Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për dashamirësit dhe pronarët » Ariu. Përse sulmon dhe si duhet vepruar në rast sulmi

Ariu. Përse sulmon dhe si duhet vepruar në rast sulmi

Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare:

-Duke u nisur nga keqkuptimet, pyetje-përgjigje, etj, do të dëshirojmë të sqarojmë disa fakte kur flasim rreth kafshëve të egra dhe në këtë artikull me konkretisht rreth arinjve:

Ariu (Ursus arctos) i cili gjendet dhe në vendin tonë, fatkeqësisht ka qënë drejt zhdukjesh.
Shpesh herë gjuetia (kryesisht e paligjëshme por dhe ajo e ligjëshme) ka qënë shkaku kryesor. Por nuk duhen lënë pas dore dhe shkatërrimi i pyejeve, sëmundjet, apo helmimet si arsye të rëndësishme në këtë shfarosje të kafshëve të egra në përgjithësi dhe arinjëve në veçanti.
Mbajtja e ariut në robëri (pengmarrje), faktor që haset jo pak ndër vendet ballkanike apo dhe ndër shqiptarët, tregon kulturën dhe mënyrën e jetesës së popullit tonë, jo vetëm në shekujt e mëparshëm por dhe në të tashmen.
Shqiptarët kanë qënë dhe janë në një luftë të vazhdueshme me botën e egër. Të mos keqkuptohemi, kjo nuk është një luftë për mbijetësë (kur duhej të vrisje për të jetuar), por kulturë, prandaj është emergjentë një edukim dhe përpjekje të vazhdueshme për ta kuptuar botën e egër si dhe për të krijuar një harmoni me gjithçka na rrethon.
Kujdesi ndaj kafshëve të egra tregon mirqënien e një kombi.
Fatkeqësisht kjo gjë na mungon…

ARIU
Ariu i murrmë (Ursus arctos), haset në ballkan dhe shumë vende të tjera rreth e rrotull rruzullit tokësor.
Historia e këtij ariu është më shumë se 500.000 vjet e njohur (nga fosilet e gjetura në Kinë). Breza të shumtë studiuesish dhe shkencëtarësh kanë studiuar mënyrën e jetesës së kësaj specie, pra ne e njohim mirë atë.
Atëhere nuk egziston një keqkuptim SESI, apo PERSE Ariu vepron në këtë apo atë mënyrë, por ka rëndësi SESI duhet të sillemi Ne kur përballemi me këto reagime të kafshës.

Pesha mesatare e një Ariu mashkull të rritur varion nga 250-300 kg me një peshë maksimale prej 450 kg si dhe një gjatësi prej 2.5 metra, kurse Arusha (femra) është më e vogël kryesisht me një peshë mesatare prej 150-250 kg.
Ariu është një kafshë grabtiqare që ha gjithcka (omnivorus). Me një dietë të përbërë nga foragjerë, bimë të egra, fruta, dhe mish, ariu është në gjëndje të plotësojë nevojat e mëdha për të ruajtur peshën e tij/saj trupore.
Në varësi të stinës, ariu përpiqet të jetojë sa më larg njeriut për të mos krijuar konfliktet e panevojshme.
Mos kujtoni se gjithë ato vite (shekuj) gjuetie ndaj kësaj kafshe, kanë kaluar pa krijuar experience dhe intuite dhe tek bota e gjallë, pra dhe tek ariu.
Arinjtë e dinë shumë mirë se për të pasur një jetë sa më të gjatë duhet të jetojnë larg njerëzve dhe në ambjente ku nuk kërcënohen nga aktiviteti i njeriut.
Vetëm në rastet ekstreme ariu merr guximin dhe iniciativën ti afrohet njeriut apo vendeve të banuara nga njerëz.
Gjithashtu ariu gjithmonë është vlerësuar si një kafshë e zgjuar dhe me një intuitë të pagabuar. Kur ariu vëre se lehtësisht mund të dëmtojë të mbjellat (misrin etj), apo tufa bagëtish, në zonat që nuk ruhen nga njeriu, atëhere nuk do të mendohet dy herë por do të hidhet në veprim. Gjithashtu, megjithëse në periudhën e verës nuk vuan për ushqim, ariu nuk mund ti rezistojë mjaltit; edhe pse mund ta kuptojë rrezikun dëshira për mjaltë të freskët dhe të ëmbël do e shtyjë atë për tu afruar në parqet dhe koshered e bletëve duke shkaktuar dëme jo të vogla vetëm për disa kg mjaltë.

Por si veprohet në rastet kur Ariu dëmton pronat dhe rrezikon jetë njerëzish:

Fillimisht duam të sqarojmë se ariu POTHUAJSE asnjëherë nuk e sulmun njeriun nëse nuk rrezikohet jeta e vetë ariut apo familjes së tij (këlysheve).
Por në rastet kur një Ari, afrohet në zona të populluara me njerëz (jashtë habitatit të tij) dhe sulmon njeriun kur nuk shqetesohet apo sulmohet prej tij (kur nuk ngacmohet ariu apo familja e tij), atëhere në çdo vend të botës merret shumë seriozisht ky veprim duke shkuar deri në raste ekstreme të kapjes së ariut dhe eleminimit të tij. Arsyeja e këtj veprimi është se duke u besuar se Ariu sulmoi duke mos pasur asnjë shkak, supozohet se për çfarëdo arsye që e detyroi ariun të veprojë në këtë mënyrë, është një ngjarje që do të përsëritet sërisht. Pra ky veprim ndërmerret për të ruajtur jetë njerëzisht.

Por si veprohet në rastet kur ariu shkakton dëmë materiale?

Në rastet kur ariu njëherë apo disa herë shkakton dëmë në të mbjella, atëherë duhet të studiohet shkaku se përse ariu veproi në këtë mënyrë?
A është toka larg zonave të banuara?
A ka konsum të të mbjellave apo thjesht prishje të tyre? Etj, etj.

Në këto raste rekomandohet ndërtimi i një gardhi për të bërë të vështirë futjen e ariut si dhe për të treguar prezencën e njeriut në këtë zonë të pabanuar (që ariu të mos mendojë se po konsumon thjesht foragjerë apo fruta të egra).

Në rastet kur ariu shkakton dëme në bagëti duhet studiuar arsyeja:
Në cilën stinë të vitit po ndodh ky sulm (kuptohet kur po afron dimri apo në fillim të verës që nuk ka më prezencë të foragjereve apo burimeve të tjera ushqimore, ariu do të kërkojë për tu ushqyer me mish)?
A ishte zona e sulmit jashtë zonave të banuara dhe prezencës së njeriut?
A kishte barriera apo pengesa të zonës ku ndodheshin bagëtitë?
A ruheshin bagëtite me qen roje apo mjete të tjera (drita, kamera etj)?
Në këto raste veprohet duke bërë sa më të vështirë qasjen e ariut në zonat e mbajtjes së kafshëve bujqesore (qen roje, ambjente të mbyllura mirë, prezencë të dritave apo alarme/kamera etj).
Në të gjitha rastet këto sjellje janë jashtë norme jo vetëm për Ne njeriun por dhe per arinjtë apo kafshët e tjera të egra, prandaj kërkohet vëmendja e duhur nga ana jonë.

Si duhet të veprojmë kur prezenca e ariut është e shpeshtë dhe jashtë kontrollit:

  1. Lajmerohen instancat përkatëse në zonën ku jetoni.
  2. Tregoni prezencën tuaj por gjithmonë duke treguar kujdes që të mos konfrontoheni me kafshët e egra.
  3. Krijoni barriera/pengesa që të bëni të vështirë afrimin e kafshëve të egra në ambjentet që rrezikohen nga dëmtimi.
  4. Dokumentoni dëmet e shkaktuara për të përfituar shpërblimet nga organet kompentete.
  5. Mos u konfrontoni me kafshët e egra kur hasni ato.
  6. TREGONI KUJDES PER JETEN TUAJ DHE TE NJEREZVE TE TJERE DUKE LAJMERUAR SA ME SHPEJT TE TJERET NE ZONEN TUAJ!

Ariu kur sulmon kafshët e fermave vepron në këtë mënyrë për arsye të ndryshme: nga uria, frika, apo zemërimi. Prandaj në varësi të arsyes do të përshkruajmë dhe dëmet që mund të shkaktojë ariu tek kafshët bujqesore:

IDENTIFIKIMI I DEMEVE MATERIALE

Pra ashtu si thamë dhe më lart ariu mund të shkaktojë dëme materiale për arsye të ndryshme.

Kur një ari sulmon parqet e bletëve, të gjitha kosheret do jenë të përmbysura dhe të shkatërruara plotësisht apo pjesërisht. Në koshere vërehen gjurmët e kthetrave (thonjve) të ariut si dhe gjurmë dhëmbësh apo qimesh në zonën ku mbahen bletët.
Dëmet ndaj parqeve të bletëve janë sporadike dhe kryesisht jashtë kontrollit tonë apo pse jo dhe të vetë ariut. Na kuptoni nuk po justifikojme ariun, por ariu nuk mund ti rezistojë aromës së mrekullueshme të mjaltit (ashtu si dhe Ju).
Dëmet ndaj parqeve të bletëve nga ariu, janë hasur dhe fatkeqësisht do të hasen megjithë masat që mund të marrim ne. Mbrojtja më e mirë do të jetë thurja e parqeve për ta bërë sa më të vështirë futjen e ariut në këto zona.

Po ashtu dhe dëmet ndaj të mbjellave. Në varësi të llojit dhë zonës arinjtë shpesh vizitojnë të mbjellat. Sigurisht këto vizita janë me pasoja për fermerët.
Dëmet (kryesisht në misër dhe elb) kanë të bëjnë jo vetëm më pjesët që konsumon ariu por me sipërfaqe të konsiderueshme ku do të shkelen dhe dëmtohen zona të mëdha. Arinjtë preferojnë misrin kur kallinjtë janë të njomë.
Për vetë faktin se shpesh herë janë larg zonave të banuara, këto dëme kryhen nga ariu pa ndonjë shqetësim dhe në momente dhe kohë të ndryshme. Mbrojtja më e mirë do të jetë rrethimi i tokave të mbjella, prezenca e dordolecve/gogoleve dhe dritave automatike.

