Macet megjithëse duhet ta pranojmë; janë kryenece, janë jo më pak të populluara sesa qentë. Kjo si meritë e inteligjences së tyre, bukurisë, shkathtësisë etj. Ato janë dhe disi misterioze në shumë veprime dhe aventura që ndërmarrin.
Më vijnë në mëndje vargje nga kënga aq e bukur për fëmijë ; “Macja le të lahet”; …një macok fytyrën lau/ gjyshja ime kur e pa/ do të bjerë shi më tha…..
Si shkak i këtij popullariteti, por mbase dhe të natyrës mistike, rreth tyre janë përhapur shumë “thashetheme” që janë keqkuptime të pabazta dhe shpesh herë ndikojnë në mënyrën sesi ne, njerëzit i trajtojmë ato.
Duke dashur të sqarojmë këto “thashetheme” apo më saktë keqinterpretime që janë hapur rreth tyre, do të përpiqemi ti mbledhim në këtë artikull disa prej më të përhapurave. Shpresojmë se do të ndihmojmë sadopak që të largohen disa keqkuptime rreth maceve dhe jetës së tyrë 🙂
Macet janë kafshë që e kanë qejf një jetë të vetmuar dhe që të jenë vetëm në shtëpi-
Jo e vërtetë: Largimi i pjestarëve të familjes nga shtëpia, mund të jetë stresuese për macet. Ky është një prej shkaqeve nëse macja juaj ka incidente duke urinuar jashtë kutisë së rërës vetëm kur ju largoheni prej shtëpie dhe i lini vetë ato. Shpesh tek këto mace kur ngelen vetëm në shtëpi vërehen shënja si : mungesë oreksi, të vjella, mjaullitje etj. Edhe macet kanë qejf të jenë në shtëpi me anëtarë të tjerë të familjes, të luajnë dhe t’ju kushtohet vëmendje.
Problemet dhe aksidentet me kutinë e rërës, janë gjithmonë “zakone të tyre që nuk mund të ndreqen”
Gabim. Problemet me përdorimin e kutisë së rërës mund të kenë arsye mjekësore ose strese të ndryshme. Prandaj në raste të tilla është gjithmonë e këshillueshme që macja juaj të kontrollohet nga një Mjek Veteriner. Nëse gjendet shkaku, atëherë trajtimi dhe përmisimi i kësaj gjëndje është i sigurt.
Macet gërvishtin pasi janë natyrë e tillë.
Absolutisht JO e vërtetë. Macja juaj gërvisht për arsye nga më të ndryshmet. Disa herë ato mund të gërvishtin për të treguar irritim-psh nëse ju i mbani dhe përkëdhelni në një mënyrë të papërshtatshme për to. Disa mace gërvishtin thjesht si një lojë- nëse ky është shkaku atëhere, ndalo menjëherë dhe tërhiq vëmendjen e saj drejt një lodre ( kjo lojë nuk duhet të vazhdojë gjatë pasi vërtet më vonë mund të kthehet në një problem). Ndonjëherë një arsye mjekësore, si artritet, është shkaku që macja juaj të sillet në këtë mënyrë, duke qënë se këto probleme e bëjnë atë të ndjehet jo mirë, atëherë ajo do të gjejë një mënyrë si gërvishtja për të treguar një problem që po e mundon atw. Gjithmonë nëse kjo gjendje e maces vazhdon (ku macja gërvisht me shkak dhe pa shkak), është mirë të kontrollohet nga Veterineri juaj për të gjetur shkakun e vërtetë.
Macet nuk kanë nevoje për lojra, ato dinë si të argëtojnë veten
Jo e vërtete. Mbase macet duken më të pavarura, por ato, po ashtu si qentë kënaqen shumë kur kanë një aktivitet të përditshëm. Duke luajtur me macen tuaj për disa minuta, disa herë gjatë ditës, do ju ndihmojnë ju dhe macen tuaj në shumë drejtime, si psh zgjimi gjatë natës apo shpejt në mëngjes. Një mace që ka luajtur dhe është lodhur fle e qetë dhe deri vonë.
Mos ju duket e pabesueshme, por shumë mace janë mësuar tashmë të dalin shëtitje me pronarët e tyre, tamam si një qen i urtë dhe dëgjueshëm, të mësuar me litarin rreth belit të tyre ( gjoksore që janë të dezinjuara posacërisht për mace) ato kenaqen po aq sa dhe qentë në shëtitjet e tyre të përditëshme.
Macet asnjëherë nuk shkojnë me njëra tjetrën
Besoj të gjithe jemi dakord dhe njëzëri themi: Gabim. Macet po ashtu kënaqen tej mase kur kanë shoqërinë e njëra tjetrës, biles do të sugjeronim që nëse e kini një mace tashmë, mos ngurroni ti bëni 2 apo 3, pasi në atë mënyrë ato e shijojnë më mirë ditën në prezencën e njëra tjetrës.
Macet që gërvishtin mobiljet, është një sjellje dhe problem i pandreqëshm.
Jo e vërtetë. Macet në mënyrë instiktive kanë shumë dëshirë të gërvishtin objekte të ndryshme. Kjo jo vetëm për faktin se kjo për to është një mënyrë për të prehur kthetrat e tyre, por dhe pasi kështu ato heqin ankthin, shënojnë territorin si dhe një mënyrë e ndryshme e tyre për të nxjerrë energjinë e trupit. është e padrejtë që të pretendosh se macja juaj nuk do të gërvishtë apo cjerrë objekte të ndryshme, pasi kjo sjellje është tepër normale dhe është gjithashtu thelbësore për shëndetin fizik dhe mendor të maces suaj. Në mënyrë që ju të parandaloni gërvishtjen në mobilje apo objekte të tjera të kushtueshme, krijoini kushte maces suaj që të ketë një vend të posacëm ku mund të ushtrojë këtë “zakon” normal që ajo ka. Psh Në dyqanet e kafshëve mund të gjeni objekte të ndërtuar posacërisht për këtë funksion, apo mund t’ju sugjerojmë disa copa të vjetra tapetesh të fiksura në një derrasë. Në këtë mënyrë dhe ju dhe macja juaj do të jeni të lumtur.
Macet gjithmonë tremben keq kur cohen tek Mjeku Veteriner
Ky është një prej atyre “thashethemeve” që ju ka kushtuar disi maceve dhe shëndetit të tyre. Shumë veta duke menduar se do të jetë më mirë ta lenë macen të qetë dhe të mos e cojnë tek veterineri, mendojnë tepër gabim. Macet kanë nevojë po aq sa qentë për tu cuar për vizita tek Mjeku Veteriner. Në klinikat tona në shohim dhe mace që janë të qeta sikur të jetojnë në ate klinikë. Shpesh kjo është një meritë e pronarëve të tyre që i sjellin regullisht ato në klinikat veterinare. Eshtë e rëndësishme që macja juaj të cohet për egzaminim klinik edhe kur mendoni se ajo “ndjehet mirë”. Jo të pakta janë rastet kur një sëmundje është zbuluar në fazën fillestare dhe thjesht gjatë një egzaminimi klinik. Nëse ju e keni problem me macen tuaj dhe nuk mund ta coni në klinikë, bisedoni me Mjekun Veteriner për disa nga mënyrat sesi mund ta bëni sa me pak stresante këtë, si për ju apo për macen tuaj.
Macet dhe kotelet nuk kanë nevojë për trajnime, ato do të mësojnë vetë.
Gabim. Kotelet në periudhën nga mosha 2-7 javëshe kanë periudhën kur mësojnë se c’farë është e “sigurt” dhe c’farë është e pasigurt në ambjentin ku ato rrethohen. Kjo është mosha me e mirë për ti mësuar maces suaj disa rregulla që ju do të donit që ajo ti ndiqte. Mos hipja mbi tavolinën e bukës, mbi sobë etj. Po ashtu si dhe tek qeni, një mace ka nevojë të mësojë se cfarë duhet dhe cfarë nuk duhet bërë në shtëpi. Ku ato janë kotele, është periudha me e lehtë, por nuk do të thotë se nëse ato janë të rritura nuk mund të mësojne. Macet janë të zgjuara dhe mësojnë shpejt. Po ashtu si dhe për qentë, dhe për macet ka klasa trajnimi me trajnues profesionalë.
Mjaullitjet e maceve nuk do të thonë ndonjë gjë, thjesht injorojini.
Kur një qen leh vazhdimisht, ne përpiqemi të gjejmë shkakun, se c’farë Balo po na përpiqet të na thotë, apo jo? E pra dhe macet nuk mjaullijnë “kot” e kanë një arsye për të vepruar në këtë mënyrë. Sigurisht që mjaulltijet janë ndonjëherë të tepërta dhe të bezidsëshme. Por për macet kjo është një formë komunikimi. Arsyet mund të jenë që nga: “ Hej unë kërkoj vëmendjen tëndë” , apo “ më ushqe tani se jam e uritur”, apo “ më hap derën se dua të dal”, dhe deri probleme më serioze sic mund të jenë ato shëndetësore. Shpesh herë kur në klinikë na vijnë mace që janë sjellë prej pronarëve pasi ato “pa asnjë arsye” nuk reshtin se mjaullituri, ne, Mjekët Veterinerë, kemi gjetur probleme të tilla si : probleme me gjëndrat tiroide, probleme me presionin e gjakut etj, etj. Prandaj ju këshillojmë që të mos i injoroni nëse macja juaj i ka shtuar mjaullitjet kohët e fundit.
Për gjithcka ndryshe që vereni në sjelljen e maces suaj, mos e neglizhoni dhe mos vononi por kontaktoni me Mjekun Veteriner sa më parë.
Përgatiti materialin Mjek Veteriner Egli Ozuni.
Nuk lejohet ripublikimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë.
Ripublikimi i këtij materiali pjesërisht apo i plotë është i ndaluar të botohet pa lejen e marrë nga redaksia e revistës ”Mjekësia Veterinare Shqiptare”.
Ju lutemi në çdo rast citimi apo reference nga ky tekst, shënoni linkun përkatës në veterineret.com