulluese.

Sinjalet e dhimbjes amplifikohen nga koordinimi i lidhjeve nervore midis trurit dhe palcës shpinore. Aktivizimi i sistemit nervor simpatik apo përgjigjia Lufto – Ik – Qëndro në vend (fight-flight-freeze), sidomos kur kafshët janë të frikësuara, bën që sinjalet e dhimbjes të shuhen, fenomen që njihet si stres-analgjezi shkaktues. Nga ana tjetër, kur kafshët ndihen të sigurta, ndjesia e dhimbjes mund të jetë më e lartë si rezultat i lëshimit të peptideve në lëngun cerebrospinal të tilla si kolecistokinina e cila shtyp mekanizmat e kontrollit të dhimbjes. Gjatë përgjigjies fight-flight-freeze, shtypja ose shuarja e dhimbjes shërben si mekanizëm mbrojtës dhe adoptiv që lejon kafshën të shpëtojë ose të zgjidhi konfliktin.

Teoria e “portës së kontrollit” sugjeron se imputet shqisore të dhimbjes janë modeluar nëpërmjet ngritjes dhe zbritjes në rrugët e sistemit nervor qëndror. Rrugët nervore zbritëse potencojnë ose atenojnë sinjalet e dhimbjes dhe ndikojnë në sasinë e neurotransmetuesve ose ndryshojnë ndjeshmërinë e nervave ashededntë të palcës shpinore ndaj këtyre neurotransmetuesve. Analgjezia nuk është vetëm një përgjigjie ndaj dhimbjes por mund të jetë në mënyrë klasike e kushtëzuar të shmangë ndjesinë e dhimbjes. Kur nga përvoja e kaluar, perceptohen dhe parashikohen stimuj të dhimbshëm, dërgohen sinjale zbritëse që pengojnë përjetimin real të dhimbjes, fenomen që njihet si antinosiceptim. Përkundrazi, sinjalet e sigurisë mund të rezultojnë në lëshimin e peptideve si kolecistokinina në lëngun cerebrospinal e cila shtyp mekanizmat kontrolluese të dhimbjes, fenomen që njihet si antianalgjezia. Kështu, kryerja e ndërhyrjeve të dhimbëshme fizioterapeutike në kafshët e sigurta dhe me sinjale sigurie (sidomos kur janë me pronarin), mund të përkeqësojnë dhimbjen dhe të vështirësojnë proçedurën.

Hiperalgjezia i referohet gjëndjeve të ekzagjeruara të ndijimit të dhimbjes si rezultat i rritjes së përçimit të sinjaleve në kordën spinale. Në këto raste pragu i dhimbjes është tepër i ulët, fibrat nervore ndijore lëshojnë sasi të mëdha të substancave neurotransmetore në kordën spinale si rezultat i përgjigjies së sinjaleve aferente. Kjo situatë mund të ndodhë për shumë arsye por shtypja kronike e fibrave të dhimbjes brënda kordës spinale nga lezione në pjesën e shpinës përbëjnë shkakun kryesor në kafshë.

Dhimbja neuropatike i referohet dhimbjes që lind si rezultat i dëmtimit të nervave dhe mund të jetë jashtëzakonisht e fortë. Kausalgjia është një formë e veçantë e hiperalgjezisë e cila shoqërohet me dëmtime të nervave (neuropati), veçanërisht në tendosjet. Ndjesia e dhimbjes në këtë rast është si ndjesi djegieje. Zakonisht shoqëron traumat lokale të nervave. Dëmtimet traumatike shfaqen me shenja inflamacioni por dëmtimi nervor që le pas trauma bën që kafsha të mjekohet gjatë. Diagnoza diferenciale në këto rastë është e lehtë. Ecjet e vështira dhe të penguara pa shenja të dukshme inflamacioni duhet të tërheqin vemendjen për dëmtime nervore në struktura të ndryshme. Infeksioni mund të rezultojë në hiperalgjezi me ose pa neuropati. Për shembull: infeksioni i nervit trigeminus nga herpses virus në kuaj shkakton tundje të fuqishme të kokës dhe lëvizje të pavullnetshme të saj. Është e njohur se dy tipet e qelizave gliale, astrocitet dhe qelizat mikrogliale kane rol imunitar në sistemin nervor qëndror. Kur ato bien në kontakt me bakteriet dhe viruset, aktivizohen dhe prodhojnë oksid nitrik, prostaglandina dhe citokina proinflamatore si faktori nekrotik tumoral dhe interleukinen 1. Këto lëndë kimike eksitojnë neuronet dhe janë mediatorët kyç që ekzagjerojnë kondicionin e dhimbjes në kafshë.

Dhimbja fantazëm është një ndjesi e zakonshme dhe ndodh pas amputimit kirurgjikal të gjymtyrëve në njerëz dhe në kafshë. Më e shpeshtë kjo ndjesi është tek individët që kanë përjetuar dhimbje në gjymtyrë përpara amputimit.

Proçesi i përpunimit dhe amplifikimit të dhimbjes është i ndikuar edhe nga “humori”. Është provuar se krijimi i vendeve relaksuese terapeutike (pa shumë sende dhe ngjyra), ka rezultuar pozitiv në trajtimin fizioterapeutik dhe terapeutik.

Shtypja e dhimbjes ndihmohet nga aktiviteti intensiv aerobik ku ka gjasa të ndërmjetësohet ka opioidët endogjenë. Kjo mund të jetë një nga përfitimet që sjell hidroterapia. Megjithatë, jo të gjitha intervenimet që prodhojnë analgjezi janë pozitive sepse po të ishte ndryshe kafsha do ta kishte të vështirë të identifikonte burimin e dhibjes. Heqja e këtij mekanizmi mbrojtës do të rezultonte fatal për kafshët e çdo lloji dhe jo vetëm.

Vlerësimi i dhimbjes në kafshë

Vlerësimi i dhimbjes përfshin integrimin e matjeve të sjelljes dhe fiziologjisë së bashku me njohuritë e mekanizmave të kontrollit të dhimbjes. Studjues të ndryshëm propozojnë korniza të ndryshme për njohjen e dhimbjes si parehati, pagjumësi, stres dhe vuajtje e kombinuar me vlerësimin e konsumit të ujit dhe ushqimit, sjelljes, funksionit të sistemit kardiovaskular dhe tretës, aktivitetit neurologjik dhe muskulo – skeletor. Kjo lloj mënyre siguron një kuadër të përgjithshëm të dobishëm por bashkëlidhja midis statusit kardiak, respirator, dilatimit të pupilës dhe pikave subjektive të dhimbjes mund të jetë e dobët. Për këtë arsye nevojitet një shkallë më e lartë vlerësuese.

