Nga Dr Emilian Shabani
Pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë UB Tiranë
______________________________________________________________
Agresiviteti
Kuptimi i agresivitetit është shumë i rëndësishëm për mjekun veteriner.
Agresiviteti nuk është një fenomen unik. Emocionet në themel të sjelljes gabitqare janë mjaft të ndryshme nga sjellja mbrojtëse, nga agresiviteti emocional apo nga sjellet agresive gjatë lojrave të ndryshme në kafshë. Këto tre lloje të aktivitetit i përkasin tipeve të ndryshme funksionale të sjelljes ku drejtimi qëllimor i secilit është shumë i ndryshëm nga tjetri. Në rastin e kafshëve karnivore (mishngrënës), shumë individë janë konfuzë për interpretimin apo cilësimin e agresivitetit. Lëndimi që lind gjatë lojës mund të jetë rezultat i lodrimit agresiv por kjo nuk duhet të interpretohet si formë e mirëfilltë agresiviteti. Për të kuptuar llojin e agresivitetit duhet gjykuar mbi shkakun dhe qëllimin që ka kafsha, nëse ajo mbron diçka që mendon se i përket asaj, nëse ajo mbron territorin apo pjesë të dhimbëshme trupit, nëse ajo manifeston agresivitet për të zënë vend në hierarkinë e grupit, nëse ajo po loz, etj.
Kujdes duhet treguar me kafshët që shfaqin agresivitet pa shkak (sidomos mishngrënësit). Kjo mund të jetë TËRBIM. Dhimbjet kronike janë shkak i shpeshtë i sjelljes agresive në kafshë.
Shprehja e sjelljes agresive është e lidhur një sërë faktorësh të brëndshëm dhe të jashtëm. Faktorët e brëndshëm zakonisht përmblidhen me situatat lënguese që përjetojnë kafshët si rezultat i patologjive të ndryshme (sidomos sëmundjet që shoqërohen me dhimbje), si dhe gjatë afshit. Faktorët e jashtëm që ndikojnë më shpesh në sjelljen agresive të kafshëve mund ti përmbledhim si më poshtë :
-
Kur kafshë apo njerëz “përdhosin” territorin
-
Kur cënohet hapsira personale
-
Kur preket trupi
-
Kur kafsha përballet me diçka të panjohur më parë
-
Kur shpërblimi i pritur reduktohet ose ndërpritet totalisht
-
Kur kërkohet ndërzim jashtë sezonit apo dëshirës seksuale të femrës
-
Kur njerëz apo kafshë tentojnë të marin të vegjëlit
-
Kur njerëzit apo kafshët përdorin dhunë ose shenja dhune
-
Kur kryhen veprime të përsëritura që kafsha nuk i pëlqen
-
Kur kafsha frikësohet
Të gjitha këto situata duhen mbajtur parasysh në vlerësimin e shkakut të agresivitetit në kafshë. Mjeku duhet të jetë elastik në gjykimin e shkaqeve të ndryshme të cilat e detyrojnë kafshën të jetë agresive. Në këtë vlerësim rol të rëndësishëm ka edhe njohja e llojit, racës, moshës, gjëndjes fiziologjike, temperamentit dhe situatave aktuale që përjeton kafsha. Mjeku vetriner duhet të marri në konsideratë nevojën potenciale për ndërhyrje të specializuar në trajtimin e agresivitetit dhe të sigurojë minimizimin e dëmtimit të të tjerëve nga episodet agresive të kafshës.
Mjeku gjithashtu duhet të informojë pronarin për përgjegjësinë që ka dhe se ai duhet të bëhet bashkëpunues në trajtimin e agresivitetit. Hapi i parë është eleminimi i atyre shkaqeve që e bëjnë kafshën agresive. Kafshës i duhet ofruar ushqimi i preferuar. Aktiviteti ditor i kafshës duhet të jetë argëtues dhe duhen minimizuar në maksimum situatat që e bëjnë kafshën nervoze. Duhet shtuar doza e shpërblimeve dhe thirrjeve përkëdhelëse. KUJDES; nuk duhet të përsëriten momentet që nervozojnë kafshën për dy arsye. E para, kafsha do të rishfaqë sërish agresivitetin dhe kësisoj mundimi juaj për trajtimin e sjelljes shkon dëm. Së dyti, kafsha fiton eksperiencë dhe në një moment të dytë, orvajtjet për trajtimin e agresivitetit janë të destinuara të dështojnë. Ju do të mundoheni dhe kafsha do të përfitojë por sërish do të mbetet agresive.
Klasifikimi i agresivitetit
Me një përmbledhje të atyrë që shkruam më sipër, tërheqim vëmëndjen e mjekut duke bërë një klasifikim më të qartë të tipeve të agresivitetit. Në kafshë dallohen 4 tipe agresiviteti. Tre të parat janë manifestime normale ndërsa tipi i fundit është patologjik.
-
Agresiviteti funksional
Shfaqet në të gjitha rastet kur kafsha ka lëngime dhe nuk është e aftë të kryejë aktivitetin ditor normal. Ajo bëhet agresive dhe ruan nga prekjet rajonin e dhimbshëm. Kjo konsiderohet një përgjigjie normale sjelljeje.
-
Agresiviteti mbrojtës
Vërehet në të gjitha rastet kur kafsha mbron të vegjëlit, kur mbron territorin dhe ushqimin e saj, në kafshët e frikësuara, etj. Tip i tillë agresiviteti shfaqet edhe në rastet kur sipas perceptimit të kafshës, dikush kërkon ti bëjë keq (mjeku veteriner, kafshë, etj). Kjo është gjithashtu përgjigjie normale sjelljeje.
-
Agresiviteti sulmues qëllimor
Ky lloj agresiviteti vërehet në kafshët që zënë vend në hierarkinë e grupit, në kafshët që luftojnë për të patur privilegje në grup, në kafshët që lodrojnë, në kafshët që perceptojnë se po i kërcënohet territori, në kafshët që i reduktohet shpërblimi apo ushqimi, në kafshët në afsh, etj. Ky tip agresiviteti konsiderohet normal për situatat në të cilat ndodhet kafsha.
-
Agresiviteti patologjik
Ky tip agresiviteti është mjaft i rrezikshëm, madje në disa raste mund të jetë vdekjeprurës. Shpesh i referohet kafshëve që janë me Tërbim. KUJDES.
Mënyra e diferencimit midis tipeve të agresivitetit nuk është shumë e vështirë. Rol të veçantë luan eksperienca dhe njohja e mirë e sjelljes së kafshës. Megjithatë, secili rast duhet të ndiqet në dinamikë e në lidhje të ngushtë me gjëndjen shëndetësore dhe diagnozën. Ndryshimi i sjelljes i provokuar nga shkaqe mjekësore për të cilën fizioterapia është e nevojshme, kërkon njohjen nga ana e mjekut se si dhimbja ndikon në sjelljen e kafshës dhe sa e kompromenton kjo sjellje progresin terapeutik.
Autori: Dr Emilian Shabani
Pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë UB Tiranë
Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.
Në rast referimi ju lutemi përmendeni burimin e informacionit veterineret.com