Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për fermerët, pronarët dhe dashamirësit e kafshëve » Bletaria Shqiptare- Informacione të ndryshme » Nga cikli: Orvajtje për të njohur jetën sekrete të bletëve

Nga cikli: Orvajtje për të njohur jetën sekrete të bletëve

Nga Dr Agim Nelaj

Gjurmë historike në vendin tonë.

…Bleta autoktone, në vëndin tonë, kjo specie sociale, është varietet i racës Apis mellifera carnica. Pollman (Q. Nuri).
Përhapja e gjerë e saj është e lidhur me vetitë e çmuara ekonomoke që mbart.
Ajo sakrifikon, nuk kursen forcën fizike për ta shfrytëzuar kullotën deri në masën më të madhe të mundshme. Kultura materiale dhe shpirtërore e popullit tonë, e lidhur me bletën, është e mjaft e hershme.


Studiuesi i përkushtuar Ilir Bala, në librin “Bleta ndër shqiptarë”, sjell të dhëna të hershme historike dhe gjithëpërfshirëse për bletën, habitatin, ekosistemin dhe marrëdhëniet e saj me njeriun. Gjurmimet e tij historike në këtë fushë interesante janë pothuajse shteruese. Ndër të tjera, ai shkruan:“Shqiptarët e mbajtën bletën, u ushqyen me mjaltin e magjishëm, u ndriçuan e u mjekuan me dyllin e çmuar, mësuan nga bleta, e nderuan dhe e përdorën si simbol të virtytit, duke e bërë atë pjesë të kulturës materiale e shpirtërore të kombit…”. Studiues, historianë, kronikanë e udhëtarë kanë sjellë dhe sjellin dëshmi e mbresa për hapësirat shqiptare ku mbarështohen bletët, qysh hershëm e në vijimësi. Në konkursin për 19 mjaltin, në Berlin, mjalti nga Çajupi fitoi çmimin e parë. Atje u ekspozuan dhe mëma tё përzgjedhura. Nga të dhënat e deritanishme, kemi një dokument (Membelli 1923) që tregon se zgjoi i parë modern është sjellë në Delvinë nga Italia në vitin 1923. Me futjen e zgjojve modernë, u krijuan mundësi të reja për zhvillimin e bletarisë në vendin tonë. Në vitet ‘30, gjejmë, në revistat “Bujqësia” dhe “Ekonomia Kombëtare”, shkrimet e para mbi bletarinë, nga Kadri Borshi, Ali Duma, si dhe këshilla praktike nga Syrja Alikaj. Shumë shpejt, në disa rrethe, u përhapën zgjojet e tipit Langstrot – Rot (i ashtuquajturi tip amerikan). Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, me futjen e teknologjive dhe praktikave nga vende të përparuara, u shfaqën prirjet e para për bletari moderne. Në shkollën bujqësore të Lushnjës dhe mandej në shkollën amerikane të Malit të Robit, në Kavajë dhe në atë të Tiranës, u dhanë mësimet e para për bletën dhe mbarështimin e saj, nga pionierët e bletarisë shqiptare: K. Borshi, J. Morcka, A. Duma, S. Alikaj, S. Gocaj, V. Rikashi. Në vitet ‘50 të shekullit XX, u hapën kurset e para për bletarë. Janë vitet kur bletaria mori përhapje dhe zhvillim të vrullshëm. Filloi përgatitja e teknikëve të kësaj fushe, që më vonë u bënë mjeshtra të vërtetë të bletarisë shqiptare. Pranë Stacionit të Bletës dhe Krimbit të Mëndafshit, në Tiranë, u hap kursi njëvjeçar i bletarisë. Çdo vit, në këtë kurs, studionin 50-60 vetë që kishin mbaruar shkollën e mesme. Një ndër mjeshtrit e rrallë ishte specialisti i mirënjohur i bletarisë Aleks Mishenko, nismëtari i krijimit të nukleuseve (1958) në Institutin e Zooteknisë, Shkodër. Ai ka dhënë një ndihmesë të shquar në bletarinë shqiptare. Një punë me vlera për zhvillimin e bletarisë ka bërë edhe Stacioni i Bletë – Mëndafshit (1974). Kjo qendër krijoi mundësi për të njësuar në të gjithë vendin metodat e drejtimin shkencor, futjen e teknologjive të reja, përmirësimin racor dhe masat parambrojtëse. Një numër specialistësh të mirëfilltë të bletarisë kanë dhënë, ndër vite, ndihmesë të vyer. Ata, hap pas hapi, kanë mundur të krijojnë një platformë përgjithësuese teknologjike dhe shkencore, duke u dhënë zgjidhje vështirësive që, herë pas here, shfaqen në mbarështimin e bletëve. Në historikun e bletarisë shqiptare, sipas viteve, secili ka prurjen e vet: J. Morcka, K. Borshi, A. Duma, V. Rikashi, S. Alikaj, S. Gocaj, A. Duma, M. Selenica, Q. Nuri, V. Mishenko, A. Mishenko, K. Paparisto, E. Balza, A. Kapllani, K. Thomo, S. Dedej, P. Pepa, I. Bala, L. Shehu, P. Aleksi, A. Arifaj, A. Qafëzezi, L. Sena, H. Hila, H. Demuka, F. Kukleci, M. Mjeku, V. Maluta etj. Por janë gjithashtu edhe qindra teknikë e bletarë profesionistë, që kanë dhënë dhe japin ndihmesën e tyre. Në vitet ‘60, u fut lënda e bletarisë në degën e zooteknisë (I.L.B.). Pedagogu Q. Nuri bëri studimin e parë për bletën e vendit. Studimet e tij janë botuar në revistat e kohës. Është kandidati i parë i shkencave zooteknike që mbrojti disertacionin me Bletën. Libri studimor i tij për bletën mbrujti dhe mësoi breza të tërë bletarësh në të gjithë vendin. A. Mishenko, studiuesi dhe njohësi i mirë i bletarisë, i cili ka punuar gjatë në parkun më të madh të bletëve, në Institutin e Zooteknisë Shkodër, sqaron se: “… bleta në vendin tonë është përshtatur mirë në gjithë territorin e vendit. Ato janë tepër aktive, edhe kur racat e tjera e ndalin aktivitetin. Gjatë dimrit ato kryejnë fluturime intensive pastruese në temperatura të ulta 8-9°C. Mjafton që koha të jetë me diell në temperaturë 5-6°C, ato nisin të dalin. Bletët kanë aftësi të veçanta për t’u përshtatur edhe temperaturave të nxehta të verës. Ka të kultivuar aftësinë mbrojtëse të familjes…”. Bleta që mbarështohet në vendin tonë, është varietet i racës karnika. Ajo ka ruajtur disa veti, ashtu sikurse edhe ka mundur të përmirësojë disa prej tyre. Është prodhimtare e mirë; ka arritur rekorde prodhimi për zgjua mbi 100 kg mjaltë dhe 4 kg dyllë. Krahasimisht me racat e tjera, mbretëresha është më pjellore. Sipas zonave klimatike, pjelljet vazhdojnë 9-12 muaj në vit. Ajo u është përshtatur rrethanave, motit e zhvillimit të bimësisë. Në pranverë, me çeljen e 20 bimësisë, ajo shton ndjeshëm pjelljet, ndërsa në periudhat e nxehta e ndërpret krejtësisht lëshimin e vezëve. Është qëndrestare ndaj çrregullimeve që sjell moti dhe kullota. Bletaria, falë kushteve të përshtatshme klimatike dhe shumëllojshmërisë së bimëve mjaltore gjatë gjithë vitit, ka qenë e zhvilluar që nga lashtësia. Shtëpia moderne e bletëve, që, sipas zonave, emërtohet: zgjua, kupri, sënduk, kuti, kasun, për herë të parë në vendin tonë është përdorur në Delvinë. Qysh atëherë, vazhdojnë të prodhohen tipe të ndryshëm. Zgjoi standard është konstruktuar nga amatorë. Ata janë munduar t’i bëjnë modifikime, duke reklamuar se ky ose ai tip është më i përshtatshëm për vendin tonë. Tipet e konstruktuar duhet të vlerësohen në lidhje me zonën, kushtet klimatiko-tokësore, madhësinë e parkut, shtegtimin, mundësinë praktike të shërbimeve etj. Zgjoi më i mirë dhe më i përshtatshëm është ai që i përgjigjet më mirë përvojës praktike të bletarit. Në zgjedhjen e zgjoit, bletarët, historikisht, e kanë përshtatur tipin sipas zonave, duke patur parasysh disa të dhëna teknike si: lloji i drurit (pishë jorrëshinore, plep, bredh), …

Vazhdim…

Artikulli u përgatit nga Dr.Agim Nelaj

Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit!

Ju lutemi në rast referimi duhet të përmendet autori, burimi i informacionit dhe linku përkatës.