Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Të ushqyerit e kafshëve » Silazhi-Njohuri të përgjithshme

Silazhi-Njohuri të përgjithshme

 

Silazhi paraqet ushqim të lëngët, të konservuar, i cili përfitohet gjatë fermentimit acido laktik, ku sheqernat nga ushqimi nën veprimin e enzimave dhe bakterieve acido laktike zbërthehen në acide organike (në radhë të parë në acid laktik), që e pengojnë prishjen e ushqimit të gjelbër.
Në krahasim me mënyrat e tjera të përgatitjes së ushqimeve të kafshëve silazhimi ka disa përparësi, kështu që silazhi është ushqim bazë për të ushqyerit e kafshëve e sidomos të ripërtypësve. Përparësitë kryesore të silazhimit janë: Humbjet e lëndës së thatë gjatë procesit të silazhimit janë 15-25 %.
Mundësia e shfrytëzimit të silazhit në periudhat gjatë vitit ku nuk ka vegjetacion të bimëve.
Qëndrueshmëria e silazhit është mjaft e gjatë mund të përdoret ose të ruhet një kohë tepër të gjatë .
Silazhi siguron sasi të mëdha të ushqimit për kafshë me çmim më të lirë. Për silazhim shfrytëzohen mbeturinat e ndryshme të bimëve të cilat do të mbeteshin pa u shfrytëzuar sepse gjatë sezonit vijnë në sasi të mëdha (p.sh. gjethet dhe kokat e panxharsheqerit, nënproduktet e prodhimeve, pemëve, barojat e këqija të cilat me silazhim bëhen jotoksike. Kushtet klimatike nuk e pengojnë procesin e silazhimit. Zvogëlimi i kërkesave për deponimin e masës së gjelbër p.sh. për sanë nevojiten hapësirë për 1 m3 = 70 kg. dhe përmban 60 kg. lëndë të thatë, ndërsa në 1m3 mund të vendosen 600-800 kg. silazh.
Mundësia e përdorimit të shkallës së lartë të mekanizmit.
Misri foragjer jep rendimente të larta për përgatitjen e silazhit.

Parakushtet optimale për përgatitjen e silazhit cilësor Për prodhimin e silazhit duhet të kemi parasysh këto parakushte: minimumi i sheqerit, lagështia, temperatura, krijimi i kushteve anaerobe, pH-aciditeti.

-Minimumi i sheqerit – aftësia e masës së bimëve që të silazhohen varet nga minimumi i sheqerit. Ato bimë të cilat kanë sasi më të madhe të sheqerit shumë më lehtë mund të silazhohen. Këtu bëjnë pjesë bimët të cilat kanë sasi të madhe të hidrateve të karbonit me tretshmëri të lartë (misri).
Bimët me përmbajtje më të lartë të proteinave (leguminozet) nuk silazhohen mirë sepse kanë mungesë të hidrateve të karbonit.

-Kushtet anaerobe – prezenca e ajrit në masën e silazhuar është e dëmshme pasi që pengon procesin e fermentimit acido laktik dhe favorizon oksidimin aerob (procesin e frymëmarrjes) dhe gjatë këtij procesi shfrytëzohen sasia të mëdha të sheqerit.
Që të sigurohen kushtet anaerobe duhet që masa për silazhim të shtypet sa më shumë.

– Lagështia – Sasia e lëndës së thatë në masën për silazhim paraqet një ndër faktorët kryesorë për përfitimin e silazhit cilësor. Optimumi i lagështisë në masën për silazhim sillet diku prej 65-75%.

Sasitë më të larta të lagështisë në masën për silazhim do të krijojnë kushte jo të volitshme për veprimin e baktereve të fermentimit acido laktik dhe do të ulin koncentrimin e lëndëve ushqyese, në anën tjetër prezenca më e madhe e ujit në masën e silazhuar shkakton edhe shpëlarjen e lëndëve ushqyese dhe largimin e ujit të tepërt nga silosi. Lagështia më e ulët se 65% në masën për silazhim gjithashtu na krijon veshtërsi nga aspekti i cilësisë së lëndëve ushqyese. Kështu në këtë mënyrë me rritjen e lëndës së thatë rritet edhe sasia e celulozës e sidomos ligninës e cila e pengon fermentimin acido laktik dhe formimin e kushteve anaerobe.

-Temperatura. – gjatë procesit të silazhimit në fillim temperatura është më e lartë, mirëpo më vonë temperaturat optimale janë 28- 30oC.

-Aciditeti pH – është parakusht i rëndësishëm për përfitimin e silazhit cilësor.

Kufiri optimal i pH në silazh duhet të jetë 3.5-4.2. Nëse pH ngritët mbi 4.2, do të fillojë prishja e silazhit dhe ky silazh më vështirë mund të ruhet dhe është më pak cilësor.

Teknika e silazhimit paraqet një renditje të caktuar të veprimeve me masë të gjelbër, duke filluar prej kositjes së bimëve e deri te përfundimi i procesit të silazhimit. Zbatimi korrekt i teknikës së silazhimit është kusht për zhvillimin e fermentimit acido-laktik dhe për fitimin e silazhit cilësor.

Teknika e silazhimit përfshin kositjen e masës së gjelbër, grimcimin, ngarkimin në mjete transportuese, transporti deri në depot për silazhim, shkarkimin në depo për silazh, shtypja dhe izolimi i masës për silazhim nga ajri.

Të gjitha këto operacione duhet të jenë të sinkronizuara dhe të kryhen me veprime më të shpejta. Grimcimi mundëson shtypjen më të mirë të masës së gjelbër në depot e silazhit. Madhësia e prerjes së masës së gjelbër është e ndryshme dhe varet nga aftësia e saj për shkelje. Misri foragjer dhe luledielli mund të shtypen mirë dhe mund të grimcohen në madhësi deri 5.5 cm, ndërsa te bimët tjera gjatësia duhet të jetë 1 – 3 cm. Masa e grimcuar më lehtë shtypet dhe konsolidohet, si dhe mundëson rrjedhjen e lëngjeve të bimëve të cilat u mundësojnë baktereve si bazë ushqyese për t’u shumëzuar ato.

Shtypja varet nga sasia e masës për silazhim, madhësisë dhe tipit të depove për silazhim.

Kur silazhohet sasi më e vogël e masës për silazhim, atëherë shkelja bëhet me forcë shtypëse më të vogël (me njerëz, kafshë etj.), kurse kur kemi masë më të madhe shkelja bëhet me traktor me zinxhir dhe makina tjera të rënda të specializuara për këtë punë. P.sh. makina me vibrator.

Shtypja nuk është e nevojshme në siloset të cilët kanë formë bunari, sepse këtu masa shtypet nga vetë masa që renditet. Këtu është e nevojshme vetëm shtypja e shtresës së fundit. Qëllimi i shkeljes, pra, është që të eliminohet ajri nga masa e silazhuar, në mënyrë që të krijohen kushtet anaerobe për zhvillimin e baktereve acido laktike. Nëse operacioni i shkeljes nuk është bërë si duhet, atëherë si pasojë kjo silazh nuk mund të përdoret për të ushqyerit e kafshëve. Mbushja e silosit bëhet në atë mënyrë që masa e gjelbër për silazhim të vendoset sipas mundësisë në tërë sipërfaqen e silosit me një trashësi jo më të madhe se 10 cm., dhe duhet të fillojë shtypja prej pjesëve të mureve të silosit kah mesi i silosit, duke kaluar disa herë nëpërmes të masës së silazhuar, kështu që muri i silosit prej fillimit të ngjitet më lartë nga muri i silosit në mënyrë që në fund të mbushjes masa e silazhuar të jetë së paku një metër mbi nivelin e silosit.
Mbushja e silosit duhet të bëhet sa më shpejtë jo më gjatë se për 2 – 3 ditë.

Mbulimi i masës së silazhuar – është një operacion mjaft me rëndësi i cili e pengon depërtimin e ujërave nga kushtet atmosferike dhe nuk lejon depërtimin e ajrit. Mbulimi i silosit mund të bëhet me dhe, kashtë, masë plastike, letër të bitomenit etj. Silosi mbyllet nga të gjitha anët si konserva. Nëse mbulohet mirë, atëherë zvogëlohet thellësia e prishjes së silosit deri 50 cm. Mbulimi i mirë i silazhit mund të bëhet duke vendosur një shtresë të hollë të kashtës, mbi te të vendoset një sasi e dheut, në trashësi 10 – 15 cm., kjo mund të shkelet dhe mbi te mund të mbillet ndonjë kulturë, p.sh. drithërat.

Shtojcat dhe konservantët e ndryshëm në silazh – që të shpejtohet procesi i silazhimit dhe të ruhet vlera ushqyese e silazhesh, shtohen ushqimet e koncentruar me përmbajtje të hidrateve të karbonit, kulturat e pastra të mikroorganizmave, acide, kripna, sterilizues etj. Ushqimet me përbërje të hidrateve të karbonit shtohen kur silazhohen leguminozet. Këtu shtohet misrit i bluar, tërshëra e bluar ose elbi i bluar në sasi 0,5 – 10% të masës së silazhës.

Melasa shtohet prej 0,5 – 4%. Patatja shtohet kur silazhojmë jonxhën ose ndonjë leguminoze tjetër në sasi 4-5%. Panxharsheqeri ose rriskat e terura ose të freskëta të panxharsheqerit shtohen në sasi 5 – 10%. Ushqimet me hidrate të karbonit e shpejtojnë formimin e acidit laktik dhe rrisin vlerën ushqyese të silazhit, si p.sh. sasinë e lëndës së thatë. Prej mikroorganizmave si kulturë e pastër, më së shpeshti shtohen bakteret acidolaktike, në sasi 0.2, 0.4 dhe 0.8% por përdorimi i tyre është joekonomik. Prej përbërësve kimik më së shumti shtohen acide dhe kripëra. Prej acideve shtohet acidi fosforik, acidi laktik, formik, etj. mirëpo, përpos acidit formik këto acide tjera shkaktojnë acidoza te kafshët. Prej kripërave më së shpeshti shtohet NaCl deri 0.45% të masës së silazhës.

Si shtojca të veçanta të cilat kanë për qëllim rritjen e proteinave në silazh më së shpeshti shtohet urea dhe kripërat e ndryshme të amoniumit. Depot për silazhim, vendet ku vendoset masa për silazhim quhen silose.

Siloset i ndajmë në ato të improvizuara, silose për përdorim më të gjatë dhe ato nëntokësore. Në silose të improvizuar hyjnë siloset-gropa, gjysmë kanalet, silos-kanalet, siloset e adaptuar etj.

Këta silos mund të kenë forma të ndryshme, të rrumbullakët, katrorë, katërkëndësh. Këta silos zakonisht janë të pa mure. Te këta tipa të siloseve duhet të kemi kujdes që të mos depërtojnë ujëra nëntokësorë. Siloset me përdorim më të gjatë mund të jenë nëntokësorë dhe mbitokësorë. Këta ndërtohen prej materialeve të ndryshme, si beton, tulla, metal, dru etj. Siloset nëntokësorë mund të ndërtohen në forma të ndryshme siç janë forma e kullës, cilindrit, etj.

Përparësia e tyre është se masa nuk duhet të shtypet. Dobësitë janë të shumta, si psh mbushja është e vështirë, dhe nuk mund të përdoret mekanizimi i zbrazjes etj.

Këto lloje të siloseve kanë qenë të popullarizuar diku rreth vitet 1960/65.

Burimi informacionit: Bazat e Ushqimit të Kafshëve Tiranë 2013

Këtë e pëlqejnë %d blogues: