Virusi i Nilit perëndimor është një antar i kompleksit antigjenik të encefalitit Japonez i gjinisë Flavivirus të familjes Flaviviridae (Z. Hubalek and bp 1999).
Virusi për herë të parë është izoluar nga gjaku i një gruaje me ethe në Distriktin e Nilit perëndimor në Uganda në vitin 1937 (Smithburn and bp 1940) dhe më pastaj është izoluar nga pacientë, zogj dhe mushkonja në Egjypt në fillim të viteve 1950. Më vonë ai është evidentuar dhe në shumë vënde të tjera të botës. Në vendin tonë për herë të parë ai është evidentuar serologjikisht në vitin 1958 (Z.Hubalek and bp1999), nga studjues Çekë me testin e seroneutralizimit. Që nga ai vit, në vendin tonë, nuk është kryer më asnjë studim as në njerëz dhe për më tepër në kafshë si rezervuarë të tij. Kohët e fundit, edhe si pasojë e ngrohjes globale, ky infeksion po përhapet gjithnjë e më tepër në vënde të ndryshme të botës. Tashmë së fundmi ai është evidentuar në fqinjin tonë Greqi, Itali, Rumani dhe në shtete të tjera si Amerike, ai ka filluar të bëhet mjaft aktiv duke shkaktuar dhjetra të vdekur. Prezenca në vëndet fqinje, me përhapje në kafshë dhe infeksion në njerëz përbën një rrezik potencial për rifutjen e shtameve patogjenë dhe në vendin tonë.
Në vazhdim të qëllimit për të evidentuar prezencën ose mungesën e këtij infeksioni ne ndërmorëm studimin përkatës duke kontrolluar me serollogji serume kuajsh dhe shpendësh nga zonat e paraqitura më poshtë:
Nr. Rendor | Rrethi | Specia | Krere gjithsejt | Krerë analizuar | Pozitive | % Pozitivitetit |
1 | Tiranë | Kuaj |
78 |
78 |
4 |
5.1% |
2 | Librazhd | Kuaj |
8 |
8 |
1 |
12.5% |
3 | Kavajë | Kuaj |
35 |
35 |
10 |
28.5% |
4 | Tepelenë | Kuaj |
34 |
34 |
– |
– |
5 | Lushnjë | Kuaj |
47 |
47 |
22 |
46.8% |
6 | Fier | Kuaj |
25 |
25 |
11 |
44% |
6 | Gjirokastër | Kuaj |
22 |
22 |
– |
– |
7 | Lezhë | Kuaj |
40 |
40 |
5 |
12.5% |
8 | Shkodër | Kuaj |
10 |
10 |
– |
– |
9 | Ersekë | Kuaj |
10 |
10 |
– |
– |
10 | Durrës | Kuaj |
29 |
29 |
1 |
3.4% |
Totali |
338 |
338 |
54 |
15.9% |
Të dhënat e mësipërme janë rezultatet e para serollogjike që mbas vitit 1958 kur u studjua për herë të parë në vendin tonë prezenca e këtij infeksioni në njerëz.. Si paraqitet dhe më lartë, ndërsa zgjedhja e rretheve është bërë në mënyrë rutinore, zgjedhja e specieve të paraqitura nuk është e rastësishme. Këto specie janë rezervuarë të virusit dhe shërbejnë si burim për ushqimin e vektorit përkatës, ku nga këto specie , mushkonja vector-Culex pipiens, thithin jo vetëm gjakun por edhe virusin në të. Në të njëjtën kohë, në rastin kur vetë vektori është i infektuar dhe specia rezervuar jo i infektuar, mushkonja injekton tek bujtësi virusin e Nilit perëndimor.
Si paraqitet dhe në tabelat përkatëse, ne në kuaj kemi patur pozitivitet i cili është i ndryshëm në rrethe të ndryshme të vendit. Ky pozitivitet luhatet nga zero në rrethet e Ersekës, Gjirokastrës, Shkodrës, Tepelenës, deri në shifrat më të larta të tij të vrejtura në rrethin e Lushnjës me një pozitivitet maksimal deri 46.8% dhe pasohet nga Fieri me 44% e mandej Kavaja me 28.5%
Këto të dhëna mbi pozitivitetin në kafshë janë të parat që mbas 53 vjetësh. Prania e pozitivitetit flet se ky infeksion qarkullon në vendin tonë. Ay luhatet në përqindje të ndryshme në zona të ndryshme të vendit, por ajo që është e përbashkët për këto zona është se ato janë të gjitha në ultësirën e vendit tonë. Këto zona në përgjithësi janë zona me lagështi dhe me kushte të përshtatshme për mbijetesën dhe shtimin e vektorit përgjegjës për përhapjen e infeksionit. Në këto zona, prezenca e ujrave që qëndrojnë gjatë, moçaleve, kanaleve me ujë të pistë etj, janë kushte favorizuese për jetesën dhe shtimin e mushkonjave.
Krahas kësaj, në këto zona, temperatura mesatare vjetor, një tjetër faktor i rëndësishëm i mbijetesës së vektorit, është rreth 11º C në muajin e Dhjetor-Shkurtit ose dhe ndoshta më e lartë, tashmë në kuadrin e ngrohjes globale. Në zonat e tjera, kur kjo temperaturë mesatare është shumë e ulët në muajt Dhjetor-Shkurt, mundësia e mbijetesës së larvave të mushkonjave është e ulët dhe për pasojë niveli i mushkonjave në periudhën e pikut të aktivitetit të tyre tyre është e ulët. Kjo mendojmë ne pasqyrohet në rezultatin negative në serollogji. Nga ky rregull bën përjashtim rrethi i Librazhdit , i cili megjithëse njifet për një periudhë të ftoftë në muajt e dimrit, prapë se prapë kemi rezultat pozitiv. Mendojmë se lumi i Shkumbinit ndoshta ndikon pozitivisht në këtë temperaturë. Po kështu dhe prezenca e tij në zonën e Zall Bastarit Tiranë mbetet për tu vlerësuar më tej.
