Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Zoonozat » Listeriosis-Listerioza në kafshë dhe në njerëz

Listeriosis-Listerioza në kafshë dhe në njerëz

Listerioza është një infeksion që prek njeriun, kafshët, zogjtë dhe peshqit.
Eshtë një sëmundje zoonotike e shkaktuar nga Listeria monocytogenes.
Listerioza-Listeriosis, është një sëmundje e rëndësishme infektive e deleve dhe e dhive që shkakton më së shpeshti encefalit, por gjithashtu mund të shkaktojë dhe infeksione në gjak si dhe aborte.

Listerioza shkaktohet nga bakteri Listeria monocytogenes dhe zakonisht haset në zonat me klimë të freskët. Këto baktere mund të gjenden në tokë, në burimet ushqimore, madje edhe në feçet e kafshëve të shëndetshme. Ka raste që kjo sëmundje e deleve dhe dhive, vërehet si pasojë e ushqyerjes me kashtë ose silazh të mykur ose të prishur. Gjithashtu ka mundësi që delet dhe dhitë mund të infektohen edhe pa ushqyer sanë ose silazh të mykur ose të prishur pasi bakteri gjendet dhe jeton dhe në ambjentet e stallave apo enëve (koritave) të ushqimit.

Faktorët:

  • Bakteret janë shumë rezistence dhe rezistojnë për një kohë të gjatë në tokë
  • Silazhi i pa fermentuar (jo acidifikuar) siç duhet, i vendosur shumë i thatë ose jo i ngjeshur siç duhet që të mund të krijojë izolim nga ajri
  • Dengjet e kashtës (rrumbullakta ose katrore) që kanë filluar të kalben
  • Enët e ushqimit (koritat) që nuk pastrohen rregullisht dhe në të cilat mund të grumbullohen dhe fermentohen mbetje të ushqimit të lagësht dhe feçe (jashtëqitje)
  • Mbeturinat drusore të kalbura (në kalbje) të enëve (koritave) të ushqimit
  • Plehu
  • Rrjedhje nga sytë, dhe hundës së kafshëve të infektuara apo dhe mbetje qumështi dhe urine ——-Ndotja mjedisore dhe ndotja nga fekale janë burimet më të zakonshme të sëmundjes tek delet dhe dhitë, më shumë sesa perhapja e sëmundes nga silazhi sepse shumica e tyre nuk ushqehen

Specialistët rekomandojnë të mos përdoret silazh për tufat e vogla të deleve dhe kopetë e dhive, pasi ushqimet do të prishen përpara se të konsumohen dhe mund të rezultojnë infeksione të mundshme nga Listerioza.
Simptomat
Simptomat e Listeriozës përfshijnë: humbjen e oreksit, temperaturë, mungesë e koordinimit (humbje balance), rrjedhje jargësh, paralizë e fytyrës dhe rreth rrotullimin.
Sëmundja haset më shpesh tek kafshët 1 deri në 3 vjeç sesa tek kafshët më të vjetra.
Forma e abortit të Listerozës zakonisht nuk shfaq simptoma të tjera dhe mund të diagnostikohet vetëm me analizë laboratorike.
Fillimi i formës encefalitike është zakonisht shumë i shpejtë dhe shkakton vdekjen në 24 deri në 48 orë pas shfaqjes së simptomave. Simptomat përfshijnë rrotullim në të njëjtin drejtim, temperaturë të lartë, mungesë oreksi, skuqje të indeve rreth syve, zakonisht kalon në verbëri dhe depresion.
Kafshët e prekura mund të kenë një vesh të varur, qepallë të rënë dhe pështymë që rrjedh nga buzët e paralizuara në njërën anë të fytyrës të shkaktuar nga një paralizë e pjesëshme.
Kur është afër vdekjes, kafsha do të shtrihet dhe mund të ketë dridhje të muskujve. Diagnoza mund të konfirmohet vetëm në një laborator diagnostik, por izolimi dhe marrja e kampioneve mund të jetë i vështirë.


Prognoza
Kafshët që shërohen janë të rralla, por është e mundur me trajtimin e hershëm dhë në mënyrë agresive me antibiotikë si dhe kujdesin mbështetës të kafshëve të prekura.
Nuk ka trajtime dhe kafsha e perkur zakonisht ngordh pas infektimit. Doza të mëdha të Oksitetraciklinës ose Benzilpencilinës mund të ndihmojnë në disa raste.
Këshilla jonë:
Disa nga hapat për parandalimin ose për të minimizuar rreziqet shoqëruese:
Karantinimi-Gjithmonë, sa herë që fusni kafshë të reja në tufë, të kihet parasysh dhe të konsiderohen si të dyshimta dhe bartëse të sëmundje të ndryshme .
Kafshët e dyshuara apo të infektuara duhet të izolohen nga pjesa tjetër e tufës.
Enët e ushqimit, dyshemeja, enët e ujit, kasollja, etj, duhet të pastrohen dhe dezinfektohen tërësisht.
Nëse vihet re se preken disa kafshë që ushqehen me silazh ose dëngje të kashtës, përdorimi i tyre duhet të ndërpritet derisa të vërtetohen dhe përjashtohen si burim kontaminimi.
Listerioza është një sëmundje që duhet raportuar tek organet kompetente gjithmonë nëse vërtetohet apo dyshohet prezenca e saj.

Po në njerëz?

Çdo vit, në mbarë botën, vdesin qindra njerëz si pasojë e një bakteri specifik që quhet Listeria. Listeria është një lloj bakteri, emri i plotë i të cilit është Listeria monocytogenes dhe shkakton një infeksion që quhet listerioza. Ky infeksion shkaktohet pas konsumit të ushqimeve dhe pijeve të ndotura. Listeria nuk është aq e përhapur sa salmonella që është një tjetër virus vdekjeprurës, megjithatë nuk duhet neglizhuar sepse në 25% të rasteve të infeksioneve janë fatale.
Infeksioni në fjalë është më i rrezikshëm tek të rriturit pas një moshe të caktuar, ata me imunitet të dobët dhe veçanërisht tek gratë shtatzëna sepse mund të nxisë abort. Në rastin e grave shtatzëna, simptomat e infeksionit janë të njëjta me gripin por bakteri kalon placentën duke shkaktuar deformime të fetusit ose humbje të tij. Ky bakter gjendet kudo rreth nesh, në tokë, ujë dhe shumë produkte ushqimore si ato të mishit, qumështi i shtazëve apo nënprodukteve të tij. Në të shkuarën, ky bakter është përhapur nëpërmjet perimeve të ngrira dhe sallatave të paketuara.
Ky bakter lulëzon kryesisht në temperatura të ftohta ndërsa nxehtësia apo procesi i pasterizimit e eliminon atë plotësisht. Një aspekt i frikshëm i infeksionit me këtë bakter është se shfaqja e simptomave mund të kërkojë deri në 70 ditë. Këto simptoma janë: temperatura dhe ethet, dobësi fizike, të vjella, konfuzion dhe ngurtësim të qafës. Ato mund të zgjasin për disa javë. Lajmi i mirë? Infeksioni kurohet me antibiotikë por edhe me disa hapa parandalues.


Masat Parandaluese Që Mund Të Merrni Kundër Listerisë.
Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve rekomandon praktikën e higjenës së mirë, që do të thotë, shpëlarje e të gjithë frutave dhe perimave përpara përgatitjes ose konsumit, madje edhe nëse planifikoni t’i qëroni ato. Produkte si kastraveci apo pjepri duhen fërkuar me furçë dhe duhen tharë me letër kuzhine. Mishi i pagatuar duhet mbajtur larg ushqimeve të tjera, të gatuara ose jo dhe nëse një ushqim ka lëshuar lëngje në frigorifer duhet ta pastroni menjëherë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Mjekësia Veterinare Shqiptare, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Burimi informacionit: *Listeric infection in human and animals, *Listeria monocytogenes, a food-borne pathogen, *Listeria monocytogenes infection in sheep and goats, *AgroWeb