Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » I mbrojtur: Kafshët e shoqërimit » A sëmuret qeni edhe kur është i vaksinuar?

A sëmuret qeni edhe kur është i vaksinuar?

Pyetje ne inbox: Uroj te jeni mire. Desha tu shkruj ne faqen ne fb por nuk po mundsha dot. Veterinaret shpesh me akuzojne se shes qen te pavaksinu ne dyqanin tim. Eshte shpifje dhe shume mire e dim arsyen.Kam 15 vite eksperience dhe shume gjona i di me mir se Veterineri juj…..
….
ju vec mthoni a ka mundsi qe qeni tsmuret edhe pse i vaksinum?
flm
Shënim i redaksisë: Pyetja është sjellë e shkurtuar pasi fjalët e përdorura në email nuk kanë të bëjnë në mënyrë direkte me temën që do të flasim.

Përgatiti përgjigjen Dr Atalvin Zhiva:

Përshëndetje. Eshtë një temë që duhet sqaruar mirë para se të arrini në konkluzionet përfundimtare se i kujt është faji nëse vaksina nuk funksionon.
Të them të vërtetën megjithëse e kuptoj indinjatën e pronarit të dyqanit sërisht gjuha e tij e përdorur nuk është e justifikueshme. Por duke pasur parasysh se në mënyrë direkte kësaj pyetje i jam përgjigjur dhe herë të tjera vendosa të sjell këtë artikull më të plotë për të gjithë të interesuarit.
Unë do të flas pak më gjerësisht sesa rasti i sjellë pak më lart.
Mendoj se duhet te sqarohen pronarët e kafshëve se kur një qenush dignostikohet me Parvoviroze (Parvo) jo gjithmonë është e thënë se nuk janë kryer vaksinat dhe personi (qoftë dyqan apo person) ju ka genjyer kur ju ka thene se i ka administruar vaksinat. Më saktësisht në fakt do të thotë se sistemi imun ka deshtuar në pervetesimin e imunitetit ndaj virusit të Parvos. Kjo mund të ndodhë për shumë arsye: qeni nuk ka marrë vaksinat e nevojshme në momentin e përcaktuar/ vaksinat që i janë administruar qenit nuk kane qënë efektive që do të thote nuk kanë qënë të ruajtura në kushtet e nevojshme (frigorifer) etj.
Po ashtu vlen të theksohen disa arsye të tjera të cilat ka shumë mundësi të jenë shkaqet e vërteta të qenve që megjithëse të vaksinuar sërisht preken nga Parvoviroza.
Së bashku me kolegët i kemi diskutuar këto dhe më parë por unë po i përmbledh në një artikull për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare për të gjithë të interesuarit:

Antitrupat e nënës:
Shkaku kryesor i dështimit të vaksinës është konflikti që krijohet mes antitrupave të marrë nga nëna dhe vaksinës.
Këlyshët e porsalindur marrin antitrupat e nevojshme që kalojnë nga trupi i nenës tek ta. Këto antitrupa kalojnë në forma të ndryshme; nëpërmjet placentës dhe kulloshtrës.
Po sqaroj pak se ç’farë janë këto “antitrupa”: Antitrupat janë proteina të vogla që krijohen nga disa qeliza të caktuara (të quajtur qelizat B) për të luftuar sëmundje të ndryshme si bakteriet dhe viruset.
Mosha se kur një këlysh duhet të vaksinohet ka të bëjë më nivelin e antitrupave të marra nga nëna që ndodhen tek këlyshi në momentin e vaksinimit.
Nëse ky nivel (niveli antitrupave) është i lartë në gjakun e këlyshit, atëhere antitrupat që merren nga vaksina do të bllokohen duke e bërë vaksinën të pavlefshme.
Kur antirupat e marra nga nëna fillojnë dhe pësojnë një rënie atëhere është momenti i përshtatshëm për të kryer vaksinat e nevojshme tek këta këlyshë.
Periudha se kur është koha ideale për të kryer vaksinat nuk mund ta them me siguri pasi është e ndryshme për këlyshe të ndryshëm.
Duke u kthyer tek virusi i Parvos bazuar në një studim të bërë për të gjetur kohën e përshtatshme të vaksinimit si dhe sa vaksina duhet të aplikohen, u arrit në këtë konkluzion: Në moshën 6 javore vetëm 25 % e këlyshëve mundën të imunizoheshin. Në moshën 9 javore 40 % e këlyshëve ishin të aftë ti përgjigjeshin pozitivisht vaksinës dhe të quhen të mbrojtur nga virusi. Numëri u rrit në 60% rreth moshës 16 javëshe dhe në moshën 18 javëshe studimi tregoi se 95% e këlyshëve ishin te imunizuar.
Për të interesuarit spjegoj se këto shifra kanë dalë në bazë të nivelit të antitrupave të gjetur në gjak tek këlyshët e vaksinuar.

Fakti tjetër që do të zgjatem pak më shumë ka të bëjë me intervalin midis vaksinimit.
Një vaksinë nuk fillon dhe mbron menjëherë pas administrimit të saj. Zakonisht ka nevojë për disa ditë apo 1 javë apo më shumë që trupi i kafshës të përgjigjet ndaj vaksinës. Për disa vaksina psh vaksina a Leptospirosis, sistemit imun i duhen 2-3 javë kohë pasi kanë marrë vaksinën e dytë, që të ketë antitrupat e nevojshëm. Kini parasysh se një këlysh megjithëse i është dhënë vaksina e parvos mund të marrë lehtësisht virusin nëse bie ne kontakt me të javën e parë ta vaksinimit.
Po ashtu dua të theksoj se mund të sëmuren dhe këlyshët që kanë qënë në kontakt me virusin e Parvos para se t’ju jetë dhënë vaksina përkatëse (te kemi parasysh se shënjat e Parvos duhet disa ditë që të shfaqen).
Disa vaksina mund të ruajnë kafshën përgjithmonë e disa vaksina të tjera kanë nevojë të përsëriten pas një kohe të caktuar.
Studimet kanë treguar se intervali më i saktë mes 2 vaksinave të nëjta është për një periudhë 2-4 javore deri në plotësimin e skemës së vaksinimit të përdorur nga Veterineri juaj.

Lloje të ndryshme bakteriesh apo virusi.
Vaksinat janë të specifikuara kundrejt një lloji virusi apo bakterie që shkakton sëmundjet. Një vaksinë e cila është prodhuar për një lloj virusi mund të mos mbrojë për llojin tjetër megjithëse bëhet fjalë për të njëjtën sëmundje. Si shembull po sjellim vaksinën e Leptospirosis; disa vaksina mbrojnë vetëm 2 tipe bakteriesh e disa të tjera mbrojnë kundër 4 tipeve të ndryshme bakteriesh.

Dëmtimi i vaksinës
Vaksinat kanë kërkesa të caktuara përsa i përket ambalazhimit, temperaturave se ku mund të mbahen si dhe mënyrës së administrimit. Psh disa vaksina përmbajnë shtame të gjalla të modifikuara të një virusi të caktuar. Nëse këto vaksina nuk mbahen sipas rregullave atëhere kjo vaksinë mund të bëhet inaktive dhe të mos japë rezulatatin e kërkur. Ka vaksina që janë shumë të ndjeshme ndaj rreze ultraviolet dhe në ato raste kur lihen për një pierudhë të gjatë nën ekspozimin e rrezeve të djellit, apo kur përzjehen dhe nuk përdoren për një kohë të gjatë këto vaksina humbasin efektivitetin e tyre.

Keqadministrimi
Vaksinat kanë një rrugë të caktuar sesi duhet të administrohen tek kafshët (apo dhe tek njerëzit). Ka vaksina që duhen bërë nënlëkurë (subkutanus), ka vaksina qe bëhen në muskuj (intramuskulare), ka vaksina nga goja dhe ka vaksina nga vrimat e hundës. Nëse një vaksinë është administruar ndryshe nga sa është përshkruar në fletën shoqëruese, atëherë këto vaksina humbasin efektivitetin e tyre.

Doza e vaksinës
C’do vaksinë ka një dozë të caktuar. Nëse për një arsye apo tjetër tek kafsha nuk kemi aplikuar dozën e kërkuar atëhere vaksina mund të mos arrije të ndërtojë antitrupat e duhur në sistemin imun.
Doza e vaksinës duhet të jepet e gjitha njëherësh në momentin e dhënies së vaksinës (në asnjë mënyrë të ndahet në porcione). Zakonisht vaksinat nuk janë ndërtuar në mënyrë të tillë që doza e vaksinës të ndryshojë në varësi të peshës trupore të kafshës me përjashtime të rralla psh vaksinat që ju jepen koteleve nga hunda.

Interferimi në hapësirën kohore të dhënies së vaksinës.
Nëse periudha e dhënies së vaksinave është shumë e shkurtër (psh vaksina e parë nga vaksina e dytë) atëhere mund të kemi interferim mes tyre. Sugjerohet se nëse kafshës i jepet më shumë se 1 vaksinë me tipe të ndryshme atëhere është më mirë nëse këto vaksina i japin në të njëjtën kohë dhe jo pas disa ditësh.

Gjenetika
Me sa dimë disa rraca janë më të predispozuara të preken nga sëmundje të caktuara. Psh rracat Doberman dhe Rottëeiler duket se preken më lehtësisht nga Parvoviroza dhe këto rraca mund të kenë nevojë për një skemë të ndryshme vaksinimi nga skema që përdorim për rracat e tjera.

Deficiti imun (Immunosuppression)
Që të përfitojë mbrojtje nga vaksina duhet që sistemi imun i kafshës të stimulohet nga virusi që futet në trup me anën e vaksinës. Nëse sistemi imun i trupit të kafshës nuk funksionon sic duhet (arsye të ndryshme) vaksina nuk do të ndërtojë një sistem imun të aftë që të mbrohet kundër sëmundjeve për të cilat është vaksinuar.

Sëmundjet në proces
Eshtë parë se tek qeni, temperatura e lartë pengon sistemin imunitar të përgjigjet ndaj vaksinës se Lise. Disa sëmundje virale, gjithashtu mund të ulin sistemin imun të përgjgijet në mënyrën e duhur ndaj vaksinave të ndryshme. Edhe stresi është një faktor që ndikon në uljen e përgjigjes të sistemit imun.

Difiçiti ushqimor
Kafshët të cilat janë të kequshqyera, të sëmura, mund të mos përgjigjen ndaj imunizimit të kryer me anën e vaksinës. Dietë ushqimore e varfër do të çojë në mungesë të Vitaminave A, Vitaminës E, dhe mungesë selenium. Kufizimi i kalorive dhe proteinave mund të çojë në mos përgjigjen gjithashtu të sistemit imun.

Përfundim.
Pasi kemi parë gjithë këto faktorë dhe rëndësinë e tyre ndaj vaksinimit të kafshëve, atëhere e kuptojmë përse janë aq shumë skema të ndryshme vaksinimi. E kuptojmë përse është e rëndësishme t’ja lemë Mjekut Veteriner që të vendosë skemën e vaksinimit dhe të ndjekim këshillat e tij/saj.
Duke ju rikthyer rastit tuaj është e pamundur të tregojmë se “kush e ka fajin” për qenushin që megjithëse i vaksinuar sërisht u prek nga parvoviroza. Kryesorja është që qeni të shërohet sërisht dhe gjithcka të kthehet në normalitet.
Një pikë tjetër që dua të theksoj ështe se asnjë vaksinë nuk ofron mbrojte 100 %

Përgatiti për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare Dr Atalvin Zhiva
Ju lutemi në rastin e ripublikimit të këtij materiali të përmendet linku përkatës dhe autori i shkrimit.