Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Figura të Shquara të Mjekësisë Veterinare Shqiptare » Ese për Profesor Çaçin. Prof.Dr Anastas Munguli.

Ese për Profesor Çaçin. Prof.Dr Anastas Munguli.

Ese për profesorin dhe mikun jo vetëm të kolegëve por të të gjithë studentave.

Profesor Anastas Munguli

Mjekësia Veterinare Shqiptare prej kohësh ka dashur të shkruajë një artikull rreth profesor Çaçit.

Shumë kolegë dëshirojnë të lexojnë dicka për të kujtuar profesorin e tyre të dashur.

Eshtë e vështirë të takosh sot Veterinerë në të gjitha zonat e Shqipërisë që mos të të pyesin për profesor Çaçin, që mos të të flasin për të me dashuri, ka shumë prej tyre që mbajnë mend me imtësi orët qe zhvillonte, seriozitetin e tij, por dhe ambientin e ngrohtë dhe prinderor qe ai krijonte ne auditorm me shakatë e tij aq të qëlluara. Prof. Çaçi ka qënë model i papërseritshëm i marredhënieve me kolegët dhe bashkëpunëtoret e tij.

Edhe në Kosovë, profesor Çaçin patën fatin ta njohin jo vetëm studentat që studiuan pranë Fakultetit të Veterinarisë në Tiranë, por edhe studentat e Fakultetit të Veterinarisë në Prishtinë. Së bashku me profesor Petrit Berberi, profesor Çaçi ndihmoi në ndërtimin e këtij Fakulteti duke dhënë mësim për një periudhë 10 vjecare.

Profesor Çaçit me të drejtë i është dhënë “Certifikatë Mirënjohje” nga të dy fakultet, ai i Tiranës si dhe i Prishtinës

Puna dhe veprat e tij janë të shumta dhe jemi të sigurt se do të vlerësohen dhe në vazhdim.

Në 40 vitet e jetës në Fakultet, ai ishte një koleg dhe mik i rrallë për të gjithë, me një tolerance të papërsëritëshme, me respekt dhe dashuri si ndaj kolegëve më të vjeter por edhe atyre që vinin rishtas në Fakultet. Fakulteti për të ishte pasioni i jetës së tij, e donte shumë Fakultetin dhe nuk lodhej e nuk përtonte kurrë kur ishte puna për të bërë dicka për mësimdhënien dhe të ndihmonte studentat apo kolegët. Këtë përkushtim Ai e tregoi edhe në katër vitet e fundit, megjithëse në pension ai punoi si pedagog i jashtëm, duke mos neglizhuar në asnjë moment për asgjë që kishte të bënte me pasionin e tij, mësimin.

Profesor Çaçi ishte jo vetëm një edukator i përgatitur dhe i zotë, por dhe një prind dhe bashkëshort shembullor. Së bashku me bashkëshorten e tij te palodhur , rriti tre fëmijë dhe pati një familje shembullore , me nipa e mbesa të cilët duhet të jenë sot e përherë krenarë për babain dhe gjyshin e tyre.

Gjithashtu ne patëm kënaqësinë të bisedojmë me vajzën e profesorit. Këtë bashkëbisedim duam ta sjellim të plotë në intervistën në vazhdim.

Mjekësia Veterinare ShqiptarePërshëndetje

Prezantimin tuaj fillimisht po e bëjmë si vajza e profesorit të njohur nga të gjithë ne Mjekët Veterinerë në Shqipëri dhe më gjerë, vajza e profesorit Anastas Munguli apo ndryshe si njihet prej të gjithëve Profesor Çaçi.

Ju falenderojmë që pranuat të intervistoheni prej nesh.

Mimoza

-Faleminderit shumë, është një emocion i rrallë dhe shumë i vecantë të flasësh për një figurë që prinderoi në mënyrë të shkëlqyer. Ai nuk ishte vetëm babai i dashur apo idhulli i jetës sime, por ishte njeriu i madh që une pata fatin ta kem pranë meje 42 vjet të jetës sime. Për mua ka qënë privilegj i madh të vij në këtë jetë si vajza e Anastas Mungulit emrin e madh të të cilit e mesova duke u rritur në krahët e tij.

Mjekësia Veterinare Shqiptare

-Fillimisht deshëm të mësonim diçka më shumë rret jush dhe familjes suaj.

Mimoza

-Unë jam diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës ” Dega Zootekni” dhe më pas në Fakultetin e Shkencave të Natyrës Bio-Kimi. Profesioni im është mësuese. Femija i parë është Arseni i cili jeton në Greqi, kurse Aneli jeton në Tiranë. Privilegjin qe na ka dhene babai me emrin dhe mbiemrin e tij të nderuar, mendoj se do të jetë emblema e familjes sonë për gjithë jetën. Ai është një njeri që nuk zëvendësohet dot, është një boshllëk i përditshëm Ai është kryefjala në c’do bisedë tonën. Po ashtu dua të theksoj se ishte fati i fëmijve tanë që kishin një gjysh që jo vetëm i mbante pranë por i mësoji me vlera dhe virtyte që vetëm ai mund ti percillte tek ata. Dua të theksoj se një rol të rëndësishëm në jetën profesionale dhe suksesin e babait tim ka luajtur edhe nëna ime Eleni e cila ka qënë përkrahesja dhe mbështetsja më e madhe e tij.

Mjekësia Veterinare Shqiptare

-Me sa dimë profesor Çaçi ka lindur në Sarandë. Çfarë kujtimesh ruante profesori për qytetin e Sarandës?

Mimoza

-Babai im ne një moshë shumë të vogël humbi babanë, fëmininë dhe arsimin fillor e kalon në Tiranë. Një pjesë shumë e dhimbshme kjo e jetës së tij pasi është rritur në shtëpinë e fëmijës. Më pas në vitin 1959 mbaron Teknikumin Veterinar në Shkodër, dhe pastaj punon si specialist i mesëm, për tre vjet, në Ndërmarjen Bujqësore Vurg-Vrine të Sarandës.

Mjekësia Veterinare Shqiptare

-Si i kujtonte profesori vitet e para të punës në Veterinari? Ndonjë kujtim të tij të lidhur me këtë periudhë?

Mimoza

-Të shumta janë kujtimet dhe mbresat që Ai na ka treguar. I duhej të shëtiste me kalin e tij [Bujan] nga njëri fshat në tjetrin për të kryer me devotshmëri punën e ngarkuar. Im ate ka emëtuar tek ne një dashuri të madhe për punën dhe njerëzit, ndihma ndaj njerëzve, jep sa më shumë pa pritur asgjë si këmbim. Ai me madhështinë e tij e shprehte me modesti.

Mjekësia Veterinare Shqiptare

-Përfundimi i studimeve me rezultate të larta në vitin1967.Në cilin vit profesor Çaçi filloi punë pranë Fakultetit të Veterinarisë?

Mimoza

-Në vitin 1962 fillon Fakultetin e Veterinarisë dhe diplomohet në vitin 1967 me rezultate shumë të mira. Pasioni i tij ishte veterinaria, viti 1972 është dhe viti ku emërohet si punonjës akademik e shkencor në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare ku punoi derisa doli në pension në vitin 2009 dhe deri në ditët e fundit të jetës së tij si pedagog i jashtëm.

Mjekësia Veterinare Shqiptare

-Pyetjet tona dëshirojmë ti përfundojmë me një prej kujtimeve më të bukura që keni, ,jemi të sigurt se ato janë të shumta por nëse do t’ju pyesim të veçoni një prej tyre kush do të jetë ajo?

Mimoza

-Mungesë dhe prani në të njëjtën kohë. Humbja gjithmonë është e rëndë, për prindin nuk ka moshë , ke nevojë për një mendje, për një mbështetje, për atë fjalën e pastër që del nga shpirti që jo kushdo ta thotë sic ta thotë prindi. Unë kam qënë vajza e babait ,kemi patur një lidhje shumë të fortë.Kujtimet janë të shumta, babi ishte njeriu më i shtrenjtë i mendjes dhe shpirtit. Në cdo hap që unë kam hedhur babi ka qënë pranë meje,të gjitha sukseset e mia ja dedikoj atij. Ai ishte heroi im. Emocion i papërsëritshëm për mua do të mbetet dekorimi pas vdekjes i bërë atij. Mirenjohje pafund për të gjithë kolegët ,miqtë, studentët, është nder i madh për ne që emri i babait tonë nderohet dhe vlerësohet edhe pas vdekjes, momenti kur mora certifikaten e ‘Mirenjohjes’!

 

Ju falenderoj nga zemra për këtë intervistë ,dhe Ju uroj; suksese të mëtejshme në punën tuaj.

Ju përshëndesim me një poezi “nga ato të momentit” sic thoshte profesor Çaçi:

Mos më dëno!

Kur vijnë provimet

O Zot mos më dëno

Më fillojnë Psherëtimet

Lëmoshë mos më kërko

…………

Ja studentët vijnë

Si bleta për nektar

Në auditor ata rrijnë

Si njeriu pa lekë në Pazar

……….

O Zot pse më kërkon mua

Në provime ti lehtësoj

Studentët që unë I dua

Por nuk mund ti toleroj

………

Jemi me juve gjithë jetën.

Sinqerisht kam punuar shumë

Po ju them të vërtetën

Për mësimin kam humbur gjumë.

Me mirëkuptim nga Prof. Dr Çaçi

Intervista është përgattur nga redaksia e revistës elektronike Mjekësia Veterinare Shqiptare.

Ju lutemi në rast referimi përmendeni burimin e informacionit veterineret,com

Më poshtë do të keni mundësi të shihni fotot e albumit fotografik që vajza e profesorit ndahu me ne.

I paharraur kujtimi i Profesor Çaçit !

profesor-caci-se-bashku-me-profesor-petritin4 profesor-caci-se-bashku-me-profesor-petritin3 profesor-caci-se-bashku-me-profesor-petritin2 profesor-caci-ne-moment-pune profesor-caci-ne-kosove profesor-caci-se-bashku-me-profesor-petritin profesor-caci-ne-praktiken-profesionale profesor-caci-mes-miqsh profesor-caci-mes-nje-grupi-shokesh-dhe-kolegesh profesor-caci-mes-nje-grupi-studentash4 profesor-caci-mes-nje-grupi-studentash3 ne-fakultet2 profesor-caci-mes-nje-grupi-studentash2 profesor-caci-mes-kolegeve-dhe-studentave gjate-ores-se-anatomise profesor-caci-mes-nje-grupi-studentash profesor-caci-gjate-stervitjes-ushtarake6 profesor-caci-gjate-stervitjes-ushtarake5 profesor-caci-gjate-stervitjes-ushtarake4 profesor-caci-gjate-stervitjes-ushtarake3 profesor-caci-gjate-stervitjes-ushtarake3 profesor-caci-gjate-stervitjes-ushtarake2 profesor-caci-mes-nje-grupi-kolegesh2 profesor-caci-mes-nje-grupi-kolegesh

certifikate-mirenjohjecertifikate-mirenjohje-prishtine