Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Figura të Shquara të Mjekësisë Veterinare Shqiptare » Prof. Haxhi Aliko vlerësohet me titullin ““Profesor emeritus”

Prof. Haxhi Aliko vlerësohet me titullin ““Profesor emeritus”

Përgatiti për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare, Prof. Vangjel Ceroni

Kur u mësua se Prof. Haxhi Aliko ju dha titulli “Profesor emeritus”, shumë prej ish-kolegevë dhe ish-studentave të profesor Haxhiut jo vetëm që u gëzuan por u lehtësuan për një vlerësim të vonuar që ju bë profesorit dhe mikut të shumë Veterinerëve, Profesor Haxhi Aliko.
Ashtu si dhe shkruan Profesor Vangjel Ceroni:
“Mbetet detyra jonë për të evidentuar e vlerësuar kontributet e tyre! “

Duke dashur të sjellim një informacion më të plotë rreth këtij titulli të merituar, ne ju drejtuam një prej ish-studentave të profesor Haxhiut, dhe njëkohësisht pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Prof. Vangjel Ceroni i cili shkruan për MVSH si më poshtë:

Ju falenderoj shumë që më përzgjodhët dhe kërkuat një informacion të shkurtër lidhur me vlerësimin e Prof. Haxhi Aliko nga Senati i Universitetit Bujqësor me titullin e lartë “Profesor emeritus”.
Jam i bindur se cilido nga studentët e brezave që kanë kaluar nga auditoret e Prof. Haxhiut do të ishte i aftë të jepte vlerësime për të dhe punën e tij pedagogjike e kërkimore shkencore.
Së pari më lejoni të shpreh konssiderata për Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare dhe Senatin e Universitetit Bujqësor që hapi siparin e vlerësimit të figurave elite, që kanë lënë gjurmë me kontributin e tyre në rritjen e zhvillimin e Fakultetit dhe të Universitetit. Fillimi i vlerësimit të elitave dhe i kontributit të atyre që kanë lënë gjurmë në jetën e Universitetit Bujqësor është një praktikë që duhet të kthehet në një traditë.
Prof. Haxhi Aliko ka shumë vlerësime, tituj e dekorime në jetën e tij, por unë mendoj se ky titull akademik i akorduar nga Senati akademik i Universitetit Bujqësor është i veçantë, sepse jepet nga Institucioni i tij arsimor, në shenjë nderimi e respekti ndaj punës dhe për gjithçka që ai mundi të jepte për të mirën e shkollimit dhe për rritjen e standardit të profesionit veterinar.
Jeta e profesor Alikos është e lidhur ngushtë me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, në të cilin u shkollua dhe zhvilloi një karrierë të shkëlqyer akademike 35-vjeçare, duke e filluar si asistent lektor dhe duke vijuar si titullar i lëndës “Fiziologjia e Kafshëve Bujqësore”, përgjegjës i Katedrës “Fiziologji-Biokimi” për 16 vjet dhe deri në Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës për 4 vjet.
Si pedagog, Prof. Haxhi Aliko ka qenë kompetent i padiskutueshëm në lëndën e fiziologjisë dhe njëherësh tepër metodik e serioz në raport me studentët. Njohuritë e thella, qetësia dhe elokuenca në përçimin e njohurive si dhe formimi i tij kulturor universal, ishin tiparet dalluese që i dhanë atij statusin e një profesori autoritar në mjedisin universitar. Edhe sot e kësaj dite, gjenerata të shumta të studentëve i kujtojnë me nostalgji leksionet e mrekullueshme të Prof. Alikos.
Në kërkimin shkencor Prof. Haxhiu do të mbahet mend për punën serioze dhe këmbëngulëse. Ai i pari filloi dhe udhëhoqi studimin e sëmundjeve metabolike në kushtet e prodhimit blegtoral të vendit, duke hapur shtegun e një kapitulli të ri modern të mjekësisë veterinare.
Aktiviteti shkencor i Prof. Alikos është reflektuar edhe në atë botues. Me emrin e tij numërohen 37 artikuj shkencorë, 7 tekste mësimore, 3 libra e monografi, 7 udhëheqje disertacionesh si dhe botime të tjera të botuara në periodikë të ndryshëm të kohës.
Në funksionin e Rektorit, ai u shqua per integritetin dhe profesionalizmin e tij, duke bërë që të mbahet mend si nj ndër drejtuesit më seriozë dhe me integritet të UBT.
Së fundi më lejoni të theksoj se Prof. Haxhi Aliko është një nga personalitetet me gjurmë të pashlyera në historinë e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare. Fakulteti i Mjekësisë Veterinare i cili së shpejti do të festojë 70 vjetorin, është ngritur dhe konsoliduar falë kontributeve dhe punës së palodhur të shumë profesorëve. Me emrat e tyre lidhet produkti prej rreth 4500 mjekë veterinerë të diplomuar nga ky fakultet që kanë punuar, vazhdojnë të punojnë dhe gëzojnë respekt. Fatkeqësisht një pjesë e madhe e këtyre profesorëve nuk janë më mes nesh, por fatmirësisht ka ende prej tyre që janë.
Mbetet detyra jonë për të evidentuar e vlerësuar kontributet e tyre.

Përgatiti për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare, Prof. Vangjel Ceroni
Tiranë 11.05.2021