Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Njoftime » Njoftim-LSD- Dermatoza Nodulare e Gjedhit (Sëmundja e Gungëzimit të lëkurës) është prezente dhe në Shqipëri dhe vendet fqinje!

Njoftim-LSD- Dermatoza Nodulare e Gjedhit (Sëmundja e Gungëzimit të lëkurës) është prezente dhe në Shqipëri dhe vendet fqinje!

LSD- Dermatoza Nodulare e Gjedhit (Sëmundja e Gunëzimit të lëkurës) është prezente dhe në Shqipëri dhe vendet fqinje!

Më poshtë po sjellim foto që Forumi Mjekësia Veterinare Shqiptare ka disa muaj që i boton brenda grupit të mbyllur “Veterineret” .Fotot janë të shumta por ne kemi shkëputur vetëm disa prej tyre.

Këto foto janë sjellë nga kolegë si në Shqiperi ashtu dhe në Kosovë.

Kurse foto e vaksinimit është nga një prej kolegëve tanë në Maqedoni.

Falenderojmë të gjithë kolegët që ishin te parët që njoftuan rreth përhapjes së kësaj sëmundje në rajonin tonë!

Drejtoria e Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë njofton:

Sëmundja e Dermatozës Nodulare e Gjedhit është një shqetësim në rritje në Evropë, për shkak të përhapjes së tij në Izrael (2012), Turqi (2013), Azerbajxhan (korrik 2014), Rusi (korrik 2015), Greqi (gusht 2015), gjatë vitit 2016 është përhapur në Ballkan. Gjatë këtij viti sëmundja është konfirmuar në Bullgari, Maqedoni, Greqi, Serbi dhe Kosovë. Sëmundja është përhapur me shpejtësi për arsye të mungesës së rezistencës së gjedhëve në rajon.

Më datë 7 korrik 2016, ekspertët nga shërbimi veterinar kanë konstatuar raste me shenja klinike të sëmundjes të Dermatozës Nodulare në Gjedh në rajonin e Dibrës në afërsi të kufirit me Maqedoninë. Për konfirmimin e diagnozës jemi ne pritje të rezultatit të analizës nga Instituti i Referencës në Bullgari.
Sëmundja e Dermatozës Nodulare të Gjedhit është ngjitëse dhe shkaktohet nga “pox virus” që prek vetëm gjedhin.
Kjo sëmundje nuk prek njerëzit apo kafshët e tjera.
Infeksioni shpërndahet nëpërmjet pickimit të mizave dhe mushkonjave, nga kontakti direkt ndërmjet kafshëve të llojit gjedhë, nga ferma në fermë nga këpucët, veshjet dhe materialet e kontaminuara.
Sëmundja shpërndahet shpejt në stinën e verës kur vektorët janë më të përhapur.
Disa nga shënjat klinike përfshijnë:
Kafshët e infektuara kanë temperaturë të lartë, anoreksi, dobësohen, lëvizin me vështirësi dhe bëhen të pafuqishme.
Kur ato infektohen, lopët barsë shpesh abortojnë, lopët me qumësht kanë ulje të menjëherëshme të prodhimit të qumështit.
Në fazën e hershme të infeksionit, kafshët e prekura kanë enjtje në pjesën e këmbëve dhe mund të kenë rrjedhje nga sytë dhe hundët.
Enjtjet përhapen në lëkurë dhe mund të mbulojnë zona të mëdha të trupit, kokën dhe qafën; këto enjtje në lëkurë bëhen të forta dhe kanë diametër nga 2 deri 5 cm.
Mbas 14 ditësh, sipërfaqja bëhet e thatë dhe e sheshtë dhe me forma të mëdha me kore, të cilat mund të zhvishen, duke lënë një krater që tërheq mizat.
Në tufat e prekura, nga 40% deri në 90% e gjedhëve japin lezione në lëkurë megjithëse ato mund të jenë 100% të infektuara; disa gjedhë bëhen mbartës të virusit.
Shkalla e ngordhshmërisë normalisht nuk e kalon 5% të kafshëve.
Sëmundja e Dermatozës Nodulare e Gjedhit shkakton humbje ekonomike serioze.
Prodhimi i qumështit reduktohet; në kafshët e reja rritja zvogëlohet; dhe fertiliteti në demat reduktohet. Efektet janë afatgjata dhe pengesa serioze për prodhimin e gjedhëve.
Legjislacioni veterinar në fuqi përcakton qartë masat që merren për kontrollin e Sëmundjes së Dermatozës Nodulare të Gjedhit. Masat e kontrollit përfshijnë:
• Ndalimin e lëvizjes së gjedhëve dhe kafshëve të tjera brenda dhe përreth zonës së vatrës, ku kemi dyshimin që është shfaqur sëmundja;
• Marrjen dhe forcimin e masave të biosigurisë në të gjitha fermat, psh. duke përdorur pajisje mbrojtëse personale, duke dezinfektuar këpucët dhe gomat e makinave që hyjnë dhe dalin nga ferma në zonat e kontrollit;
• Kontrollin e vektorëve dhe insekteve në ferma (duke përfshirë vendet e shumimit të mushkonjave) duke aplikuar në mënyrë të kontrolluar insekticide të aprovuara nga autoriteti kompetent veterinar;
• Shkatërrimin (skartimin/vrasjen) e të gjitha kafshëve me shenja klinike të sëmundjes dhe therjen e të gjitha kafshëve të tjera në cdo tufë të prekur; vaksinimi i të gjitha gjedhëve brenda dhe përreth zonave të shpërthimit të sëmundjes.
Monitorimi i veprimeve të kontrollit përfshin vizitat në fermë nga veterinerët, hetimet në terren dhe testet laboratorike të diagnostikimit. Të gjitha karkasat e gjedhit të ngordhura apo të eleminuara në fermë duhet të shkaterrohen (digjen ose groposen).
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave do të sigurojnë përditësime mbi situatat e Sëmundjes së Dermatozës Nodulare të gjedhit në Shqipëri.
Për informacion të mëtejshëm, ju lutem kontaktoni:

MINISTRIA E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE

Drejtoria e Shërbimit Veterinar
Cel: +355 68 90 46 308
E-mail: edi.fero@bujqesia.gov.al

LSD LSD.Ferizaj LSD.Ferizaj2 LSD.Ferizaj3 LSD.Ferizaj4 LSD.Kacanik LSD.Kacanik2 LSD.Kacanik3 LSD. Sllove, Diber LSD2 LSD Kacanik dhe Han i Elezit LSD ne gjedh LSD vaksinim nga koleget ne Maqedoni

Këtë e pëlqejnë %d blogues: