Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për fermerët, pronarët dhe dashamirësit e kafshëve » Guinea Pig- Informacion i përgjithëshëm

Guinea Pig- Informacion i përgjithëshëm

Material edukues mbi Guinea Pigs:

guinea_pigGuinea pigs, që ndryshe njihen edhe si kavie, bëjnë pjesë në familjen Caviidae, një grup ky, në të cilin përfshihen rodent të ndryshëm me prejardhje nga Amerika e Jugut. Ashtu si edhe të gjjitha kaviet e tjera, këto janë kafshë që preferojnë të jetojnë në grupe. Përvec se si kafshë laboratory, në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë, ato preferohen të mbahen edhe si kafshë shoqërimi (shtëpiake). Deri më tani, njihen rreth 13 rraca të Guinea Pigs, por ato më të njohura janë rraca amerikane (me qime të shkurtër dhe shumë të butë), peruviane ( qime gjatë) dhe abyssian. Mesatarisht, këto kafshë,arrijnë një gjatësi trupore prej 20 – 50 cm dhe peshë 0.8 – 1 kg. Jetëgjatësia e tyre varion por mesatarisht ata jetojnë 5-6 vite. (shiko tabelën)

Jetëgjatësia

Pesha

Gjatësia trupore Temp trupore Pulsi Barsmëria Cikli estral Temperatura mjedisore e nevojshme

5–6 vjet

800–1000 gr

20–50 cm 39–40˚C 250 rrahje/min 59 – 73 ditë 15–17 ditë 18–23˚ C

Nëse dikush do të vendos të adoptojë/blejë një kafshë të tillë, si kafshë shoqërimi, duhet të marrë në kosideratë plotësimin e nevojave të tyre. Kështu, guinea pigs ndihen mjaft rehat në temperaturën 18 – 23˚C. Po ashtu ata preferojnë një nivel lagështie më të ulët se 50%. Cdo ekspozim në temperaturë më të lartë se 29˚C do të ishte fatal për ta. Përmasat minimale për kafazin e tyre duhet të jenë 106 × 61 × 46 cm (për një individ). Kafazet mund të blehen të gatshëm ose mund të ndërtohen vetë në mënyrë të tillë që të realizohet një ventilim optimal. Guinea Pigs asnjëherë nuk duhet të mbahen në të njëjtin kafaz me lepujt apo afër tyre pasi sëmundje të ndryshme infektive mund të transmetohen nga njera specie tek tjetra. Është e domosdoshme që dyshemeja e kafazeve të shtrohet me tallash ose copa gazetash apo edhe bar të thatë, i cili duhet ndërruar një herë në javë.

guineapigDieta ushqimore: Guinea Pigs janë herbivorë. Kështu që për dietën e tyre ushqimore nevojiten bar i thatë, fruta, perime por shumë mirë mund të përdoret edhe ushqim i peletuar i gatshëm. Guinea pigs janë nazelinj më të ngrënë. Ata kanë tendencë të zhvillojnë preferencat e tyre për ushqimin që në moshë fare të re dhe nuk kanë fare dëshirë të ndryshojnë dietën ushqimore. Që në moshë të vogël, është mirë që të përdoren ushqime të ndryshme njëkohësisht në mënyrë që kafsha të pranojë shumëllojshmërinë e tyre. Një shishe e posacme me ujë duhet të jetë gjithnjë e pranishme në kafaz, përmbajtja e së cilës duhet të ndërrohet cdo ditë. Guinea Pigs kanë nevojë për prerje të herë pas herëshme të thonjëve, të paktën cdo 8 – 12 javë. Për sa i përket larjes, ata rrallë kanë nevojë të lahen . Por edhe nëse, për arsye të ndryshme, kafsha duhet të lahet është shumë e rëndësishme të përdoren shampo të posacme dhe pas saj të thahen mirë. Përgjithësisht nuk rekomandohet ciftëzimi i këtyre kafshëve nga pronarët e tyre pasi do të ishte disi e vështirë gjetja e një familje për të vegjlit duke qënë se një guinea pig femër mund të pjellë nga 1- 8 këlyshë por më shpesh ndodh që të pjellin 2 – 4 këlyshë. Guinea pigs nuk kanë nevojë për vaksinime por rekomandohet që kafshët të vizitohen nga një mjek veteriner, të paktën një herë në vit.

 

 

Artikulli u përgatit nga MV Silva Naco

 

Nuk lejohet ribotimi i këtij materiali pa lejë e redaksisë ose autores!

Në rast ribotimi përmendeni burimin e informacionit: veterineret.com


Na shkruani