Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Stomatiti në lloje të ndryshme kafshësh

C’farë do të thotë stomatitis?

Stomatitis= Stomatiti = do të thotë pezmatim i cipës të mukozave të gojës ku përfshihen mukoza e buzëve, gjuhës (glossitis), faqeve, e mishit të dhëmbëve (gingivitis) dhe qiellzës (palatitis) nga shkaktarë të ndryshëm.

stomatit necrotik tek dhia kale me stomatitis vesicular nekrobacilosis tek dhente stomatit visiculosa gjeth stomatitis papulosa

Stomatitin e kemi disa lloje, duke filluar nga ai i thjeshti, katarral (stomatitis catarrhalis), vezikular (stomatitis vesiculosa), stomatiti papular (stomatitis papulosa), stomatiti nekrobacilar (stomatitis necrobacilaris s. gangrenosa), nekrotik, mykotik, si dhe një formë ndonëse e rrallë, stomatiti parazitar i shkaktuar nga ushunjëzat. Ushunjëzat merren nga kafshët kur pijnë ujë të ndenjur ose në vija uji me rrjedhje të ngadaltë. Nga stomatiti preken pothuajse të gjitha llojet e kafshëve, por më shpesh vërehet tek gjedhët, qengjat, kecat, qentë dhe derrat.

Shkaqet e stomatitit

Parësore janë mekanike, fizike, kimike, ndërsa ato me natyrë dytësore nga sëmundjet e ndryshme. Në shkaqet mekanike mund të përmenden ushqimet e forta, me majë të mprehta, e me gjemba, trupat e huaj metalikë dhe copat e xhamave që merren bashkë me ushqimet, bolushedhësat, gojëhapset (kur nuk manipulohen mirë), freri te kali, anomalitë e dhëmbëve, etj.

Në shkaqet fizike që mund të shkaktojnë stomatit futen përdorimi i ushqimeve të nxehta (në derra), ushqimet e ngrira në dimër, pirja e qumështit të nxehtë në kovë te viçat, etj.

Midis faktorëve kimikë, që shkaktojnë stomatit, janë barnat që jepen në koncentracion të lartë si kloral hidrati, komponimet e fenolit, substancat irituese që jepen gabimisht nga goja si acide, baza, etj.

Stomatiti mund të shfaqet në të vegjlit edhe nga pomadat e ndryshme që përdoren për mjekimin e mastiteve te kafshët nëna. Edhe helmimet nga zhiva, arseniku, plumbi, mund të shkaktojnë stomatit. Madje në disa raste stomatitet (helmimet nga zhiva) kalojnë edhe në ulçeracione dhe rënie të dhëmbëve. Stomatiti shkaktohet edhe nga helmimet nga furazolidoni dhe disa myqe. Stomatiti me natyrë dytësore vërehet gjatë aftës epizootike, nekrobacilozës së gojës, murtajës së gjedhit, gjuhës blu në dele, ethes katarrale malinje, sëmundjen e mukozave në gjedhë, etj.

Shënjat klinike

Kafsha e sëmurë ka pakësim të oreksit dhe çrregullim të përtypjes. Ajo përtypet me kujdes dhe ka dhimbje, madje në kafshët ripërtypëse edhe ripërtypja mund të jetë e ngadalësuar, e dhimbshme dhe në raste të rënda nuk kryhet fare. Nga goja ka rrjedhje jargësh. Në kontrollin e kavitetit të gojës, cipa mukoze është e skuqur, e ënjtur dhe epiteli i deskuamuar. Stomatiti katarral shfaqet me skuqje dhe ënjtje të cipës mukoze të gojës. Stomatiti vezikular dallon për formimin e fshikëzave (vezikulave) në vende të ndryshme të gojës, në pjesën e brendshme të buzëve, në gjuhë, qiellzën e fortë, etj. Stmatiti papular ka shfaqjen e papulave në buzë e gojë. Në stomatitin nekrobacilar në qengja e keca, vërehet ënjtje e buzëve, vatra nekrotike dhe formacione si lulelakër me ngjyrë të errët.

Vatra nekrotike me ngjyrë gri në të bardhë vërehen edhe në mishin e dhëmbëve prerës dhe në majën e gjuhës. Qengjat e kecat nuk hanë mirë, dobësohen dhe te ata mund të shfaqet si ndërlikim dhe gastroenterit, madje shume i forte.

Në stomatitin parazitar nga ushunjëzat, nga goja e kafshës ka rrjedhje jargësh të përziera me fije gjaku. Ushunjëzat fiksohen në pjesën e brendshme të buzëve, në gjuhë, madje dhe në faring. Në rastin e fundit nga thithja e gjakut ushunjëzat zmadhohen dhe te kafsha vërehet frymëmarrje e vështirësuar dhe me gërhitje.

Vendosja e diagnozës

Vendoset duke u bazuar në të dhënat e anamnezës dhe shenjat klinike.

Gjatë përcaktimit të diagnozës së pari duhet të përjashtohen sëmundjet infektive ngjitëse.

Mjekimi dhe masat parandaluese

Eshtë shumë e rëndësishme që të gjendet shkaku primar që shkakton stomatitin. Po ashtu diferencimi dhe diagnostikimi i llojit të stomatitit, ka një rëndësi në vazhdimësine e trajtimit.

Kafsha e sëmurë veçohet nga kafshët e shëndosha dhe vendoset në vend të qetë dhe të pastër, derisa të sqarohet origjina e stomatitit. Largohet shkaku, kur është e mundur dhe kafshës i jepet ushqim i freskët, i gjelbër, ushqime të lëngshme, qenve supë, mbeturina të qumështit, etj. Uji për të pirë i jepet pa kufizim dhe gjithmonë i freskët.

Format e lehta të stomatitit në përgjithësi shërohen vetë pa ndihmën e ndonjë mjekimi. Kur është e nevojshme të ndërhyhet me mjekim, në format e lehta mukoza e gojës shpëlahet me tretësirë 2 % klorur natriumi, 2 % bikarbonat natriumi, tretësirë 0,01 – 0,05 % të permanganatit të kaliumit, 2 % acid borik, etj.

dele me stomatit nekrobacilarNë stomatitin nekrobacilar, në fillim përdoren mjete zbutëse për pjesët e nekrotizuara, pastaj me një mjet të topitur rrëzohen pjesët e nekrotizuara, pa i gjakosur dhe mjekohen me blumetilen në formë spray. Në praktikën veterinare të vendit tonë është përdorur me sukses përzierja alkoolike e blu metilenit në ujë (alkool 70 o – 25 g, metilen blu 2 g dhe ujë 73 g).

Në stomatitin parazitar përdoret shplarja e gojës me tretësirë kripe. Kur ushunjëzat janë vendosur në faring, atëhere tretësira e kripës i jepet për ta pirë, duke ja hedhur me anën e një shisheje. Kjo bën që ushunjëzat të shkëputen. Kur mukoza është e dëmtuar rëndë mund të përdoren dhe antibiotikët e sulfamidet.

Burimi i informacionit: Shkëputur nga teksti mësimor: “Sëmundjet e brendshme te Kafshët Shtëpiake”


Na shkruani