Duke patur parasysh gamën e madhe të faktorëve potencialë që mund të ndikojnë në perceptimin e dhimbjes është e vështirë të vlerësohet me saktësi dhimbja e një individi pa një histori të plotë, duke përfshirë vlerësimin bazë të sjelljes dhe temperamentin. Metodat laboratorike për të vlerësuar dhimbjen tek kafshët shtëpiake janë më objektive dhe gjithnjë e më shumë më të sofistikuara. Megjithatë, këto teknika nuk janë domosdoshmërisht praktike për situata klinike. Janë të nevojshme kërkime të mëtejshme për të përcaktuar se si këto matje apo masa mund të integrohen në një vlerësim dhe si duhen interpretuar rezultatet kontradiktore. Vlerësimi klinik, përgjithësisht mbështetet në vlerësimin e shenjave të sjelljes dhe dhimbjes. Ky vlerësim është mjaft i dobishëm dhe si fillim pozicionohet në sistemin e rezultateve subjektive. Shkallët e vlerësimit verbal përfshijnë përshkrimin cilësor të sjelljes së vëzhguar ndërsa shkalla e thejshtë sasiore vlerësuese përfshin subjektivisht dhimbjen si e butë, e moderuar, e rëndë dhe nuk ka dhimbje ose pandjeshmëri. Të tilla protokolle janë kritikuar jo vetëm për ndryshimin e madh midis vëzhguesve të ndryshëm por edhe për mungesën e ndjeshmërisë. Shkallët numerike të vlerësimit të dhimbjes midis 0 dhe 10 si dhe shkallët vizuale analoge të cilat markojnë dhimbjen në fushën e një vizoreje, 0 = nuk ka dhimbje dhe 10 = dhimbje e fortë, konsiderohen më të ndjëshme dhe më të besueshme. Megjithatë, vlefshmëria e këtyre sistemeve mund të jetë në pikëpyetje për shkak të mungesës së transparencës në lidhje me marrjen në konsideratë nga mjekët. Autorë të tjerë besojnë më shumë dhe konsiderojnë si element të vlefshëm vlerësues zërat, klithmat, pëllietjet, etj që nxjerr kafsha. Nga ana tjetër, disa studjues thonë që zëra apo lehje vihen re edhe në qentë që janë në anestezi që normalisht nuk duhet të ndjejnë dhimbje. Metoda më e besueshme mbetet palpimi ose perkutimi i rajonit të prekur. Këto metoda të përgjithshme janë në gjëndje të zbulojnë nëse kafsha ka ose jo dhimbje por nuk përcaktojnë shkallën e dhimbjes, intesitetin e saj dhe kohëvazhdimin edhe pas kryerjes së këtyre metodave. Shkenca e vlerësimit të dhimbjes në kafshë është në hapat e para. Ndoshta në të ardhmen do të ketë standarte referuese të sakta që përcaktojnë dhe vlerësojnë saktësisht nivelin e dhimbjes në kafshë. Për sjelljet e shkaktuara nga shkaqe mjekësore, mjeku duhet të kuptojë se si dhimbja ose pritshmëria për dhimbje mund të ndikojë në sjelljen e kafshës dhe si kjo sjellje mund të kompromentojë progresin terapeutik.

Një përzgjedhje e teknikave laboratorike të përdorura për të vlerësuar përgjigjiet e dhimbjes në kafshë.

Teknika

Parametrat e matur

Specia

Algometër

Presioni i ndjeshmërisë

Kali

Sanogram

Frekuenca dhe ritmi i ndryshimit të zërit

Derri

Lopa

Shqyrtimi i pragut termik

Përgjigjia e heqjes së këmbës

Lopa

Operant Tasks

Vetëadministrimi i analgjezisë.

Pulat

Shenjat e sjelljes së dhimbjes akute

Burimi i dhimbjes

Sjellja

Përgjigjie të përgjithshme

Letargji, reduktim i lëvizjes, depresion, pakësim i konsumit të ujit, anoreksi, mbrojtje e vëndit të dhimbur, agresivitet, lehje, pëllitje, mjaullima, hungërima, shkrofëtima të shpeshta, bishti i varur, Kujat mbështesin veshët, qentë rrudhin ballin, lopët mbajnë sytë gjysëm të mbyllura, kuajt kanë një pamje të lodhur, parehati, nervozizëm.

Gjymtyrë

Shmangie ose reduktim i peshës në gjymtyrën e dhimbur duke bërë ecje të parregullta, tundje e kokës në ndihmë të ecjes, lëpirje e plagës, qëndrim shtrirë për një kohë të gjatë, atrofi muskulare të këmbës së prëkur dhe hipertrofi në muskujt e gjymtyrëve të tjera

Abdominal, Visceral dhe Spinal

Pozicione karakteristike të detyruara të trupit, shikon dhe godet barkun, kali ulet si qen, kali merr pozicion vrojtuesi, djersitje, drithërima, parehati, përplasje me forcë në tokë sidomos kuajt

Koka

Tundje e kokës, mbështetja e kokës në vende të palëvizshme, kërcitje dhëmbësh, ngërdheshje,druajtje, përkeqësim i shenjave kur kafsha i nënshtrohet aktivitetit fizik, gërhitje dhe teshtima, kthim i buzës së sipërme, përtypje boshe, anoreksi, bluarje e rreme e ushqimit (me gojën pa ushqim)

 

Autori: Dr Emilian Shabani
Pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë UB Tiranë

Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Në rast referimi ju lutemi përmendeni burimin e informacionit veterineret.com