Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për dashamirësit dhe pronarët » TELEGRAF » Legjenda dhe rëndesia e kosit!

Legjenda dhe rëndesia e kosit!

Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare:

-Pak nga historia e kosit:

Origjina e kosit është e hershme dhe është e përmendur edhe në Bibël, e përshkruar nga Aristoteli, Ksenofoni, Herodoti dhe Plini.

Zbulimet e fundit arkeologjike kanë treguar se qumështi i thartuar është përdorur që nga kohërat parahistorike nga ana e popujve të lashtë lindorë nomadë, të cilët në atë kohë e grumbullonin qumështin e lopës, deles, dhisë, kuajve etj në shishet/torbat e bëra nga lëkura, ose nga stomaku i këtyre kafshëve.

Kushtet e mjedisit dhe ndotja e qumështit nga mikroorganizmat shkaktonte fermentimin e tij duke prodhuar kështu një produkt jo të rrezikshëm për shëndetin e njeriut që ishte kosi, fenomen ky i cili bëri të mundur ruajtjen e qumështit në formë të freskët për një kohë më të gjatë.

Legjenda që ka lindur në zbulimin e kosit, tregon se shpikësi i këtij ushqimi të shijshëm ishte sigurisht një bari, i cili duke harruar për disa kohë qumështin në një enë prej lëkure, kur u kthye nga kullota e gjeti atë në formë të trashur dhe me shije më të mirë. Pra ashtu si shumë raste të tjera mendohet se zbulimi i kosit ishte krejt rastësor, pasi qumështi i lënë në kushtet e ajrit me temperaturë 40 ° C, shndërrohet në mënyrë natyrale në kos nën veprimin e baktereve fermentuese dhe koaguluese laktike. Migrimet e mëvonshme të popullsive nga stepat e Evropës Lindore çoi në përhapjen e kosit në pellgun e Mesdheut. Më vonë, ekspeditat ushtarake të Fenikasve, Egjiptianëve, Grekëve dhe Romakëve e përhapën atë edhe në Perëndim. Edhe përdorimi i kosit në kuzhinë është i hershëm. Librat e parë arabë të recetave të gatimit e përshkruajnë përdorimin e tij për përgatitjen e pjatave të ndryshme, dhe madje edhe historitë e treguara në novelat “Njëmijë e një Netë”, thuhet se kosi përdorej në banketet e njerëzve të pasur, etj. Vetëm në fillim të viteve 1900, shkencëtarët arritën të studiojnë shkencërisht sekretet e kosit, sidomos në sajë të studimeve të drejtuara në florën bakteriale të zorrëve nga biologu rus Prof. Ilya Ilyich Metchnikov, studiues në Institutin Pastër në Paris. Sipas Metchnikov të ushqyerit normal të njeriut ” helmon me ngadalë trupin e tij, duke ulur rezistencën e trupit. Ky proces i helmimit ndodh më shpejt nëse njeriu ha shumë mish dhe bën lëvizje të vogla trupore”, prandaj ai shprehet me bindje se “ju mund të mbani zorrët të shëndetshme nëpërmjet një përdorimi të vazhdueshëm dhe të rregullt të kosit ose qumështit të thartuar “; duke argumentuar se; “një person i cili është ushqyer rregullisht me kos mund të jetojnë më shumë se 150 vjet”.

Rëndësia e kosit është vërtet e madhe. Por së bashku me këtë histori/legjendë të kosit, do të sjellim dhe disa fakte shkencore rreth rëndësisë së tij.

Kosi përmban dy nga përbërësit ushqimorë më të rëndësishëm për dietën tuaj, proteinat që i japin trupit fuqi dhe energji, dhe kalciumin që ndërton kockat tuaja. Nëse doni të vini trupin në formë dhe të humbisni kilet e tepërta apo nëse doni të forconi imunitetin tuaj kundër gripit, virozave apo të ftohtit, kosi është ilaçi i duhur! Ka qindra arsye pse kosi duhet të jetë konsistent në dietën tuaj, dhe ne po përmendim disa prej tyre si më posht:

Eliminon ato kilet e tepërta në bel:-Hani 500 g kos në ditë dhe bëhuni gati të blini pantallona apo xhinse të reja, një përmasë më të vogël kuptohet. Kosi është shumë i mirë për ata që mbajnë dietë. Sipas një studimi amerikan ata të cilët hanin 500 g në ditë gjatë dietës së tyre humbnin 22% më shumë peshë dhe 81% më shumë dhjam në bark se ata të cilët nuk e konsumonin kosin gjatë dietës së tyre. Dhjami rreth belit prodhon hormonin kortizol i cili i “thotë” trupit të shtojë më shumë dhjam. Kur hani kos, kalciumi drejton qelizat dhjamore të prodhojnë më pak kortizol, që ju nidhmon të humbisni peshë, ndërsa amino acidet në kos ju ndihmojnë të tresni qelizat dhjamore.

Kosi përmban baktere të mira:-Bakteret e mira të kosit janë baktere të cilat jetojnë në aparatin tuaj tretës dhe ndihmojnë zhdukjen e mikroorganizmave të këqija që mund të shkaktojnë infeksione. Për këtë arsye kosi ndihmon dhe në tretjen e ushqimit. Kosi është perfekt për ata që vuajnë nga fryrja.

Kosi është plot me vitamina:-Në një paketim të thjeshtë do të gjeni vitaminat dhe mineralet e shëndetshme për njeriun si potasium, fosfor, jod, zink, riboflavin, vitaminë B5, B12, etj. Vitamina B12 sidomos është shumë e rëndësishme për dietën tuaj, dhe është një vitaminë që gjehet zakonisht në mishin e pulës ose të peshkut. Vegjetarianët mund të marrin këtë suplement që u mungon tek kosi. Vitamina B12 është e rëndësishme pasi mban nivelin e duhur të qelizave të kuqe të gjakut dhe ndihmon në funksionimin normal të sistemit nervor.

Ushqim perfekt pas palestrës:-Kur stërviteni, humbisni energjinë e ruajtur në muskuj, prandaj dhe pas stërvitjes ju duhet të zëvëndësoni energjinë e humbur duke marrë proteinat e duhura të rëndësishme për të rifuqizuar muskujt. Kosi ndihmon edhe në thithjen e ujit nga aparati tretës duke ju ri-hidratuar më shumë pas djersitjes në palestër. Konsumoni një gotë kos dhe pini ujë brenda 60 minutash pas palestrës për të parë më shumë rezultate!

Kalcium:-Kosi është i pasur në kalcium dhe kalciumi është përbërësi kryesor ushqimor për të pasur kocka të shëndetshme. Për këtë arsye kosi është i rëndësishëm dhe për fëmijët kockat e të cilëve janë duke u formuar, por edhe për të rriturit dhe moshuarit të cilët duhet të kujdesen më shumë që të kenë dhe t’i mirëmbajnë kockat e shëndetshme. Shumica e njerëzve nuk e dinë që kosi i thjeshtë është më i pasur në kalcium se kosi me fruta që mund të gjeni në supermarkete. Konsumoni kosin natyral dhe shtoni fruta të freskëta vetë.

Rregullon tensionin:-70% e njerëzve konsumojnë dy herë më shumë kripë seç është e rekomandueshme. Kripa sado që i shton shije, kur e tejkalon masën ndikon negativisht në sëmundjet e veshkave dhe zemrës. Potasiumi i kosit pastron trupin nga sodiumi apo kripa e tepërt. Sipas një studimi amerikan, të rriturit të cilët hanin një apo dy porcione kos me pak yndyrë në ditë, ulnin rrezikshmërinë e sëmundjeve të tensionit në 54%.

Një gotë kos në darkë, dhe nuk do e shihni doktorin për një kohë të gjatë:-Kur fillon sezoni i gripeve dhe të ftohtit, kosi është ilaç preventiv për të parandaluar. Këto sëmundje “të bezdisshme” që na përndjekin çdo vjeshtë e dimër. Sipas një studimi të Universitetit të Vienës, gratë që hanin një gotë kos çdo ditë i kishin qelizat T më aktive dhe më të forta, të cilat nëse mbani mend nga biologjia, luftojnë infeksionet, dhe janë shenjë e një imuniteti të fortë. Bakteret e shëndetshme në kos sinjalizojnë qelizat trupore të përgjegjshme për imunitetin, të luftojnë infeksionet. Kosi është perfekt edhe për ata të cilët vuajnë nga imuniteti i dobët.

Kosi ju shton buzëqeshjet:-Ja një fakt tjetër që shumica prej jush nuk e dinë: kosi është i mirë dhe për një buzëqeshje të bukur. Pavarësisht përbërjes së sheqerit në kos, ai nuk shkakton kavitete në dhëmbë. Acidi laktik në kos ndihmon në mbrojtjen e mishrave të dhëmbëve. Kosi në dietën tuaj ndihmon në luftimin e problemeve të ndryshme me dhëmbët, një arsye tjetër për të buzëqeshur më shumë pas një vakti.

Kosi i pasterizuar është i shëndetshëm:-Pasterizimi nuk dëmton probiotikët apo bakteret e shëndetshme në kos. Procesi i pasterizimit të qumështit shkatërron vetëm patogjenët. Është testuar se bulmeti që vjen nga qumësht i pa pasterizuar nuk ka më shumë baktere të mira, dhe për më tepër bulmeti i pa pasterizuar mund të shkaktojë sëmundje. Prandaj është e rëndësishme të blini kosin e paketuar, i cili ka kaluar procesin e kujdesshëm të pasterizimit (për të marrë vetëm ato bakteret e mira të kosit që i duhen trupit dhe shmangur patogjenet).

Kosi është i pasur në proteina:-Proteinat janë përbërësi kryesor në trup që merret me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e trupit dhe të gjitha funksioneve metabolike. Kosi është i pasur në proteina, dhe një mënyrë e shëndetshme për të marrë proteinat që ju duhen.

Mos harroni të shtoni llojin e kosit tuaj të preferuar, të trashë apo të lëngshëm, në gotë apo në shishe, pa yndyrë apo me pak yndyrë tek lista e produkteve tona.

Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Këtë e pëlqejnë %d blogues: