Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Shpendët » Racat e pulave për mish

Racat e pulave për mish

-Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare-
Mbarështimi i pulave për mish:
-Këto raca karakterizohen me trup të madh, sa i përket gjerësisë dhe thellësisë, e sidomos muskulatura është e zhvilluar në pjesën e gjoksit, skeleti është i lehtë, kurse gjymtyrët e shkurtra.
Përfaqësuesit më të vjetër dhe më të rëndë të këtij grupi janë racat Aziatike të pulave, si: Langshan, Brahma, Koshin (Koshinshina) dhe raca Kornish.
Gjatë seleksionimit të këtyre racave rëndësi më e madhe i është kushtuar shtimit të masës trupore.
Këto raca dallohen me prodhimtari të ulët të vezëve dhe prodhojnë rreth 100-120 vezë brenda vitit.

(Në jeni të interesuar të mësoni rreth racave të pulave për vezë, klikoni këtu: Racat e pulave për vezë)
Zogjtë e këtyre racave kanë rritje të ngadalshme dhe ngadalë vishen me pupla. Janë raca të vonshme që në riprodhim hyjnë në moshën 8 muaj.
Relativisht pak e shfrytëzojnë kullosën, kështu që janë të varura nga ushqimi që e siguron njeriu gjegjësisht nga ushqimi i koncentruar.
Mishi i tyre karakterizohet me fibrile (pejza) të vrazhda dhe është pa aromë. Për arsye të faktorëve të përmendur këto raca rrallë përdoren si të pastra, por më së shumti përdoren për kryqëzim dhe fitimin e hibrideve me prodhimtari të lartë të mishit cilësor, brenda një kohe të shkurtër.
RACA LANGSHAN


Prejardhjen e ka nga Kina, prej nga është përhapur edhe në Evropë. Përmes kushteve të mira të mbajtjes dhe nën ndikimin sistematik të kultivimit janë krijuar 2 tipe të kësaj race:
• Tipi anglez,
dhe
• Tipi gjerman.
Tipi anglez është krijuar përmes kultivimit të kësaj race në gjak të pastër, kurse tipi gjerman është krijuar përmes kryqëzimit të kësaj race me Plimutrokun e zi, Minorkën e zezë dhe racën Viandot.
Të dy këto tipe janë më të rënda në krahasim me paraardhësin e tyre. Puplat e kësaj race mund të kenë disa lloje të ngjyrave, si: të bardhë, të zezë, të verdhë, laramane, etj.
Vetitë prodhuese – hyn në grupin e racave të rënda që pulat peshojnë 3-4 kg, kurse gjelat rreth 5 kg. Mesatarisht, brenda vitit arrin të prodhojë 100-120 kokrra vezë me masë mesatare rreth 68 g.
Langshani në krahasim me racat tjera të rënda është diç më i hershëm, karakterizohet me lartësi të madhe trupore që mund të arrijë deri 70 cm.
Koka e kësaj race është e vogël, gjoksi i gjerë dhe i thellë, kurse mishi i cilësisë së dobët.

RACA BRAHMA


Është krijuar në SHBA me kryqëzimin e racave, Kohinhina dhe Luftarakja e malajes. Ekzistojnë 2 tipe të kësaj race:
• Tipi me ngjyrë të çelur
dhe
• Tipi me ngjyrë të mbyllur.
Vetitë prodhuese – është racë tipike e rëndë dhe në këtë pikëpamje, në krahasim me racat tjera, renditet në vendin e parë.
Pulat e kësaj race peshojnë rreth 4-6 kg, kurse gjelat 5-7 kg. Mishi i tyre është i cilësisë së dobët dhe brenda vitit prodhojnë rreth 100 vezë me masë mesatare rreth 58 g. Zhvillimin trupor zogëzat e arrijnë në moshën 18 muaj, kurse lartësia maksimale trupore e kësaj race mund të arrijë 70-75 cm.

RACA KOSHIN (KOSHINSHINA)


Prejardhjen e ka nga Kina që mjaft vonë është sjellë në Evropë, kurse shumë më vonë në Amerikë. Varësisht nga ngjyra e puplave, dallojmë disa tipe të kësaj race:
• Tipi i zi,
• Tipi i verdhë
dhe
• Tipi fëllënzak.
Vetitë prodhuese – pulat e kësaj race peshojnë 4-5 kg, kurse gjelat mbi 5 kg. Karakterizohet me skelet të vrazhdë, në ç’mënyrë edhe e zvogëlon sasinë e mishit i cili është me cilësi të dobët dhe jo aromatik. Prodhon 100-120 vezë brenda vitit me masë 50-55 g.
Hyn në grupin e racave të vonshme sepse zogëzat e mbarojnë zhvillimin trupor deri në moshën 18 muaj. Trupin e kanë të mbuluar me sasi të madhe të puplave të cilat vështirë hetohen (janë mirë të mbështetura – palosura për trup).

RACA KORNISH


Prejardhjen e ka nga Luftarakja indiane e kryqëzuar në Angli. Kjo racë në fillim është kultivuar për qëllime sportive, kurse më vonë është krijuar tipi i Kornishit me rëndësi të madhe për prodhimtarinë bashkëkohore të mishit. Në bazë të ngjyrës së puplave ekzistojnë disa tipe të Kornishit, por më i përhapuri është tipi i bardhë.
Vetitë prodhuese – pulat e kësaj race peshojnë 3,5-4,0 kg, kurse gjelat 4,5-5,0 kg.
Brenda vitit prodhojnë 100-150 kokrra vezë me masë mesatare 60-65 g. Për dallim nga racat tjera mishatake, kornishi dallohet me mish të cilësisë më të lartë, që për këtë arsye mjaft shfrytëzohet për kryqëzim me racat tjera për fitimin e hibrideve për majmëri.

Përgatiti Mjekësia Veterinare Shqiptare
Burimi informacionit: Blegtori e Veçantë 2013

Këtë e pëlqejnë %d blogues: