Pershendetje doktor. Jam bere gati te pyes disa here por me vinte turp. Por sot po jua dergoj pyetjen time. Kam nje qen i cili ha jashteqitjen sa here qe i jepet mundesia. Me vjen turp qe po ju pyes por eshte shume e shpifur kjo qe ben ai. Ju lutem si ta ndalojme dhe pse vepron ai keshtu?
Përgjigje nga Dr Atalvin Zhiva
Po, është e vërtetë, disa prej miqve tanë të mrekullueshëm, sic është qeni, mund të kryejnë një veprim të tillë si ngrënia e jashtëqitjeve, qofshin të tyret, personale, apo të kafshëve të tjera.
Ky veprim quhet “Coprophagia”
Po tregoj një rast që më ka ndodhur para disa vitesh, në punë. Isha duke egzaminuar një këlysh shume simpatik të rracës San Bernard. Këlyshi tepër i dashur dhe lozonjar po më lëpintë në fytyrë, megjithëse përpiqesha të mos e lija, ishte e pamundur. Pronarja e tij më pyeti: Doktor kemi dhe një pyetje” Si ta ndalojmë nga ngrënia e jashtëqitjes? Sapo veproi në këtë mënyrë kur po e bënim gati ta sillnim në klinikë”? Duke qeshur i thashe ” Faleminderit që më pyetët, por do të ishte më mirë ta dija para së të më lëpinte në të gjithë fytyrën”
Ajo c’ka është me problematike nga kjo sjellje, së bashku me idenë e neverisë, është përhapja e parazitëve të brendshëm, aq më shumë nëse qeni juaj ha dhe jashtëqitje të kafshëve të tjera ( psh në një park etj).
Kur dëgjoj këtë pyetje fillimisht dua të sigurohem që qeni juaj nuk ka një problem shëndetësor që shkakton këtë sjellje. Me këtë dua të them se janë disa sëmundje që shkaktojnë ndryshimin e oreksit tek qeni, duke e detyruar atë të lëpijë, hajë, gëlltisë artikuj dhe sende të ndryshme. Po ashtu ka sëmundje që mund të shkaktojnë ndryshimin e aromave dhe shijeve në jashtëqitje, gjë që është me interes për qenin tuaj. Vecanërisht në rastet kur ju e njihni mirë qenin tuaj dhe ai asnjëherë më parë nuk e ka kryer këtë veprim, por e ka filluar vetëm tani së fundmi, në këto raste ju sugjeroj ta coni tek mjeku veteriner për një egzaminim klinik, për tu siguruar që gjithcka shkon mirë me shëndetin e tij.
Tek qeni mund të themi se kjo është një sjellje normale instiktive që ka lidhje me sjelljen e nënës, e cila me anën e të lëpirës pastron këlyshët e saj nga jashtëqitja. Prandaj shpesh ky veprim (i ngrënies së feceve), haset tek këlyshët e vegjël në një moshë të re. Tek disa këlyshë kjo sjellje ndërpritet me kalimin e kohës, e ndërsa të tjerë e vazhdojnë dhe pasi rriten. Po ashtu ngrënia e feceve te specieve ( kafshë) të tjera, është konsideruar normale për sjelljen e qenve.
Mendimet dhe idetë që kam lexuar rreth këtij veprimi janë të ndryshme. Duke filluar që nga mungesa e vitaminave dhe përbërësve të tjerë që mund të ketë qeni, mungesë të dietës së nevojshme. Shumë veterinerë nuk mendojnë se kjo gjendet si një një prej shkaqeve bazë të kësaj sjellje. Mund të ketë qen që nuk janë të ngopur dhe nga mungesa e ushqimit detyrohen që të hanë jashtëqitjen e tyre dhe e kthejnë kështu nga nevopjë në zakon.
Po ashtu një prej shkaqeve më shumë i pranueshëm që diskutohet është nga frika, stresi, ankthi. Ka disa qen që duke mos ditur si të menaxhojnë stresin që kanë, mundet dhe të fillojnë dhe të hanë jashtëqitjen e tyre. Disa studime tregojnë se nga ky veprim qentë qetësohen disi duke e përdorur ngrënien e jashtëqitjes si një masë vetëqetësuese.
Po si mund ta ndalosh ti këtë veprim?
Do të jetë e vështirë që ta ndaloni dhe zhdukni përfundimisht këtë problem nëse ngrënia e jashtëqitjes tek qeni juaj vjen si pasojë e sjelljes së tij. Qentë janë të shpejtë në atë që kryejnë, dhe është një veprim që sigurisht i kenaq gjithashtu. Tek këshillat që do të jepja ajo c’ka duket se jep më shumë rezultat është: mos ta lini qenin tuaj në asnjë moment që të ketë kontakt me jashtëqitjen , qoftë të tijën, qoftë të një kafshe tjetër. Këtë mund ta bëni duke e pastruar vazhdimisht vendin ku qeni juaj kryen nevojat personale. Sa më e shpejtë të jeni, aq me efektive. Tek disa qen ( vecanërisht moshat e reja) pas disa kohësh kur nuk kanë mundesi kontakti me jashtëqitjet, e harrojnë këtë zakon. Gjithashtu një veprim rezultativ është dhe nxjerrja me litar, sa herë që qeni i afrohet dhe po tregon interes ndaj jashtëqitjes, tërhiqni litarin duke përdorur një komandë vetëm për këtë rast. si psh “lëre atë”, apo “mos ju afro” , thelbi është që të jetë një komandë e përdor vetëm për këtë rast.
Problematike është nëse ju e nxirrni qenin tuaj në një park, aq më shumë nëse ai shëtit dhe I lirë, c’ka do të thotë që deri sa ju ta ndaloni atë, do të jetë tepër vonë. Në këto raste vendosja e një “maske kosh”, mund të parandalojë këtë veprim.
Po ashtu në treg ka produkte të ndryshme që ju i jepni në ushqim dhe ndryshojnë shijen dhe erën e jashtëqitjes, duke dashur që ta detyrojnë qenin të mos e hajë një jashtqitje të hidhur psh. Por qeni kënaqet dhe me shije nga më të cuditshmet, të hidhura, tharta, kripura etj. Por sigurisht që nuk dëmton aspak shëndetin e qenit tuaj nëse ju doni të provoni një prej këtyre produkteve, vetëm sigurohni që janë për përdorim tek qentë. Në internet dhe në dyqanet për kafshë gjeni artikuj të shumtë të përdorur enkas për këtë problem. Mjafton të kërkoni duke përdorur emrin “ Coprophagia”
Nëse qeni juaj ka një problem të vazhdueshëm me këtë sjellje, ne ju sugjerojmë që ti lani duart sa herë luani apo prekni qenin tuaj. Dhe ju lutem mos e lini t’ju lëpijë në fytyrë.
Materialet dhe artikujt janë pronë e revistës online “MjekësiaVeterinare Shqiptare”!
Nuk lejohet publikimi i tyre pa lejën e redaksisë së revistës.
Ju lutemi, në rast se i referoheni artikujve tanë, përmendeni burimin e informacionit dhe linkun përkatës nga veterineret.com !