Si paraqitet nga tabela, edhe brënda kësaj zone ku shtrihen vatrat me pozitivitet, niveli i tyre nga njera zonë në tjetrën është e ndryshme. Kjo për mendimin tonë është e lidhur edhe me kushtet e ndryshme ambientale që ato ofrojnë për mbijetesën e vektorit. Përsa i përket shpendëve, nga kontrollet e bëra deri tani, ne nuk kemi vrejtur pozitivitet. Është për tu theksuar se verifikimi i këtij rezultati u bë në qendrën e referencës së OIE, për Nilin perëndimor, në Gjermani Instituti Friedrich Loefler (Prof. Martin GROSCHUP). Kontrollet e mëvonshme do të na japin natyrisht një pasqyrë edhe më të qartë. Për vazhdimësinë e këtij studimi ne kërkojmë dhe mbështetjen e biznesit veterinar, ku mbi bazëen e një projekti përkatës, transparent dhe gjithëpërfshirës të mundjësojmë zgjidhjen e disa momenteve epidemiologjike të rëndësishme për këtë infeksion.
Të dhënat e mësipërme flasin qartë për prezencën e këtij infeksioni në vendin tonë. Ajo që është për të ardhur keq është fakti, se vazhdimësia e këtij studimi nuk u mbështet me mjete financiare për njofjen e e situatës totale në vendin tonë. Gjithsesi në kuadër të një klime të ngrohtë që arrin deri në rreth 38 gradë dhe kur abudanca e transmetuesve të këtij virusi(mushkonjave ) në këtë periudhë është jashtëzakonisht e madhe dhe kur në shtetet tona fqinj ky infeksin po përhapet gjithnjë e më tepër, është detyrë e shërbimit veterinar dhe atij human që të mbajnë nën kontroll situatën e pidemiologjike në kafshë dhe në njerëz. Disa masa si këto që po përmëndim më poshte, ndikojnë disi në uljen e rrezikshmërisë, por jo totale të infektimit.
Kështu më së pari është domosdoshmeri që në afërsi të banesave të bëhet eliminimi i vëndeve të përshtatshme të mbajtjes dhe zhvillimit të mushkonjave specifike si: pellgjet me ujë, rrjedhjet e ujit nga rubinetat, gomat e vjetra të makinave etj, të cilat shërbejnë si vend zhvillimi i mushkonjave specifike (shif më lartë) për këtë infeksion. Kjo gjë duhet bërë me urgjencë me qëllim që të luftohet sa të jetë e mundur burimi i infeksionit e sidomo në kushtet klimatike të këtij viti. Po kështu theksojmë se eliminimi i gomave të vjetra të cilat janë gjithashtu vend ideal i qëndrimit dhe zhvillimit të mushkonjave, të cilat janë të shpërndara gjithandej dhe pa kriter, është domosdoshmëri. Masë tjetër e rëndësishme është që si njerzit dhe kafshët, në veçanti kuajt, të mos futen në vatrat natyrore të mushkonjave dhe sidomos në pikun e aktivitetit të këtyre transmetuesve. Megjithëse studimi i këtyre vatrave ende nuk është përcaktuar mirë mendoj se është detyrë e rendësishme imediate dhe parësore e shërbimit veterinar për ta bërë këtë gjë. Aktualisht vatra të tilla natyrore janë: vëndet e ulta bregdetare, në afërsi të pellgjeve me ujra të ndenjura, moçaleve, kanaleve vadites, lumenjve me rrjedhje të ngadaltë, apo zonava të veçanta të tyre etj.
Masë tjetër është përdorimi i mundshëm i insekticideve në orët e caktuara ku aktiviteti i këtyre mushkonjave është maksimal dhe sidomos në rastet kur është e domodoshme që të hyhet në vatrat natyrore të mushkonjave. Në këtë rast përdorimi i sprajeve antimushkonjë si për kafshët dhe për njerzit është një metodë mjaft efikase dhe rezultative.
Në çdo rast dyshimi për prezencën e këtij infeksioni është mirë që të drejtoheni menjëherë tek mjeku veteriner për të njohur statusin e kafshës së dyshuar e sidomos kuajt. Po kështu dhe njerzit, te cilët vrejnë shënja jo të zakonshme të statusit të tyre apo të afërmëve të tyre dhe sidomos kur banojnë në zonat afër rajoneve ku ai është evidentuar, duhet gjithashtu të drejtohen menjëherë tek mjeku përkatës me qëllim për ti paraprirë përhapjes së më tejshme të tij dhe rëndimit të sëmundjes në njerëz.
Për sqarime të mëtejshme, specialistët veterinare dhe jo vetem le të drejtohen tek Prof. Kristaq Bërxholi, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, ose telefononi në numurin e mëposhtëm.
Prof. Kristaq BËRXHOLI
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare
Tiranë
Tel: 067 27 777 58
Nuk lejohet publikimi i këtij materiali pa lejën e autorit ose të redaksisë të revistës “Mjekësia Veterinare Shqiptare”