Parandalimi dhe kontrolli
Në personat e pavaksinuara dhe të patrajtuara, virusi invadon sistemin nervor të bujtësit, pasi dihet se vetija e tij thelbësore është neutropizimi. Virusi i tërbimit kërkon kohë për tu futur në fundet e nervave dhe për këtë arsye kjo kohë ofron oportunitet për të filluar trajtimin e personit të ekspozuar kundrejt tij. Doza fillestare e virusit infektiv nuk përmban sasi të mjaftueshme antigjeni për të stimuluar imunitetin fillestar dhe pas shumzimit të tij në muskul ose në qelizat epiteliale, ai mund të jetë në gjëndje që të invadojë fundet e nervave, porse përsëri nuk ka sasinë e nevojshme të antigjenit për të prodhuar imunitet. Në infeksionin e mëvonshëm, kur virusi ka arritur dhe është shumëzuar në tru, antigeni i prodhuar në sasi të mjaftueshme ka shkaktuar prodhimin e antitrupave neutralizues të cilët duken në ditët e fundit të sëmundjes. Kur mbetja gjallë zgjatet, antitrupat në serum dhe në tru mund të arrijnë titra shumë te lartë, virusi mandej nuk jeton gjatë, porse megjithatë vdekja nuk mund të ndalohet. Limfocitet T kryejnë funksionin e imunitetit qelizor dhe monitorojnë qelizat e tjera për të shkaktuar induktimin e ndryshimeve në sipërfaqen e tyre, për virusin. Qelizat T ose nëndarjet e tyre rregullojnë prodhimin e antitrupave nëpërmjet limfociteve B dhe vaksinat e tërbimit janë ndër antigenet që klasifikohen si limfocite T të mvarura. Antitrupat neutralizues, nën kontrollin e limfociteve ndihmëse T, janë vlerësuar si faktor kyç në mbrojtjen nga tërbimi.
Për trajtimin e njerëzve, pas ekspozimit nga virusi, është propozuar të përdoret në vend të imunoglobulinave me origjinë nga kuajt ose nga njerëzit, antitrupa monoklonale me origjinë nga njerëzit ose murinët. Të tillë antitrupa janë të lehtë për tu standartizuar, janë mjaftë eficientë për koncentrimin e ulët të proteins dhe ata, kur është e nevojshme të kryhet , mund të seleksionohen në bazë të natyrës së virusit. Megjithatë ende nuk u dihet mirë mekanizmi i veprimit, disa antitrupa monoklonale mund të largojnë infeksionin viral edhe sikur ai të ketë penetruar në SNQ, që mendohet se veprojnë nëpërmjet bllokimit të përhapjes së virusit dhe pengimit të shumëzimit të tij.
Profilaksia e sëmundjes
Në vëndet që nuk kanë kufi tokësore, statusin të lirë nga tërbimi ata e ruajnë nëpërmjet karantinës, nga importimi i kafshëve të tilla sidomos qenve dhe maceve. Qëllimi i karantinës është të parandalojë përhapjen e tërbimit duke i dhënë kohë kafshëve në të cilat semundja ndodhet në periudhën e inkubacionit, të shfaqin shënjat klinike. Zonat në botë që aplikojnë karantinën, për të mbajtur të pastër vëndin nga tërbimi, janë Australia, Zelanda e re, Suedia, Havai.
Shqipëria nuk është e pastër nga infeksioni. Rasti i parë i tërbimit, që nga viti 1976 ku u vrejt rasti i fundit i semundjës, ishte në vitin 2001, ku një qen i tërbuar me origjinë nga Kosova u vra në doganën e Morinës–Kukës, i cili rezultoi në IKV- sot ISUV, pozitiv për tërbimin. Raste të tjera ka patur në dhelprat në zonën e Pukës dhe të Dibrës. Njofja e situatës së presencës së virusit të tërbimit, realizohen nëpërmjet studimit epidemiollogjik, duke korntolluar kafshët e egra bartëse të virusit. Në kafshët e egra, në rradhë të parë i nënshtrohen kontrollit, dhelprat, lakuriqët e natës, baldosat, ujku, çakalli etj. Po kështu kontrollohen qentë dhe macet (sidomos rrugacët), etj. Në një vënd ku ka raste të tërbimit në kafshet e egra, cdo kafshim apo gërvishtje, tek njerzit, duhet vlerësuar seriozisht.
Në vendin tonë nuk zbatohet karantina e kafshëve që importohen. Nga vendet të ndryshme të botës e sidomos nga Turqia, Bullgaria, Kosova etj, vënde këto që njihen për presencë virusi, futen në vendin tonë qen e mace, të cilët kontrollohen vetëm për dokumentacionin dhe më pas lihen të lirë. Një veprim i tillë do të jetë, në një të ardhme të afërt, me pasoja për të gjithë vendin. Edhe futja e kafshëve kontrabandë, rrezikon përhapjen e sëmundjes. Efektiviteti i karantinës është i padiskutueshëm,
Kontrolli i tërbimit në qen. Shumë vaksina të inaktivuara janë treguar efikase për mbrojtjen e qenve nga tërbimi. Kontrolli i detyruar i qenve kundrejt tërbimit është një problem më tepër ekonomik, dhe logjistik se sa teknik. Nga OBSH është propozuar që për të kontrolluar sëmundjen e tërbimit në qen duhet të vaksinohen minimum 70% e qenve. Megjithatë, masat për kontrollin e tërbimit në qen duhet të aplikohen atëherë kur tërbimi persiston në kafshët e egra, si është aktualisht në vendin tonë. Futja e virusit të tërbimit nga kafshët e egra tek popullata e qenve, mund të ndodhë në cdo kohë, megjithatë tendenca e përhapjes së virusit të kësaj sëmundjeje, midis qenve, është më e pakët se sa kur virusi origjinon nga qentë rezervuarë. Kontrolli i sëmundjes nëpërmjet vaksinimit parenteral të qenve në nivelet që kërkohet (60- 80% ) nivel i cili arrin një kontroll të sëmundjes, është i vështirë të arrihet sidomos tek qentë rrugacë, Për këtë arsye, në shumë vende të botës, sëmundja është përqëndruar tek aplikimi i vaksinimit oral nëpërmjet ushqimit karem. Po kështu, vaksinimi i maceve rrugace, jep një imunitet vetëm në 50% të tyre, duke mos garantuar mundësinë e mosinfektimit dhe përhapjes tek njerzit.
Bazuar në sa më lartë, në kushtet e mungesës së një shërbimi veterinar jo efektiv, eliminimi i qenve dhe maceve rrugaçe është domosdoshmëri. Kjo jo vetëm për sëmundjen e tërbimit, por dhe për shkak se ata janë bartës dhe transmetues të sëmundjeve të tjera zoonotike si borelioza, ekinokokoza, leishmanioza, TBE, Q fever, mjaft parazitë të tjerë etj. Nga këto kafshë, që bredhin të pashqetësuar rrugëve të qyteteve tona e sidomos Tiranës, janë shumë të rrezikuar fëmijtë dhe të moshuarit. Ndotja e rrugëve me fecet e tyre është një problem tjetër madhor që ende nuk vlerësohet.
Kontrolli i tërbimit në kafshët e egra
Përpjekjet për të kontrolluar sëmundjen e tërbimit në kafshët e egra, është një detyrë e cila mund të realizohet nëpërmjet një bashkëpunimi ndërkombëtarë, gjë e cila ka dhënë një kontribut shumë të madhe në sqarimin epidemiologjik, virologjik, ekologjik të sëmundjes së tërbimit, si dhe ka çuar në zhvillimin e teknologjisë së vaksinave. Të gjitha metodat e përdorura më parë , si ato të eliminimit të kafshëve të egra ndërmjet helmimeve, vrasjeve, kapjeve, etj, kanë qenë të pa suksesshme. Mbi këtë bazë, duke u mbështetur edhe në faktin që virusi i tërbimit mund të transmetohet tek brejtësit, në rast se virusi i gjallë pipetohet në membranë mukozë të gojës, bëri që të lindë ideja e vaksinimit të kafshëve të egra, me vaksina orale, nëpërmjet gojës. Për këtë , krahas prodhimit të vaksinave orale efektive, përparim i dukshëm u bë edhe në prodhimin e antitrupave monoklonale të cilët bëjnë të mundur diferencimin e antitrupave të prodhuar nga vaksina, nga ato të shkaktuar si pasojë e infektimit me virusin e rrugës. Përparime janë bërë gjithashtu edhe ne drejtim të teknikave të vaksinimit oral të kafshëve të egra, të metodave për vaksinimin e specieve të vecanta si dhe në hartimin e strategjise së zbatimit të këtyre metodave nëpërmjet të të ushqyerit me karem.
Perpjekjet për të kontrolluar tërbimin e shkaktuar nga lakuriqët e natës, kanë patur suksese të ndryshme. Në përgjithësi, metodat e hershme si p.sh duhani në vend qëndrimet e tyre ishin me shumë shpenzime dhe jo selektive kundrejt specieve të tjera që nuk ishin lakuriqë nate, të cilat gjithashtu u shkatërruan njësoj. Kontrolli nëpërmjet trajtimit të lakuriqëve të natës së kapur nëpërmjet aplikimit tek ata të antikoagulanteve ishte specifik dhe selektiv. Megjithëse metodat e eleminimit të lakuriqeve të natës vampirë ishin rezultative, prapëseprapë, tërbimi i shkaktuar nga këta lakuriqë është problem dhe shkakton humbje të rënda sidomos në gjedhët e Amerikës Qëndrore dhe Jugore.
Solli për revisten online “Mjekësia Veterinare Shqiptare” MV Zamira Hoxha.
Materiali u përgatiti nga Profesor Kristaq Berxholi .
Nuk lejohet ribotimi i këtij artikulli pa lejën e autorit ose redaksisë.
Ju lutemi në rast referimi nga ky material përmendeni burimin e informacionit dhe autorin.
Burimi informacionit: “Zoonozat” Viti botimit 2007 me autor
Profesor Kristaq Berxholi.