Rrallë por arinjtë sulmojnë dhe vathat dhe stallat kur mbahen bagëtitë. Të kemi parasysh se jo vetëm se është e rrezikshme për ariun që të afrohet në këto zona, por jo të gjithë arinjtë janë të aftë të futen në një kope dhe të dinë si të vrasin dhentë apo kafshë të tjera. POR, nëse mësohen me këtë sjellje atëherë do ta përserisin pa hezitim në vazhdim.

Tek kafshët e mbytura (vrara) hasen gjurmë të dhëmbëve (1.5 cm të thella) në zonën e qafës. Tek kafshët e mëdha shënja të kthetrave (1-1.5 cm të thella) në zonën e shpatullave.
Në varësi të llojit të bagëtive ariu do të bëjë dëmë të ndryshme.
Psh e dimë se dhentë mblidhen në cep duke shtyrë njëra tjetrën duke i dhënë mundësi ariut të vrasë më shumë sesa është e nevojshme. Shpesh një një tufë dhensh ariu do të vrasë 3-5 dhen apo dhe më shumë.
Gjedhi ka tendencë të shpërndahet kur sulmohet nga ariu. Kryesisht në raste të tilla ariu vret vetëm një kafshë të vetme.
Derrat nëse janë në zona ta hapura (jo në stallë) lehtësisht mund t’ju shmangen arinjve, ndërsa nëse janë në zona të kufizuara lehtësisht vriten nga ariu.
Kuajt kryesisht nuk vriten nga arinjtë por shpesh plagosen nga gërvishtjet dhe kthetrat e tyre.
Sulmi ndaj vathave apo stallave është një tjetër çështje. Në varësi të periudhës si dhe zonës ku ndodhen bagëtitë duhet të merren masa sa më strikte për të ruajtur bagëtitë. Kryesisht mbajtja e qenve roje është mënyra më e mirë, por efikase është dhe sistemet e alarmit për të paralajmëruar afrimin e ariut pranë zonave ku mbahen bagëtitë.

Pasi ariu vret një kafshë, ai hap kavitetin abdominal (barkun) për të ngrënë organet e brendëshme. Më pas arinjtë e tërheqin prenë në pyje për ta mbuluar atë me dhê dhe gjethe apo dege pemësh. Arinjtë kthehen sërisht pas një periudhe për të ngrënë kufomën e dekompozuar.

SI TE VEPROJME NESE HASEMI PËRBALLE NJE ARIU:

Të tregohemi sa më të kujdesëshëm që të mos krijojmë konflikte me kafshët e egra.

Nëse dalloni një ari në largësi, ndryshoni drejtim. Bëni zhurmë duke u larguar që dhe ariu ta kuptojë prezencën e njeriut. Nëse devijimi nuk është i mundur, qëndroni aty ku jeni deri sa ariu të jetë larguar dhe më pas vazhdoni rrugën pasi të siguroheni se ariu nuk është prezent.
Asnjëherë mos ngacmoni një ari.
Nëse një ari haset në distancë të afërt vlerëso situatën, ruaj qetësinë (sigurisht sa mundesh). Mos vraponi, ariu nuk do ju sulmojë pa një shkak. Jo të gjithë arinjtë që ngrihen në dy këmbë janë agresivë. Nëse një ari lëviz kokën majtas dhe djathtas ka mundësi që po ju nuhat. Qëndroni në vend pa lëvizur dhe fol me zë të ulët, kjo mund ti japë të kuptojë ariut se ju nuk jeni i rrezikshëm. Para se të bëni ndonjë veprim studioni zonën rreth e rrotull. Mos vraponi, ju sigurojmë se nuk jeni më i shpejtë se ariu. Një ari mund të vrapojë 10-15 metra/sekondë. Për hir të së vërtetës nuk ka asnjë metodë të garantuar që të jetë 100% efikase por disa prej këshillave të lartpërmendura janë provuar efikase.
Në rastin ekstrem nëse sulmoheni nga ariu, mos luani të vdekurin kur sulmoheni nga një ari, por luftoni me çfarë të keni pranë; gurë, shkopinj.
Rolin e “të vdekurit” ta keni si armën e fundit fare kur nuk keni si të veproni ndryshe. Vetëm atëherë lëshoni trupin në tokë me fytyrën posht, mblidhni këmbët dukë u mbledhur kruspull dhe vendosni të dyja duart rreth qafës suaj. Që të qëndroni në këtë pozicion kërkon guxim por fatkeqësisht rezistenca do ta bëjë situatën më të rëndë.

Sigurisht dëshira dhe urimi ynë është se ju asnjëherë nuk do të ndodheni në këtë situatë.

Artikulli u përgatit nga Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare. Ju lutemi në rast referimi të përmendet burimi informacionit si dhe linku përkatës.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: