Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Zoonozat » Bruçeloza

Bruçeloza

Nga Profesor Kristaq Bërxholi

Bruceloza transmetohet tek njeriu nëpërmjet kontaktit direkt ose indirekt nga dhentë dhe dhitë (Brucela melitensis), nga gjedhi (Brucela abortus) dhe derrat (Brucela suis).

Një prej formave më të mira të mbrojtjes ndaj brucelozës është vaksinimi.

Me poshtë po sjellim artikullin e përgatitur nga Profesor Kristaq BERXHOLI për gazetën “Panorama”.

Profesor Kristaqi shkruan:

Duke qenë se aktualisht jam ekspert i imunologjisë, profesor për Imunologjinë pranë FMV (Fakultetit të Mjekësisë Veterinare), mendoj të them disa fjalë lidhur me problemin që aq shumë diskutohet aktualisht. Ajo që desha të theksoja që në fillim, unë në këtë shkrim do të flas si imunolog, duke e shpjeguar thelbin e diskutimit të papajtueshëm midis mjaft specialistëve të fushës së veterinarisë vetëm nga ana imunologjike. Dihet se bruceloza është një infeksion mjaft i rrezikshëm për kafshët. Ajo shkakton jo vetëm dëmtime tek to, por njëkohësisht edhe dëmtime të cilat sjellin pasoja të rënda në shtimin e numurit të krerëve, prodhimit e kështu me radhë. Po krahas kësaj, po kaq i rëndësishëm është ky infeksion edhe për njerëzit. Si infeksion zoonotik, bruceloza dihet që prej kohësh se prek njeriun. Më agresive në këtë drejtim është “Brucela Melitensis”, e cila është shumë e përhapur jo vetëm në vendin tonë, por dhe në shumë vende, sidomos të zonës së Mesdheut.

Njeriu preket nga ky infeksion i rrezikshëm nëpërmjet konsumimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij të kontaminuara dhe të patrajtuar me nxehje, nga rrjedhjet vaginale gjatë dështimeve, si dhe nëpërmjet inhalacionit të pluhurit të stallave apo vrndeve të ndenjes së kafshëve, që ngrihet gjatë lëvizjeve të tyre. Po kështu njeriu infektohet edhe nëpërmjet konsumimit të organeve të brendshme. Rreziku i kontaminimit nga mishi i kafshëve brucelare është më i ulët dhe nëpërmjet këtij (mishit) ne infektohemi, në rast se ai është i kontaminuar me brucelë gjatë procesit të përpunimit dhe manipulimit me të.
Luftimi i brucelozës natyrisht nuk është i lehtë. Shumë vende fqinje me ne, por edhe të tjera në zonën e Mesdheut, kanë vite që kanë përqindje të lartë të infeksionit brucelar në kafshë, por kanë infeksion shumë të ulët në njerëz.

Shkaku është tek konsumi i produkteve të sigurta, qumështit, djathit, gjalpit, gjizës, të pastra nga brucela.
Strategjia e luftimit të brucelozës është e bazuar në disa kritere, të cilat janë të lidhura me përqindjen e infeksionit në tufë, mbi bazën e mungesës së një shërbimi veterinar adekuat, apo një sistem kontrolli adekuat dhe i fuqishëm për të përballuar këtë infeksion. Në këtë kuadër, në rastet kur përqindja e infeksionit në shkallë vendi është e ulët, por sistemi i kontrollit të infeksionit është i pafuqishëm për të përballuar situatën e krijuar, atëherë rekomandohet kryerja e vaksinimit total të krerëve si atyre të rriturve (adultëve) ashtu dhe të brezit të ri, sipas një strategjie të hartuar dhe të miratuar paraprakisht nga ekspertët e fushës së veterinarisë.
Bazuar në sa më lartë, duke qenë se vendi ynë vërtet ka infeksion të ulët, por për shkak të pamundësisë së kontrollit të këtij infeksioni, ku midis tyre lëvizjet e pakontrolluara të kafshëve, mënyra e tregtimit të produkteve dhe të nënprodukteve të këtyre kafshëve, pamundësia e kontrollit total dhe largimit të kafshëve pozitive, ka hartuar dhe po zbaton strategjinë e vaksinimit total të Republikës, që për mua si specialist i vjetër në fushën e veterinarisë është adekuate, e saktë dhe e domosdoshmne për t’u zbatuar. Për të realizuar këtë moment, në vendin tonë po zbatohet një projekt i Bashkimit Europian, i cili parashikon, krahas infeksioneve të tjera të rrezikshme zoonotike, edhe luftimin e brucelozës. Strategjia e hartuar dhe e miratuar për këtë problem, pra vaksinimi total i kafshëve dhe mandej i brezit të ri, është strategjia e miratuar. Si mjet për realizimin e qëllimit të kësaj strategjie, është përdorimi i vaksinës kundër këtij infeksioni dhe vaksinimi total i tyre. Për këtë qëllim po shfrytëzohet vaksina Rev-1, vaksinë e cila ka vite që është prodhuar dhe aplikohet suksesshëm në mjaft vende të botës. Është një vaksinë efikase, me rezultate të mira në praktikë, por që pa dyshim ka dhe disa efekte anësore, efekte të cilat nuk janë në nivelin që diskutohet, por ato shtohen artificialisht, duke u bazuar në rekomandimin e vaksinës, i cili është rekomandim shkencor por jo i rrezikshëm si paraqitet. Kjo gjë ndodh, pasi në diskutimet për këtë problem marrin pjesë dhe specialistë që nuk e njohin mirë këtë fushë, por njëkohësisht nuk njohin mirë dhe fushën e imunologjisë, apo vetë imunologjinë e shkaktarit e të vaksinës, për të interpretuar më së paku fenomenin që diskutohet. Pikërisht qëllimi im në këto radhë është të flas nga ana imunologjike për momentin e shumëpërfolur. Njihet nga pikëpamja imunologjike se shkaktari i brucelozës në kafshët e infektuara jo vetëm që shumëzohet në organizmin e tyre, por njëkohësisht shpërndahet me anën e gjakut në të gjithë organizmin dhe njëkohësisht eliminohet nëpërmjet rrugëve, sidomos të qumështit jashtë organizmit. Por ajo që është thelbësore për të kuptuar fenomenin në diskutim, është fakti që eliminimi i tij nuk është në të njëjtin nivel në të gjitha fazat e zhvillimit të tij në organizëm. Kështu, në fillim të laktacionit, eliminimi i shkaktarit arrin pikun e vet, deri në 104 organizma bakteriale për ml qumësht dhe, mbas pak kohësh ulet deri në 10 organizma për ml qumësht, që persiston pothuajse përgjatë gjithë periudhës së laktacionit. Bazuar në këtë fakt, këto faza të ndryshme të eliminimit të shkaktarit nëpërmjet qumështit, paraqesin rrezikshmëri të ndryshme në infektimin e njeriut, pasi që organizmi (brucela) që të infektojë njeriun, duhet të ketë një koncentrim maksimal në qumësht, si rasti në fillim të laktacionit, pra kërkon një numër të konsiderueshëm mikroorganizmash. Por qumështi, si rruga kryesore e infektimit, nuk është i tillë, infektues, gjatë gjithë periudhës së vet, ku niveli maksimal dhe rreziku maksimal është në fillim të laktacionit dhe rreziku i tij bie në raport me uljen e shkaktarit në të. I njëjti mekanizëm vepron edhe me vaksinën e aplikuar Rev-11, e cila eliminohet me shumicë nëse bëhet në fillim të laktacionit dhe sidomos, kur ajo bëhet në rrugën subkutane, por, në rrugën okulare që aplikohet sot tek ne, eliminimi është shumë më pak edhe në fillim të laktacionit. Edhe mandej ky eliminim pakësohet dukshëm mbas uljes së prodhimit, për të mos thënë që s’kemi fare eliminim.
Bazuar në këtë veti të kësaj vaksine që aplikohet në rrugën okulare, si dhe nga fakti që efektet e tjera anësore të vaksinës së përmendur më lart, vendimi për përdorimin e kësaj rruge për imunitetin e kafshëve kundër brucelozës është i zgjuar, efektiv dhe i parrezikshëm. Krahas kësaj, duke u nisur nga fakti i rrezikshmërisë që paraqet ky infeksion, mundësia e shumtë e përhapjes së tij, prekjes së një numuri jo të vogël të bagëtive të imta, kalimit të saj në gjedhë, lëvizjeve të pakontrolluara të kafshëve në vendin tonë, mungesës ende të një identifikimi total të tyre, e bën domosdoshmëri krijimin e një imuniteti mjaft solid (të qëndrueshëm) dhe të gjatë. Por që të arrihet kjo, që është një kërkesë e rëndësishme për vaksinat në fjalë, duhet që, bazuar në strategjinë përkatëse të studimit dhe aplikimit të vaksinës, të gjendet koha më e përshtatshme për ta kryer vaksinën. Kryerja e vaksinës në periudhën e të ushqyerit të qengjave, e cila përkon me fillimin e laktacionit, do të rrezikonte shumë infektimin e brezit të ri, pasi mundësia e eliminimit të shkaktarit, cilësi biologjike e tij, do të ishte shumë më e madhe dhe, në të njëjtën kohë, imuniteti i formuar nga kafshët tek të cilat kryhet vaksinimi do të ishte i ulët, si pasojë e angazhimit të proceseve fiziologjike të organizmit me funksione të tjera, pra principi i dominantit. Për këtë arsye, shkencëtarët, duke u bazuar në këto veti imunologjike të imunitetit, përcaktojnë se koha më e përshtatshme e vaksinimit është në periudhën e laktacionit, jo fillimi i tij, para periudhës së ndërzimit, por mbas shkëputjes së qengjave; Ku jo vetëm kemi imunitet mjaft të qëndrueshëm, por njëkohësisht, sipas Blascos (1997), një autor mjaft i njohur i kësaj fushe, kjo periudhë rekomandohet si një strategji për vaksinimin total të tufave dhe me mjaft efikasitet. Kjo periudhë, e cila nuk korrespondon me pikun e laktacionit si mund të jenë shprehur disa specialistë, pasi mbas vaksinimit, imunologjikisht shkaktarit të vaksinës i duhet një periudhë kohe që të shumëzohet në gjëndrat limfatike dhe mandej të dalë në qarkullimin e gjakut ku mund të eliminohet, por shkencërisht periudha kur kjo del në gjak, koincidon me uljen e mëtejshme të prodhimit të qumështit. Kuptoni, kur gjatë infeksionit numri i shkaktarëve që eliminohen në qumësht është në këtë peridhuë 10 shkaktarë për mililitër, përdorimi i vaksinës e cila ka për detyrë që jo vetëm të formojë imunitet qelizor por gjithashtu të pakësojë dukshëm edhe eliminimin e shkaktarit, shkencërisht eliminimi i tij gjatë vaksinimit është në nivele jashtëzakonisht të ulëta, për të mos thënë mungesë e tij. është kjo arsyeja që Blasco thotë se efekte sekondare të vaksinës në këtë fazë të prodhimit të qumështit janë minimale ose të papërfillshme.
Bazuar në këto të dhëna dhe shumë të tjera, mendoj se diskutimet e gjata, të pabazuara shkencërisht, të paargumentuara imunologjikisht, janë jo efektive dhe ndikojnë negativisht në luftimin e këtij infeksioni. Personalisht jam i gatshëm të debatoj me cilindo, që kërkon të ngrejë në këmbë një opinion jo real kundër kësaj fushate vaksinimi dhe kundër strategjisë për çrrënjosjen e këtij infeksioni nga vendi ynë.


Përgatiti për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare Profesor Kristaq Bërxholi

Virolog-imunolog
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare Tiranë
Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar