Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Zoonozat » Plasja-Anthrax – Përhapja me anën e injeksionit!

Plasja-Anthrax – Përhapja me anën e injeksionit!

PLASJE NË NJË PERSON QË MERTE HEROINË ME INJEKSION

(Marë nga Eurosurveillance –Zoonotic Disease 2012)

(Informacion shkencor i shkurtër)

Nga Profesor Kristaq BERXHOLI

Virolog – Fakulteti i MjekësisëVeterinare
Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar

Tiranë –Shqipëri

Kultura e gjakut nga një përdorues heroine i cili vdiq ne qershor të 2012, disa orë pas hospitalizimit, si pasojë e një sëmundje akute, tregoi prezencën e B. anthracis. Në fillim të qershorit të 2012, u identifikua një rast plasje në një perdorues heroine në Gjermani.

Fillimisht tek ky person, nuk u dyshua për prezencë të B. anthracis dhe pacienti vdiq mbasi kishte ardhur në spital. Dy ditë më vonë, u konfirmua plasja dhe u informuan autoritetet përkatëse. Dy javë më mbrapa, nga rasti i parë, u diagnostikua rasti i dytë nga i njëjti regjion në Gjermani. Pacienti u stabilizua në saje të përdorimit të terapisë me antibiotikë. B. anthracis u diagnostikua tre orë pas kulturës nga gjaku. Nëpërmjet këtij informacioni, ne duam që të theksojmë rëndësinë e vlerësimit të këtij infeksioni dhe marrjen parasysh të ndonjë rasti të mundshëm në përdoruesit e drogës me injeksion tek të cilët vrehet ethe ose sepsis, për një menaxhim më të mirë të situatës.

Rasti i plasjes me injeksion ishte raportuar që në vitin 1988, si rruga e katërt e infeksionit, përveç rrugës kutane, gastrointestinale dhe inhalative. Rasti i parë i kësaj mënyre të infeksionit, ishte raportuar në Norvegji në vitin 2000.   Që nga ky rast nuk ka patur të dhëna të tjera, deri në Dhjetor të 2009, kur plasja u konstatua në kulturën e gjakut nga dy përdorues droge nga Glasgow. Në muajt pasardhës, u rrit numuri i këtyre rasteve të identifikuara dhe nga fundi i 2010, ishin konfirmuar gjithsejt 47 raste me plasje nëpërmjet injeksionit (përfshi këtu 13 vdekje). Hipoteza më e mirë e mundshme e shkakut të prezencës së bacilit të plasjes në heroinë mendohet të jetë që heroina mund të ketë qënë në kontakt me lëkurën e dhive të kontaminuara me sporet e plasjes, gjatë transportit për në Skoci.

Sipas të dhënave të autoriteteve gjermane, B.anthracis është parë shumë rrallë nëGjermani dhe në vendet e zhvilluara.  Autoritetet gjermane theksojnë se stafi laboratorik dhe klinicistët duhet të rrisin vëmëndjen kur bacilët gram pozitivë rriten në zinxhirë në mostrat klinike që kontrollohen. Meqënëse B.anthracis, nuk mund të diferencohet realisht nga B. cereus nëpërmjet karakteristikave të rritjes, morfologjisë së qelizës bakteriale ose metodave biokimike, aplikimi i testit MALDI-TOF-MS, është i vlefshëm për ta realizuar këtë moment dhe ai përmëndet si i tillë nga shumë laboratorë të specializuar të botës.

Shënimi ynë: Roli i lëkurëve të dhive, në përhapjen e infeksionit të plasjes, është injohur. Krahas këtij rasti, edhe në shumë raste të tjera, më përpara, është vrejtur ky fenomen. Kështu p.sh, lëkura për përgatitjen e daulleve, të mara nga dhitë me status të panjohur kundrejt infeksionit të plasjes, ka qënë shkaku i shpërthimit të këtij infeksioni në një numur të konsiderueshëm personash në Haiti.

Nuk lejohet ripublikimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Ju lutemi në rast referimi nga ky shkrim të përmendet linku i veterineret.com si dhe autori i shkrimit!


Na shkruani