Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Punët pranverore në parkun e bletëve

Nga Fadil Kukleci

 

 

 

 

 

 

Me fillimin e muajit mars filloi edhe ngrohja e kohës, çelja e luleve të para diku më herët e diku më vonë varësisht nga pozita gjeografike e vendbanimit.

Pothuajse ne tërë literaturën është bërë traditë që të ceken punët kryesore që duhet kryer gjatë muajve kalendarik . Deri diku pajtohem me ketë se p.sh në muajin mars në të cilin ndodhemi tani, duhet bërë kontrolli kryesor pranveror duhet pastruar dyshemenë, siguruar sasi të mjaftueshme të ushqimit, kontrolluar prezencën apo mos prezencën e mëmës etj.

Sipas mendimit tim përveç këtyre veprimeve të përgjithshme çdo familje e bletës është një botë më vete dhe tek kur ta hapësh zgjoin e shef se si qëndron puna e saj dhe ajo të dikton se çka duhet ndërmarrësh. Se si duhet vepruar të dikton edhe tipi i zgjoit sepse nuk është veprimi i njëjtë si në tipin DB, LR apo në ndonjë tip tjetër, mu në këto veprime qëndron edhe dallimi në mes të këtyre tipave të zgjojeve . Pastaj nuk janë veprimet e njëjta te i njëjti tip zgjoi në të njëjtën kohë p.sh kur në zgjua kemi dy korniza me pjellë, tri apo katër korniza me pjellë, janë faktor që ndikojnë në punët që duhet ndërmarr.

Unë do të përpiqem qe sado pak të ju ndihmoj atyre që bletojnë në tipin e zgjojeve DB sepse gjatë punës sime në teren kam vërejt se një numër i konsiderueshëm i bletarëve tonë bletojnë në këtë tip zgjoji.

Një gjë gjithmonë duhet pas parasysh se kontrolli detal pranveror duhet bërë kur kemi një ditë me diell, pa erë dhe temperatura në hije të jetë mbi 15°C.

Qëllimi i këtij kontrollimi është që përveç pastrimit të dyshemesë të shikohet edhe gjendja momentale e familjes së bletës, sasia e ushqimit, prezenca apo mos prezenca e mëmës. Në raste të mos prezencës së mëmës pason menjëherë bashkimi i kësaj familje me një familje mesatarisht të fortë, jo me një familje të dobët apo të fortë. Bashkimi bëhet nëpërmes gazetës duke i bërë disa vrima në gazet me pirun për zhveshjen e mjaltit ku pastaj mbi te vendoset familja pa mëmë. Pas tri katër ditëve intervenohet në radhitjen e kornizave në zgjua. Gjatë këtij kontrollimi përcaktohet edhe gjendja shëndetësore e familjes, mënjanohen kornizat e vjetra , zgjojet e dëmtuara etj.

Sot në përdorim kemi zgjoje DB 10 dhe 12 kornizëshe. Bletarët të cilët bletojnë në zgjojet DB tentojnë që bletët prodhuese në dimër ti fusin mesatarisht në 10 korniza mizë , ndërsa rrëshemat në 7 – 8 korniza mizë. Është rregull që gjatë kontrollimit të parë kornizat e vjetra dhe ato të dëmtuara e që janë pa mjaltë të mënjanohen dhe të shkrihen, ndërsa ato me mjaltë të shtyhen anash . Këto korniza është mirë të zëvendësohen me korniza të reja por me qeliza (hoje) të bëra vitin e kaluar por nga të cilat nuk ka dal pjellë.

Vendvendosja e këtyre kornizave është me rëndësi të madhe sepse edhe për vendosjen e tyre të dikton vetë familja. Nëse familja është me dy korniza pjellë në asnjë mënyrë nuk duhet ndarë pjellën, por edhe nuk duhet larguar mjaltin nga pjella, çka do të thotë se tani vije korniza e re pas kornizave të mjaltit. Nëse hasim në zgjua me 4 korniza pjellë atëherë lirisht mund ta fusim një kornizë në mes të pjellës sepse kur familja ka 4 korniza pjellë ajo së pakut ka 6 – 7 korniza mizë çka do të thotë se ka miza të mjaftueshme për ta mbuluar këtë kornizë pa e rrezikuar pjellën.

Gjatë këtij kontrolli mund të hasim në familje me dy apo tri korniza pjellë, por pjella të jetë në gjysmën e përparme të kornizave ndërsa në gjysmën e pasme të ketë mjaltë .

Si duhet vepruar në raste të tilla?.

Nëse kemi raste me vetëm dy korniza pjellë në asnjë mënyrë nuk bën që t’ia ndërrojmë pozitën vetëm njërës kornizë sepse rrezikohet pjella mirëpo në këtë rast u ndërrohet pozicioni të dyjave dhe me kujdes tani gërvishtim pak mjaltin në anën e përparme duke pas kujdes që të mos shkaktojmë grabitje . Në raste të tilla bletët menjëherë fillojnë ta zhvendosin këtë mjaltë dhe ti lirojnë hapësirë mëmës për të lëshuar ve në to.

Nëse hasim në familje me tri korniza pjellë në pjesën e përparme por pjella e tejkalon gjysmën e përparme atëherë kornizën e mesit mund ta rrotullojmë për 180° sepse në këtë rast nuk vije deri te shkëputja e kontinuitetit të pjellës dhe mizave. Edhe këtu kornizës së mesit me kujdes i gërvishtet mjalti të cilin bletët menjëherë do ta zhvendosin dhe mëma do ta mbushë me vezë menjëherë.

Gjatë këtij kontrolli mund të hasim në raste ku kornizat me mjaltë nuk janë në kontakt me pjellën por janë më larg, në raste të tilla duhet ofruar mjaltin afër pjellës, po ashtu mund të hasim në teprica ushqimi, në këto raste tepricat i marrim dhe ua japim atyre familjeve qe kanë nevojë për ushqim.

Është me rëndësi të veçantë që të gjitha veprimet e ndërmarra të shënohen në ditarin e bletarit me qëllim qe gjatë intervenimit vijues ta ketë të qartë se çka ka vepruar më parë në të dhe në çfarë gjendje ka qenë familja e bletës.

Botimi i këtij shkrimi nuk është i lejuar pa pëlqimin e autorit.

Autori: Fadil Kukleci

Bletar profesionist

Kosovë

Prishtinë

13.03.2017

 

 

Advertisements
Këtë e pëlqejnë %d blogues: